Ibni Sina, ose Avicena, sipas emrit të latinizuar me të cilën njihet në Evropë, ka qenë një nga personalitetet më të shquar të botës filozofike e shkencore arabo-islamike, si dhe një nga mjekët më të mirë. Ndryshe njihet edhe si “Babai i mjekësisë” së Lindjes.
Ibn Sina (Avicena) u lind në Buhara në vitin 980. I ati ishte guvernatori i krahinës dhe tregoi kujdes të veçantë për edukimin e të birit. Avicena ishte një nxënës fenomenal, me një kujtesë të jashtëzakonshme, me inteligjencë të rrallë dhe vullnet të fortë. Megjithëse pati si mësues dijetarë të shquar, vetë mësuesit, pas pak vitesh, nuk qenë në gjendje të ndiqnin ecjen tepër të shpejtë në fushën e diturisë, sikundër nuk ishin të aftë të përballonin kërkesat e tij intelektuale gjithnjë në rritje.
Iba Sina vazhdoi studimet në mënyrë autodidakte, duke përvetësuar arritjet më të fundit të shkencës së logjikës, filozofisë, matematikës, mjekësisë, biologjisë e jurisprudencës, duke u bërë një nga personalitetet më të shquara të kohës në këto fusha.
Në moshën 16 vjeçare ushtronte profesionin e mjekut. Shumë shpejt Emiri i Buharas e emëroi mjek personal të oborrit mbretëror dhe i besoi drejtimin e bibliotekës shtetërore. Fondi i saj i pasur i dha mundësi të zgjerojë njohuritë në fusha të ndryshme të mendimit e të shkencave. Gjenia e Ibn Sinës shkëlqen në dy fusha: në filozofi dhe në mjekësi.
Në filozofi u përqendrua tek Aristoteli, ndonëse pati edhe ndikime neoplatonike dhe mbështetej edhe në veprat e El Farabiut, por gjithmonë duke ia nënshtruar dijet që merrte, gjykimit të tij origjinal. Në fushën e mjekësisë u mbështet në mësimet e Hipokratit (460-373 p.e.s) dhe në ato të mjekut italian Klaudio Galenet (131-201 të erës së re).
Ibn Sina ka shkruar shumë vepra, të cilat u përkthyen e botuan në latinisht e frëngjisht dhe për disa shekuj kanë qenë objekt studimi e diskutimi në universitetet evropiane.
Vepra e tij “Esh Shifa” është një enciklopedi e përbërë nga 18 vëllime dhe e ndarë në tre pjesë: logjikë, fizikë dhe metafizikë. Në këtë vepër ai i ndan shkencat në tre grupe: Grupi i parë përbën shkencat e diturisë së lartë, dituri që nuk kanë lidhje me lëndën, siç është filozofia ose metafizika; grupi i dytë përbëhet nga dituri të ulëta, të cilat kanë lidhje me lëndën që janë dituritë fizike; grupi i tretë përbëhet nga fituri të ndërmjetme, ku përfshihen dituritë që kanë lidhje herë me metafizikën dhe shkencat matematikore. Vepra të tjera të rëndësishme të tij janë “En-Nexhat-it” dhe “El –Isharat-it” që trajtojnë probleme logjike e filozofike.
Në fushën e mjekësisë kryevepra e tij është “Kanuni i mjekësisë”, në pesë vëllime dhe i shkruar në vargje. Në këtë kryevepër ai trajton fusha të ndryshme mjekësore, si patologjinë, higjenën, profilaksinë, farmakologjinë, kirurgjinë (frakturat) probleme të terminologjisë dhe ato të bimëve mjekësore. Me emrin e tij lidhet zbulimi i metodikës së palpacionit me gishta që konsiderohet një arritje e madhe në fushën e diagnostikimit të sëmundjeve. Ishte i pari që dha idenë e qarkullimit të gjakut. Kjo vepër shërbeu si bazë për diagnostikimin e sëmundjeve dhe si tekst mësimor në fakultetet e mjekësisë në Evropë gjer në mes të shek. XVII.
Doktrina e krijimit e Avicenës dhe konceptet e tij psikologjike mbi intelektet ngjallën reagime e diskutime serioze në radhët e filozofëve, teologëve arabo-islamikë dhe kristianë në Evropë gjatë shek. XIII. Një gjë e tillë i dha shtytje zhvillimeve filozofike. Në fushën e filozofisë Ibni Sina shquhet për doktrinën e krijimit dhe të koncepteve mbi “Qenien e mundshme” dhe “Qenien e domosdoshme”. Për këtë ai kombinoi pikpamjet e Aristotelit me ato neoplatonike si dhe me interpretimet e komentet e veta.
