Nga Prof. Ani Velo

Departmenti i Matematikës                                                                                 Universiteti i San Diegos

 

Ani Velo

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë, dua të përfitoj nga rasti t’i inkurajoj të fillojnë të studiojnë sa më herët, më mirë e më tepër matematikë në veçanti, e shkenca në përgjithësi. 

Si çdo investim, sa më herët e më gjatë të bësh matematikë, aq më të mëdha janë arritjet e aq më tepër do të të pëlqejë.

Matematika është universale e të hap dyert për çdo drejtim që të marrësh në jetë. Matematika gjendet kudo: në natyrë, art e inxhinieri, shkencë e teknologji, muzikë e biznes, sport e mjekësi, lojëra, strategji e arkitekturë, politikë, juridik, zgjedhje elektorale, media sociale e të tjera.  

Matematika është gjuhë internacionale. Përgatitja matematikore që mora nga Universiteti i Tiranës ma lehtësoi pa masë tranzicionin nga Shqipëria jashtë shtetit, jo vetëm mua, por edhe familjes time.

Matematika të siguron pavarësi ekonomike. Profesionet më të kërkuara e të sigurta nga ana ekonomike kanë në bazë matematikën. Kujtoni fabulën e famshme nga Karnavalet e Korçës, “Jeta është aritmetikë, Olimbi!” Jeta është aritmetikë!

Matematika të përgatit për jetën. Çdo ditë, në jetë e në punë dalin probleme të ndryshme. Zgjidhja e problemeve në mënyrë logjike të bëhet natyrë e dytë kur bën matematikë dhe të jep besim në  forcat e tua. Vështirësitë që të dalin kur bën matematikë janë normale, siç janë edhe në jetë.

Matematika është shumë imagjinative. Përveç aplikimeve të saj, si një libër fiction, matematika me abstraksionin e vet të shkëput nga realiteti i sotëm e të lidh me realitetin e ardhshëm.

Siç ka thënë Galileo Galilei, “Matematika është gjuha me të cilën Zoti ka shkruar Universin”.

Ani Velo

Ani Velo është rritur në  Vlorë. Shkollën e mesme e ka mbaruar në gjimnazin “Ali Demi”, po në Vlorë. Gjatë kësaj kohe, ka qenë pjesëmarrëse në olimpiadat e matematikës në rang lokal e kombëtar. Fillon studimet në Universitetin e Tiranës në vitin 1988 dhe  seleksionohet për programin pesë-vjeçar. Falë rezultateve të shkëlqyera, vitin e fundit të studimeve e kryen në Universitetin e Siegen, Gjermani, në kuadër të projektit Tempus dhe diplomohet me temën “Computer Software Tools for the Support of Statistical Evaluation Methods”.

Zhvendoset në Amerikë dhe në vitin 2000 doktorohet në matematikë, pranë Worcester Polytechnic Institute, Massachusetts, me temën “Optimal Design of Gradient Fields with Applications to Electrostatics”.

Në periudhën 2000-2002 përfundon studimet post-doktoraturë si Davies Fellow, në United States Military Academy, New York & Army Research Lab, Maryland.

Nga shtatori i vitit 2002, Ani Velo vazhdon të jetë pedagoge e matematikës në Kolegjin e Arteve dhe të Shkencave pranë Universitetit të San Diego, një universitet privat katolik. Përveç mësimdhënies, Profesor Ani Velo ka dhënë kontributin e saj në  matematiken e aplikuar, në veçanti në studimin e përhapjes së valëve në struktura të ndryshme.

Botime

* Velo, A.P. and Gazonas, G.A., Applications of z-Transforms to Impact Problems in Elastic Layered Media, Archive of Applied Mechanics (2019), Springer. https://doi.org/10.1007/s00419-019-01515-2

* Gazonas, G.A., Velo, A.P. and Wildman, R., Asymptotic impact behavior of Goupillaud-type layered elastic media, International Journal of Solids and Structures 96 (2016), pg. 38-47.

* Gazonas, G.A., Scheidler, M.J. and Velo, A.P., Exact analytical solutions for elastodynamic impact, International Journal of Solids and Structures 75-76, (2015), pg. 172-187.

* Gazonas, G.A. and Velo, A.P., Analytical solutions for the resonance response of Goupillaud-type elastic media using z-transform methods, Wave Motion, Volume 49, Issue 1, (2012), pg. 135-151.

Awards

* Mortar Board Certificate in Recognition of Outstanding Scholarship, Leadership and Service, University of San Diego Mortar Board Alcala Chapter, Fall 2017.

* Certificate of Recognition for Outstanding Service as a Competition Judge Siemens Foundation, Princeton, New Jersey, October 2011

* Sponsored Summer Research. Short Term Analysis Services (STAS), Battelle-Scientific Services Program Chapel Hill, North Carolina, 2012-2014