E ftuar: Ingrid Kau
11 shkurt 2020 / Dita Ndërkombëtare e Grave dhe e Vajzave në Shkencë
Studioj “Master Shkencor” pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe njëkohësisht jam e punësuar si programuese pranë “Crystal System”, një prej kompanive më të mëdha të programimit në Durrës. Nuk e di nëse mund të quhet karrierë në profesion periudha ime dyvjeçare e punësimit, por ndihem e motivuar që po punoj dhe po eksperimentoj; jam e kënaqur që më është dhënë mundësia të vë në praktikë ato dije që po fitoj në shkollë. Duket se zhvillimet në fushën e sistemeve të informacionit janë të pandalshme – nuk do të kenë kurrë fund – dhe unë do të mbetem nxënëse e përjetshme. Por a nuk jemi të gjithë kështu? Mësojmë çdo ditë, me apo pa dashje!
Bota ecën shumë shpejt! A do mundemi ne, ndonjëherë, të ecim me hapin e saj? Pyetje e vështirë! Ne, që jetojmë në Shqipëri, kemi mangësi për arsye nga më të ndryshmet dhe, mund të pohoj, se janë edhe të shumta, por kemi edhe energjitë dhe aftësitë për të krijuar dhe punuar, kemi dëshirë për të ecur përpara dhe inteligjencë për të mësuar. Kompania ku punoj është ndërkombëtare, me shtrirje në katër shtete. Jam e lumtur të them se 55% e punonjësve janë femra, pa harruar që të njëjtat statistika vlejnë edhe për departamentin e financës apo të marketingut. Në perceptimin tim, ne në Shqipëri e ruajmë shumë mirë këtë raport. Edhe në Universitetin ku mësoj unë, pjesa më e madhe e stafit drejtues dhe e pedagogeve janë përsëri femra.
Jam rritur në një familje, ku ndërmjet meje dhe vëllait nuk ka pasur asnjë ndryshim: na është dhuruar e njëjta dashuri dhe është treguar i njëjti përkushtim. Po ashtu, prindërit na mësuan që edhe detyrimet ndaj familjes janë po njësoj. Jam feministe dhe feminizmin tim e shoh në këtë prizëm, si një barazi të natyrshme, një barazi ndërmjet gjysmës me gjysmën tjetër të kësaj bote që e kemi të përbashkët. Kur zgjodha të studioj informatikë, familja më mbështeti duke besuar në aftësitë dhe prirjet e mia si njeri, si qenie njerëzore, jo si vajza apo djali, jo si mashkull apo femër.
Sot, më 11 shkurt 2020, në “Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë”, kam zgjedhur të flas për një personazh femër. Ka jetuar në shekullin e 18-të dhe në Shqipëri njihet pak, por duke qenë programuese dua të ndaj me ju disa të dhëna për përkushtimin dhe pasionin e saj.
Bëhet fjalë për Ada Lovelace. Znj. Lovelace ka pasur titullin “Konteshë” dhe kishte në zotërim krahinën Lovelace. Por fillimisht, më shumë se për titujt e fisnikërisë, njihet për faktin e të qenit vajza e Lord Bajronit.
Një fakt që ndryshoi shumë shpejt! E ëma nuk donte që vajza të studionte letra. Ada u nxit të studionte matematikë dhe ta dashuronte atë, të bëhej e logjikshme – asgjë të ngjashme me ‘çmenduritë’ e të atit -megjithëse u rrit larg tij. Mësuesi i saj ishte Charles Babbage, që njihet si babai i kompjuterit. Lovelace ka punuar me Babbage për aparatin analitik. Ishte e para që hodhi idenë që makinat do të kryejnë veprime që shkojnë përtej llogaritjeve. Ada Lovelace njihet edhe si personi i parë (qëlloi të ishte edhe femra e parë) që ka formuar një algoritëm. Një gjuhë programimi, që ndonëse sot nuk përdoret më, mban emrin e saj.
Faleminderit për ftesën dhe për vëmendjen. Jam shumë e lumtur që jam sot, këtu, me ju. Edhe një herë, faleminderit!