Jean Monnet  (9 nëntor 1888 – 16 mars 1979)

  • Me rastin e 134 vjetorit të lindjes
  • Sipërmarrës, diplomat, ekonomist dhe një nga etërit themelues të Bashkimit Europian
Jean Monnet  (9 nëntor 1888 – 16 mars 1979)

Pak biografi

Jean Monnet u lind në një familje tregtarësh konjaku. Punën e parë e nis në biznesin e familjes dhe merret me eksportet e këtij produkti. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, vendoset në Londër. Gjithnjë në funksion të profesionit të zgjedhur udhëton shpesh, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

  • Më 1914, i propozon qeverisë franceze të krijojë një strukturë bashkërenduese midis flotës tregtare franceze dhe asaj angleze, për lehtësimin e transportit detar.
  • Më 1919, ndihmon në formimin e Lidhjes së Kombeve dhe zgjidhet Ndihmës Sekretar i përgjithshëm i saj, për periudhën 1920-1923, në fund të së cillës jep dorëheqjen për t’u marrë përsëri me biznesin e familjes.
  • Me fillimin e Luftës II Botërore, vë në lëvizje përsëri diplomacinë dhe politikën franceze për të jetësuar idenë e tij të vjetër për vendosjen e një bashkëpunimi anglo-francez, kësaj radhe në fushën e prodhimit të armëve. Më 1940, përpiqet të realizojë një shkrirje mes Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Në gusht 1940, përfaqëson qeverinë angleze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bind Ruzveltin të punojë në drejtim të zhvillimit dhe fuqizimit të industrisë së luftës.

Falë kontributeve të vyera, Jean Monnet zgjidhet anëtar i Komitetit Francez të Çlirimit Kombëtar të Algjerit, dhe negocion me qeverinë amerikane huatë e para. Me çlirimin e Francës, emërohet Komisar i Planifikimit, detyrë që e mban nga dhjetori i vitit 1945 deri më 1952. Për francezët, Monnet ështëbabai” i planeve pesëvjeçare për rindërtimin e vendit.

Në këtë periudhë, një vëmendje të veçantë i kushton projektit për krijimin e një “Komuniteti Europian të Qymyrit dhe Çelikut”. Lindin idetë dhe teoritë e para, gjë që në mënyrë mëse logjike e çojnë drejt një detyre e përgjegjësie të re: President  i Autoritetit të Lartë (1952 -1955), që në pikëpamjen e tij, sa i takon protokollit, duhet të jetë i njëvlefshëm me atë të një kryetari shteti. Në këtë periudhë Monnet kërkon përshpejtimin e ecjes në drejtim të unifikimit evropian, duke i propozuar Gjashtëshes Europiane (G6) krijimin e një Komunitet Europian për Çështjet e Mbrojtjes (CED). Por parlamenti francez, e hedh poshtë këtë propozim më 1954, me votat e komunistëve dhe të golistëve. Monnet jep dorëheqjen, për të krijuar Komitetin e Veprimit për Shtetet e Bashkuara të Europës, me orientim të hapët federalist, me shpresën për të krijuar një Europë, e cila për të mirën e saj, duhej të punonte për eliminimin e sovranitetit të shteteve.

  • Nga viti 1988, eshtrat e Jean Monnet prehen në Panteon. Në varrin e tij gjendet ky epigraf:  “Njerëzve të mëdhenj, Atdheu u është mirënjohës!”

NJË EUROPË E FEDERUAR

Jean Monnet

Fjala e mbajtur përpara Klubit të Shtypit Kombëtar / Uashington, 30 prill 1952

Ndodhemi në një çast të volitshëm për të folur për krijimin e Europës. Brenda pak muajsh, Komuniteti Europian i Qymyrit dhe i Çelikut do të jetë një realitet. Plani “Pleven” për krijimin e një ushtrie evropiane, do të kalojë edhe ai, përmes disa etapash që ka njohur tashmë plani “Shuman”. Pas një viti pune, Traktati që krijon Komunitetin Europian të Mbrojtjes, do të nënshkruhet shumë shpejt nga qeveritë që marrin pjesë në Planin Shuman. Zbatimi i Planit “Shuman” do të sjellë me vete eliminimin e tarifave doganore të qymyrit dhe çelikut, të kuotave midis vendeve pjesëmarrëse ashtu si edhe të krejt praktikave diskriminuese dhe kufizuese.

[…] Institucionet e krijuara nga plani “Pleven” dhe plani “Shuman” do të shkaktojnë një çarje në kështjellën e sovranitetit kombëtar, i cili pengon rrugën e bashkimit të Europës, që nuk ka qenë kurrë e rrezikuar nga ndonjë marrëveshje ndërkombëtare e njohur prej nesh. Që prej një mijë vjetësh, sovraniteti kombëtar është shfaqur ne Europë përmes nacionalizmave dhe përpjekjesh të kota e të përgjakshme, për hegjemoninë e një vendi mbi një tjetër. Në sistemin e marrëveshjeve ndërkombëtare, interesat kombëtare mbeten sovrane, qeveritë kanë të gjithë pushtetet, ndërkohë që vendimet mund të merren vetëm me unanimitet. Në fund të fundit, europianët vijojnë të mbeten të përçarë mes tyre. Në këtë kuadër, bashkëpunimi frenohet, kur interesat kombëtarë nuk përputhen dhe lufta mbetet e vetmja zgjidhje. Krijimi i institucioneve dhe i rregullave të përbashkëta, që sigurojnë shkrirjen e sovraniteteve kombëtare, do t’i bashkonte europianët nën një autoritet të përbashkët dhe do të eliminonte shkaqet themelore të konflikteve.

[…] Britania e Madhe, kryesisht për shkak të pozicionit të saj të veçantë, si qendër e Komonuelthit, nuk e ka gjykuar të arsyeshme të marrë pjesë plotësisht që në fillim të planit “Shuman” e më pas, të planit për ushtrinë e përbashkët evropiane. Ne i kuptojmë këto arsye. Por kemi gjithashtu edhe garancinë se anglezët do të bashkohen me ne në mënyrën më të ngushtë. Me mbështetjen e tyre, si edhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadrin e Komunitetit Atlantik, ne jemi të bindur se mund të bëjmë së bashku përparime të mëdha për realizimin e projekteve tona.[…]

Ne jemi të vendosur të veprojmë. Ne jemi të vendosur të krijojmë Bashkimin e Europës e madje ta bëjmë shpejt. Me planin “Shuman” dhe me ushtrinë europiane, ne kemi hedhur themelet mbi të cilat mund të ndërtojmë Shtetet e Bashkuara të Europës, të lira, të fuqishme, paqësore e të begata.