Gilman Bakalli (1967-2012)

 Prof. Asoc. Dr. Gilman Bakalli

  • Rregulli nr. 1 i ligjërimit politik: politikani thotë gjithmonë të vërtetën.
  • Rregulli nr. 2: nëse politikani nuk thotë të vërtetën, apliko rregullin nr. 1.
  • Një prej instrumenteve më të preferuara për t’i përmbushur njëkohësisht dhe në të njëjtën masë rregullin 1 dhe 2 është eufemizmi.
  • (Manual për politikanë, botimi i 30-të, 1957, vëllimi IX, fq 325.)

Abstrakt

Në këtë ese studimore fokusohem tek mënyrat e funksionimit të eufemizmave dhe raportit të tyre me pasqyrimin e realitetit dhe të vërtetën. Duke qenë se eufemizmi shfaqet në forma të ndryshme linguistike dhe i shërben qëllimeve të ndryshme linguistike, fillimisht duhet të dallojmë disa nënkategori të tij. Në seksionin e mëposhtëm (1) shqyrtoj disa nënfunksione të ndryshme të eufemizmave, më pas diferencoj disa nëntipe linguistike (2), diskutoj rolin e tyre në ndryshimin semantik (3), i krahasoj ato me aktet ligjërimore (4) dhe përpiqem pastaj t’i jap përgjigje pyetjes në lidhje me të vërtetën apo falsitetin e mundshëm të eufemizmit (5).

  1. Hyrje

Që në kohë të lashta gjuha nuk është përdorur thjesht si mjet komunikimi dhe informimi, por edhe si një instrument keqinformimi të qëllimshëm. Një nga mjetet më të preferuara për t’i deformuar mendimet e njerëzve përmes elementeve gjuhësore është eufemizmi. Tradita e lashtë greke e lidhte eufemizmin me mendimin magjik, d.m.th. me besimin se pasojat fatale mund të shmangeshin duke e zëvendësuar një fjalë tabu me një fjalë perifrazuese, e cila mendohej se nuk e kishte një forcë të tillë magjike. “Eufema ka qenë, në zanafillë, një fjalë apo frazë që përdorej në vend të një fjale apo fraze fetare, e cila nuk duhej artikuluar me zë të lartë; etimologjikisht, eufema është e kundërta e blasfemës”(http://en.wikipedia.org/wiki/Euphemism). Por përdorimi i eufemizmave nuk kufizohet tek sfera fetare. Ndryshimi i konceptimit të të adresuarit nga një entitet me pushtet të mbinatyrshëm në një target njerëzor të persuazionit, e shndërroi eufemizmin në mjet të propagandës politike. Shkolla retorike e Antikitetit dhe e Mesjetës i konsideronte eufemizmat si fenomene linguistike, por i kategorizonte ato ndryshe. Aristoteli i konsideron  ato si nëntipe të metaforës[1], Ciceroni përdor termat verecundia (rezervuar, diskret) dhe verba tecta (fjalë të mbuluara)[2], Kuintiliani i referohet atyre si forma të veçanta të alegorisë[3]. Gjatë epokës së Rilindjes eufemizmi u përdor në kuptimin e “prognozës së të mirës”[4]. Megjithatë retoricienët e epokës së Barokut e përdornin eufemizmin ashtu siç përdoret në ditët e sotme: Vosius e përkufizon atë si figura res odiosas ingratasque designans nominibus non ingratis[5] (figurë letrare që përshkruan me fjalë të këndshme gjëra të urryera, të thëna me ngurrim apo padashje.) Fabricius i rikthehet këndvështrimit antik të eufemizmit duke e quajtur atë një metaforë e cila përçon “një koncept më të butë”[6] se sa vetë objekti. Këto janë disa nga kuptimet kryesore, në të cilat përdoret sot gjerësisht eufemizmi. Dubois et al. (1974) e përkufizon atë si një shprehje “e cila fshin nga një pohim të konsideruar si objektiv seme që vlerësohen si të tepërta ose bezdisëse”[7]. Në këtë ese studimore, do të fokusohem tek mënyrat e funksionimit të eufemizmave dhe raportit të tyre me pasqyrimin e realitetit dhe të vërtetën. Duke qenë se eufemizmi shfaqet në forma të ndryshme linguistike dhe i shërben qëllimeve të ndryshme linguistike, fillimisht duhet të dallojmë disa nënkategori të tij. Në seksionin e mëposhtëm (1) do të shqyrtoj disa nënfunksione të ndryshme të eufemizmave, më pas do të diferencoj disa nëntipe linguistike (2), të diskutoj rolin e tyre në ndryshimin semantik (3), t’i krahasoj ato me aktet ligjërimore (4) dhe të përpiqem pastaj t’i jap përgjigje pyetjes në lidhje me të vërtetën apo falsitetin e mundshëm të eufemizmit (5).

