Artikulli është pjesë e nismës së Dr. Valbona Nathanaili “Integrimi nga brenda” i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Organizatat Ndërkombëtare lindën, kryesisht, nga nevoja e kombeve dhe e qeverive për të pasur një forum neutral, ku të mund të diskutoheshin, por edhe të merreshin në konsideratë, interesa, që për nga natyra ose shtrirja e tyre, nuk mund të mbrohen nga një shtet i vetëm, duke i detyruar këta të fundit të bashkëpunojnë. Të tilla interesa kuptohen si të mira publike ndërkombëtare, si p.sh. paqja dhe siguria ndërkombëtare, mbrojtja e mjedisit, tregtia ndërkombëtare etj.
Viti 1815, kur u mbajt “Kongresi i Vjenës”, mund të themi se është përpjekja e parë për organizim ndërkombëtar. Në atë kohë, për mbrojtjen e vendimeve që mori “Kongresi i Vjenës”, u krijua një sistem diplomatik, i quajtur Koncerti Europian, i cili ishte një lloj “drejtorie” e Fuqive të Mëdha. Megjithëse nuk karakterizohet si një organizatë e mirëfilltë dhe e qëndrueshme, padyshim mund të konsiderohet si një nga shenjat e para të organizatave ndërkombëtare, me karakter universal, si p.sh.: Lidhja e Kombeve apo edhe OKB-ja.
Ndër organizatat e para të këtij lloji ishte Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve, i njohur ndryshe si ITU. Kjo organizatë u krijua nga Konventa Ndërkombëtare e Telegrafit, pjesë përbërëse e së cilës ishin 123 shtete, që prej vitit 1865. Në shekullin XIX, Franca shfaqi interes për krijimin e disa organizatave ndërkombëtare, kryesisht me karakter teknik. Për këtë arsye, që nga ajo kohë, janë krijuar shumë organizata që i kanë qendrat e tyre në Paris.
Forma e organizatave ndërkombëtare
Organizata ndërkombëtare mund të krijohet nga një dokument themelues, siç mund të jetë p.sh.: një statut, traktat apo konventë, e cila, kur nënshkruhet nga anëtarët themelues, i siguron organizatës njohjen e nevojshme ligjore.
Organizatat ndërkombëtare janë subjekte të së drejtës ndërkombëtare, të afta të marrin pjesë në marrëveshje ndërmjet tyre dhe me shtetet, por edhe të adoptojnë dhe promovojnë akte në përgjithësi. Doktrina ndërkombëtare i konsideronte organizatat ndërkombëtare në funksion të shteteve që i kishin ngritur dhe nuk u njihte atyre asnjë subjektivitet të ndryshëm nga ai i shteteve anëtare.
Pas vitit 1945, doktrina ndërkombëtare filloi të drejt orientohet, veçanërisht pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen “Bernadotte”, në vitin 1949, pas së cilës, këtyre organizatave iu njoh statusi “ndërkombëtar”.
Të drejtat e organizatave ndërkombëtare
Organizatat ndërkombëtare kanë këto të drejta:
- Organizatat kanë të drejtë të përfundojnë marrëveshje ndërkombëtare që u atribuojnë të drejta dhe detyrime vetëm atyre dhe jo shteteve anëtare. Sipas hipotezës së fundit, është Traktati Formues që shprehimisht qartëson se marrëveshjet ndërkombëtare, të përfunduara nga organizatat ndërkombëtare, detyrojnë edhe shtetet anëtare, siç është rasti i nenit 300, i Traktatit të Komuniteteve Europiane;
- Organet e shumicës së organizatave ndërkombëtare gëzojnë atë imunitet diplomatik që u njihet organeve të shteteve;
- Organizatat ndërkombëtare kanë qëllimet e tyre, të ndryshme nga ato të shteteve anëtare. Organet e tyre kanë të drejtë të nxjerrin akte për realizimin e këtyre qëllimeve.
