In memoriam: Sterjo Spasse (Gllomboç, 14 gusht 1912-Tiranë, 12 shtator 1989)
Shkëputur nga libri
***

Posa hyri viti 1944, doli në qarkullin romani “Kasollja e xha Tomit”, që u përpi menjëherë nga lexuesit. Emri i Sterjos (Spasse, shën. i redaksisë) tani filloi të lakohej si përkthyes i kësaj vepre. U shkruan shumë recensione në shtypin e kohës për këtë vepër e për përkthyesin e saj. Në arkivin e familjes ndodhet një recension me titullin: “Kasollja e xha Tomit” dhe përkthyesi i saj”:
- … “Kasollja e xha Tomit” për popullin ka pasur efektin e një ballsami qetësues e përmirësues. Gjuha e pastër dhe rrjedhëse e përdorun t’afron e të ban me u ngurrosë në të. Asht një histori e gjallë e vuejtun, por së fundi e shpërblyeme me gjanë ma të shtrenjtë, që mund të dëshirojë njeriu, lirin. “Kasollja e xha Tomit” si përkthim na paraqitet me ngjyra të gjalla dhe është një nga përkthimet ma të mira, që jan ba deri më sot. Gjaja që të tërheq vërejtjen e të gëzon së tepërmi asht, se gjuha e përdorur asht e thjeshtë. Libri mund të këndohet e të kuptohet edhe prej atyne, që së voni e kanë stërvitë të kënduemit. Prandaj, tue qenë në nivelin e shtjellimit të mendjes së klasave të ulëta, duhet të përgëzojmë Zotninë për përkthimin e bamë; pse në këtë mënyrë ka fitue simpathi e mirënjohje kundrejt kësaj klase që kërkon shpëtim… Tiranë, më 18.3.1944, Ketty Simon
Nga jehona që bëri ky roman, dhomën e vogël në atë shtëpi njëkatëshe në rrugën Fortuzi, ku banonte tani Sterjoja me Kolon, shokët, që mblidheshin aty e pagëzuan me emrin “Kasollja e xha Tomit”.
Një ditë të bukur të këtij fillim viti në këtë kasolle u mblodhën kokë më kokë katër “qyqarë ëndërrimtarë” siç do të shprehej shumë vite më vonë Vedat Kokona, që merreshin me lëvrimin e gjuhës shqipe. Këta ishin:
- Mitrush Kuteli, që “aksidentalisht” ishte ekonomist, madje edhe doktor i shkencave ekonomike në Rumani dhe kish ardhur një vit më parë këtu, për t’u marrë edhe me letërsi. Ai kishte botuar disa vëllime: “Netë shqiptare”, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, “Ago Jakupi”, “Havadan më havadan” dhe vëllimin me vjersha “Sulm e lot” etj.;
- Vedat Kokona, edhe ky i diplomuar “aksidentalisht” për drejtësi në Paris, kish botuar dy vëllime, një me vjersha “Dritë e hije” dhe një me tregime “Yje të këputura”;
- Nexhat Hakiu, që kish qenë kryeredaktor i revistave “Përpjekja shqiptare” dhe “Shkëndia” dhe redaktor i faqes letrare i gazetës “Tomori” etj., kish botuar dy vëllime me poezi: “Kënga e Zambares” dhe “Kënga e gjakut”, ku spikaste vargu elegant popullor dhe vargu melodioz i tipit të Ali Asllanit.
- Dhe i fundit ishte Sterjoja.
Këtyre “myteberëve”, pasi diskutuan për ribotimin e romanit “Pse ?!…” që kish dalë ato ditë, për romanin “Kasollja e xha Tomit”, për situatën politike e ekonomike, që turbullohej akoma më shumë në vend, u lindi ideja për të nxjerrë një revistë letrare të përbashkët, që të fashisnin kokat e nxehta, që po shkatërronin fatet e kombit. Ata nuk ishin të kobures, por të penës, e me penën e tyre deshën të sensibilizonin ndjenjat kombëtare të popullit. Dhe këtë mund ta bënin vetëm këta katër “myteberë”, katër “Gomerë të Vezufit” siç thoshte Mitrushi.