  1. Nënfuksione

Eufemizmi është në mënyrë e këndshme prezantimi gjuhësor e një realiteti të papëlqyeshëm dhe të kontestuar. Ekzistojnë mjete gjuhësore për të paraqitur gjëra negative në terma pozitivë, të cilat duhen dalluar nga fjalë me konotacione ofenduese, të quajtura disfemizma dhe nga shprehje neutrale apo standarde të quajtura ortofemizma[8]. Në lidhje me funksionin që eufemizmat luajnë në diskurs, mund të bëjmë dallim midis dy nënllojesh të eufemizmit: funksion “mbështjellës” dhe funksion “fshehës”[9]. Eufemizmat me funksion mbështjellës shërbejnë për të shprehur indirekt diçka që nuk duhet shprehur expressis verbis. Ato përdoren zakonisht në fushën e fesë dhe tabuve sociale, d.m.th. në kontekstin e hyjnores apo pushtetit të djallit nga njëra anë dhe në atë të vdekjes, sëmundjeve, ekskrementeve dhe të seksualitetit nga ana tjetër. Në këtë kuptim duhet bërë dallim midis eufemizmave “mbështjellës” të natyrës fetare dhe atyre të natyrës sociale. Ideja e përdorimit të eufemizmave në sferën fetare i shërben shmangies së përdorimit të drejtpërdrejtë të një emri të shenjtë e të tabuizuar siçështë Zoti, duke e quajtur “Ai i Madhi”, apo për të shmangur përmendjen e emrit të një pushteti të lig siçështë djalli, demoni apo ndonjë kafshë e rrezikshme duke gjetur emra të tjerë për ta për të shmangur frikën nga zgjimi apo shfaqja e tyre. Kurse eufemizmat socialë përdoren për të treguar respekt dhe empati për ndjenjat apo imagjinatën e të tjerëve duke i “mbështjellë” cilësitë e pakëndshme apo të pahijshme të objekteve të referuara me tipare pozitive. Kjo është arsyeja pse priremi të flasim për atë që “u shua” në praninë e të afërmve të të vdekurit apo për atë që “u largua nga kjo jetë”. Për të njëjtën arsye njerëzit e shmangin përdorimin e fjalës “sakat” dhe përdorin “handikap, i dizavantazhuar etj.” apo në vend të “kancerit” flasin për “sëmundjen e keqe”. Një motivim i ngjashëm për përdorimin e eufemizmave “mbështjellës” të sferës sociale mund të konstatohet në situata sociale ku kërkohet mirësjellje siç janë rastet kur preferojmë të themi “po përdor tualetin”, “pjesët intime”, “ato fjetën bashkë”, për të shmangur terma të pahjishëm apo vulgarë. Pra, ndërsa përdorimi i eufemizmave fetarë motivohet nga frika ose supersticioni, eufemizmat socialë mund të konsiderohen si shprehje të turpit, taktit, empatisë dhe si rrjedhim si një formë e mirësjelljes sociale. Në të dyja rastet sidoqoftë eufemizmat “mbështjellës” nuk përmbajnë idenë e gënjeshtrës apo mashtrimit.

