Nga Andrea Nathanaili, Drejtor në Drejtorinë e Programeve &

Zimo KRUTA, Specialist në Drejtorinë e Programeve

Historia e krijimit dhe zhvillimit të veprimtarisë institucionale të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) – ish-Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit (KKRT) – është e lidhur ngushtë me ndryshimet demokratike në Shqipëri pas viteve ’90-të. Njëherësh, themelimi i këtij institucioni ishte kërkese e domosdoshme e zhvillimeve politike, sociale, kulturore e mediatike që përjetonte shoqëria shqiptare e kohës. Ishin pikërisht këto ndryshime e zhvillime që përcaktuan dhe, në një farë mënyre, edhe diktuan, krijimin e një institucioni mbikëqyrës dhe rregullator, për transmetimet radiotelevizive të mediave elektronike. Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit nuk lindi në një truall djerrë: Institucioni i ri kishte një bazë ligjore të mjaftueshme për konstituimin dhe fillimin e veprimtarisë së vet, në një kohë kur ndodhte e kundërta me mediat elektronike private, që, në mungesë të legjislacionit përkatës, kishin lindur, po shtoheshin e përmirësoheshin me një ritëm të shpejtë.

Panorama mediatike e viteve ’90-të

Duhet theksuar që në krye të herës se historiku i AMA-s nuk është historiku i fillimit të medias elektronike në Shqipëri, edhe pse është lidhur ngushtë me veprimtarinë e medias: për këtë mund të bindemi duke i hedhur një vështrim të shpejtë panoramës së medias elektronike të kohës. Vërtet fillimet e transmetimeve radiofonike në Shqipëri zënë fill me radio Tiranën më 28 nëntor 1938, vijojnë me Televizionin Shqiptar më 1960 e me radiot filiale të RTSH-së  Radio Shkodra, Radio Gjirokastra, Radio Kukësi e Radio Korça, por evoluimi i mirëfilltë i transmetimeve radiotelevizive shqiptare ndodhi pas viteve nëntëdhjetë, falë konkurrencës së lirë dhe  iniciativës private. Vendosja e pluralizmit, zhvillimet demokratike, elementët e parë të tregut, ndikimi i zhvillimeve ekonomike, teknologjike e mediatike  në vendet e BE-së ishin imperativat e parë të lindjes së radiove dhe televizioneve private. Ndërkohë Radiotelevizioni shtetëror, ishte kthyer, të paktën “në letër” në Radiotelevizion Publik (1993). Liberalizimi i tregut mundësoi fillimin e transmetimeve të para radiotelevizive private, por ato ishin pothuaj të gjitha të jashtëligjshme, pasi mungonte krejtësisht hapësira ligjore.

Transmetimet e para të medias elektronike private datojnë në vitin 1995, me “Telenorbën”shqiptare, programet e së cilës transmetoheshin nga Italia.  Televizioni i parë privat në Shqipëri është  “Shijak TV” që nisi transmetimet në dhjetor 1995. Po në vitin 1995 nisi transmetimet edhe radioja e parë private, Radio Vlora. Më pas, në vitin 1996 e në vijim, filluan transmetimet e disa televizioneve lokale “TV Antena Jug”, Gjirokastër; “Alba TV”, Tiranë, “TV Lezha”, Lezhë TVA, (TeleArbëria) Tiranë, – TV Rozafa, Shkodër. Me gjithë fillimet e vështira, mungesat e teknologjisë, infrastrukturës, personelit të kualifikuar etj., si dhe mungesën e legjislacionit përkatës, për dy vjet Shqipëria numëronte afro 30 transmetues radiotelevizivë, të palicencuar, edhe pse ndërkohë, ishte miratuar një ligj për veprimtarinë audiovizive, i cili asnjëherë nuk u zbatua, as pjesërisht.