- “Duke botuar këtë revistë të vogël, qëllimi ynë nuk ka qenë tjetër, veçse të përqendrojmë rreth shtyllave të saj fuqitë prodhonjëse të mendjes, të çelim shtigje të ra në lëmin kulturor, duke ndjekur gjurmët e atyreve, që u përpoqën të hapin udhën e parë dhe të lëshojmë një shkëndijë të re në mes të kaosit mendor shqiptar. Nuk kemi as pikën e dyshimit se të shumtët do të jenë ata që do të marrin sipërmarrjen tonë si një marrëzi të vërtetë, si diçka anakronike dhe neve, si njerëz që kemi humbur pusullën dhe nuk dimë se ç’bëjmë. Edhe me të vërtetë, të rrish e të merresh me kulturë në një kohë kur bota digjet zjarr e flakë, kur njerëzia e ka humbur konceptin e qetësisë shpirtërore, kur edhe foshnjat dridhen nga ulërimat rrëqethëse të sirenave, i duket tjetrit si një gjë e çuditshme që mund të gjejë shpjegimin e saj në një tronditje patologjike apo në një ekzaltim të tepruar. Një koncepsion i tillë as na shqetëson dhe as na pengon në punën tonë. Nuk na shqetëson dhe nuk na pengon për të vetmen arsye se një koncepsion i tillë ndaj luftëtarëve të kulturës, jo sot, po dje e gjithmonë ka zotëruar këtu në Shqipëri. Këtu në Shqipëri, ku ata që punojnë e luftojnë për të formuar një jetë mendore shqiptare, një lëvizje kulturore të shëndoshë, humbasin kohë dhe atë “krodhe bukë” që të tjerët e fitojnë me aq lehtësi. Në keni kohë ndonjëherë merrni mundimin dhe shfletoni për një çast revistat e ndryshme që kanë parë dritë në vendin tonë. Një frymë e ashpër pesimizmi rreh tej për tej nëpër ato fletë të shkruara me gjakun e zemrës. Të gjithë luftëtarët e penës janë tmerruar, kur e kanë parë veten përpara greminës së thellë, përpara kaosit të llahtarshëm që zotëron botën tonë mendore. Por, megjithatë, nuk janë trembur, nuk janë prapsur, nuk i kanë hedhur armët. Lufta ishte e ashpër dhe e gjatë, por, aq dhe më heroike do të ishte përpjekja e tyre. Edhe i ishin përveshur punës me zell dhe dashuri për t’iu ngjitur Parnasit shqiptar, atje ku ndrin rrezja e përjetshme ku rrahin tingujt e qartë të shpirtit. Kishin filluar t’i ngjiteshin malit dalëngadalë si ai, që nuk shikon nga pas për të mos u tmerruar nga honi ku mund të bjerë, as edhe lartë, nga frika se mos e lëshojë zemra kur të shikojë se ç’mundime duhet të heqë për të arrirë gjer lart në majë. Edhe ne kështu do bëjmë në daçim t’i hyjmë kësaj të përpjetë që po na pret, se, në i hedhçim sytë nga pas e t’i shikojmë shokët tanë, që kanë punuar më parë se ne e t’i shohim të shtrirë, ku dergjen në thellësinë e kohës përpara punës së filluar por të pakryer, o në i hedhshim sytë përpara e të shikojmë se ç’na pret, pa dyshim do të tronditeshim dhe nuk do të kishim aspak guxim të fillonim një punë që kapërcen fuqitë tona të pakta. Të paka me të vërtet janë këto dhe e vështirë fort vepra që duhet bërë. Përpara portës së hekurt dhe të rëndë që ka mbyllur një botë mendore duhet të tingëllojë fjala magjike “Sezam, hapu!” Por ne nuk u zëmë besë fjalëve magjike. Edhe duke pritur trokasim si të tjerë me shpresë se një ditë porta do të çelet dhe drita e kulluar e fjalës do ta ndrisë kështjellën e errët” (Revista letrare, Viti I, Nr.1, Tiranë 15 shkurt 1944)
Menduan këta “myteberë” për ta pagëzuar revistën e tyre, jo “katrori” me që ishin katër, jo “Dajti” me që e kishin përballë malin; jo ashtu e jo kështu, por s’binin dakord njëri me tjetrin. Vetëm me sugjerimin e një njeriu pa rëndësi, e jashtë fushës së letrave, e ky ishte Kolo Pandofski, që u tha ta quanin “Revistë letrare” ata e miratuan të gjithë njëzëri.
