Moikom Zeqo
(3 qershor 1949, Durrës – 15 Qershor 2020, Tiranë)

Arkeologu italian Ugolini ka regjistruar një legjendë të çuditshme që ka mbijetuar te shqiptarët në jug të Shqipërisë.
Legjenda vjen nga Mesjeta, të paktën nga shekulli XII. Sipas saj Juda, apostulli dhe tradhtari i Krishtit, gjoja paska lindur në Akropolin e Butrintit.
Ky besim i çuditshëm dhe fantazmagorik, ndoshta e ka prejardhjen nga një keqkuptim i natyrës topografike, pra është një lloj kakofonie.
Në ishullin e Korfuzit ka një fshat, që quhet Skaria (ndoshta emri homerik i Korfuzit). Banorët quhen skariotë, nga Skarioti tek Iskarioti rruga e ngatërrimit është tepër e ngushtë, por edhe e lehtë. Por banorët e Korfuzit nuk kanë dashur ta kenë “këtë lavdi të palavdishme”. Dhe thonë se vendlindja e Judës ka qenë Butrinti.
Që kjo legjendë nuk është një shpikje mendore e kohërave moderne, apo një kuriozitet i thukët, del qartë nga fakti se luftëtarët e Kryqëzatës IV (viti 1204) e dinin këtë gojëdhënë të nëmur, që përmendet edhe nga abati benediktin i Piterborosë, në veprën e tij “Bëmat e Mbretit Henriku i Dytë”.
Zanafilla e gojëdhënës është shumë më e vjetër se shekulli XIII. Kjo do të thotë që në shekullin XII kjo histori e paragjykuar qe gati një traditë e besueshme, e gatshme, një material për të ndërtuar struktura fantazish të përshtatshme për kryqtarët.
Nuk dihet dhe nuk mund të shpjegohet pse lindi miti se Butrinti qe vendlindja e Judës. Kjo është në kundërshtim të plotë me informacionin e katër ungjijve sinoptikë. Ndoshta buron nga ndonjë ungjill apokrif? Ndoshta kultura gnostike ka gëluar këtu në Antikitetin e Vonë dhe në Mesjetën e Hershme?
Dihet se një komunitet hebrenjsh ka jetuar në rrethinat e Vlorës dhe emri i qytetit Orikum u quajt prej tyre me emrin e qytetit biblik Jeriko.
Kjo ngatërresë qe thjesht e qëllimshme, apo metaforike? Kemi të bëjmë këtu me shtegtimin e toponimeve, të emër-vendeve, dukuri kjo e rëndomtë në kohë dhe në hapësirë? Pse këto mite vendase dhe lokale, të brumëzuara nga krishterimi vërtiten dhe përhapen përqark?
Pse Butrinti, qyteti virgjilian i Eneut, që u lartësua në kohën e Oktavian Augustit, u quajt si vendlindja e nëmur e Judës?
Ungjijtë thonë saktësisht se Juda u vetëvar në një vend të caktuar në Jerusalem.
Juda qe flokëkuq, puthja e tij e famshme e identifikimit ka mbetur një shëmbëlltyrë letrare dhe proverbiale e të gjitha kohërave.
Dyzet asprat e argjendta nuk janë për të paguar kalimin e tij me barkën e Karontit në Had, janë pengu i tij i çmendurisë dhe i mosmirënjohjes më të skajshme.
Vetëm Borgesi në një tregim të pabesueshëm dhe të llahtarshëm, të quajtur “Tri interpretimet e Judës” shkruan se gjoja Nils Runebergu, një studiues i çmendur, por edhe mendjemprehtë, anëtar i një bashkësie evangjeliste, shkroi një vepër ku rreket të vërtetojë se Juda e kishte tradhtuar Jezu Krishtin që ta detyronte, ta shpallte hyjninë e tij dhe t’i jepte zjarr revoltës kundër shtypjes romake. Juda, i vetmi ndër apostujt, kishte parandier hyjninë e mistershme dhe qëllimin e zjarrtë të Krishtit. Fjala ishte përulur që të bëhej fjalë e vdekjes, Juda, nxënësi i Fjalës, mund të përulej dhe të bëhej denoncues(më e keqja që përmban një ç`nderim) dhe të hynte në zjarrin që nuk shuhej. Sistemi i poshtëm është pasqyrë e më të lartit, trajtat e Tokës përputhen me trajtat e Qiellit, njollat e lëkurës së Judës qenë hartë e yjësive të amëshueshme, në njëfarë mënyre Juda ishte shkëlqimi i personalitetit të Krishtit.
Nils Runebergu u mbështet në motivin e asketizmit të tepërt, madje të skajshëm. Asketi e damkos dhe e mundon trupin e vet për të arritur famë sa më të madhe te Zoti. Juda, po ashtu kishte bërë me shpirtin e tij, kishte hequr dorë nga nderi, mirësia, por dhe nga mbretëria qiellore. Ai që më parë se të tjerët me fuqi parashikuese i kishte parashikuar mëkatet e veta. Në shkeljen e kurorës zakonisht kemi butësi dhe therori, në vrasje-guxim, në profanizim dhe blasfemim të Zotit-një xixë të satanizmit. Juda kishte zgjedhur mëkatet, që në vetvete nuk ngërthenin asgjë nga virtyti. Këtu shpjegohet keqpërdorimi i besimit dhe denoncimi. Veproi me përunjësi të rrallë, veten e konsideroi të padenjë për të qenë i mirë.
Juda e synoi Ferrin, se për të ishte e mjaftueshme fama e Zotit. Ky arsyetim borgesian të çmend dhe të çemerros, është më tepër eksperiment mendor.
Por kryqtarët e Mesjetës ishin ende të paditur dhe të paaftë për të arritur te Borgesi. Kështu ata besuan me tërë mend një keqkuptim shqiptar dhe gati kozmik se Butrinti, qe vendi ku lindi Juda i neveritshëm. Shumë e lodhshme dhe e papritur kjo histori!
Nuk kam fuqi dhe as shpresë ta vazhdoj më tutje…
Kanë thënë:
- Dr. Laidon Shapo: Moikom Zeqo ka qenë një intelektual dhe profesionist kalibri, një atdhetar dhe qytetar model, një personalitet dhe qenie modeste që punoi deri në frymën e fundit! Humbje e pritshme, por prapë shumë e dhimbshme.
- Prof. Aleksandër Peçi: Moikom Zeqo ka qenë një yll ndriçues në kulturën shqiptare! Një nga intelektualët më të shkëlqyer, që i dha zë mendimit shkencor, poetik, letrar, arkeologjik, historik, filozofik, estetik, muzeal dhe politik! Një gjigand krijues, një mendje enciklopedike, një poliedrik me 62 libra të botuar, explorator i mendimeve të mëdha. Sa shumë nevojë kemi t’i referohemi veprës së jashtëzakonshme të Moikom Zeqo.
Politikat për komente të Fondacionit “Henrietta Leavitt”
- Komentet nuk shfaqen menjëherë, sepse kalojnë në sitën e moderimit, për aprovim ose jo, të Fondacionit “Henrietta Leavitt”. Komentet që nuk kanë lidhje me argumentin e temën, po ashtu edhe ato që përmbajnë mesazhe jodashamirëse, reklama, apo sulme personale nuk aprovohen.
- Ju lutem kini në vëmendje këto politika përpara se të lini komentin tuaj!