• Studiuesja dhe ekspertja e arsimit, Dr. Valbona Nathanaili, në një intervistë me Kristi Gongo për TOP Channel ka komentuar marrëveshjen më të fundit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Turqisë, për bashkëpunim në fushën e arsimit, botuar në fletoren zyrtare më datë 2 mars.

Problematikat kryesore për të cilat shprehet znj. Nathanaili janë dy: 1. Mësimi i gjuhës turke në shkollat e arsimit parauniversitar, si lëndë me zgjedhje dhe 2. Shkëmbimi i përvojave në hartimin dhe përmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në të dy vendet.

Nathanaili fillimisht thekson se vendimi për mësimin e një gjuhe të huaj në shkollë është vendim politik, ku ndërthurren faktorë të ndryshëm, si tregtarë, politikë, kulturorë. Në rastin e shkollave të sistemit parauniversitar, pasur në konsideratë edhe moshën relativisht të ulët, si dhe interesat e tyre, rendit edhe disa arsye të tjera, si: mënyra dhe stili i jetës – sa të pëlqyeshme janë në vendin ku do të mësohet; literatura që mund të shfrytëzohet në atë gjuhë, kryesisht në biznes dhe teknologji; si dhe sa të mirë janë universitetet e atij vendi. Pikërisht për shkak të arsyeve të mësipërme, në Shqipëri, deri në fund të viteve ‘80 është mësuar rusishtja, dhe pas viteve 1990, kryesisht anglishtja  – secila prej tyre si lëndë kryesore, pjesë e detyrueshme e programit mësimor.

Marrëveshja me Turqinë për mësimin e gjuhës turke si lëndë me zgjedhje nuk përbën asnjë shqetësim për Nathanailin, përkundrazi: si lëndë me zgjedhje, jo vetëm turqishtja, por shton se është me shumë vlerë të lidhen marrëveshje të ngjashme me të gjitha vendet e rajonit. “Vetëm përfitim ka! I vetmi problem që shoh këtu është sa e ndërsjellë do të jetë një marrëveshje e tillë. A do mundemi t’u përgjigjemi me të njëjtën amplitudë investimeve të parashikuara nga shteti turk në Shqipëri?” – shton Nathanaili.

Nathanaili thekson pse marrëveshje të tilla zakonisht dështojnë:

“Mësimi i një gjuhe të huaj në shkollë ka disa kërkesa specifike: 1. Mësues të përgatitur. 2. Programe shkëmbimi ndërmjet shkollave të të dy vendeve. 3. Literaturë. 4. Të paktën një lëndë tjetër duhet zhvilluar në atë gjuhë. Në rastin e gjuhëve me zgjedhje, vështirësitë janë edhe më të mëdha. Një nismë e ngjashme ishte edhe ajo për mësimin e gjuhës mandarin në shkollat e sistemit parauniversitar në Shqipëri në kohën e z. Berisha dhe ka mbetur pothuaj në harresë. Por ndoshta turqishtja nuk do të ketë këtë fat, nisur edhe nga prania e shumë shkollave private turke në këtë nivel edukimi.”

Sa i takon shkëmbimit të përvojave në hartimin dhe përmirësimin e materialeve arsimore të përdorura në të dy vendet, përsëri Nathanaili e përshëndet si nismë:

“Nuk dua të paragjykoj! Të shohim se çfarë grupe pune do të ngrihen dhe cili do të jetë fokusi. Gjithnjë ka vend për përmirësime në programe dhe kurrikul. Arsimi i lartë e ka me detyrim rishikimin e programit dhe akreditimin e tij. Ndoshta ka ardhur koha që e njëjta strategji të përdoret edhe në sistemin parauniversitar. Unë kam qenë kritizere e programeve të shkencave në përgjithësi dhe të fizikës në veçanti dhe ia kam bërë të qartë Ministrisë së Arsimit edhe me shkresë. Më dhanë të drejtë për shqetësimin dhe pranuan se do të vepronin, por sigurisht vetëm në letër. Në realitet nuk kanë bërë asgjë. Shpresoj të mos veprojnë njësoj edhe me shtetin turk dhe këshillat e tyre për përmirësim!”