Në ndryshim nga eufemizmat “mbështjellës”, eufemizmat “fshehës” janë mjete shprehëse me maskim të qëllimshëm. Përdoren qëllimisht në fushën e politikës, ushtrisë dhe reklamave për të manipuluar qëndrimet dhe sjelljet e të tjerëve. Shembuj të eufemizmave fshehës mund të jenë “prezencë uji” në vend të përmbytjes, “ka patur edhe gabime” për skandalet korruptive qeveritare, “misioni ynë në Afganistan” ose “misioni paqeruajtës” për mbështjetjen e sulmeve ushtarake, “pedagogët seniorë” për pedagogët pleq. Të gjitha këto mënyra të shprehuri kanë një qëllim: të pengojnë lindjen e mendimeve të pakëndshme në kokën e lexuesit apo dëgjuesit dhe tënxisin krijimin e një realiteti që i përshtatet folësit. Shpesh këto eufemizma shërbejnë edhe për të qetësuar ndërgjegjen e dëgjuesëve përmes zbutjes së anëve negative të realitetit, si p.sh. eufemizmi i mësipërm “prezencë uji”, i cili synon të fshehë përmasat reale të përmbytjes dhe të shmangë krijimin e mundshëm të panikut tek dëgjuesit.

Kjo nuk nënkupton që eufemizmat fshehës të jenëdomosdoshmërisht të susksesshëm në qëllimin e tyre. Sidomos kur eufemizmi fiton përdorim të gjerë apo bëhet objekt i diskutimit publik, impakti i tij eufemistik zbehet. Efekti  manipulues të eufemizmave bazohet teorikisht tek hipoteza e njohur e Sapir-Whorf. Para se të kalojmë tek ananliza e nëntipeve të eufemizvae ia vlen të ndalemi pak tek kjo hipotezë, sipas së cilës gjuha ndikon mënyrën tonë të të menduarit.

Në esenë e tij me titull “Statusi i linguistikës si shkencë” Edward Sapir shkruan:

“Gjuha është një guidë drejt realitetit social. […] Gjuha kushtëzon me forcë mënyrën tonë të të menduarit rreth problemeve dhe proceseve sociale. Qeniet njerëzore nuk jetojnë vetëm në një botë objektive, nuk jetojnë vetëm në realitetin e aktiviteteve sociale, por janë edhe nën varësinë e gjuhës specifike, e cila është bërë mjeti shprehës i asaj shoqërie. Është iluzion të mendosh se njeriu i përshtatet një realiteti pa përdorimin e një gjuhe dhe se gjuha është një mjet i rastësishëm që shërben për të zgjidhur problemin e komunikimit. […] Ne shohim, dëgjojmë apo përjetojmë ashtu siç përjetojmë sepse zakonet gjuhësore të komunitetit përcaktojnë disa zgjedhje interpretative.”[10]

Benjamin Lee Whorf e zgjeroi më vonë tezën e Sapir duke konstatuar se:

Benjamin Lee Whorf: “Gjuha nuk është thjesht një mjet për të riprodhuar idetë, por edhe formësues i këtyre ideve, program dhe guidë per aktivitetin mendor të njeriut, për analizën e impresioneve të tij… Bota është një rrjedhë kaleidoskopike ndijimesh, të cilat i organizon mendja – dhe kjo ndodh, në mendje, kryesisht nëpërmjet sistemit linguistik.”[11]

