Nga Valbona Nathanaili

Kushdo që jeton në Tiranë ka kaluar të paktën një herë nga “21 dhjetori”, thjesht sepse zona ndodhet në një nyje të rëndësishme kalimi dhe është një nga më të populluarat e më me lëvizje të qytetit. Unë kam jetuar në atë zonë nga vitet 1963-1982 dhe në kujtimet e mia, ajo që unë i referohem si “21 dhjetori”, fillon te i ashtuquajturi sheshi “Mustafa Kemal Atatürk”, aty ku pritet unaza e vogël me rrugën e Kavajës dhe vazhdon në të majtë të unazës, deri te pikëprerja e saj me rrugën “Myslym Shyri”. Zona përfshin tre pallatet nr. 34, 36 & 38 që gjenden buzë rrugës (përballë shkollës “Sabaudin Gabrani”) si dhe ato në brendësi të saj.

‘E kam shtëpinë te 21 dhjetori’ ka shërbyer si një pikë e mirë orientimi! E dinin të gjithë, sepse sapo kaloje pallatin e parë, nr. 34, në të majtë, ishte një rrugë gjithmonë e pashtruar që të çonte te ndërmarrja e ndërtimit “21 dhjetori”, ku punonin me qindra vetë. Origjina e emrit lidhet me ditëlindjen e ish-udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, shokut Stalin, që për brezin e ri është një diktator më shumë që duhet mësuar në shkollë, por për ne një histori e tërë me pasoja të trishtme, që diktonte jo vetëm emrin rus të ndërmarrjes, por çdo gjë, deri edhe modelin e pallateve, projektuar e ndërtuar sipas ideologjisë komuniste. Pallatet për të cilët bëhet fjalë janë ndërtuar nga të burgosurit, ndërsa apartamentet kanë sipërfaqe e kubaturë përtej modestes, të përbërë nga dy dhoma e një kuzhinë e vogël + një bodrum + një tualet + një ballkon dhe janë shumë të ulëta. Shtëpi të “tipologjisë së urbanizmit komunist”, që ishin vetëm për të fjetur dhe për të ngrënë e që u shërbenin të gjithëve njëlloj, pavarësisht edukimit që kishe, nevojave që paraqisje ose të ardhurave që prodhoje; fantazia më e madhe e përshtatjes, me rritjen e numrit të anëtarëve të familjes, shkonte te gatimi në banjë ose në ballkon dhe shndërrimi i bodrumit në një tip aneksi të vogël për të larë e mbajtur enët. Nuk di se çfarë bëhet tani dhe si kanë mundur t’i përshtasin fqinjët e mi të dikurshëm kërkesat për banim, por nga jashtë asgjë nuk të kujton të kaluarën, ndonëse janë ndër të paktat pallate në Tiranë që nuk kanë bërë shtesa “gjigande” majtas-djathtas & para-mbrapa. Në ata 18 vjet që kam jetuar në atë zonë, ngjarja më e madhe ishte prishja e dy shtëpive të vogla përdhese dhe ndërtimi i dy pallateve të rinj në hapësirën prapa, në një distancë që sot do të quhej kulmi i lluksit: pothuaj sa bulevardi Zogu I. Dhe diçka tjetër: ndërtimi i pallateve të rinj u bë me punë vullnetare, që do të thotë se punën e të burgosurve e zëvendësoi puna pa pagesë, jashtë orarit normal të punës së zakonshme, e “masave popullore”, do me thënë pjesa tjetër e popullsisë, ajo që nuk ishte e mbyllur në burgun me hekura.

