Groundhog Day është titulli i një filmi të vitit 1993, ku personazhi kryesor, Phil Connors (interpretuar nga Bill Murray), ndërsa është në një qytezë të vogël për të pasqyruar kronikën e një ngjarjeje shumë të dashur për banorët e qytetit – parashikimin e motit për muajt në vijim nga një kafshë e vogël, marmota, – papritmas e gjen veten në lakun e një makine kohe: ai është i detyruar të përjetojë çdo ditë të njëjtën ditë. Phil zgjohet përditë më 2 shkurt, takon të njëjtët njerëz dhe merr pjesë në të njëjtat ngjarje. Të gjithë banorët e qytetit e fillojnë ditën si një ditë të re, me përjashtim të Phil. Diçka që në fillim duket si një aventurë e bukur – sepse ka përparësinë e njohjes së radhës së ngjarjeve dhe edhe të shfrytëzimit të tyre për interesat e tij –  shndërrohet në një makth a një lloj ferri për prezantuesin mendjemadh e të vetëkënaqur të emisionit të kohës dhe vetëm pas disa tentativave të pasuksesshme për të vrarë veten, merr një vendim që duket se bëhet edhe pasaporta e shpëtimit: të ndihmojë të tjerët, t’i japë ditës çdo ditë një kuptim të ri, me më shumë përvoja bashkëpunimi e me më shumë dashuri.

Në vështrim të parë fabula duket e thjeshtë: një njeri mendjemadh dhe i vetëkënaqur, që mendon se e gjithë bota rrotullohet rreth tij, të cilin duhet ta vendosim me këmbë në tokë. Pse? Pse duhet t’i japim mundësinë të reflektojë rreth jetës e sjelljes së vet? Le të qëndrojë aty ku është, në ishullin ku jeton, në izolimin social dhe llogoren antihumane. Sepse gjithnjë është gjallë shpresa se njerëzit mund të ndryshojnë e përmirësohen. Sepse është dëshira jonë e përditshme për t’u rrethuar nga njerëz më të mirë. Sepse qyteti i vogël ku festohet Groundhog Day(Dita e marmotës) ka të drejtë të mos lejojë njeri t’ia prishë festën, qoftë ky edhe një prezantues moti, me arrogancën e indiferencën e interpretimit të ngjarjes.

Shqipëria jonë e vogël ka një ditë të ngjashme që feston, “Election Day”. Që nga koha e diktaturës, tradita e zgjimit herët dhe e vrapit për të shkuar për të votuar vazhdon të ruhet në shumë njerëz dhe, për shumë prej tyre, dita vërtet merr nuancat e një dite feste. Ndonëse lekët që derdhen dhe dashuria e kujdesi që reflektojnë kandidatët-deputetë e premtimet që bëhen gjatë fushatave elektorale, do e bënin me zili kohën e diktaturës dhe ndonëse të gjithë e kuptojnë se është thjesht propagandë, përsëri njerëzit vazhdojnë të jenë pjesë e festës dhe e një shprese a ëndrre për më mirë. Thënë këto, kemi përgatitur sfondin e skenarit të filmit në shqip.

Pavarësisht që nuk është e përvitshme dhe pavarësisht se votimet nuk mbahen gjithnjë në të njëjtën ditë, “Election Day” është dita kur vendoset se si do të jetë koha në katër vitet në vijim në vendin tonë. “Marmota” jonë janë kutitë e votimit. Në rastin shqiptar, parashikimi i tyre gjithmonë është i fragmentuar: kohë shumë e mirë e me diell për të gjithë militantët dhe shumë e vrenjtur dhe me shi për të gjithë “kundërshtarët” e kritizerët e regjimit të mëparshëm. Ëndrrat nuk bëhen realitet për të gjithë, por vetëm për ata që kanë qenë aq largpamës (lexo pragmatist etj. etj., por asnjëherë idealist) sa të jenë rreshtuar me fitimtarët.

Për të plotësuar paralelen me filmin dhe filozofinë e mesazhit të tij, na duhet edhe roli i Filit, sikundër edhe kujt do ja rezervojmë mundësinë që ofron “laku i kohës”. Sa i takon Filit, për fatin tonë të keq, në Shqipëri ky rol nuk i është besuar vetëm një personi, por një grupi të tillë, grupit të analistëve. Që nga koha e liberalizimit të medias vizive janë një grup njerëzish që hyjnë e dalin sa në një televizion në tjetrin dhe, njëlloj si Fil, kanë detyrë të pasqyrojnë se çfarë po ndodh atë ditë. Njëlloj si ai, të mbushur me të njëjtën ndjenjë vetëkënaqësie dhe vetëbesimi të frikshëm se çdo gjë rrotullohet rreth tyre dhe se çdo fjalë që thonë është gjëja më e mençur që ka mundur të artikulojë ndonjëherë një qenie njerëzore. Por në dallim nga ai, ata e kanë humbur shansin për t’u bërë më të mençur, më të paanshëm, më të mirë. Sepse vazhdojnë të këndojnë me të njëjtat fjalë dhe të mbajnë të njëjtat iso, pavarësisht se kujt “marmote” i bashkohen. Sepse vazhdojnë të rreshtohen, në vend që të tregojnë se si është rreshtimi. Edhe njëzet vjet më pas.

Ndrysho kanalin është këshilla më e mirë që japin në raste të tilla. Gjithsesi, në rastin tonë, që të pretendojmë për të përmirësuar Filin dhe Filat, a për t’i vënë me këmbë në tokë, është luks. Ne kemi nevojë për një tjetër lloj ndryshimi. Pastaj Filat.

Ne kemi nevojë që në lakun e kohës të kapemi të gjithë si shoqëri, që të mësojmë të dalim nga ishulli ku jetojmë, nga izolimi social dhe llogorja antihumane ku jemi pozicionuar. Kemi nevojë të mësojmë si të zgjedhin e për kë të votojmë, për të bërë dallimin ndërmjet fushatës dhe realitetit, propagandës dhe premtimit. Kemi nevojë të mësojmë të mos votojmë për vetëm një ditë, por për katër vjet, të mos votojmë fshatçe a familjarisht. Për këtë, kemi rrugë të gjatë përpara.  Do të duhen ndoshta edhe shumë e shumë “Election Day” si këto që kemi kaluar sa të mësojmë jo vetëm si të votojmë, por edhe si të lexojmë drejt se çfarë thonë kutitë e votimit. Demokracia nuk janë simbolet, por njerëzit.