Në këtë mënyrë pra, gjuha reflekton perceptimin tonë të realitetit, i cili nga ana e tij influencon reagimet tona ndaj njerëzve, fenomeneve, ideve. Gjuha pra është një mjet përmes të cilit ne formësojmë realitetin dhe mjeti përmes të cilit ne i komunikojmë të tjerëve perceptimin tonë të realitetit. Gjuha mund të shërbejë fare mirë si mjet për ta shtrembëruar realitetin dhe për të influencuar sjelljen e të tjerëve duke u kthyer në një armë për të arritur si të mirën ashtu edhe të keqen më të madhe. Por si arrin Whorf në këtë pozicion radikal?Ai vetë shkruan, se kjo ide i erdhi kur pa se si gjuha i çoi punëtorët e agjencisë së sigurimit kundër zjarrit, ku ai punonte si nëpunës, në një situatë të rrezikshme. Benjamin Lee Whorf e fillon esenë e tij me tre shembuj për të përshkruar ndikimin e gjuhës, siç e ka përjetuar herë pas here gjatë punës së tij:

Punëtorët po merren me sistemimin e “fucive boshe të gazit” në magazinë. Njëri prej tyre ndez një cigare dhe papritmas e gjithë magazina përfshihet nga një shpërthim i fuqishëm dhe merr flakë. Mbiemri “bosh” ka bërë që punëtorët të jenë të shkujdesur me zjarrin. Mirëpo fucitë “boshe” të gazit janë më të rrezikshme se ato “plot”, sepse përmbajnë avuj lehtësisht të ndezshëm!

Enët destiluese prej metali duhen izoluar me “gurë gëlqeror”. Guri gëlqeror është gur dhe, si i tillë, nuk digjet, mendojnë të pranishmit…dhe gabojnë! Sërish merr flakë dicka si pasojë e një emërtimi të gabuar.

Mbetjet prej plumbi duhen pastruar. Plumbi nuk është lëndë e djegshme, kështuqë nuk përmbën problem të zhvendoset në një vend ku në atë moment po saldohet. Cfarë ndodh? Mbetjet e plumbit marrin flakë, sepse përpmbajnë elemente parafine. Shkaktohet si pasojë një zjarr i madh me dëme të mëdha. Sërish fjala “plumb” ka shkaktuar një keqkuptim me pasoja të rënda.[12]

Emërtimet gjuhësore shpien në disa mënyra veprimi që mund të kenë pasoja katastrofike. Në rastin konkret janë disa fjalë të vecanta si “bosh”, “gëlqere” dhe “mbetje plumbi” që krijojnë disa përfytyrime, të cila cojnë në disa veprime. Sipas Whorf, fara e fatkeqësisë fshihet tek semantika e atributit “bosh”, e cila nënkupton si “pa përmbajtjen e zakonshme” ashtu edhe “bosh, nul, i zbrazët”. Punëtori fatkeq, i mbrujtur në konceptimin e realitetit nga kategoritë e tij linguistike, nuk arriti të kuptonte se avujt e gazolinës janë të padukshëm dhe se një fuçi plot me gaz të ndezshëm duket njëlloj si një fuçi bosh, e zbrazur nga gazi. Kështu që, katastrofa buron nga paaftësia për të parë dhe jo si pasojë e gjuhës angleze. Prandaj mendoj se hipoteza Sapir-Whorf, sipas së cilës gjuha përcakton mendimin, është e gabuar. Të gjithë e kemi përjetuar atë momentin kur kemi dashur të artikulojmë apo të shkruajmë një fjali dhe jemi ndalur pasi kemi kuptuar se “kjo nuk është ajo që mendojmë, apo kishim ndërmend”. Të gjithë e pra e kemi provuar se ekziston një “çfarë kishim ndërmend” qëështë ndryshe nga ajo që kemi thënë apo shkruar.

