Nga e premtja deri të dielën, dt. 6-8 shtator 2019, diçka ndryshe në Liqenin Artificial të Tiranës. Aktiviteteve të bukura u shtohet edhe “Fundjavë në Park”, organizuar nga Into Albania, në bashkëpunim me USAID, Sweden Sverige, Creative Bussiness Solution, Lilù – Little Human – Kids Concept Store, si dhe disa organizata e shoqata të tjera.

Fundjava ndryshe në breg të Liqenit të Tiranës (sapo kalon Amfiteatrin) fillon në ora 12.00 dhe zgjat deri në mesnatë. Muzikë, pije dhe ushqime çasti, shtroje për t’u ulur a shtrirë – në një hapësirë prej afro 6000 metra katorë – biseda të këndshme me miqtë, ashtu si ka qenë tradita e kahershme e piknikëve në këtë liqen, gërshetuar me një perëndim fantastik dielli dhe pamjen e një Tirane që është shtrirë edhe në anën tjetër të Liqenit, të gjitha e bëjnë fundjavën shumë të bukur.

Ditën e parë, dt. 6 shtator, më shumë se 1000 vizitorë kanë qenë pjesë e kësaj “qosheje” të këndshme, projektuar aq bukur dhe me dashuri nga organizatorët, përfshirë një skenë të vogël, një bar veror, dy mjedise ushqimi, një cep për degustimin e verës, një hapësirë ​​rekreative për aktivitete të thjeshta në natyrë, një hapësirë për kanotazh, një hapësirë lounge me ulëse dhe hapësirë të jashtme ku njerëzit konsumojnë pije dhe mund të relaksohen.

Por, më shumë se për të rriturit, fundjava ka qenë e mrekullueshme për të vegjlit, që nuk ndahen nga këndi i krijuar nga “Lilù – Little Human – Kids Concept Store”.

Lilù ka investuar për fëmijët që të shpalosnin shpirtin e tyre kreativ – një paletë afro 3 metra e gjatë, mbi të cilën është vendosur një fletë e modeluar me figura nga më të ndryshmet. Ky është çelësi surprizë i fundjavës, jo vetëm për fëmijët, por edhe për prindërit e tyre.

Penela e furça, bojëra nga të gjitha ngjyrat e nga të gjitha llojet janë në dispozicion të fëmijëve për të pikturuar të qetë, pa thirrjen nga mbrapa “mos e shkarravit murin!”

Lilù duket një risi për tregun shqiptar – lojëra dhe veshje nga mjeshtrit më të mirë europianë, të certifikuara dhe garantuara nga dhjetëra vite përvojë e talent.

Mos hezitoni t’i bashkoheni “Fundjavës në park!”

Të gjithë janë të mirëpritur!