- Argument: Çështja “Bernadotte” Konsideratat rreth të drejtave të organizatave ndërkombëtare u shfaqën gjerësisht pas çështjes “Bernadotte”. Bëhej fjalë nëse OKB-ja kishte të drejtë të përfitonte dëmshpërblim për vrasjen e dy funksionarëve të saj me mision zyrtar në territorin izraelit: kontit suedez Folke Bernadotte dhe kolonelit francez Andre Serot. Çështja krijoi debate të gjata, nëse Organizata mund të kërkonte dëmshpërblim apo jo; kjo u takonte (sipas së drejtës ndërkombëtare zakonore) shteteve, shtetësinë e të cilave kishin personat. Kështu, pyetja iu shtrua për shqyrtim Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila vendosi në favor të kërkesës së OKB-së, duke afirmuar se kjo e fundit “është një subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe ka zotësinë të kërkojë gëzimin e të drejtave të saj nëpërmjet kërkesave ndërkombëtare”. Gjykata arriti shprehimisht në këtë konkluzion nga shqyrtimi i Kartës së OKB-së: “Karta nuk kufizohet, thekson Gjykata, ta bëjë OKB-në një qendër ku drejtohen përpjekjet e kombeve për një qëllim të përbashkët”. Në fakt, Karta u ka dhënë kompetencë organeve, që ua ka besuar zbatimin e misioneve të veta. Ajo ka përcaktuar pozicionin e shteteve anëtare përballë organizatës, duke i detyruar ato të japin asistencën e nevojshme për të gjitha veprimet e ndërmarra nga organizata, si dhe duke i dhënë asaj zotësi juridike, privilegje dhe imunitete në territorin e çdo shteti anëtar, duke parashikuar kështu mundësinë e organizatës për përfundimin e marrëveshjeve me vetë shtetet”.
Në fakt, duke mos pasur një territor të posaçëm, por as edhe një komunitet, organizatat ndërkombëtare nuk ushtrojnë sovranitet territorial dhe, rrjedhimisht, ato nuk janë përçuese të të gjitha normave ndërkombëtare që lidhen me ushtrimin e tij.
Në funksion të qëllimit për të cilin janë krijuar, organizatat ndërkombëtare në thelb:
- Përfundojnë traktate ndërkombëtare me shtetet anëtare, me shtete të treta dhe me organizata të tjera;
- Gëzojnë të drejtën e legacionit, duke siguruar mundësinë të dërgojnë përfaqësuesit e tyre pranë shteteve anëtare, shteteve joanëtare, si dhe organizatave të tjera;
- Kanë të drejtën të kenë imunitete nga juridiksioni i shtetit territorial dhe funksionarët e saj gëzojnë imunitet diplomatik;
- Kanë të drejtë të kërkojnë reparacione/dëmshpërblime nga shtetet anëtare/shtete të treta, për dëme të shkaktuara ndaj pasurisë apo funksionarëve të organizatës; përmes protestave, negociatave ose duke iu drejtuar arbitrave apo gjykatësve ndërkombëtarë.
Temë interesante diskutimesh mbetet ajo rreth përgjegjësisë së shteteve anëtare, lidhur me detyrimet që ndërmerr organizata për përmbushjen e objektivave të saj. Një argument, që duhet pasur parasysh, është edhe vendimi i dhënë nga Dhoma e Lordëve, në vitin 1989, si dhe nga Gjykata e Arbitrazhit e Dhomës së Tregtisë Ndërkombëtare, në vitin 1984, lidhur me paaftësinë për të kryer pagesa të dy organizatave ndërkombëtare.
Të dyja vendimet përjashtojnë përgjegjësinë zëvendësuese të shteteve anëtare, edhe në prani të një norme në traktatin themelues, që i atribuonte zotësi juridike të plotë organizatës ndërkombëtare. Në vendimin e parë, duke pranuar mungesën e një rregulli të së drejtës ndërkombëtare që rregullonte këtë lëndë, u vendos zbatimi i së drejtës së brendshme, duke përjashtuar kështu përgjegjësinë zëvendësuese të shteteve anëtare.
Në rastin e dytë, Gjykata gjeti parimin e përgjithshëm të së drejtës, sipas së cilës, kush merr përsipër detyrime tregtare duhet të përgjigjet. Ky ishte edhe rregulli që mundi të disiplinojë kundërshtimet për pranimin e përgjegjësisë së shteteve anëtare.