“Revista letrare” filloi të dalë më 13 shkurt të këtij viti me 8 deri 12 faqe format gazete.
- “Revista në fjalë është themeluar nga katër të rinj… që patën kujdes të madh të vinin emrin e tyre në majë të fletushkës, nga frika se mos nuk binin mirë në sytë e lëçitësit – do të shkruajë Selim Opinga (Pseudonimi i Vedat Kokonës) në rubrikën “Revista xanxare”… (Revista letrare, Tiranë, nr. 2 mars 1944) I njohim prej kohësh… por ata që nuk i njohin le të dëgjojnë se ç’thonë ata vetë për veten e tyre:
- Mitrush Kuteli është i kohës së Skënderbeut dhe Bendo Shapërdanit. Ka rrojtur këtu e disa qindra vjet më parë në një fshat të Pogradecit dhe tashti është ngritur nga varri dhe vjen rrotull në mes tonë pa i gjetur shokët, miqtë dhe shtëpitë e shkatërruara nga koha. Rrëfimi “I vdekuri dhe i gjalli” (botuar në numrin 1 të kësaj reviste) është shumë karakteristike sepse nuk është gjë tjetër veçse autobiografia e këtij fatziu të ndritur që shëtit në mes të të gjallëve të errët.
- Vedat Kokona lundron me një këpucë zonjeje në dallgët e etherit. Mikrokozmosi ynë nuk i pëlqen aq shumë dhe preferon të shëtisë nëpër stratosferë në bishtin e ndonjë ylli të këputur, që vjen rrotull në vetmi pa iu bindur ligjit të gravitetit. Kur mërzitet së dëfryeri nëpër komete e yje, i ka ënda të jetojë në gjirin e nymfave e të nereidave. Pra, anakronik se anakronik.
- Nexhat Hakiu, këtë djalosh e kemi njohur pranë një burimi ku rrinte dhe e përpinte me sy Banushen e njomë, së cilës i qe shkurtuar linja dhe xhamadani. Na paraqitet në numrin e parë të revistës me një sheleg në duar, simbol i urtësisë dhe të paqes në një atmosferë flake e baruti. Beson në metempsikozën dhe dëshira e tij, e shfaqur në një poezi të tijën, është, që kur të vijë ndonjëherë tjetër në botë të vijë si ujët e një kroi. Atëherë, s’do të ketë tjetër veçse ujë korente dhe kroji. Nexhati do të jetë prapë anakronik, ai se po ai.
- Sterjo Spasse u ka dhënë dorën këtyre të treve dhe plotëson vallen e katrorit. Është më i rrëmbyeri i shokëve: kur këta duan të heqin një valle të qetë, ai hidhet, dridhet, ngrihet dhe çfren përpara hiçit të botës: ku jeni, ku veni, pse rroni? Nuk sheh veçse gremina në jetë. O kurbet, o ukubet ! (artikull i botuar në numrin e parë të kësaj reviste). Besojmë se, së shpejti do të botojë artikullin interesant “O milet, o ukubet !…”
Në të 13 numrat e kësaj reviste Sterjoja do të mbajë rubrikën e folklorit shqiptar me një sërë studimesh të mbështetura në gurën popullore e në materiale bashkëkohore shqiptare e ballkanike që janë me vlerë për historinë e folklorit shqiptar. Si publicist, do të shkruajë një studim të gjatë për “Ago Jakupin” e Mitrush Kutelit; në rubrikën “Letërsia ballkanike” do të japë profile për Jordan Jovkovin, Elin Pelinin, Pejo Javorovin etj., poetë e shkrimtarë këta bullgarë, duke shqipëruar edhe mjaft nga poezia dhe proza e tyre. Në rubrikën “Letërsia shqipe”, me anën e disa tregimeve do të trajtojë probleme të zakoneve të ndryshme të fshatit shqiptar si në Veri ashtu dhe në Jug.
