• Shkëputur nga libri: Exam Skills for Law Students By Harry McVea and Peter Cumper
  • Përktheu: Iva Nathanaili

Pjesë nga parathënia

Cilado qoftë fusha e ligjit, kazuset janë gjithmonë histori të ndërlikuara tek të cilat qëndrojnë të fshehura shumë çështje ligjore që duhet të identifikohen dhe të diskutohen në formë akademike. Ky diskutim duhet të përfshijë parimet ligjore më kryesore dhe aplikimin e tyre tek faktet kyç, në mënyrë që konkluzionet e arritura të jenë të besueshme.

Detyra e parë dhe më e rëndësishme është të formuloni problemin dhe jo si ndodh shpesh me studentët, që u referohen fakteve. Problemi duhet të parashtrohet sipas termave të ligjit – të drejtat dhe përgjegjësitë, që ngrihen nga faktet. Kështu, në vend që të shkruani faktet, mendoni rreth fakteve dhe identifikoni çështjen ligjore duke u mbështetur tek to. Sikurse u përmend, tek kazuset penale çështja është gjithmonë identifikimi i veprës/ave penale më të cilën/t i padituri mund të akuzohet – vrasje nga pakujdesia ose jo etj e krime të tjera të parashikuara nga Ligji Për Krimet Kundër Personit, viti 1861 – dhe mbrojtjen (nëse ka) që i korrespondon akuzave të ngritura.

Për shembull, dëshirojmë të testojmë nenin 18 të Ligjit “Për krimet kundër personit” të vitit 1861. Sigurisht, me një shikim të parë problemi mund të duket shumë i qartë dhe ju mund të ndjeni sikur e keni zbërthyer çështjen – të cilën në fakt edhe mund ta keni bërë. Në një rast tjetër, problemi mund të duket krejtësisht i padepërtueshëm dhe nuk mund të identifikoni asnjë çështje të tij. Sidoqoftë, zgjidhja është aty. Kur pedagogu ka hartuar kazusin, ai është nisur së pari nga çështjet ligjore që ai/ajo ka dëshiruar të testojë dhe e ka ndërtuar historinë rreth tyre.

****

Kazus

  • Alan, një gazetar i Bloomsburry Bee, ka shkruar një artikull ku kritikon një lider terrorist të shumënjohur, Cederin. Davidi, një koleg i Alanit, pranon ftesën për të luajtur golf me Cedrikun në fushën e tij private. Pas 18 gjuajtjesh, Cedriku e informon Davidin që nëse nuk i sjell deri në fund të ditës gishtin e djathtë tregues të Alanit, ai do t’i vrasë gruan dhe djalin 3 vjeçar. Davidi pranon me ngurrim dhe merr thikën që ia kishte siguruar Cedriku. Po atë ditë, Davidi shkon me makinën në shtëpinë e Alanit dhe e plagos rëndë.

 Cila është përgjegjësia penale e Davidit dhe Cedrikut?                    

Si do të siguroheni që keni nxjerrë në pah të gjitha çështjet ligjore? Nëse nuk mund të gjeni rrugën e duhur, një metodë është të sillni në mendje figurat e veprave penale të mësuara gjatë kursit të së drejtës penale. Kjo listë duhet të përmbajë të gjitha veprat kundër personit (nga vrasja dhe deri tek veprat penale kundër shëndetit), të gjitha veprat penale kundër pasurisë: vjedhja dhe llojet e saj, mashtrimi (llojet e mashtrimit), kontrabanda etj. Ju mund t’i klasifikoni në dy gupe në vepra penale që mund të ngelin në tentative dhe ato që nuk mundet. Lista juaj do të përmbajë të gjitha veprat penale, pa ndonjë dallim (p.sh.,vetëmbrojtja). Kjo listë do t’iu shërbejë si një tabllo ku do të mbështeteni për të identifikuar çështjen ligjore.