Diskutimi që mbron idenë se gjuha përcakton mendimin vazhdon të mbahet gjallë vetëm në sajë të pezullimit të dyshimit si akt intelektual. Bertrand Russell thoshte se një qen nuk është në gjendje t’ju tregojë se prindërit e tij, megjithëse të varfër, ishin të ndershëm, por a mund të dalim në konkluzion se, për këtë arsye, qenit i mungon ndërgjegja? Kur debaton me studentët në lidhje me këtë pikë, përgjithësisht ato logjikojnë së prapthi: gjuha e influencon mendimin, sepse po tw mos e influenconte, nuk do kishim arsye për ta kritikuar mendimin seksist. Kurse sa i takon eufemizmave të qeverisë, ato janë të përbuzshme jo aq shumë si forma të kontrollit të mendjes, se sa si forma të gënjeshtrës. P.sh eufemizmi “rritja e të ardhurave doganore” synon të japë  një kuptim më të gjerë se sa “rritja e taksave” dhe dëgjuesi e kupton se, nëse politikani do kishte nënkuptuar “taksa”, ai do të kishte thënë “taksa”. Sapo një eufemizëm pikaset, njerëzit nuk janë aq trushpëlarë sa ta kenë problem të dallojnë mashtrimin.

  1. Nëntipe

Nga pikëpamja semantike, eufemizmat mund t’i ndajmë nëeufemizma sintaksorë, tek të cilat, thuajse e gjithë fjalia është e “infektuar” nga eufemizmi dhe eufemizma leksikorë, tek të cilat, efekti qetësues apo zbukurues mbartet nga një fjalëapo frazë e vetme.

Eufemizmat sintaksorë janë fjali të plota, të ndërtuara me fjalë a fraza pa konotacione negative në mënyrë të atillë që të garantojnë fshehjen apo zbehjen e të vërtetave të pakëndshme:

  1. Në komunën Ana e Malit, ku ndodhet edhe fshati Obot i izoluar prej një muaji, raportohet se ka prezencë uji në afro 250 shtëpi. (Raportim standard i të gjitha mediave të shkruara dhe vizive në periudhën e përmbytjeve në Shkodër në vitin 2012)

E gjithë fjalia dekoron ose neutralizon një realitet të pakëndshëm: përmbytje masive e tokave dhe banesave. Në vend që të pranohet qartësisht situata e rënduar prej përmbytjeve, gazetarët përdorin terma neutralë për ta paraqitur situatën nën një dritë krejtësisht normale. Asgjë për t’u shqetësuar, thjesht prezencë uji!

  1. Ndeshja nuk përfundoi siç pritej. Ky rezultat të çon në një situatë të re tashmë. (trajneri i skuadrës së Vllaznisë pas humbjes me ekipin e Kukësit)

Edhe në këtë rast, si në fjalinë e mësipërme 1, ka përpjekje për ta stolisur një realitet negativ, realitetin negativ të humbjes së një ndeshjeje futbolli. Në vend që ta pranojë qartazi humbjen, trajneri në fjalë përdor trajtën e pacaktuar “siç pritej” dhe jo, p.sh. “siç e prisnim”. Edhe në pjesën e dytë të fjalisë, ndodh e njëjta përpjekje për ta anonimizuar rastin duke shmangur përdorimin e “neve na çon” (duke e zëvendësuar me “të çon”). Gjithashtu edhe përdorimi i “situatë e re” shmang sqarimin direkt për tifozët se humbja e ndeshjes mund të rezultojë në dalje nga kategoria.

Politika gjithashtu është e famshme për përdorimin e eufemizmave sintaksorë. Disa prej tyre kanë fituar status thuajse proverbial, siç mund të shihet nga shembujt e mëposhtëm:

  1. Për çdo rast, çështja e investimeve në fushën e energjitikës lë vend të hapur për diskutime
  2. Momenti historik që po kalojmë na vë para sfidash të mëdha
  3. …përmes adresimit të drejtë të problemeve dhe sfidave

Në të tre rastet, forca eufemistike është e shpërndarë brenda strukturës së fjalisë dhe ka fituar karakter proverbial duke u kthyer në një frazë klishè, përmbajtja e së cilës nuk i intereson më askujt dhe që e përgjum vëmendjen e dëgjuesit. Në të trija fjalitë nuk përcaktohet aspak se cili është konkretisht “momenti historik”, cilat janë “sfidat e mëdha”, dhe pse u zgjidhkan problemet duke “i adresuar drejt” ato?