Me pseudonimin “Hamleti i Shqipes” do të mbajë rubrikën “Qesh e ngjesh”, ku me skica të shkurtra, fejtone e pamflete do të godasë fajdexhinjtë, qeveritarët etj., që rrjepin deri në palcë popullin. Shumë domethënës është për shembull fejtoni i kësaj rubrike të numrit 2 të revistës në fjalë ku mbron figurën e pastër të shkrimtarit, si njeri i popullit e që sakrifikon për popullin:
- “Mitrush Kuteli përmblodhi xhevahiret poetike të Fan S. Nolit e i botoi në një vëllim me titullin “Mall e brengë” me një vështrim kritik. Më 31 të kallnorit, po me mall e brengë në emër të Fan S. Nolit u fali nga një copë të kësaj vepreje njëqind nxënësve të shkollave të mesme dhe njëqind e dy copë të tjera i fali për të rinjtë kosovarë. Me sa gëzim e adhurim bashkë e priti këtë dhuratë djalëria e etuar për dritë, për dritë të vërtetë. Dhe dhuronjësi Mitrush Kuteli s’ka as pallate, as shtypshkronja, as depo me dengje letre as… asgjë! E keqja është se është vetëm shkrimtar, dhe shkrimtar i çmendur – budalla: Ka vetëm një zemër, ka dhe një ideal!
Qesh e qaj, qaj e qesh!
Kur u dëgjua vepra anakronike e Mitrush Kutelit, tregtarët shqiptarë të shpirtit e të mendjes, zgjatnë kryet nga lloma e materializmës edhe buzëqeshnë me shpot: buzëqeshnë dhe hodhën shikimin lakmonjës me krenari mbi pallatet e tyre, mbi depot e tyre të pafund me dengje letrash edhe mbi kasat e hekurta. Panë se nga tërë kjo pasuri përrallore për fantazinë e tyre kullonte edhe djers e gjak, djers e gjak të shkrimtarit shqiptar! Dhe numëronin: Kaq fitime të hyra prej veprave të ribotuara nga shkrimtarët e çmendur – budallenj – kurbetlinj të vdekur; kaq fitime prej veprave të dhuruara nga shkrimtarët e çmendur – budallenj, që rrojnë në Shqipëri! Të dalura? Asnjë. Asnjë shpërblim shpenzimi, asnjë shpërblim mirëbërësie, as.. asnjë grimë humaniteti, as edhe një libër pa lekë!
Qaj dhe qesh, qesh dhe qaj !
Shkrimtari i çmendur – budalla shqiptar – i përfaqësuar me veprën anakronike të Mitrush Kutelit – me gjakun e vet shkruan një libër dhe e boton me mall e brengë një pjesë të këtyre librave ua fal lules së djalërisë për nektar të mendjes.
- Editori i mençur shqiptar – i përfaqësuar edhe në kolektivitet shtyp librat e botës, mbush xhepat e veta, ngren pallate, grumbullon depora me material dhe… i shërben kulturë shqiptare!
Qesh edhe qaj, qaj edhe qesh! Hamleti i Shqipes”
Në këtë revistë u botuan shkrime nga ajka e mendërisë shqiptare: Ali Asllani, Aleksandër Xhuvani, Manush Peshkëpia, Andon Frashëri, Kol Ashta, Ziaudin Kodra, Stavro Frashëri, Chri-Chriu, Faik Konica, Myzafer Xhaxhiu, Fan S. Noli, Rem Vogli (Pseudonimi i Mithat Aranitasit) , Ismet Toto, Hasan Ceka, Sadi Pejani, Koço Semini, Besim Qorri, Vehxhi Buharaja, Jup Kastrati, Fejzi Dika, Drita Kurtezi, Selman Riza, Lasgush Poradeci, Lirak Dodbiba, Sotir Caci, Migjeni etj. etj.