Kështu, nëse dikush ka vdekur në kazus ju e dini që përgjigja duhet të përfshijë një diskutim rreth vrasjes, nga pakujdesia ose me dashje (e më vonë edhe një përcaktim më të detajuar të llojit të vrasjeve). Por duhet të gjykoni edhe mbi intensitetin e vuajtjeve që i është nënshtruar viktima. Nëse ato janë serioze, duhet të drejtoheni tek plagosjet dhe torturat, neni 18 ose neni 20 i Ligji “Për krimet kundër personit” v. 1861. Pasi të keni klasifikuar llojin e dëmit, duhet të fokusoheni tek ana subjektive e veprës penale për të përcaktuar akuzën më të përshtatshme. Në këtë fazë, është absolutisht thelbësore të lexoni kazusin me shumë kujdes dhe të nxirrni faktet, palët e përfshira dhe çfarë është bërë dhe kush e ka bërë. Nëse e anashkaloni këtë hap, përgjigja juaj do të jetë e pakuptimtë.

Marrim në shqyrtim shembullin e Alanit, Davidit dhe Cedrikut. Në përpjekje për të veçuar çështjet, është e nevojshme të keni njohuri të qarta pune mbi krimet e ndryshme të shqyrtuara gjatë kursit – të cilat ju duhet t’i mblidhni në kujtesë ose tek tabloja e sugjeruar më lart. Sigurisht që në realitet ka më shumë vepra penale që lidhen me këto fakte por për qëllim të provimit, nuk iu kërkohen. Njohuritë mbi krimet e kazusit janë të mjaftueshme. Meqenëse iu është thënë që Alani u dëmtua rëndë (rrjedhimisht nuk ka vdekur) ju duhet të mendoni për nenin 18 ose më shumë gjasa ka të akuzoni Davidin në bazë të nenit 20 të Ligji Për Krimet Kundër Personit, v.1861 – sepse përgjithësisht këto janë veprat penale të vendosura për të siguruar shëndetin e njeriut nga dëmtimet serioze, me rrezikshmëri më të vogël se vrasja. Davidi, ndonëse ngurroi, e dëmtoi rëndë Alanin me qëllim. Megjithatë është e qartë që ai veproi kështu i ndikuar nga kanosja, kështu duhet t’iu vijë menjëherë në mendje nevoja ekstreme – nëse jo, shihni në listën tuaj për alternativa të tjera mbrojtje. Po të shihni me kujdes kazusin, do të kuptoni që kërcënimi është e vetmja mundësi. Gjithashtu, duhet të merrni në konsideratë përgjegjësinë e Cedrikut. Mbi të gjitha, vepra penale urdhërohet nga ai. Gjithashtu, Cedriku i siguron Davidit edhe thikën me të cilën ai dëmtoi rëndë shëndetin e Alanit. Rrjedhimisht, çështja është caktimi i përgjegjës së Cedrikut, si ndihmës dhe nxitës i veprës penale kryesore të kazusit.

Më pas vjen procesi juaj i të menduarit. Por çfarë duhet të shkruani? Paragrafi i parë i përgjigjes suaj mund të përmend krimet për të cilat akuzohet i padituri dhe mbrojtjen e mundshme. Studentë më të dobët kanë tendencën të mos shkruajnë këto gjëra pasi nuk mund të identifikojnë çështjen e kazusit ose janë të frikësuar për t’u angazhuar tek një përgjigje e vetme. Paragrafi juaj i parë mund të jetë përafërsisht kështu:

Përgjigje e pjesshme

  • Çështja kryesore në këtë kazus është nëse Davidi ka vepruar i shtyrë nga nevoja ekstreme teksa ka konsumuar figurën e veprës penale të parashikuar në nenin 18. Kazusi gjithashtu ngre çështjen e përgjegjësisë së Cedrikut mbi veprën kryesore penale dhe kërcënimin e tij ndaj Davidit.

Nga kjo përgjigje kuptohet që Davidi do të akuzohet në bazë të nenit 18 dhe në lidhje më këtë ai, mund të mbrohet duke përdorur tezën e nevojës ekstreme. Megjithëse përmendet edhe çështja e përgjegjësisë së Cedrikut, natyra ekzakte e veprave penale të konsumuara nga ai do të shqyrtohen në pjesën vijuese të përgjigjes. Një mënyrë tjetër – ndoshta më e mirë dhe e sigurt mund të ishte:

Përgjigje e pjesshme

  • Çështja e parë është nëse Davidi (D), në pamje të parë, ka konsumuar veprën penale të parashikuar në nenin 18 të Ligji Për Krimet Kundër Personit, viti 1861dhe nëse në mbrojtje të tij, do të mund të justifikojë veprimet si nevojë ekstreme …

