Nga Valbona Nathanaili
Për të katërtin vit radhazi, në mbarë botën, 11 shkurti, shënohet si “Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë”. Studiues dhe profesorë, shkencëtarë dhe politikanë kanë në fokus të debatit përfshirjen e grave dhe vajzave në shkencë. Mbi tavolinë janë numra e statistika, përvoja e modele suksesi, shembuj arritjesh e dështimesh. Synimi është të nxiten, motivohen e frymëzohen vajzat e gratë jo vetëm të zgjedhin të studiojnë shkenca të sakta dhe inxhinieri, por edhe t’i zgjedhin për t’u bërë shkencëtare.

Në Shqipëri, problemet që mund të ngrihen kanë të njëjtin karakter me ato në mbarë botën: ndryshime të papërfillshme në statistika me bazë gjininë në ndjekjen e studimeve në këto disiplina, por që bëhen shqetësuese kur vlerësohet përfshirja e angazhimi i femrave më tej, në kërkimin shkencor, në poste drejtuese në akademi apo në punime në terren mbas diplomimit. Sipas INSTAT (2016) vetëm 44% e kërkuesve shkencorë në Shqipëri janë femra, ndërsa në poste drejtuese në universitete vlera e mësipërme pothuaj përgjysmohet. Mungojnë të dhënat për vajzat e gratë që punojnë në sektorët përkatës të prodhimit. Ndërsa dihet që një pjesë e mirë preferon të kontribuojë jashtë vendit.
Në Shqipëri, në ndryshim nga gjithë bota, po bëhen hapa prapa në përfshirjen e vajzave dhe grave në shkenca dhe teknologji. Deri tani është ecur më shumë për inerci të politikave të para viteve 1990, por duke qenë se lëvizja është bërë në një terren të lënë djerrë, pa treguar as edhe kujdesin më të vogël, gjasat janë që do kemi nevojë për më shumë se një ditë për t’u ndërgjegjësuar për nevojën që kemi për ndryshim.
Në vende të ndryshme, kryesisht në vendet e zhvilluara, hartohen politika e vihen fonde të shumta në dispozicion me synim zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë, në universitete dhe institucione të kërkimit shkencor, dhe me fokus rritjen e pjesëmarrjes e të rolit të grave e vajzave në to, me besimin se mekanizmat e mësipërm do të lehtësojnë shndërrimin e kësaj pjesëmarrje nga rast i veçantë dhe i izoluar në dukuri të përgjithshme dhe të përditshme, në normë e vlerë kolektive.
Në Shqipëri, pas viteve 1990 në këta sektorë kemi regres të ndjeshëm, jo vetëm në rrjedhojë të reduktimit dhe shpesh edhe të mungesës totale të fondeve të vëna në dispozicion, por edhe të një zinxhiri të gjatë politikash të këqija e indiferente.

Për të ndërgjegjësuar nevojën për ndryshim, për të apeluar, për të diskutuar për druajtjen që kanë gratë për të konkurruar e për t’u vetë-promovuar si shkencëtare, për frikën se mos shndërrohen në subjekt, për vetëbesimin e ulët, më këtë datë, njësoj si në gjithë botën, edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, më datë 12 shkurt u organizua Forumi Publik me temë “Të frymëzojmë, motivojmë dhe nxisim vajzat e reja për të studiuar e kontribuar në shkenca, teknologji e inxhinieri”, me nismën e Fondacionit “Henrietta Leavitt”, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, Qendrën e Astrofizikës Shqiptare dhe Rrjetin Shqiptar të Grave në Shkencë.
Në këtë forum kontribuojnë me mesazhe dhe përvoja: Dr. Valbona Nathanaili, Drejtore, Fondacioni “Henrietta Leavitt” (moderatore), Prof. Asc. Alda Kika, zv. Dekane, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, Prof. Mimoza Hafizi, Qendra e Astrofizikës Shqiptare, Dhurata Çupi, Deputete, Deputete, Kryetare e Aleancës së Grave Parlamentare , Prof. Dr. Anila Paparisto, pedagoge, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, përfaqësuese e “Rrjetit Shqiptar të Grave në Shkencë”, Prof. Asc. Esmeralda Shehaj, pedagoge, Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Tiranës, Ma. Valbona Sulçe, eksperte komunikimi, Msc. Teuta Dobi, Drejtore, mësuese matematike, gjimnazi “Sami Frashëri”, Prof. Rozana Troja, Përgjegjëse e Departamentit të Kimisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës.
Prof. Asc. Esmeralda Shehaj porosit: “Studentë dhe nxënës! Aplikoni sa më shumë, kërkoni mbështetje financiare, sepse gjithnjë mirëpriten të apasionuarit e shkencave!”

Në këtë forum kontribuojnë edhe disa nga ish-studentët e këtij fakulteti, diplomuar në matematikë e fizikë, dhe që aktualisht punojnë në universitetet më të mira në botë, Prof. Fioralba Cakoni, Dep. Matematikës, Rutgers University, Prof. Eranda Dragoti-Çela Dep. Matematikës Diskrete, Graz University of Technology, Prof. Ani Velo, Departmenti i Matematikës, Universiteti i San Diegos dhe Prof. Mimoza Zografi, shkencëtare për të dhënat, Spacebar Media Ltd.
“Tregjet e punës së vendeve me industri e ekonomi të zhvilluar kanë uri si kurrë ndonjëherë për specialistë e punonjës të kualifikuar në fushën e teknologjisë. Prognozat e specialistëve tregojnë se kjo uri do të shtohet gjithnjë e më shumë së paku gjatë 30 viteve në vijim”, – ndërgjegjëson Prof. Çela. “Të studiojnë sa më herët, më mirë e më tepër matematikë në veçanti, e shkenca në përgjithësi”, – inkurajon Prof. Velo, vajzat e prindërit e tyre. “Të diplomohesh në matematikë do të thotë të jesh në pozitë të favorshme për të zgjedhur dhe realizuar një gamë të gjerë profesionesh”, – këshillon nisur nga përvoja e saj analistja dhe shkencëtarja për të dhënat Prof. Zografi. Dhe nëse ju pëlqen matematika, fizika a ndonjë nga llojet e inxhinierisë. “Vajza, kurrë mos u dorëzoni!”, këshillon Prof. Cakoni.