Për ta nxjerrë këtë revistë “qyqarët” tanë s’kishin zyra, siç patën më vonë redaksitë e tjera. Ata shkruanin e korrigjonin si të thuash udhëve. Ata mblidheshin te “Kasollja e xha Tomit”, mblidheshin te vjehrra e Vedatit në Bërxull (fshat afër Tiranës), që s’gjenin rehat nga konupi, punonin në rrugë, në shtypshkronjë, ku të mundnin…
Si myteberët e tjerë, edhe Sterjoja, gjatë periudhës në Tiranë jetonte vetëm me punë, me punë pedagogjike dhe punë letrare. Çon në shtyp romanin “Mësonjësja ideale”, por tani me titullin “Afërdita”, çon në shtyp edhe vëllimin me tregime “Nusja pa duvak”. Ai ndiente gëzimin e frytit të punës së vet. Ai jetonte edhe me gëzimin e frytit bashkëshokor. Gëzohej për çdo shkrim të tyre, që shihte dritën e botimit, si të ishte shkrimi i tij.
Frytin e punës së vet këta “qyqarë” e kurorëzuan me një fotografi mjaft të qëlluar: që të katër shumë simpatik, shumë të qeshur, shumë optimistë për jetën dhe shumë të dashuruar pas kombit njëri më i bukur se tjetri: Vedati fytyrë pak gjatore, me leshra të rralla; Mitrushi me mustaqe, Nexhati me fytyrë tërheqëse, ndërsa Sterjoja me leshra të gjata të dredhura; që të katër me kostume e kullaro…
Një fotografi të tillë mjaft të goditur Sterjoja do të ketë edhe me Kolo Pandofskin, marangoz, pa shkollë, por autodidakt, që lexonte shumë e sidomos librat që kishin të bënin me historinë e Maqedonisë e të Bullgarisë. Miqtë e shokët e Sterjos u bënë edhe miqtë e shokët e Kolos. Nga respekti i madh për Sterjon, një ditë papritur, Koloja i dhuron atij një bibliotekë dhe një tavolinë të mrekullueshme pune, që i kish punuar në dyqanin e tij…
Por krahas gëzimeve të rastit dhe shakave të shumta që bënin njëri me tjetrin, ata përjetonin dhe ankthin e jetës, varfërinë, krismat e armëve që dëgjoheshin herë pas here në qytet. Në atë dhomëz të vogël të “Kasolles së xha Tomit” ata përjetuan heroikën e Vojo Kushit te Kodra e Kuqe e Tiranës, të heronjve të Shkodrës në Shkodër, vrasjen e Vasil Shantos… Aty, te ajo kasolle flisnin kokë më kokë për hallet e ditës dhe për shqetësimet e kombit.
***
Natën e 4 shkurtit Sterjoja me Kolon e përjetuan në dhomën e tyre: Të lebetitura, klithma, të shtira pushkësh dëgjuan tërë natën. Natë Bartolomeu! Çdo gjë e trishtuar! Çdo fjalë helm!
Në mëngjes dolën herët nga shtëpia. Te porta e jashtme në rrugë, shohin dy xhandarë. I shohin me bisht të syrit. Ecin më tej: dy roje të tjerë, edhe dy të tjerë, edhe të tjerë, të tjerë… Njerëzit ecnin me nxitim e kokulur. Qielli ishte i vrenjtur dhe rigonte një shi i hollë si lotët e njerëzve. Tirana dukej e trishtuar, e nxirë. Sterjoja ndahet nga Koloja dhe merr drejtimin nga Pazari i Druve. Ç’të shikojë?
