JOHN DEWEY (1859-1952)

Nga Valbona Nathanaili

  • Arsimi është shkencë: si i tillë ka metoda dhe rezultatet e tij mund të maten.
John Dewey (1859-1952)

Fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, në ShBA karakterizohet nga kritika të ashpra për mënyrën tradicionale të të mësuarit në shkolla. John Dewey ishte një nga filozofët më me influencë në pedagogjinë e shkollimit amerikan, nismëtari, zëdhënësi dhe frymëzuesi i një prej lëvizjeve më jetëgjata në arsimin amerikan: lëvizjes progresiviste. Progresivizmi ishte një lëvizje që kërkonte të ndryshonte bërthamën e shkollimit, për të kaluar nga mësimdhënia me qendër mësuesin, faktin e riprodhimin e tij, në një pedagogji tjetër, bazuar në të kuptuarin e proceseve të të menduarit të fëmijëve e të kapacitetit të tyre për të mësuar dhe për të përdorur idetë në kontekstin e problemeve të jetës reale, në një të mësuar me qendër nxënësin.[1]

Sipas Dewey, arsimi duhet bazuar në besimin se njerëzit janë qenie sociale, të cilat mësojnë më mirë nëpërmjet aktiviteteve të lira, duke fituar shkathtësi e përvetësuar teknika që do t’u shërbejnë si mjet për të arritur objektiva me interes jetësor. Fryma e edukimit duhet të jetë eksperimentale, sepse mendja është në thelb një instrument për zgjidhjen e problemeve dhe, kësisoj, është më e rëndësishme të provojmë mjete alternative për zgjidhjen me sukses të problemeve, sesa të zbatojmë formulime teorike të shkëputura.[2] Dewey pajtohet me Platonin dhe, njëkohësisht, e kundërshton atë: pajtohet me besimin e Platonit se çdo fëmijë duhet të edukohet në përputhje me karakteristikat e tij; është kundra me ndarjen shtresore që i bën Platoni shoqërisë, si dhe kategorive hierarkike që lidheshin me arsimin e fëmijëve.

Në përpjekje për të eksperimentuar dhe materializuar teoritë e idetë e tij, më 1896, Dewey themelon shkollën laborator pranë universitetit të Chicago-s, që shumë shpejt u bë një nga shkollat më të famshme, vendi ku mblidheshin dhe diskutonin reformatorët më të flaktë. Në shkollën e krijuar sipas modelit “Dewey” mungojnë klasat tradicionale, fëmijët mësonin në grup, duke kaluar nga një mjedis në tjetrin dhe duke eksperimentuar në shkenca të ndryshme, në një atmosferë tolerante dhe krijuese, ku mbizotëronte iniciativa dhe angazhimi individual i nxënësve në projekte të larmishme: “mësojmë duke bërë”, rrjedhojë e pragmatiz-mit të Dewey-it. Kjo shkollë shumë shpejt u pasua me të tjera të ngjashme dhe, më e rëndësishmja, frymëzoi një reformë në shkallë të gjerë, mbështetur në një literaturë të fuqishme pedagogjike dhe shoqëruar me ndryshimet përkatëse në kurrikul. Në të gjithë vendin, shkollat zgjeruan programet e tyre, me synimin për t’i përshtatur sa më mirë me nevojat e nxënësve dhe të komunitetit; pasuruan infrastrukturën me biblioteka, laboratorë e sheshe për lojra; përfshinë projektet si pjesë të përgatitjes së nxënësve; bënë pjesë të mësimdhënies bisedat me specialistë e profesionistë, anëtarë të komunitetit përreth shkollës.