Brenda eufemizmave sintaksore mund të gjesh forma të ngjashme, të cilat përdoren kryesisht në diplomaci për shkak të asaj që mund ta quajmë “mjegullsi referenciale”. Fjali të tilla përdoren në raste kur synohet shmangia e përmendjes së emrit të autorit të një veprimi apo fakti, me kushtin që fakti të jetë i njohur nga të gjithë pjesëmarrësit në një kontekst të caktuar.

  1. Disa njerëz nuk do të mësojnë kurrë si të sillen
  2. Shqipëria duhet ta çojë përpara sfidën e integrimit. Në krye të qeverisë duhet një njeri që ta kuptojë këtë…
  3. Ngjarja në bulevard (Bamir Topi)
  4. Grupe me axhendë paralele (Alexander Arvizu)

Fjalinë 6 e dëgjojmë të artikulohet nga një person i edukuar, i cili është ofenduar nga një bashkëbisedues dhe dëshiron të tregojë superioritet intelektual duke e shmangur konfliktin e drejtpërdrejt verbal. Fjalia 7 artikulohet shpesh nëpër fushata elektorale nga një kryetar opozite, i cili aspiron për postin e kreut të qeverisë, të cilit ia adreson paaftësinë e këtij të fundit për ta kuptuar sfidën në fjalë. Fjalitë 8 dhe 9 janë artikuluar respektivisht nga ish-presidenti i Republikës Bamir Topi dhe ambasadori amerikan në Tiranë Alexandër Arvizu në vitin 2011 në deklaratat e tyre me rastin e ngjarjes së 21 janarit, në të cilat ato, me sa duket për ta shtensionuar situatën tragjike, përdorin togfjalësha neutral, me vagullsi të theksuar referenciale.

Një mënyrë tjetër e zakonshme për të fshehur autorin e një veprimi të pakëndshëm është përdorimi i formës pasive në vend të asaj aktive:

  1. “Ka patur edhe gabime”, “sigurisht që janë bërë edhe gabime gjatë qeverisjes sonë…

Të mos përmendësh as gabimet e as autorin/autorët e gabimeve të bëra gjatë qeverisjes do të thotë të përpiqesh të kalosh në heshtje çështjen e fajit dhe të marrjes së përgjegjësisë. Përdorimi i diatezës pësore nga politikanët para kamareva televizive, nuk ndryshon në strukturë nga “ai djali i vogël i cili shfajësohet para prindit për dritaren që u thye”[13]

Ndryshe nga eufemizmat sintaksorë, eufemizmat leksikorë konsistojnë në krijimin e fjalëve modifikuese që mund të jenë abstraguese ose pozitive.

Eufemizmat abstragues zëvendësojnë strukturën normale ose të duhur të një objekti të pakëndshëm me një perifrazim abstrakt ku mungojnë cilësitë negative të objektit në fjalë. Kështu për shembull, mbështjetja e qeverisë shqiptare ndaj sulmeve ushtarake amerikane në Afganistan konsiderohet si “misioni ynë paqeruajtës në Afganistan”, ulja e pagave transformohet në “ndërhyrje në sistemin e pagave”, po ashtu edhe rritja e taksave kthehet në “ndërhyrje në sistemin e taksave”, WC transformohet në “banjo”, ndërsa të varfërit nuk janë më të varfër por “të dizavantazhuar ekonomikisht”.

Eufemizmat pozitivë janë ato eufemizma, të cilat zëvendësojnë cilësitë semantike negative të fjalëve me atribute pozitive. Sipas këtij parimi, kolegët e mij të moshuar profesorë quhen “pedagogë senior”, grabitja mund të marrë emrin e këndshëm “rishpërndarje e pasurisë”, një katastrofë si ajo e Gërdecit u tentua të emërtohej si “aksident teknik”, kurse prishja e një zone të gjelbëruar periferike dhe ndërtimi në të i disa uzinave ka marrë emrin ekologjik “park industrial”, i cili evokon tek dëgjuesi gjelbërimin dhe qetësinë e parqeve natyrore.