[Mund të filloni të diskutoni këto pika]

Çështja e dytë është përgjegjësia e Cedrikut si ndihmës dhe shtytës i veprës penale të parashikuar nga neni 18…

[Më pas mund të diskutoni këtë] 

Duke ndjekur këtë metodë, ju keni përparësi sepse nuk e angazhoni mendimin vetëm tek çështjet e ngritura dhe mund të shtoni akuza të reja kurdo që do iu duket më e arsyeshme përgjatë gjithë procesit të përgjigjes. Meqenëse përshtypjet e para janë shumë të vlefshme, edhe paragrafi juaj hyrës është i rëndësishëm. Ju duhet të tregoni pikësëpari që e keni materialin nën kontroll. Në fakt, në rastet më të shpeshta, testuesit ndërtojnë idenë – në mënyrë të ndërgjegjshme apo jo – e notës për provimin tuaj që në dhjetë rreshtat e parë. Ndërkohë, ajo që shkruhet më pas do të konfirmojë apo të hedhë poshtë këtë prezumim, hyrja e përgjigjes suaj do të jetë ajo që do të flas më shumë.

Ndonjëherë, studentët fillojnë duke shkruar diçka të tillë:

  • “Për të kuptuar përgjegjësinë penale të Davidit dhe Cedrikut është e nevojshme të përcaktojmë veprat penale që secili ka kryer”.

Sigurisht që nuk ka asgjë të gabuar po të fillojë kështu diskutimi, por në të vërtet çfarë i shton kjo përgjigjes suaj? Kur bëni provim në të drejtën penale, është pothuaj një tendencë të shkruani këtë lloj hyrje, por përse të humbisni kohën me diçka që është kaq e qartë? Madje disa studentë preferojnë të shkruajnë një prezantim të përgjithshme të fushës ligjore ku është i drejtuar kazusi. Ata mund të mendojnë (gabimisht) që kjo hyrje është e nevojshme ose mund ta përdorin atë si një teknikë (të gabuar) për të bërë rrugën deri tek pyetja konkrete. Për shembull, për t’i dhënë përgjigje kazusit të mësipërm studentët shkruajnë përafërsisht:

Pyetja lidhet kryesisht me nevojën ekstreme e cila, kohët e fundit ka qënë subjekti i shumë diskutimeve juridike nëse duhet të shfajësojë apo jo një vrasës. Dhoma e Lordëve, sipas një vendim shumë të krituar përcaktoi që nuk mund të ndodhet në kushtet e nevojës ekstreme një i pandehur i akuzuar për vrasje. Ashpërsia e këtij vendimi, sipas tyre, mund të zbutej nga vendimet e Ekzekutivit për të ndjekur apo jo penalisht subjektin në fjalë.

  • Këtu Davidi do të akuzohet për…

Përgjigje të tilla do të ishte më mirë të shmangeshin. Në përgjithësi, nuk do të humbisni pikë në provim nëse shkruani diçka të tillë, por me siguri nuk do të fitoni ndonjë shtesë.  Pse? Ajo çfarë keni shkruar nuk është e gabuar por përderisa nuk iu kërkohet, ju keni dalë nga tema duke i keqdrejtuar njohuritë tuaja. Ky prezantim nuk përqendrohet tek pyetja e ngritur: cila është përgjegjësia penale e Davidit dhe Cedrikut? Në fakt, ajo i kalon tangjent përgjigjes së duhur dhe merret me çështje që nuk lidhen me kazusin. Kjo shërben për të kujtuar që të kryesh një provim të mirë duhet të dish çfarë njohurish të mos përmendësh (sepse nuk kanë të bëjnë me pyetjen) dhe çfarë të përfshish në të. Siç thamë edhe më lart, një nga qëllimet e provimit është  të shohë nëse studentët mund të dallojnë faktet e rëndësishme nga ato të parëndësishme. Kur zgjidhi një kazus, ju duhet të adresoheni drejtpërdrejtë tek pyetja dhe t’i përgjigjeni sa më shkurt dhe qartë të jetë e mundur. Ndonjëherë studentët e fillojnë përgjigjen duke përmbledhur faktet e problemit. Kjo duhet të shmanget. Testuesi i di faktet: ai ose ajo mund ta ketë ndërtuar pyetjen por edhe nëse jo, ka patjetër në dorë një kopje të saj. Duhet të bëhet një përdorim ekonomik i fakteve, p.sh. kur duhet të aplikohet ligji ose kur po bëni dallimin e tyre nga një kazus që prima facia ngjason me kazusin tuaj. Një kategori tjetër studentësh fillojnë përgjigjen duke thënë që faktet e një problemi kanë ngjashmëri me faktet e një çështje të studiuar më parë. Për shembull, nëse pyetja është:

