Maria Montesori (31 gusht 1870 – 6 maj 1952)
- Në bashkëpunim dhe mbështetur nga Lilu Kids Concept Store
Valbona Nathanaili
- Kush është Maria Montessori

Maria Montessori u lind më 31 gusht 1870 në Chiaravalle, Itali. Babai, Alessandro, është punonjës i administratës shtetërore, me profesion llogaritar, ndërsa mamaja, Renilde Stoppani, e mirë-arsimuar dhe ka pasion leximin.
Familja Montessori zhvendoset në Romë në vitin 1875 dhe vetëm një vit më vonë Maria fillon mësimet në shkollën shtetërore lokale.
Me mbarimin e shkollës së mesme, pavarësisht se prindërit e nxisin t’i kushtohet profesionit të mësuesit, vendos të aplikojë për mjekësi, por fillimisht refuzohet. Është e vështirë në shoqërinë e kohës, që të pranojë femra në një degë ku studiojnë vetëm meshkuj. Duhet miratimi i Papa Leo XIII, që Marias t’i jepet leje për t’u regjistruar në Universitetin e Romës në 1890. Në korrik 1896, Maria Montessori është një nga gratë e para, në diplomën e së cilës shkruhet “Mjeke”.
Shumë shpejt bëhet e njohur për profesionalizëm në trajtimin e pacientëve, si edhe për respektin që tregon për të gjithë pacientët, pavarësisht klasës shoqërore që i përkasin. Në vitin 1897, Maria është pjesë e një programi kërkimor në klinikën psikiatrike të Universitetit të Romës, si vullnetare, për nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, një punë që i ngjall interes shumë të madh. Në vitin 1898 Maria lindi Mario-n, djalin e saj, më pas edhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të saj. Djali ësht fryt i një lidhje me Giusseppe Montesano.
Njëzet e tetë vjeç, Maria hedh hipotezën e shumë-diskutueshme, se mungesa e mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuara mendore dhe zhvillimore është arsyeja kryesore për gjendjen e tyre. Reforma shoqërore është një nga shqetësimet më të mëdha të jetës së saj, fokusuar në dy drejtime, rolet gjinore dhe fëmijët.
Në vitin 1901, Maria fillon studimet në filozofi edukimi dhe antropologji. Nga viti 1904-1908 është pedagoge në Shkollën Pedagogjike të Universitetit të Romës. Kjo periudhë karakterizohet nga një zhvillim i shpejtë i Romës, por shoqërohet edhe me shumë falimente. Gjendja e vështirë e një pjese të mirë të popullsisë dallohet fare qartë në getot rreth e përqark kryeqytetit. Një nga këto është edhe San Lorenzo, ku në çdo orë të ditës sheh fëmijë që lëvizin lirisht, pa asnjë kujdes të veçantë, ndërkohë që prindërit janë gjithë ditën në punë.
Nisur nga situata, në vitin 1907 hap “Shtëpinë e fëmijëve”, e para e këtij lloji. Nga aktivitetet dhe materialet e shumta, vendos të zbatojë vetëm ato që i mbajnë fëmijët të angazhuar. Sipas Marias, fëmijët duhet të mësojnë në një mjedis ku aktivitetet mbështesin zhvillimin e tyre natyror, si mënyra më e mirë për t’u vetë-arsimuar. Vetëm dy vjet më vonë, idetë dhe teoritë e saj për të mësuarin i komunikon në një kurs trajnimi, ku janë të pranishëm më shumë se 100 studentë. Shënimet nga kjo periudhë i shërbejnë si material për librin e parë, botuar po atë vit në Itali, që në përkthimin anglisht në SHBA të vitit 1912, shfaqet si “Metoda Montessori”. Më pas gjithçka është histori!
Në vitin 1917, Maria shpërngulet në Spanjë, ku i bashkohet familjes së të birit, Marios. Në fillimet e viteve ‘920 në Evropë, një nga metodistet më me influencë në fushën e pedagogjisë është Maria Montessori, pikëpamjet dhe idetë pedagogjike të së cilës gjejnë vend në shumë nga shkollat e Italisë, Austrisë, Belgjikës, Hungarisë, Hollandës dhe Portugalisë. Në vitin 1929, nënë dhe bir krijojnë “Shoqatën Ndërkombëtare Montessori”. “Programet e trajnimit Montessori” dhe “Shkollat Montessori” fillojnë të jenë pjesë e sistemeve edukative në të gjithë botën. Udhëtimet dhe leksionet publike në Europë dhe Amerikë, për të folur për punën dhe metodën e saj, janë të zakonshme.