 Kronologjia e akteve ligjore bazë

Besojmë se për historikun e krijimit të AMA-s është me interes të shihet, qoftë edhe telegrafikisht, hartimi, miratimi e përmirësimi i akteve ligjore mbi të cilat u mbështet themelimi e fillimi i funksionimit të KKRT-së.

  1. Viti 1991: Ligji nr. 7524, datë 19.11.1991 “Për Statusin e RTSH-së”.
  2. Viti 1997: Ligji nr. 8221, datë 14.05.1997 “Për Radion dhe Televizionin Publik dhe Privat në Republikën e Shqipërisë”. Mangësitë e ligjit dhe situata politike e vitit 1997 bënë që ky ligj të mos zbatohej.
  3. Viti 1998: Ligji nr. 8410, datë 30.09.1998 “Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë”.
  4. viti 2007: Ligji nr. 9742, datë 28.05.2007 “Për Transmetimet Numerike në Republikën e Shqipërisë”.
  5. Viti 2008: Ligji nr. 9918, datë 19.05.2008 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë”.

Vera e vitit 1998 shënon edhe hartimin e miratimin e ligjit të parë për median elektronike, i cili nisi të zbatohej. Në këtë ligj, sanksionohej krijimi i i KKRT-së, organizmit ose institucionit të parë rregullator e mbikëqyrës i veprimtarisë radiotelevizive në vendin tonë. Misioni kryesor i KKRT-së ishte licencimi i operatorëve radiotelevizive, respektimi i “rregullave të lojës” në tregun mediatik dhe mbikëqyrja e transmetimeve radiotelevizive në Republikën e Shqipërisë. Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit (KKRT), u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në verën e vitit  1999 dhe KKRT nisi punën si organ i pavarur  në dhjetor të vitit 1999, dhe, pas amendimeve që iu bënë ligjit, në vitin 2000, filloi përgatitja e dokumentacionit dhe akteve nënligjore për dhënien e licencave.