  • D, në gjendje të dehur, i vë flakën një hoteli ku po qëndronin shumë njerëz. Zjarri u shua përpara se të shkaktonte dëme serioze dhe asnjë nga personat në hotel nuk u dëmtua.

Diskutoni    

Një përgjigje tipike e këtyre studentëve mund të jetë kjo:

  • Ky kazus është i ngjashëm me çështjen R v Caldwell ku thuhet që “vetëdija”, për qëllim të cilësimit të veprës penale ka karakter objektiv, p.sh., mosparashikimi i pasojave të dëmshme ose me gjithë parashikimin e tyre, personi vepron…

Sidoqoftë, kjo mënyrë është problematike. Sa për fillim, çështja nga është shkëputur citimi nuk është më një çështje e mirë për t’iu referuar: Dhoma e Lordëve e ka anuluar vendimin e mëparshëm në një vendim të ri, R v G (2004),  dhe “vetëdija” në këtë kontekst tani merr kuptim subjektiv. ( Patjetër që iu mund të mendoni pse pedagogët iu japin të lexoni vendime ligjore të shfuqizuara. Studentët duhet të kapin që në fillim të studimeve të tyre ligjore ndryshimet ndërmjet: (a) çfarë është ligji; (b)paqartësitë e tij (ose ku mendohen të jenë); (c)cilat janë mundësitë për ta qartësuar apo për të bërë reformë ligjore; dhe (d)teoritë juridike mbi ligjin. Pedagogët tuaj mund të kenë diskutuar mbi Caldwell (1982) sa për të ilustruar pikën (c) dhe (d). Për më tepër, shumë aspekte të ligjit mund të kuptohen më mirë (ose vetëm në këtë mënyrë mund të kuptohen) duke bërë një interpretim historik të tij. Sidoqoftë, edhe nëse çështja do të kishte ende vlera ligjore, të fillosh përgjigjen në këtë mënyrë nuk do të konsiderohet një stil i mirë. Në fakt, është një intuitë e habitshme të gjesh ngjashmëri ndërmjet fakteve të këtyre dy çështjeve. Nëse e lejoni veten të drejtoheni nga faktet, do të hidheni në përgjigje shumë shpejt. Përgjigja juaj prezantohet më mirë nëse bazoheni tek çështjet ligjore të ngritura nga kazusi sesa tek ngjashmëritë me faktet e kazuseve të tjera. Pasi të keni identifikuar çështjet ligjore (dhe për ta bërë këtë iu duhet të mendoni për kazuset e ngjashme), mund të procedoni në nxjerrjen e ndonjë ligj të rëndësishëm të vendosur nga këto precedentë. Për të përmbledhur atë çfarë thamë, nuk është aspak e nevojshme të shkruani një hyrje tradicionale, tip-eseje dhe as nuk është e nevojshme t’i riktheheni gjatë e gjerë fakteve ose t’i krahasoni ato me fakte të ngjashme. Ajo çfarë duhet të bëni është t’i shkoni problemit në thelb nëpërmjet identifikimit të çështjeve ligjore të drejtpërdrejta që trajton kazusi. Analiza duhet të jetë e plotë dhe sa herë të jetë e mundur, të referohet tek baza ligjore.

Politikat për komente të Fondacionit “Henrietta Leavitt”

  • Komentet nuk shfaqen menjëherë, sepse kalojnë në sitën e moderimit, për aprovim ose jo, të Fondacionit “Henrietta Leavitt”. Komentet që nuk kanë lidhje me argumentin e temën, po ashtu edhe ato që përmbajnë mesazhe jodashamirëse, reklama, apo sulme personale nuk aprovohen.
  • Ju lutem kini në vëmendje këto politika përpara se të lini komentin tuaj!