Nga Denar Biba

Fleta e votimit nuk është asgjë më shumë sesa një instrument! Sigurisht, jo i parëndësishëm, por në asnjë rrethanë kaq i rëndësishëm sa ta çojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në pamundësi vendimmarrje, ndërkohë që gjendemi vetëm 25 ditë larg ditës së zgjedhjeve. Në eksperiencën time, më së paku 21 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, formati përfundimtar i fletës duhet t’i jetë dërguar shoqërisë që do të realizoje printimin.

Po le të kthehemi te modeli i fletës: fletë-votimi me subjekte dhe kandidatë të evidentuar me numra apo fletë votimi me subjekte dhe kandidatë të evidentuar me emër e mbiemër?

Një fletë-votimi, ku shumësia e emrave të kandidatëve (432 në Tiranë, 192 në Fier, 168 në Durrës e Elbasan, etj.) do të zëvendësohej me numra (1-36 në Tiranë, 1-16 në Fier, 1-14 në Durres e Elbasan etj.) është qartësisht më e thjeshtë. Asgjë më shumë sesa kaq!

Përndryshe, të dy modelet i mundësojnë njësoj votuesit të votojë partinë që dëshiron (kjo pjesë është identikisht njësoj te cilido variant) dhe kandidatin e preferuar nga 36, 16, 14 etj.

Denar Biba, ish-Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Shqipërisë

“Udhëzuesi i praktikave të mira” të Komisionit të Venecias këshillon, tekstualisht, që “fleta e votimit duhet të dizenjohet në mënyrë të tillë që të shmangë konfuzionin”.  Në disa studime shkencore të pas viteve 2000 është arritur në konkluzionin se një fletë-votimi e komplikuar e lodh votuesin e paditur dhe akoma më shumë atë votues që nuk do t’ia dijë se kush shkon në parlament e kush jo. Në këto raste, kandidati i renditur në fillim apo në mes të fletës ka propabilitetin më të lartë të votohet. Në disa raste e rrethana të caktuara, një fletë-votimi e komplikuar shndërrohet edhe në faktor nxitës për rritjen e numrit të qytetareve që nuk shkojnë të votojnë, ose që e bëjnë votën të pavlefshme. Përndryshe, votuesi i cili shkon në qendrën e votimit me një ide të kristalizuar paraprakisht se cilën parti e cilin kandidat do të përzgjedhë, nuk ka asnjë problem të bëjë përzgjedhjen e tij, sido të jetë formatuar fleta e votimit.

Por një shoqëri e përgjegjshme, parti politike që kujdesin në radhë të parë e kanë për qytetarin, secilin prej tyre, nga më i edukuari deri tek më injoranti e, vetëm më pas mendojnë për interesat e tyre për të ardhur në pushtet, duhet të përkujdesen – dhe fort madje – që votuesi të marrë shërbimin më të mirë të mundshëm. Dhe si rëndom, e mira është ajo më e thjeshta.

Sa i përket KQZ-së, parimet janë të mirënjohura – kur dizenjohet një fletë votimi, duhet të ketë në vëmendje thjesht dy:

  1. të jetë e tillë që t’i përshtatet aftësive kuptuese të votuesit mesatar për të identifikuar zgjedhjen më të mirë nga ofertat e shumta
  2. të hartohet e tillë, që ta bëjë numërimin sa më të thjeshtë të mundshëm.

Emrat e kandidatëve dhe renditja e tyre numerike mund të afishohet në  stenda të mëdha në hyrje të qendrave të votimit, ku qytetarët mund t’i konsultojnë lehtësisht. Madje mund edhe të ekspozohen në faqet e dhomës së fshehte. Votuesit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të vendosë një “x” apo një “+” te subjekti partiak dhe më pas, po një “x” a një “+” te numri që i korrespondon emrit të kandidatit dhe …

le të bëhet më e mira për Shqipërinë!