Çështje të pakëndshme mund të eufemizohen duke përdorur të kundërtat e tyre, siç është rasti tek lufta, e cila zëvendësohet me “paqe” apo tortura me “dashurinë”. Ky dhunim i semantikës qëndron në themel të asaj që George Orwell tek libri i tij “1984” e quan “doublespeak” dhe që karakterizon gjuhën e re “Newspeak”:

Doublespeak nënkupton aftësnë për të mbajtur në mendje njëkohësisht dy besime kontradiktore dhe për t’i pranuar ato po njëkohësisht. Të dish dhe të mos dish, të jesh plotësisht i vetëdijshëm për të vërtetën e plotë tek sa thua gënjeshtra të strukturuara, të kesh dy mendime të kundërta dhe ti besosh të dyja, të përdorësh logjikën kundër logjikës, ta refuzosh moralin duke pretenduar se je moral, të besosh se demokracia është e pamundur dhe se Partia është gardian i demokracisë, të harrosh gjithçka mundesh të harrosh dhe ta risjellësh në kujtesë në momentin e nevojshëm duke e harruar sakaq sërish, dhe, mbi të gjitha: t’ia aplikosh të njëjtin proces vetë procesit. Por rafinesa më e madhe mbetet: me vetëdije të shkaktosh pavetëdijen dhe, sërish, të bëhesh i pavetëdijshëm për aktin e sapokryer të hipnozës. Bile edhe për ta kuptuar fjalën doublethink kërkohet përdorimi i doublethink-ut.[14]

Doublespeak përbën një strategji për të fshehur cilësitë semantike të papërshtashme në mënyrë që ato të zhyten në harresë, duke e ngushtuar kësisoj rrezen e të menduarit. Këto janë raste ekstreme të eufemizimit pozitiv, por nuk janë larg këtij ekstremi ato shoqëri, të cilat ushtarët e tyre me msision ushtarak në një vend fqinj apo të largët i quan “paqeruajtës” apo atë institucion, i cili dikur quhej “ministri e luftës”, e quan “Ministria e Mbrojtjes”.

Sipas Allan&Burridge, eufemizmi shpesh lidhet me “perspektivën e folësit, kurse disfemizmi me perspektivën e të tjerëve”[15] dhe përshkruajnë këtë si situatë “ne kundrejt atyre”. Veçanërisht në gjuhën politike, shpeshherë eufemizmi i korrespondon një disfemizmi, i cili përdoret për t’iu referuar krejtësisht të njëjtit objekt apo grupi personash në anën e armikut.

  1. Eufemizmat dhe ndryshimet semantike

Në librin e tij “Parimet dhe historia e gjuhës”, botuar fillimisht në vitin 1880, Hermann Paul trajton eufemizmin në kapitullin e ndryshimeve semantike. Ai e trajton atë shkurtimisht bashkë me hiperbolen, disfemizmin, litotën, pezhoracionin, ironinë nën titullin “modifikimet e e kuptimit”. Paul shkruan:

Përballë vrazhdësisë banale të gjuhës popullore qëndron eufemizmi për aq kohë sa ky e mënjanon shprehjen tabu për shkak të ndjenjës së turpit dhe duke e zëvendësuar atë me një tjetër. Me shumë gjasë kjo e fundit do të marrë karakter të neveritshëm më pas. Krahaso shprehje si të pasmet, turpi, të derdhësh ujët e hollë, banjo apo fjala latine coitus. Ashtu si tek shprehjet që lidhen me ndjenjën e turpit, edhe ndjesia religjioze apo supersticioze e nxit krjimin e shprehjeve përshkruese.[16]