Ngritja e fashizmit në Evropë shndërrohet në pengesë edhe për lëvizjen Montessori. Deri në vitin 1933, nazistët arrijnë të mbyllin të gjitha shkollat Montessori në Gjermani. Të njëjtën gjë bën edhe Musolini në Itali. Për t’i shpëtuar luftës civile që kaplon Spanjën, në vitin 1936, Maria dhe familja e Marios udhëtojnë drejt Anglisë, më pas në Hollandë ku qëndrojnë në familjen e Ada Pierson – kjo e fundit, më pas bëhet gruaja e dytë e Marios. Një udhëtim në Indi në vitin 1939, që fillon thjesht si një turne leksionesh, përfundon në një qëndrim shtatëvjeçar, por shpërthimi i luftës edhe në këtë vend, përfundon në internim për Marion, ndërsa vetë Maria në arrest shtëpie – një masë e qeverisë britanike për të gjithë qytetarët italianë që jetojnë në këtë vend. Në Indi, Maria zbaton qasjen e saj për të mbështetur fëmijët 6-12 përmes “Edukimit kozmik”. Me rastin e 70-vjetorit të lindjes, autoritetet i pranojnë kërkesën për të liruar Mario-n, të birin, dhe së bashku trajnojnë mbi një mijë mësues indianë.
Në vitin 1946 kthehen në Hollandë, ndërsa një vit më vonë mban fjalën në UNESCO, me temë “Edukimi dhe paqja”. Nominohet për Çmimin Nobel për Paqe për tre vjet rresht: 1949, 1950 dhe 1951.
Maria Montessori ndërron jetë në moshën 81 vjeç, më 6 maj 1952 në Hollandë, duke ia lënë testament të birit, Marios, të vazhdojë punën e nisur.
- Maria Montessori: “Të vëzhgosh do të thotë të ndalosh edhe tek ajo që nuk të duket interesante dhe të mos shkëputesh deri sa të kesh krijuar një ide. Qëndrimi ndaj vëzhgimit nuk bëhet falë inteligjencës, por falë durimit dhe përkushtimit; duhet të jetë një vëzhgim i zgjatur që shtrihet përtej asaj që beson se ke kuptuar” (Montessori, 2002, f. 227)
Metoda “Montessori”
Metoda “Montesori” mbështetet në mësimin me qendër fëmijën. Metoda është e organizuar në pesë kategori themelore: jeta praktike, lëvizjet motorike, si dhe shprehitë matematikore, gjuhësore dhe kulturore. Programi bazohet në drejtimin e brendshëm natyror të fëmijës dhe në interesin për të mësuar, ndërsa përfshirja e edukatores është në masën më të vogël të mundshme.
Metoda e edukimit që përdor Maria Montesori bazohet në vëzhgimet e fëmijëve nga lindja dhe deri në moshën e rritur. Ndikuar nga shkollimi i saj paraprak në shkenca mjekësore, Maria Montesori bën një revolucion , sa i përket mënyrës sesi ajo e koncepton dhe konstrukton punën me fëmijë. Parimet bazë përmes të cilave Montesori mbështet punën e saj me fëmijë janë:
- respekti për fëmijën: edukimi duhet të jetë në harmoni me zhvillimin e tij;
- krijimi i një mjedisi të përshtatshëm zhvillimor dhe të pajisur me materiale, të cilat ndihmojnë dhe stimulojnë zhvillimin e fëmijës;
- vet-edukim, parim ky përmes së cilit Montesori kërkon që fëmijët të ndër-veprojnë të lirë me mjedisin që i rrethon.
