Nga Valbona Sulçe

Me rastin e 11 shkurtit, Ditës Ndërkombëtare të Grave & Vajzave në Shkencë

Valbona Sulçe

Kur Valbona Nathanaili më mori në telefon për të më ftuar në këtë takim, përgjigja e menjëhershme ishte po! Fjalët grua dhe shkencë te mua janë në perfeksion të plotë. Ndërkohë, m’u kujtua vetëtimthi që jo shumë kohë më parë – ndoshta nuk janë mbushur dy vjet – punova në një zyrë dy me dy me Xhuli Harasanin, – që ka drejtuar për një kohë të gjatë Rrjetin e Grave në Shkencë, – për një propozim për një cikël dokumentarësh pikërisht me këtë temë, ndonëse propozimi mbeti në sirtar, sepse nuk u gjet kurrë financimi.

Jam marrë me këtë temë prej një kohe të gjatë. Më vitin 2015 kam përgatitur një udhërrëfyes me raportime me perspektivën gjinore, mbështetur nga Rrjeti i Grave për Barazi në Vendimmarrje. Më pas u përgatitën edhe dy monitorime për portretizimin gjinor – një në median e shkruar dhe një në televizion. Për fat të keq, çdo vit që kalon nuk sjell ndonjë progres të qenësishëm në këtë drejtim, sepse çdo vit konstatojmë se prania dhe portretizimi i grave më media është i nënpërfaqësuar dhe i keqpërfaqësuar.

Nuk di të them se kur ka qenë emisioni i fundit që kam parë për gratë në shkencë. Por ne nuk kemi emisione për shkencën që të fillojmë të numërojmë emisionet për gratë në shkencë. Pra kemi një problem në mënyrën si media i qaset barazisë gjinore. Në përfundimet e shumë studimeve konstatohet që ka shumë fokus te dhuna në familje dhe pak fokus te gratë si modele rolesh.

“Nëse nuk e sheh, nuk bëhesh”, – kjo është motoja e një lëvizjeje në media për avancimin e agjendës gjinore. Që do të thotë se na duhen më shumë gra udhëheqëse në ekran, gra që shërbejnë si modele për vajzat e reja, që aspirojnë për sukses në profesionet e tyre. A e ka marrë media jonë këtë mesazh? Për fat të keq, jo!

11 shkurt 2019 Foto nga takimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës,
Universiteti i Tiranës

Gratë e suksesshme në media janë vetëm raste sporadike. Për shembull, historia e dy motrave nga Patosi që po shkëlqejnë në kërkimin shkencor në ShBA është pasqyruar në media. Po jemi në pikën që na duhet më shumë se një histori, na duhen shumë të tilla. Në vend të portreteve të grave të nënshtruara, na duhen modele që ia kanë dalë dhe gratë në shkencë janë rasti më i mirë.

Duhet të imponohemi me historitë tona, duke qenë të ekspozuara dhe pa droje. Gjeni gazetarë të gatshëm të dëgjojnë dhe shkruajnë historitë tuaja. Mos harroni që 68% e gazetareve në Shqipëri janë gra dhe vajza.

Posteri i aktivitetit