Imunitetet: privilegjet e organizatave ndërkombëtare
Pasojë e drejtpërdrejtë e pranimit të personalitetit juridik të organizatave ndërkombëtare është fakti se atyre u njihen ato privilegje dhe imunitete, që gëzojnë dhe shtetet. Këto imunitete dhe privilegje parashikohen nga:
- Marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat janë:
- Marrëveshja e selisë është një traktat ndërkombëtar i lidhur ndërmjet organizata ndërkombëtare dhe shtetit në të cilin është vendosur selia e saj. Kjo marrëveshje, që është e nevojshme për shkak se organizatat ndërkombëtare nuk disponojnë territor dhe sepse gëzojnë një personalitet të kufizuar, përcakton kushtet e përgjithshme, lidhur me jetën, veprimtarinë e organizatës ndërkombëtare dhe të funksionarëve të saj në shtetin pritës. Nëse një organizatë ka më shumë se një seli, do të lidhë marrëveshje me secilin vend, madje, mund të ndodhë të lidhë marrëveshje edhe me shtete që nuk janë anëtare të saj (si shembuj jepen marrëveshjet ndërmjet SHBA-së dhe OKB-së, më 1947; marrëveshja mes Zvicrës dhe OKB-së, më 1946 ose marrëveshja ndërmjet Italisë dhe FAO-s, në vitin 1950).
- Traktatet shumëpalëshe kryesore i takojnë OKB-së dhe agjencive të specializuara. Ato nënshkrohen me iniciativë të Asamblesë së Përgjithshme, në kuadër të nenit 105 të Kartës (Konventa e Përgjithshme për privilegjet dhe imunitetet e Kombeve të Bashkuara, e vitit 1946 dhe Konventa për privilegjet dhe imunitetet e instituteve të specializuara, e vitit 1947).
- Traktatet themeluese, në disa raste, janë vetë ato që përcaktojnë imunitetet dhe privilegjet që gëzon organizata në shtetet anëtare.
Një pjesë e doktrinës është e mendimit, se ka një normë të së drejtës zakonore, që imponon mbi të gjitha shtetet respektimin e imuniteteve dhe privilegjeve të organizatave ndërkombëtare. Sipas disa të tjerëve, kjo normë i takon vetëm OKB-së, duke u justifikuar me faktin se tanimë të gjitha shtetet i njohin drejtpërsëdrejti, ose nëpërmjet marrëveshjeve speciale, këto imunitete të OKB-së. Sipas disa autorëve të tjerë, kjo gjë duhet të aplikohet në të gjitha organizatat pa përjashtime.
Imunitetet e organizatave ndërkombëtare janë të ngjashme, por jo identike me ato që identifikohen tek shtetet. Atyre u njihet kryesisht:
- Paprekshmëria e lokaleve në të cilat kanë selinë. Kjo parashikohet në të gjitha marrëveshjet e selisë dhe parashikon ndalimin për autoritete vendase të hyjnë në lokalet e organizatës, pa autorizim të Sekretariatit të saj (pavarësisht nga fakti se lokali mund të jetë në pronësi të shtetit), si dhe të mos procedohet me asnjë formë ekzekutimi, si: kërkime, konfiskime dhe shpronësime.
- Imuniteti nga juridiksioni civil i shtetit territorial. Në bazë të kësaj, organizatat ndërkombëtare nuk mund të thirren në gjykim përballë gjykatave të shtetit territorial për të gjitha aktet e përmbushura prej tyre.
Sipas një pjese të doktrinës, imuniteti shtrihet mbi të gjitha aktet e organizatës, duke mos bërë dallim ndërmjet akteve “iure imperii” dhe akteve “iure gestionis”. (Kështu, dallim imuniteti duhet të jepet vetëm për ato akte “iure imperii”, pra, ato akte të cilat shteti i ushtron në funksionin publik dhe jo për ato “iure gestionis”, të cilat janë akte që kryhen nga një shtet ose subjekt privat.
- Privilegjet fiskale: janë ato që evitojnë mundësinë që shteti ku ndodhet selia e organizatës, nëpërmjet ushtrimit të funksioneve të veta, të përfitojë nga prania e organizatës në territorin e tij për të rikuperuar ato kuota me të cilat ai kontribuon në bilancin e organizatës si anëtar; kjo do të thotë, në radhë të parë, heqjen dorë nga shteti ku ndodhet selia prej çdo takse direkte ose indirekte mbi organizatën.
Përveç kësaj, organizata ka liri të plotë të mbajë fonde në valutë të huaj dhe të përjashtohet nga pagesat e çdo të drejte në dogana.