Avicena pohonte se çdo gjë që të fillojë ekzistencën e vet duhet të ketë një shkak. Sendet që kërkojnë një shkak për të ekzistuar quhen nga ai “qenie të mundshme”. Një shkak, i cili gjithashtu është një qenie e mundshme, duhet të shkaktohet nga një qenie e mëparshme, nga një shkak i mëparshëm. Gjithashtu edhe ky shkak i dytë, që të ekzistojë duhet të ketë shtysë nga një shkak i tretë, e kështu me radhë. Por nuk mund të kemi një pafundësi shkaqesh. Duhet të jetë një shkak i parë, qenia e të cilit nuk është vetëm e mundshme, por edhe e domosdoshme. Kjo “Qenie e domosdoshme” që është e parë, nuk ka ndonjë shkak tjetër që të ekzistojë. Ajo ekziston nga vetvetja, dhe është shkaku i çdo gjëje. Ky është Zoti, perëndia. Në këto ide u mbështet më vonë Tomas Akuini në provat e tij për të vërtetuar ekzistencën e Zotit.
Zoti, thotë Avicena, është në kulmin e qenieve. Ai nuk ka fillim, është gjithmonë në veprim e në krijim, është një shpirt i pastër që mund të krijonte materien duke u nisur nga hiçi. Sipas tij krijimi është edhe i domosdoshëm, edhe i përjetshëm. Këtë pohim të Avicenës, shumë filozofë të shek. XIII e shikonim si në kundërshtim me nocionin fetar, biblik të krijimit, sipas të të cilit krijimi është produkt i vullnetit të Zotit e jo diçka i domosdoshëm dhe se krijimi është një akt që kryhet në një kohë të caktuar dhe jo një proces që vazhdon në përjetësi.
Në fushën e psikologjisë, Avicena u shqua për konceptet e tij mbi intelektin dhe aktivitetin e tij. Ai trajtoi problemet mbi intelektin e mundshëm dhe intelektin aktiv dhe marrëdhëniet në mes tyre. Për të bërë dallimet në mes inteligjencave, Avicena u mbështet mbi shkallëzimin e qenieve, ku njeriun e vendos në nivelin më të ulët të qenieve engjëllore ose inteligjente. Sipas tij Zoti krijoi një pasojë të vetme dhe kjo quhet inteligjenca, ëngjëlli më i lartë. Por kjo inteligjencë krijon inteligjenca të nështruara, të cilat janë nëntë. Secila prej tyre, sipas rregullit zbritës, krijon atë që është nën të dhe shpirtin që vjen më pas. Nëntë inteligjencat krijojnë dhjetë inteligjencat dhe atë të fundit që është intelekti aktiv.
Intelekti aktiv krijon katër elementet e botës dhe shpirtërat individuale të njerëzve. Intelekti aktiv jo vetëm krijon shpirtërat ose mendjet e njerëzve, por gjithashtu rrezaton format në këto mendje të krijuara. Për deri sa mendja e njeriut ka një fillim atëherë ajo është një qenie e mundshme gjë që do të thotë se njeriu ka një intelekt të mundshëm. Thelbi i mendjes njerëzore, shprehej Avicena, është të njohë, por jo gjithmonë njeh. Intelekti është në gjendje të njohë, thelbi i tij është të njohë, por njohja e tij është vetëm e mundshme.
Pra intelekti është krijuar me mundësinë e njohjes. Por njohja si mundësi e intelektit kërkon dy elemente. Së pari, shqisat e trupit nëpërmes të cilave ne perceptojmë objektet e jashtme shqisore dhe fuqinë për të mbajtur imazhet e objekteve në kujtesë ose në imagjinatën e brendshme. Së dyti, fuqinë për të zbuluar thelbin ose të përgjithshmen në sendet individuale nëpërmes forcës së abstraksionit.
Ky abstraksion nuk realizohet nga intelekti njerëzor, por nga intelekti aktiv, i cili rrezaton mendjen njerëzore dhe e bën të aftë që të njohë. Intelekti aktiv është krijuesi i shpirtërave të të gjithë njerëzve dhe si rrjedhim është forcë aktive në njohjen njerëzore, atëherë ekziston vetëm një intelekt aktiv në të gjithë njerëzit, ku të gjithë njerëzit marrin pjesë. Asnjë shpirt nuk vdes, por secili kthehet në burimin e tij tek intelekti aktiv. Intelekti aktiv, së bashku me intelektin e mundshëm krijon dhe ndriçon shpirtin njerëzor.
Interes për psikologjinë paraqesin edhe disa mendime të Avicenës nga fusha e mjekësisë dhe e diagnostikimit. Ai hodhi poshtë paragjykimet mbi sëmundjet e ndryshme sidomos atyre me origjinë nervore gjoja si të pashërueshme. Ai përjashtoi bestytnitë që lidheshin me magjitë të përhapura në masat e paditura. Hodhi poshtë idetë se sëmundja e epilepsisë buron nga magjitë apo nga djalli. Theksonte se shkaku i sëmundjeve dhe përhapja e tyre ishin uji e ajri. Avicena i dha rëndësi të veçantë pulsit arterial të cilin e lidhte, e shpjegonte në varësi të gjendjes shpirtërore.
Avicena ushtroi një ndikim të madh në mendimin filozofik e shkencor të Lindjes e të Perendimit.