Nga Prof. Asc. Alda Kika

Zv. Dekane, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës

11 shkurt 2019 Prof. Asc. Alda Kika,
Zv. Dekane, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës

Është privilegj për mua të marr pjesë në këtë forum, që ka synim të frymëzojë brezin e ri, në mënyrë të veçantë të nxisë vajzat, të kontribuojnë në shkenca dhe inxhinieri. Dëshiroj të falënderoj Drejtoren e Fondacionit “Henrietta Leavitt”, Dr. Valbona Nathanaili, profesoreshë Mimoza Hazifi, si dhe anëtarët e panelit për organizimin e këtij aktiviteti.

Sipas të dhënave të fundit të UNESCO-s, gratë përbëjnë një minoritet në radhët e kërkuesve shkencorë, një përqindje që në rang botëror nuk është më shumë se 28%. Në Europë, në fushën e teknologjisë dhe të informacionit, nga 1000 gra të diplomuara, vetëm 29 prej tyre kanë diplomë në “Teknologji Informacioni” dhe vetëm 4 punojnë në Industrinë e Teknologjisë së Informacionit. Komisioni Europian vlerëson që prodhimi i brendshëm bruto do të rritet me 9 miliardë euro çdo vit, nëse numri i grave do të barazohej me atë të burrave në fushën e teknologjisë së informacionit.

Kur Charles Babbage, në mesin e shekullit XIX, dizenjoi makinën e parë llogaritëse automatike, algoritmi u zhvillua nga Ada Lovelace, e konsideruar si programuesja e parë. Që nga ajo kohë, pasueset e znj. Lovelace vazhdojnë të kodojnë, por paragjykimet për gjininë janë po aq të pranishme, edhe sot, në radhët e atyre që kontribuojnë në shkenca dhe inxhinieri. Në një eksperiment të realizuar në GitHub, projektet e krijuara nga gratë aprovoheshin më shpesh (78.6%), krahasuar me projektet hartuar nga burrat (74.6%), por vlerat e këtyre përqindjeve ndryshuan në mënyrë të ndjeshme sapo u zbulua gjinia, duke shkuar në favor të projekteve që propozoheshin nga burrat.

11 shkurt 2019 Foto nga takimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës

Barazia dhe lufta kundër diskriminimit janë tiparet që kompanitë e sotme duhet të adaptojnë jo vetëm për të garantuar etikën dhe reputacionin e tyre, por edhe për të krijuar grupe të ndjeshme që ndihmojnë kreativitetin. Kreativiteti kërkon pikëpamje dhe ndjeshmëri të ndryshme. Sot gjithnjë e më shumë kompanitë që operojnë në teknologjinë e informacionit po fokusohen në zbulimin e potencialit të grave, jo vetëm për të shtuar stafin me njerëz të talentuar, por edhe për të shtuar ndryshueshmërinë në grupet e punës që garantojnë suksesin në përballjen me sfidat e një ekonomie globale.

Inovacionet ekonomike po ndikojnë fuqishëm në jetën e përditshme dhe shoqërinë në përgjithësi, duke ndryshuar mënyrën se si perceptohen njerëzit dhe natyra bashkë. Shkenca kompjuterike është vendosur në qendër të kërkimit shkencor. Bota po ndryshon përditë dhe gratë duhet të marrin rolin e tyre në këtë ndryshim, nëse duan që produktet e së ardhmes të jenë produktet në të cilat edhe ato kanë kontribuar, nëse duan që produktet e së ardhmes të jenë projektuar edhe në funksion të nevojave të tyre. Është në interesin e gjithsecilit që të ketë më shumë femra të përgatitura në teknologji, në gjendje të marrin vendime dhe t’i japin formë së ardhmes, jo në vend të burrave, por së bashku me ta, si të barabarta, si kolegë, si partnerë.

Uroj që ky takim t’u hapë rrugë aktiviteteve të tilla frymëzuese, promovuese e këshilluese edhe për studentët që studiojnë në shkenca dhe inxhinieri.

Posteri i aktivitetit