Intervistë me Ketli Keta, gjimnazi “A. Z. Çajupi”
Ketli Keta është fituese e Vendit të Tretë, për nivelin 3 (klasa X) në Konkursin Kombëtar të Fizikës “Henrietta Leavitt” /2020
hënim, Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Ka shumë përkufizime në lidhje me “çfarë do të thotë të jesh ekselent në shkollë”, por sado të ndryshme të jenë, të gjitha konvergjojnë në një pikë të përbashkët: nuk janë vetëm notat e larta! Ose thënë ndryshe, notat e larta janë kusht i mjaftueshëm për të qenë ekselent, por jo i domosdoshëm! Synimi është të ndryshojmë këtë lloj mendësie.
Notat kanë treguar që janë relative, sepse masin punën dhe jo pasionin. Praktika ka treguar se me mesatare të mirë bëhesh një burokrat i shkëlqyer, por rrallë nxitës i ndryshimit dhe akoma më rrallë shembull për t’u ndjekur. Zakonisht bullohen dhe fajin përsëri e ka shkolla – nëse duam të promovojmë ekselencën, na duhet t’u kërkojmë shkollave jo vetëm nxënësit me mesataren më të lartë. Na duhet t’u kërkojmë shkollave të na evidentojnë edhe nxënësit që mendojnë ndryshe, që përfshihen në aktivitete dhe kauza, që kanë synime e objektiva të qarta. Për këta lloj ekselentësh kemi më shumë nevojë!
Ketli Keta është njëra nga pjesëmarrëset dhe fitueset e Konkursit të Fizikës që Fondacioni “Henrietta Leavitt” organizon për të dytin vit rresht. Ketli Keta është ekselente!
- Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Më përshkruaj, të lutem, veten!
Ketli Keta: Jam 17 vjeç dhe studioj në gjimnazin “Andon Zako Çajupi”. Më pëlqejnë lëndët shkencore.
- Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Pse vendosët të merrni pjesë në konkurs?
Ketli Keta: Doja që të mësohesha me provimet, të mësohesha me nivelet e tjera të fizikës, jo vetëm ato nëpër librat e shkollës.
- Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Fizika është lëndë që mësohet se duhet mesatare e mirë, apo është pjesë e pasionit a hobit tuaj?
Ketli Keta: Kush nuk do që mesatarja ti dalë mirë, por përveç kësaj unë e mësoj për hir të synimeve që i kam vendosur vetes për të ardhmen.
- Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Në studimin e fizikës, mjaftoheni vetëm me tekstin e shkollës, apo përdorni edhe tekste e libra të tjerë? Nëse po, mund të referoni ndonjë autor, librat e të cilit i keni përdorur më shumë?
Ketli Keta: Bazohem në tekstet shkollore, sepse është ajo që kërkojnë mësuesit dhe dua të jem në rregull me shkollën, por përdor shumë edhe internetin. Dua të theksoj ndikimin që ka ky medium te ne të rinjtë. E kemi si pikë referimi.
- Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Në çfarë dege mendoni të vazhdoni studimet?
Ketli Keta: Mendoj të vazhdoj për arkitekturë ose inxhinieri.
- Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Fitimi i një çmimi në një konkurs kombëtar fizike është një arritje e madhe. Cili është hapi i radhës për të certifikuar arritjet tuaja? Ndonjë projekt i ri, angazhim, ese…
Ketli Keta: Mendoj angazhime në konkurse të tjera të kësaj natyre. Patjetër fizikë dhe pse jo, edhe matematikë.
- Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Kë dëshironi të falënderoni për arritjet e juaja?
Ketli Keta: Familjen, që më përkrah për çdo gjë dhe është vendi ku marrin fletë për herë të parë ëndrrat e mia. Më mbështesin shumë për të vazhduar përpara.
- Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Çfarë do u këshillonit moshatarëve tuaj që ndoshta dëshirojnë të realizojnë të njëjtën ëndërr?
Ketli Keta: Të vazhdojnë përpara, edhe nëse të tjerët të thonë nuk ke për t’ia arritur. Të kesh besim te vetvetja është çelësi i suksesit.
- Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Konkursi u zhvillua në situatën e pandemisë COVID-19. Ju, ndërkohë, keni filluar shkollën sipas protokolleve të vendosur nga Ministria e Arsimit. Ndërsa vitin e mëparshëm shkollor e mbyllët duke zhvilluar mësim on-line. Çfarë dëshironi të ndani me lexuesin për këto dy periudha (për orientim: ngjarje të veçanta, vlerësime për shkollën dhe mënyrën e zhvillimit të mësimit, marrëdhëniet që keni pasur në periudhën e izolimit me bashkëmoshatarët dhe pjesëtarët e familjes, vështirësitë që keni hasur ose mund të keni tani etj.)
Ketli Keta: Koha e karantinës ka qenë një periudhë e vështirë për të gjithë. Shkolla e ka pasur edhe më të vështirë. Ka qenë pothuaj e pamundur për të mësuar po aq mirë sikundër ishim mësuar më parë, edhe pse zyshat mundoheshin sa më shumë. Një nga arsyet kryesore mendoj, dhe kjo vlen për të gjithë, ka lidhje me internetin. Por pavarësisht situatës, ai që do vërtet të mësojë ia arrin qëllimit.
Faleminderit!