Funksionarët ndërkombëtarë
Funksionarët ndërkombëtarë janë agjentë që ushtrojnë funksion ndërkombëtar, në shërbim të një organizate ndërkombëtare në mënyrë:
- Ekskluzive
- Të vazhdueshme. Kjo do të thotë se ekzistojnë si funksionarë të lidhur me një kontratë me kohë të caktuar, ashtu edhe funksionarë që ushtrojnë funksionet e tyre për një kohë të pacaktuar;
- Të pavarur. Kjo do të thotë se këta funksionarë janë të pavarur nga shtetet e origjinës së tyre, ose të çdo shteti anëtar të organizatës. Pavarësia, e vendosur në të gjitha traktatet themeluese, duhet të sigurohet së pari në momentin e rekrutimit të funksionarit, për të evituar çdo presion nga ana e qeverive kombëtare. Punësimi i tyre duhet të udhëhiqet nga principet dhe paanësia, ekskluzivisht mbi bazën e kritereve të eficencës dhe integritetit, të tilla që t’i sigurojnë organizatës kompetencë më të zhvilluar.
Funksionarët zhvillojnë funksionet e tyre administrative nën organizimin e Sekretariatit të organizatës, si dhe, nga pikëpamja hierarkike, varen nga Shefi i Sekretariatit, i cili asiston në përmbushjen e detyrave të tyre.
Imunitetet dhe privilegjet e funksionarëve ndërkombëtarë, të dhëna në interes të organizatës ndërkombëtare (e cila mund t’i revokojë në çdo moment) kanë të njëjtën arsye ekzistence si ato të vetë organizatave ndërkombëtare: të sigurojnë që veprimet e funksionarëve të ushtrohen në pavarësi të plotë nga shteti pritës.
Në vija të përgjithshme, janë të njëjtat imunitete që u njihen përfaqësuesve të shteteve, që do të thotë:
- imunitet nga juridiksioni civil dhe penal: funksionarët nuk mund të thirren në gjykim në shtetin ku ka selinë organizata, ose ku ushtrohen funksionet e tyre, ky imunitet mund të jetë objekt revokimi vetëm nga ana e organizatës;
- imunitet fiskal: janë të përjashtuar nga pagesat e detyrimeve mbi të ardhurat;
- paprekshmëri personale dhe e banesës: personi dhe banesa e funksionarit nuk mund të jenë objekt i akteve shtrënguese nga ana e shtetit në territorin e të cilit ushtrojnë funksionet e tyre.
Mbrojtja e funksionarëve ndërkombëtarë
Funksionari, personi apo pasuria e të cilit janë dëmtuar nga një shtet anëtar ose i tretë, ka të drejtë të veprojë ligjërisht kundër shtetit, për të marrë dëmshpërblimin e dëmit të shkaktuar.
Përgjegjësia e organizatave ndërkombëtare
Organizatat ndërkombëtare përçojnë rregulla të së drejtës ndërkombëtare. Kjo nënkupton pikërisht që ato janë gjithashtu ndërkombëtarisht përgjegjëse, sa herë që i shkelin vetë këto rregulla. Për të qenë një shtet përgjegjës ndërkombëtarisht, nuk është e nevojshme që nga veprimet e tij të shkaktohet patjetër dëm; përkundrazi, verifikimi i një dëmi si konsekuencë e një sjelljeje të paligjshme, duket se është element i nevojshëm, për konfigurimin e përgjegjësisë së një organizate ndërkombëtare.
Përgjegjësia e organizatave ndërkombëtare në mënyrë analoge me atë të shteteve, buron nga prania e:
- një elementi subjektiv: konsiston në përgjegjshmërinë e një fakti ndërkombëtarisht të paligjshëm nga një organ ose funksionar i organizatës ndërkombëtare;
- një elementi objektiv: vjen nga shkelja e një rregulli të së drejtës ndërkombëtare, të përgjithshme apo konvencionale.
Politikat për komente të Fondacionit “Henrietta Leavitt”
- Komentet nuk shfaqen menjëherë, sepse kalojnë në sitën e moderimit, për aprovim ose jo, të Fondacionit “Henrietta Leavitt”. Komentet që nuk kanë lidhje me argumentin e temën, po ashtu edhe ato që përmbajnë mesazhe jodashamirëse, reklama, apo sulme personale nuk aprovohen.
- Ju lutem kini në vëmendje këto politika përpara se të lini komentin tuaj!