KKRT – AMA: nga  themelimi në ditët e sotme

  • Veçantia e zhvillimit të veprimtarisë së një organi mbikëqyrës e rregullator qëndron në fillin e hollë që ndan respektimin e lirisë së shprehjes me anë të mjeteve audiovizive me respektimin e lirisë së individit, respektimit të privatësisë dhe lirive të tjera themelore; lirinë në përzgjedhjen e programeve në bazë të parimit të pavarësisë editoriale, si dhe lirinë në përzgjedhjen nga ana e individëve e programeve të dëshiruara. Është i njohur statusi “i privilegjuar” i medias në një vend demokratik, por po aq i njohur është edhe kujdesi që ajo media, të mos abuzojë me pushtetin e saj, në dëm të pushteteve të tjera. Këtu roli i organit rregullator bëhet i domosdoshëm, këtu nis e konsolidohet edhe funksionimi i KKRT-së.
  • Nisi procesi i dhënies së licencave të para kombëtare, rajonale e lokale, më pas edhe licenca për transmetim satelitor; u bënë përpjekje për rregullimin e tregut mediatik, u nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare që lidheshin me shfrytëzimin e frekuencave, u plotësua ligji me akte nënligjore si dhe u bë funksionale struktura dhe administrata e institucionit.  Për pasojë, pas viteve 2000 e në vijim, situata ndryshoi, u licencuan rreth 100 operatorë radiotelevizivë, nga të cilët dy operatorë privatë kombëtarë dhe tre radio kombëtare. Ishin përpjekjet e para për zbatimin e ligjit, kontrollet e inspektimet e KKRT-së ndaj operatorëve u vendosën mbi baza institucionale. KKRT monitoronte e viziononte programet informative dhe raportonte rregullisht në Kuvendin e Shqipërisë për veprimtarinë e institucionit.
  • Masat e marra nga KKRT-ja ndaj shkeljeve ligjore të operatorëve, sidomos për okupimin e spektrit të frekuencave dhe ndalimin e piraterisë televizive dhe fillimi i sanksioneve për mosrespektim të kërkesave të ligjit, krijuan konflikte e problematike të mprehta që çuan në dorëheqjen e Kryetarit të parë të KKRT-së, z. Sefedin Çela. Nga problematikat e krijuara në këtë periudhë, veçojmë si fakt domethënës, që dëshmon se vetë mediat, operatorët kërkojnë të hyjnë në hullitë e ligjit, siç është rasti pothuaj unik ku pronarët e mediave elektronike, pas licencimit, në kohën kur shumica e programeve të huaja kryesisht piratoheshin, i kërkuan kryeministrit të asaj kohe, Fatos Nano, të merrte masa që, në dukje, ishin në dëm të bizneseve të tyre.
  • Në fushën e mediave elektronike, institucioni i KKRT-së e rriti rolin e  vet si mbikëqyrës dhe rregullator dhe ka bërë përpjekje edhe për forcimin e pavarësisë në ushtrimin e funksioneve. Jo rrallë, veprimtaria e KKRT- AMA-s dhe përmbushja e detyrimeve parësore të saj është bllokuar për shkak të qëndrimeve e interesave politike të shumicave apo pakicave parlamentare, qoftë për qëndrime të vetë KKRT-së të ndikuara nga interesa politikë. Nevoja për ndryshimin e legjislacionit në fushën e transmetimeve audiovizive lindi si rezultat i zhvillimeve të vetë shërbimeve të medias elektronike, zhvillimeve teknologjike në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shoqërisë së informacionit si dhe për të përmbushur detyrimet që ka Republika e Shqipërisë për të harmonizuar legjislacionin e saj në këtë fushë me legjislacionin evropian. Ligji nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, është hartuar në përputhje të plotë me Direktivën AVMSD. Ky ligj, veç të tjerash, garanton pavarësinë e institucionit, rrit efikasitetin e veprimtarisë e të kryerjes së funksioneve themelore, përcakton parime dispozita e kritere përfaqësuese për transmetimet audiovizive dhe mbron interesat e publikut ndaj “rrezikut mediatik.
  • Në situatën aktuale, AMA e ushtron veprimtarinë e vet mbikëqyrëse e kontrolluese për 72 subjekte audiovizive, 71 subjekte radiofonike dhe 109 operatorë audiovizivë kabllorë. Gjithashtu, operojnë dhe 5 subjekte, të cilët kanë ndërtuar dhe transmetojnë në rrjete numerike tokësore. Këto subjekte janë klasifikuar si operatorë historikë kombëtarë dhe pritet të legalizohen sipas rregulloreve dhe procedurave të miratuara nga AMA, bazuar në ligjin 97/2013, “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.
  • Rikonstituimi i AMA-s, në nëntor 2014 nxiti investimin e frymës së partneritetit me transmetuesit audio dhe audiovizivë, për zbatimin rigoroz të ligjit, rritjen e cilësisë së programeve e të transmetimeve audiovizive, përshpejtimin e procesit të digjitalizimit. Këtij qëllimi i kanë shërbyer konsultime me operatorët kombëtarë privatë, me transmetuesin publik RTSH, takime zyrtare me organizatat e operatorëve ritransmetues, po ashtu dhe me një numër të konsiderueshëm personash fizikë që zotërojnë kompani kabllore ritransmetuese. Është rritur ndjeshëm transparenca e mbledhjeve të Autoritetit, është përmirësuar performanca e punonjësve të Administratës dhe  situata financiare e institucionit si dhe janë intensifikuar takimet me faktorin ndërkombëtar si me BE, KiE e OSBE, për të krijuar një tjetër klimë bashkëpunimi, një shkëmbim efikas përvoje me Autoritetet Rregullatore të vendeve të rajonit e të BE-së. AMA ka përcaktuar objektiva dhe detyra konkrete për përmbushjen e detyrimeve që lidhen me procesin e digjitalizimit dhe forcimin e pavarësisë së Autoritetit rregullator  në ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave me të cilat e ngarkon ligji.

Tiranë, 15 shtator 2015