Në kuadër të reformimit të kurrikulës, në distrikte të ndryshme, lindën iniciativa të reja, të cilat pasuruan dhe çuan më tej idetë progresiviste për arsimin.[3] Është për t’u përmendur përshtatja e mësimdhënies në përputhje me përparimin individual ose, ndryshe, përshtatja e kurrikulës sipas kërkesave individuale të çdo nxënësi, e cila u quajt me emrin plani “Winnetka”, sipas qytetit ku u zbatua për herë të parë, por që u modifikua për shkak të pamundësisë për të punuar individualisht me çdo nxënës dhe u kalua në punën në grup, sipas modelit të progresit të diferencuar. Kjo e dyta njihet si “Rruga e zhvillimit”. Në fundin e viteve ‘930 dhe fillimin e viteve ‘940, reforma ishte bërë një çështje kombëtare, shoqëruar me një numër jashtëzakonisht të madh botimesh në ndihmë të përgatitjes së mësuesit për t’u përshtatur me këtë pedagogji të re, nën moton “t’i mësojmë fëmijët si të mendojnë”, “t’i përgatisim për jetën jo duke u kërkuar të riprodhojnë mekanikisht dije të vjetëruara e që nuk u hyjnë në punë, por duke i aftësuar për zgjidhjen e problemeve aktuale, që nuk kanë lidhje vetëm me matematikën apo shkencën e tokës, por që janë pjesë e së përditshmes”. Shkollimi duhet bërë përmes rigjenerimit të përvojës, por në kushte të reja: fëmijët duhet të sjellin “shtëpinë në shkollë” dhe duhet të çojnë “shkollën në shtëpi”, nëse synojmë të kemi zhvillimin e tyre në mënyrë sa më të natyrshme.

Reforma arriti të përhapej në të gjithë vendin dhe idetë e saj mbizotëruan në  sistemin shkollor amerikan për afro gjysmë shekulli. Kritikat më të ashpra erdhën pas vitet ‘950. Botimi i raportit të Këshillit Kombëtar për Ekselencën në Arsim, më 1983, me titull Një komb në rrezik, tregonte standardet e ulëta në performancën e nxënësve amerikanë, e cilësonte kurrikulën të tipit kafe, ku antipastat dhe ëmbëlsira mund të merren lehtë si pjata kryesore dhe, vetë mësuesit, si të papërgatitur. Raporti kërkonte ndryshime në:

  • përmbajtjen akademike, duke e cilësuar si mediokre apo edhe katastrofë për sistemin amerikan
  • pritshmëritë, më shumë kërkesa për sasinë e nivlein e dijeve që duhet të nxënë
  • kohën dhe shpërndarjen e saj në funksion të etapave të ndryshme të orës mësimore
  • mësimdhënien, karakterizuar nga një nivel më i lartë akademik

Ky mund të quhet fundi i “sundimit” të lëvizjes progresiste në sistemin shkollor amerikan. Idetë e lëvizjes progresiviste, të moderuara, gjejnë zbatim edhe sot në shumë shkolla në ShBA.

Progresivizmi mëson procesin e problem-zgjidhjes, duke hartuar programe të veçanta në varësi të nevojave të nxënësve.

Baza filozofike: eksperimentalizmi.

  • [1] Elmore R. F., 2011. “Reforma shkollore, nga brenda jashtë“. Tiranë: Shtëpia Botuese Universitare U.F.O Press, f. 18.
  • [2] Stumpf S. F., 2006. “Filozofia, historia & problemet“. Tiranë: Shtëpia Botuese Toena, f. 396.
  • [3] Elmore R. F., 2011. “Reforma shkollore, nga brenda jashtë“. Tiranë: Shtëpia Botuese Universitare U.F.O Press, f. 20.

Politikat për komente të Fondacionit “Henrietta Leavitt”

  • Komentet nuk shfaqen menjëherë, sepse kalojnë në sitën e moderimit, për aprovim ose jo, të Fondacionit “Henrietta Leavitt”. Komentet që nuk kanë lidhje me argumentin e temën, po ashtu edhe ato që përmbajnë mesazhe jodashamirëse, reklama, apo sulme personale nuk aprovohen.
  • Ju lutem kini në vëmendje këto politika përpara se të lini komentin tuaj!