Nga Dhurata Çupi
Deputete, Kryetare e Aleancës së Grave Parlamentare

Deputete, Kryetare e Aleancës së Grave Parlamentare.
Së pari dua të falënderoj për ftesën zonjat organizatore të këtij takimi! Pranova të marr pjesë me kënaqësi, madje spostova edhe agjendën. Sot, 11 shkurt, është dita ndërkombëtare e grave dhe vajzave në shkencë.
Organizata e Kombeve të Bashkuara jo më kot e ka parë të domosdoshme promovimin e zonjave në shkencë. Madje deklarohet se nga kjo pjesëmarrje dhe rritje e rolit të gruas në produkte shkencore ka një rritje në buxhetet e vendeve të ndryshme në rreth 140 miliardë dollarë, falë të ardhurave nga punësimi dhe rigjenerimi ekonomik i kësaj përfshirje. Duket sikur edhe vetë Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka parë me syrin përfitues caktimin e kësaj date.

Universiteti i Tiranës
Sot jemi në ditë të vështira në vendin tonë për sa i përket dhunës ndaj gruas, si dhe kthimit në normë të mungesës së respektit për të. Në ditët e sotme, dikujt mund t’i duket luks të diskutosh për shkencën dhe rolin e madh të grave dhe vajzave. Por mendoj se duhet ecur paralelisht, në mënyrë që të ndërgjegjësohemi sado pak.
Shkenca nuk është lojë për djem. Shkenca nuk është lojë as edhe për vajza. Shkenca është pasion, kurajë dhe këmbëngulje. Dhe kjo nuk ju ka munguar as grave shkencëtare. Në botë kemi raporte 97% me 3% në Çmimet Nobel në favor të burrave, por gruaja duket të jetë në rritje këto vitet e fundit.
Uroj të kemi raste të shtuara kudo, në çdo fushë të shkencës, të forcimit të rolit të gruas.
Në këtë aktivitet janë ftuar nxënës të gjimnazit “Sami Frashëri”. Besoj fort dhe uroj që në një nga 11 shkurtet e ardhshëm të kemi midis nesh një shkencëtare nga radhët e tyre me të cilën të krenohemi.
Sa më shumë suksese vajzave dhe djemve të gjimnazit “Sami Frashëri”! Sa më shumë suksese vajzave dhe djemve të të gjithë Shqipërisë!