Nga Mimoza Zografi

Shkencëtare për të dhënat, Spacebar Media SA, Londër, Britani e Madhe

Me rastin e 11 shkurtit, Ditës Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë

Mimoza Zografi

Të diplomohesh në matematikë është start shumë i mirë në jetë!

Të diplomohesh në matematikë do të thotë të jesh në pozitë të favorshme për të zgjedhur dhe për t’u realizuar në një gamë të gjerë profesionesh. Sepse studimi i matematikës të aftëson të përdorësh koncepte të avancuara, të krijon avantazhin e të pasurit një të menduar logjik të fortë, të ndihmon jo vetëm në formulimin e problemeve, por edhe në krijimin e protokollit të llogaritjeve për zgjidhjen e tyre, të mëson si të nxjerrësh përfundime korrekte nga një sistem supozimesh, të thotë se duhet të marrësh një vendim!

Në se diplomohesh në matematikë mund të punosh mësues, profesor, kërkues shkencor, programues, statisticien, analist të dhënash, financier, inxhinier etj. Ky fleksibilitet është shumë i rëndësishëm në ditët e sotme kur ekziston pasiguria se cila është fusha më e mirë për punësim në vitet që vijnë.

Personalisht, pas diplomimit pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, më është dhënë rasti të punoj si lektore në universitet dhe të bëj punë shkencore. Mësimdhënia të jep mundësinë t’i ndihmosh studentët të shijojnë bukurinë e matematikës duke i angazhuar me probleme interesante, ku mund të luajnë me ide të ndryshme matematike, po aq sa të kenë mundësinë të përjetojnë magjinë e strategjive të shumëfishta. Ndërsa puna shkencore është ajo që të bën të shijosh bukurinë e matematikës, forcën e mendimit abstrakt. Puna shkencore të kujton arsyen pse të pëlqen të merresh me matematikë.

Pas përvojës në auditor, kam punuar si programuese e statisticiene, ndërsa aktualisht jam analiste e shkencëtare për të dhënat.

Kur programon, mendimi logjik dhe abstraksioni të jep aftësinë të seleksionosh dhe mënjanosh të gjithë faktorët a aktorët e panevojshëm, si dhe të përqendrohesh tek më të rëndësishmit, ndërsa aftësia e formulimit të problemit të mundëson llogaritjet, të bën të jesh më efikas në gjetjen e zgjidhjes, si dhe në përmirësimin e rendimentit të një algoritmi.

Shkenca e të dhënave është, në fakt, një kërkim shkencor i aplikuar në një industri të veçantë. Ajo të jep kënaqësinë e zbulimit të misterit, të bën të ndjehesh shkencëtar, zbulues, ekspert i një fushe, matematikan dhe të gjitha këto njëkohësisht. All inclusive! Të lejon të jesh logjik, analitik, racional dhe në të njëjtën kohë krijues, përshkrues, vizual.

Së fundmi, të qenit grua e suksesshme në fushën e matematikës është një arritje shumë e bukur dhe unë besoj që do të ishte shumë më mirë për shkencën dhe shoqërinë në veçanti, nëse do të kishte më shumë gra të suksesshme në matematikë. Argumenti im? Në përgjithësi është mirë të ketë shumëllojshmëri mendimi: dy matematikanë të ndryshëm mendojnë në dy mënyra paksa të ndryshme, dhe gratë tentojnë të mendojnë pak me ndryshe.

Është gjithnjë më mirë të ketë njerëz me pikëpamje të ndryshme, që gjejnë mënyra po aq të ndryshme, që eksplorojnë në drejtime të ndryshme.

Bota është e organizuar më mirë kur e mbështet zhvillimin dhe ndryshimin në shkencën e matematikës.

Shqipëria gjithashtu!

MIMOZA ZOGRAFI

2014 – në vazhdim Shkencëtare për të dhënat, Spacebar Media SA, Londër, Britani e Madhe.

20013 – 2014 Analiste të dhënash, Bet365, Stoke on Trent, Britani e Madhe.

2001 – 2013 Programuese / Statisticiene, Archimedia SA, Athinë, Greqi.

2010 – 2013 Asistent Lektore, Universiteti i Athinës për Ekonomi dhe Biznes, Athinë, Greqi.      

1987 – 1998 Lektore, Universiteti i Korçës, Korçë, Shqipëri.

EDUKIMI

2005-2013 Doktoraturë në Statistikë, Dep. Statistikës, Universiteti i Athinës për Ekonomi & Biznes, Athinë, Greqi (Titulli i temës: Procesistokastik i përgjithësuar Waring dhe aplikimet e tij. Udhëheqës: Prof. Evdokia Xekalaki).

1998-2002, Mastër në Statistikë, Dep. i Statistikës, Universiteti i Athinës për Ekonomi & Biznes, Athinë, Greqi (Titulli i temës: Procesi stokastik i përgjithësuar Waring. Udhëheqës: Prof. Evdokia Xekalaki, Ekzaminues i jashtëm, Prof. Ildar A. Ibragimov, Dep. i Matematikës i Institutit Steklov, Shën Petërburg, Rusi).

1992-1997, Doktoraturë në Probabilitet dhe Statistikë, Dep. i Matematikës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, Tiranë, Shqipëri (Titulli i temës: Një studim mbi probabilitetet e ndarjes së vendeve të punës. Një modeli i ri parametrik. Udhëheqës: Prof. Shpëtim Shehu).

1982-1987, Diplomë në Matematikë (5-vjeçar), Dep. i Matematikës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, Tiranë, Shqipëri.

PUBLIKIME KRYESORE

Zografi, M. & Xekalaki, E. (2019). Modelimi i verdispersionit nëpërmjet procesit të përgjithësuar Waring. Pranuar në Revistën Skandinave të Statistikës.

Zografi, M. & Xekalaki, E. (2008). Procesi stokastik i përgjithësuar Waring dhe aplikimet e tij. Komunikime në Statistikë Teori dhe Metoda 12.

Zografi, M. & Xekalaki, E. (2007). Një proces kompleks Puasoni. Përmbledhje e punimeve të Konferencës së 7- të Ndërkombëtare Vjetore për Biznes, Havai, CD-Rom. ISSN 1539-722X.

Zografi, M. & Xekalaki, E. (2001). Procesi stokastik i përgjithësuar Waring. Përmbledhje e punimeve të Konferencës Helenike-Europiane për Matematikën e Kompjuterizuar & Aplikimet e saj (HERCMA), Athinë, Greqi.