***

Për një periudhë në shpërbërje, sikundër ishte ajo pas viteve ‘990, që bëri rrëmujë, bashkë me idetë e teoritë tona për zhvillim, edhe qytetet e njerëzit, duket se gjithshka që ishte e mundur dje, është në kufijtë e absurdit sot. Pothuaj të gjitha katet e para janë përshtatur në dyqane. Në të tre pallatet buzë unazës duhet të jenë afro 51 dyqane, me një larmi të jashtëzakonshme në llojin e shërbimeve që ofrojnë, duke filluar nga rrobat e këpucët, deri tek kafenetë e dyqanet e mishit dhe të ushqimeve, një ideologji zhvillimi që, si me copy-paste, gjendet pothuaj në gjithë Tiranën e, në një vështrim më të gjerë, në gjithë Shqipërinë. Meqënëse kaloj në orë të ndryshme të ditës, vështroj dhe kërkoj blerësit e mundshëm, por ndonëse dyqanet janë plot dhe me çmime të ulëta, ka shumë pak blerës. Moda e ofertave ka përfshirë edhe dyqanet e rrugës, por tabelat konkurruese, të tipit “Çdo artikull 1000 lekë” nuk i bëjnë përshtypje njeriu. Kafenetë u shërbejnë më shumë banorëve të pallatit – secila prej tyre ka nxjerrë nga 3-4 tavolina në trotuar dhe muajt e verës duken të jenë më fitimprurësit; në trotuar, gjatë gjithë gjatësisë së këtyre pallateve, në mëngjes herët deri aty nga ora 12.00, sheh fshatarë që në grupe të vegjël shesin prodhimet e stinës. Në rrugë kalohet ose sepse ke shtëpinë, ose sepse është në rrugën për në shtëpi ose për punë. Asgjë karakteristike që të tërheqë blerës ose vizitorë të mundshëm nga lagjet e tjera. Çdo gjë është fryt i nismave individuale të banorëve të kateve të para, që në luftë për të siguruar të përditshmen, me mendjen e tyre janë në rregull: kanë marrë maksimumin nga rrëmuja e përgjithshme! Janë pjesët, por mungon e tëra, në të gjitha kuptimet. Pjesa është në funksion të personales dhe jo të së tërës, sepse e tëra është joekzistente. Asgjë nuk të kujton se je në një nga lagjet më të vjetra të kryeqytetit. Fakti që janë disa njerëz që po korrin a shijojnë frytet e investimit të tyre, nuk justifikon, as arsyeton, se e mira e tyre është e mira e të gjithëve, – thotë Nietzche, – dhe këshillon të jemi të kujdesshëm.

***

Me një histori relativisht të shkurtër zhvillimi, që daton vetëm në vitin 1614, Tirana ka pak të ofrojë: pak histori, pak arritje, pak traditë. Gjithshka me pikatore! Secili sistem mbajti pak, për të mos thënë asgjë, nga ai i mëparshmi: çdo pushtet pasardhës drejtoi gishtin tek e kaluara dhe quajti të padenjë çdo arritje. Tirana e kohës së Turqisë, me ndërtesa të ulëta ndërtuar me materiale rrethanore të paqëndrueshme, u zëvendësua nga Tirana e italianëve; kjo e fundit nga Tirana e komunistëve dhe, për 20 vitet e fundit, nga Tirana e “tranzicionit”. Rritja e pakontrolluar e popullsisë, që për fat të keq, në masën më të madhe, u konceptua thjesht si shpërngulje në Tiranë, si ndërrim rezidence, jo si ndryshim në mënyrën e të menduarit dhe të të jetuarit është një nga karakteristikat e periudhës së fundit e cila, për më tepër, nuk u shoqërua me legjislacion të përshtatshëm ose plane konkrete për veprim nga ana e qytetit. Në mungesë të tyre, shtuar edhe mungesën e ndjenjës së përgjegjësisë se qyteti është një pasuri që duhet ruajtur, si dhe të rrënjëve e kujtimeve që i lidhnin me të, katrahura ka qenë e pamatë. Më shumë se një qytet komunitar, ku njerëzit interesohen për njëri-tjetrin dhe për të mirën e të tërëve, Tirana ngjason me një kompani biznesi, ku secili individ kërkon të marrë sa më shumë dhe vetëm për vete, ku e drejta dhe e gabuara perceptohet ndryshe dhe normat e vlerat jo domosdoshmërisht janë të përbashkëta.

Mënyra se si po zhvillohet Tirana në përgjithësi dhe lagje ose zona të saj në veçanti, ka mungesë lidhje të së vjetrës me të renë që do mund të krijonte rrugë ose lagje të afta të rigjeneronin vlera, të ishin atraktive, të prodhonin para jo vetëm për disa familje, por për të gjithë komunitetin, sikundër ndodh në pothuaj të gjithë kryeqytetet e botës.