Kurrikula sipas Montesorit (Isaacs, 2010) zbërthehet përmes gjashtë fushave të të nxënit:
- zhvillim personal, social dhe emocional;
- komunikim, gjuhë dhe literaturë;
- zgjidhja e problemeve, arsyetim logjik dhe numrat;
- njohja dhe të kuptuarit e botës;
- zhvillim fizik
Fushat e të nxënit në kopshtet montesoriane janë të integruara njëra me tjetrën dhe procesi i të nxënit tek fëmijët zhvillohet në qasje holistike, duke respektuar ritmin e të nxënit të fëmijës dhe fushat e tij të interesimit. Puna e pavarur e fëmijës, ndërveprimi i fëmijës me bashkëmoshatarët e edukatoren, si dhe mjedisi i përgatitur mirë janë aspekte të tjera të cilat ndihmojnë zhvillimin e kurrikulës. Për rolin e vëzhgimit gjatë procesit të edukimit Montesori (1915) shprehet: “përshtypja që mora nga vëzhgimi, ishte një lloj zbulimi”. Kështu Montesori sugjeroi një ndryshim në rolin e edukatores nga një model i sjelljes për fëmijët në një vëzhgues të zhvillimit të fëmijëve dhe zhvillimin e pavarësisë tek ata, vetë-kujdesin dhe vetë-besimin, përmes aktiviteteve të drejtuara nga vetë fëmijët. Përmes punës së individualizuar me fëmijët edukatoret i aftësojnë të përdorin objektet në mënyrë të pavarur, si dhe të ndihmojnë në ruajtjen dhe sistemimin e tyre.
Montesori beson që fëmijët mësojnë më së miri nëpërmjet përvojave bazuar në shqisat e tyre dhe të nxënit zhvillohet në mënyrë të natyrshme dhe graduale. Materialet në hapësirat e kopshtit janë materiale pune, të cilat janë të dizajnuara nga vetë Montesori, bazuar në nevojat dhe interesat e fëmijës dhe që nxisin të nxënit përmes shqisave. Këto materiale janë të punuara kryesisht nga materiale natyrore me bazë druri dhe secili material apo mjet pune me të cilin fëmijët ndërveprojnë shërben për një qëllim të caktuar. Këto materiale ndahen në materiale të jetës praktike, përmes së cilave fëmijët mund të praktikojnë për aktivitetet e jetës së përditshme, si: të ngrënit, pastrimi, veshmbathja, etj. Edhe materialet të ashtuquajtura materiale zhvillimore, përmes të cilave materiale apo mjete fëmijët mësojnë bazat e shkrim-leximit dhe matematikës dhe fushave të tjera zhvillimore.
Mjedisi sipas Montesorit duhet të jetë një mjedis i përshtatshëm, ku fëmija të mund të veprojë pas një sërë qëllimesh tërheqëse për t’u arritur, duke kanalizuar aktivitetin e pandalshëm të fëmijës drejt rregullit dhe përsosjes. Si nënkuptohet, një mjedis montessorian i konceptuar dhe i realizuar për fëmijë nga muajt e parë të jetës deri në tre vjeç? Para së gjithash, është një hapësirë që njeh veprimtaritë vetërregulluese të fëmijëve, që theksohen në mënyrën dhe në këmbënguljen me të cilat ndiqen objektivat e autonomisë, si nevoja ‘jetike’ për të ndërtuar funksionet e veta nëpërmjet përvojës së drejtpërdrejtë dhe mënyrave personale të njohjes, duke ndjekur ritme dhe kohë individuale.
Montessori depërtoi në botën e fëmijës, duke na dhënë një pasqyrë për mënyrat në të cilat fëmijët në fëmijërinë e hershme mund të mësojnë. Me gjithë dinamikën e zhvillimit të edukimit në fëmijëri të hershme, qëndrueshmëria e ideve dhe metodave të punës sipas Montesorit janë dëshmia më e mirë e revolucionit që bëri Montesori në fushën e edukimit parashkollor dhe e aktualitetit të formave të saj të punës edhe në ditët e sotme.
- Elemente thelbësore të metodës “Montesori”
- Klasë me mosha të përziera në mënyrë që fëmijët të mësojnë nga njeri-tjetri.
- Liria e fëmijës/nxënësit për të zgjedhur një aktivitet, brenda disa opsionesh të përcaktuara (liria brenda kufijve).
- Kohë e pandërprerë e punës individuale të nxënësit për të zhvilluar përqendrimin.
- Një model “zbulimi” ku nxënësit mësojnë koncepte nga puna me materiale, dhe jo nga ligjëratat e mësimdhënësve, ku fëmija është në qendër të vëmendjes e jo mësuesja.