• Fugë për violinë / Autor Tedi Papavrami
  • Përktheu nga frëngjishtja Blerta Hyska Redaktor Ajola Xoxa
  • Botues UET Press f. 252 Çmimi 1200 lekë

Libri është një përmbledhje e jetës së violinistit me famë botërore Tedi Papavrami. Ngjarjet hapen në Tiranë e mbyllen në Francë, dy vendet që ndikuan në formësimin e tij jo vetëm si profesionist, por edhe si njeri. Papavrami është kujdesur të mos harrojë asgjë: njerëz që e ndihmuan, rrethana të favorshme, personazhe të diskutueshëm, – të gjitha janë aty. Libri është shkruar me pasion e dashuri, mirënjohje e mall, një homazh për të gjithë ata që e ndihmuan në rrugën e shndërrimit nga një fëmijë i talentuar në një prej violinistëve më të mirë në botë. Me shumë modesti, Papavrami shprehet: “Unë nuk besoj tek fati. Një talent i madh fare mirë mund të dështojë, ose të kalojë pa u vënë re.“

Libri lexohet me një frymë dhe është interesant edhe për trajtimin filozofik që u bën shumë prej marrëdhënieve të krijuara në etapa të ndryshme të jetës së tij, – kësaj të fundit Papavrami nuk rreket aspak t’i shpëtojë, por gjithmonë në mënyrë të matur dhe më shumë si rrjedhojë e përvojës personale, se citimeve nga libra të atij lloji. Libri është botuar për herë të parë në frëngjisht dhe është një nga librat më të kërkuar nga lexuesi francez. Për botimin frëngjisht Papavrami ka bashkëpunuar me një nga shtëpitë botuese më të mira, Robert Laffont. Me rastin e botimit në gjuhën shqipe, Tedi Papavrami do të jetë në Tiranë. Promovimi i librit do të bëhet më datë 12 maj, ora 12.00 në hollin e UET.

Kanë thënë

Përtej saktësisë stilistike, shkëlqimit teknik, bukurisë absolute të tingullit, tek Tedi Papavrami të mahnit pasioni.

Le Nouvel Observateur

Violinist me famë ndërkombëtare si solist dhe muzikant dhome, Tedi Papavrami jeton aktualisht në Zvicër, ku që prej vitit 2008 është profesor violine në Shkollën e Lartë të Muzikës në Gjenevë. Në vitin 2010 ka fituar “Diapazonin e Artë” për diskun e tij Bah Bartok. Paralelisht me karrierën e violinistit, që prej vitit 2000 është përkthyes në frëngjisht i shkrimtarit Ismail Kadare.

Robert Laffont

Duke kërkuar në gjuhën tonë titullin më të përshtatshëm për librin tim “Fugue pour violon seul”, pata surprizën të zbuloj që fjala “fugë”, e njohur dhe e përdorur nga gjenerata muzikantësh në Shqipëri, nuk bënte pjesë në Fjalorin Akademik Shqiptar në kuptimin e saj muzikor, po aq i njohur në shumë gjuhë të botës sa fjalët “prelud”, “simfoni” ose “sonatë”. Përveç pleksjes së veçantë me jetën time, mu duk e rëndësishme që emri i kësaj forme muzikore kaq fisnike, simbol i perfeksionit dhe i zotërimit më të lartë në këtë art, të kishte në Shqipëri një ekzistencë më zyrtare edhe jashtë rrethit të njohësve të muzikës klasike.

Fjala “fugë” – e cila vjen nga italishtja, ku “fuga” do të thotë “arrati” dhe “ikje e papritur”, pas shekullit të XVI emërton një formë muzikore. Rrënja e fjalës vjen nga latinishtja: “fuga”, që do të thotë gjithashtu “arrati” dhe “fugere”, që do të thotë “të arratisesh”. Në muzikë një fugë është një pjesë e shkruar me disa zëra që imitojnë njëri-tjetrin, por në mënyrë të zhvendosur. Pas shekullit të XVII i jepet ky emër një pjese muzikore tërësisht të ndërtuar sipas këtij modeli: “arrati”, sepse dëgjuesi ka përshtypjen që temat e fugës që imitojnë njëra-tjetrën ikin vazhdimisht nga një zë në tjetrin, në një ndjekje të përhershme.

Në  jetën time kjo ikje, ose arrati, lidhet me një ngjarje që e ka ndërruar krejt rrjedhën e saj: ikjen time dhe të prindërve të mi nga Shqipëria, veprim që në atë kohë i vinte në kampin e armiqve të vendit, të arratisurve me pasojat dënuese të pashmangshme për familjet e mbetura në Shqipëri. Arratia e fugës muzikore është aq llogjike, e ligjshme, e ndërtuar dhe e bukur sa ishte e shëmtuar, absurde, e verbër dhe e padrejtë në konsekuencat e saj arratisja nga sistemi i dikurshëm shqiptar.

Ndërtimi i fugës kërkon një zotërim të thellë të teknikave të kompozimit. Ajo mbetet një sfidë për çdo kompozitor, nga shekulli i XVI e deri në ditët tona. Përtej ligjeve të rrepta dhe të palëvizëshme që themelojnë këtë formë muzikore, është gjithmonë një ndjenjë lirie dhe rrugëtimi që synohet. Dhe liria në një fugë  – si në ato të paarritshme të kompozitorit Johan Sebastian Bah, mbërrihet vetëm në sajë të një mjeshtërie të përsosur, ku është e pamundur të ndash sasinë e punës nga ajo e dhuntisë.

                                                                                              Tedi Papavrami

Tedi Papavrami ka fituar disa çmime të rëndësishme ndërkombëtare. Në fillimet e viteve ‘990 fillon karrierën si muzikant dhome dhe solist. Bashkëpunon me Kurt Sanderling, Antonio Pappano, Armin Jordan, Emmanuel Krivine, Manfred Honeck, François-Xavier Roth, Thierry Fischer, Gilbert Varga dhe M. Aeschenbacher. Ka qenë pjesë e Schumann Quartet (shoqëruar edhe në piano) për nëntë vjet. Nga viti 2011 prezantohet në shumë koncerte me serinë e plotë të sonatave të Bethoven luajtur trio: në violinë Tedi Papavrami, piano François Frédéric Guy dhe violinçel Xavier Phillips. Aktualisht Tedi Papavrami jeton në Gjenevë, Zvicër dhe nga viti 2008 është profesor i violinës pranë Haute École de Musique de Genève. Ai luan me violinën e tij Christian Bayon – ndërtuar posaçërisht për të nga mjeshtri i njohur. Është i martuar me një mjeke psikiatre. CD e fundit e Tedi Papavramit me sonatat e Izaisë sapo ka fituar “Diapazonin e artë” dhe “Choc”, dy vlerësimet më të mira të revistave “Diapazon” dhe “Classica”, të specializuara në këtë fushë në Francë.

Këtu mund të lexoni një shkrim për librin nga Valbona Nathanaili: Artikulli per librin e Ted