Te sheshi i xhamisë dy të vrarë. Një xhandar bënte roje. “Cilët janë këta, përse janë vrarë? Përse mbahen këtu? – pyet veten dhe i shkon mendja te lebetitjet, klithmat, krismat e asaj nate. Largohet i tmerruar dhe shpejton hapin: Përsëri xhandarë e njerëz që ecin me nxitim e kokulur. Del te Bashkia: Bobo, katër të vrarë të tjerë, katër kufoma të hedhura si kërma kafshësh mbi trotuarin e Bashkisë. Përsëri një xhandar bën roje. “Dy të vrarë, katër të vrarë, gjashtë të vrarë…. të hedhur si kërma!” – mërmërit Sterjoja. Nuk ka guxim t’i shohë këto kufoma. I tmerruar merr rrugën përpjetë me nxitim:
- – A e more vesh? – e pyet një i njohur, që sapo takoi.
- – Pashë, pashë te xhamia, te Bashkia..
- – More, këtej sipër të shohësh se ç’është bërë!
- Majtas e djathtas, në të përpjetën e lagjeve plot të vrarë. “Natë Bartolomeu”! – përsëriti Sterjoja me vete.
Reaksioni kishte bërë kërdinë atë natë: masakrën më të tmerrshme të popullit shqiptar.
Shkon më tutje:
- – Na morën vëllanë tradhtarët!
- – Ilin, birin, ma arrestuan!
- – Xhemos ia gjeta pallton te rruga, po atë jo. Obobo, do ta kenë vrarë katilët!
- – Babanë, vëllanë, kushëririn, burrin, shokun…
Njerëz të njohur e ndalojnë të tmerruar rrugës: kërkonin babanë, vëllanë, birin, dajën.. të rrëmbyer natën nga shtëpia…
Leqet e këmbëve fillojnë t’i dridhen, gjaku t’i ndizej dhe zemra t’i gufonte: “natën i shkulën nga vatrat e tyre të ngrohta dhe natën i vranë dhe i hodhën në rrugë si kërma. Ja te rruga e Dibrës, te sheshi i xhamisë, te Bashkia, anës lumit, ja, ja, kudo dergjen të vrarë bijt e popullit: janë njëzet, janë dyzet, janë pesëdhjetë, tetëdhjetë, janë më shumë, më shumë akoma: s’dihet sa janë, dyzina të tjera s’dihet se ku ndodhen. Janë zhdukur!..”. – klith me vete Sterjoja, rënkon, lebetitet.
Nxiton përpara kokulur. Një nënë që kërkon djalin ulërin e shkul flokët:
- – Ububu, ja atje ka të vrarë…! Korba unë, Lakeja im, xhani im!
- – Halt, halt! Shtrigë! – ulërin zëri i ashpër i rojes.
- – Korba unë, e zeza unë, Lakeja em, shpirti em! Lakja, Lakja!…
Kondaku i rëndë i xhandarit e godet keq e nëna bie pikë e përdhe. Sterjos çdo gjë i erret përreth:
- “Nëna e Lakes, nëna e popullit, nënë e mijëra martirëve!
- Të vrarët dergjen nëpër rrugë!
- Gjaku derdhet nëpër rrugë!
- Lotët rrjedhin nëpër rrugë!
- Nënat shtrihen të rrahura nëpër rrugë!
- Tirana e përnxirë vajton masakrën e bijve të saj!..”
Me këto mendime Sterjo Spasse shkoi në shtypshkronjë ku u takua me shokët, të cilët i gjeti të prerë në fytyrë… Bënë faqosjen e numrit dhe u nisën për në kasollen e xha Tomit.
Ç’të shohin: Kasollja ishte bastisur. Gjysmë ore më parë kishin arrestuar Kolon. Në dyqan i kishin gjetur trakte dhe material kompromentues. I bastisën edhe shtëpinë, gjysmë ore më parë. “Myteberët” u ngurosën. Për gjysmë ore kohë kishin shpëtuar. Tmerr! Koloja s’ishte ngatërruar fare me politikë, por dyqani i tij, nipi i tij…