12 korrik 2019, ora 20.30-22.00

Përsëri në Hënë, por me teleskop & Shpërndarja e Certifikatave dhe Çmimeve për pjesëmarrësit në Konkursin Kombëtar të Fizikës “Henrietta Leavitt” / 2019

Nga Valbona Nathanaili

Më vitin 1633, Galileo Galilei e gjen veten në sallën e gjyqit. Faji? Dinte më shumë se duhej!

Kishte ndihmuar shkencën duke i hequr Tokës privilegjin e rremë e të qenit qendra e sistemit tonë dhe gjithë universit.

Kishte dalë në mbrojtje të sistemit heliocentrik, ndërkohë që turma bënte tifo të verbër për sistemin gjeocentrik!

Besohet se Galileo ishte i pari që e drejtoi teleskopin e tij drejt qiellit, me të cilin zbuloi fazat e Venusit dhe hënat e Jupiterit. Në një letër që i shkruan Keplerit, i ankohet se si është e mundur që njerëzit janë kaq të verbër në arsyetimet e tyre:

  • U jam lutur të përdorin edhe teleskopin dhe refuzojnë, – shkruan Galileo Galilei. 

Në moshën 69 vjeçare, Kisha Katolike e dënon për herezinë e të menduarit ndryshe me arrest në shtëpi. Thuhet se në fund të gjyqit – ndonëse për t’i shpëtuar turrës së druve pranon gjithë sa i thonë – nuk ka duruar dhe është shprehur: “E megjithatë Toka rrotullohet!”.

Afro 400 vjet më vonë, pjesa më e madhe e njerëzve vazhdojnë të jenë të verbër në arsyetimet e tyre. Shkenca gjithnjë e ka pasur dhe do ta ketë të vështirë me ata që nuk duan të shohin. Për fat të mirë kemi shumë Galile!

Sot, dt. 12 korrik 2019, në Sheshin “Skënderbe”, ora 20.30 bëhet shpërndarja e certifikatave për të gjithë pjesëmarrësit në konkursin kombëtar të fizikës “Henrietta Leavitt”. Ishte një rrugëtim i gjatë dhe i bukur, por mund të themi me krenari se nxënësit tanë ia dolën!

Mos i leni vetëm shkencëtarët tanë të ardhshëm! Për me teper qe do të ketë edhe vezhgime me teleskop. Jeni të mireseardhur. Prania juaj na inkurajon. Të rinj dhe të vjetër – për të treguar sa shumë e duam shkencën, për t’u treguar të rinjve që në themel të rritjes së tyre kanë punën dhe pasionin se janë shpresa e jonë! 🙂

Shihemi të premten në darkë, në sheshin “Skenderbe”, nga ora 20.30 – 22.00.

Miqësisht, Valbona

Foto nga aktiviteti zhvilluar në Sheshin “Skënderbe”, dt. 12 korrik 2019, ora 20.30, Tiranë Fondacioni “Henrieeta Leavitt” & Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti  i Tiranës