Në mënyrë të drejtë, Paul përmend shmangien e ndjesisë së turpit dhe të asaj fetare apo supersticioze si motiv standard për përdorimin e eufemizmave, por nuk ka ndonjë referencë të përdorimit të qëllimshëm të eufemizmave në politikë dhe diskurs publik. Këtë aspekt e trajtuam më sipër. Arsyeja pse e citoj Hermann Paul në këtë punim lidhet me faktin se Paul e përshkruan eufemizmin si burim të ndryshimeve semantike dhe, duke thënë se shprehja eufemisitike mund të kthehet me kalimin e kohës në një shprehje fyese apo të turpshme ai bëhet pararendëes i asaj dukurie linguistike, e cila 100 vjet më vonë do merrte emrin “euphemism treadmill” nga Stiven Pinker.

Siç e tregojnë shembujt e dhënë nga Paul dhe shembuj të tjerë të eufemizmave leksikorë, shprehjet eufemistike, d.m.th. fjalët dhe idiomat mund të konvencionalizohen duke u kthyer në shprehje standarde që e kanë humbur nuancën eufemistike të fillimit.Siç shkruan dhe Shopenhaueri: “…kur një emërtim, në vetvete i padëmshëm, diskreditohet, fajin nuk e ka emërtimi por i/e emërtuara, kështuqë emërtimi i ri do ketë shumë shpejt fatin e të vjetrit. Është njëlloj si me kategoritë edhe me individët: nëse dikush e ndryshon emrin, kjo vjen ngaqë nuk është i aftë ta mbajë me nder emrin e mëparshëm; ai mbetet po ai që ishte dhe nuk do mund ta mbajë me nder as emrin e ri.” Për ta aktualizuar Shopenhauerin: të gjitha këtyre mbivlerësimeve linguistike që përmendëm më sipër u paraprin një zhvlerësim. Jeta e tyre zgjat për aq kohë sa këto lartësime të bëhen aq të zakonshme sa edhe vetë fjalët që ato kanë zëvendësuar.

Pra, procesi është vërtet interesant. Çështje të konsideruara si tabu mbeten të tilla për kohë të gjatë edhe pse emrat e përdorur për emërtimin e tyre kanë ndryshuar disa herë. Pra, roli i eufemizmit për t’i çliruar disa çështje nga stigmatizimi i tyre është i diskutueshëm.

Leinfellner citon (nga artikulli i W. Safire “The new language of politics”, 1968) konstatimin sarkastik të një gruaje të varfër:

mendoja se isha e varfër. Pastaj më thanë se nuk isha e varfër, por grua në nevojë. Pastaj më thanë se ishte poshtëruese ta vendoja veten si njeri në nevojë. Më thanë se isha e privuar. Pastaj më thanë se isha paprivilegjuar, pastaj më thanë se isha e dizanvantazhuar. Aktualisht jam pa asnjë kacidhe. Por kam një repertor të pasur me fjalë.[17]

Emërtimi i koncepteve me eufemizma përshkruhet nga linguisti Stiven Pinker si “euphemism treadmill”. Në artikullin e tij me titull “Loja e emërtimit”, ai shpjegon se çfarë ndodh gjatë këtij procesi:

“njerëzit shpikin, krijojnë fjalë të sjellshme duke iureferuar gjërave të pakëndshme apo me ngarkesë emocionale, po eufemizmi ndotet sakaq nga asociacioni dhe emri i ri që duhet gjetur fiton konotacionet e veta negative. “Nevojtore” u bë “W.C.”, e cila u bë “banjë”. Transportieri eufemistik tregon se konceptet dhe jo fjalët janë përgjegjëse: jepi një koncepti një emër të ri dhe emri ngjyroset nga koncepti; mos mendoni se konceptet rifreskohen nga emra të rinj”.[18]

Sipas Steven Pinker, konotacionet, më shumë se fenomene semantike, janë fenomene konjitive.

Me fjalë të tjera: strategjia e zëvendësimit të fjalëve me karakter tabuistik ka natyrë ciklike. Një term, fillimisht neutral (ortofemizëm) merr gradualisht konotacione negative duke u përdorur si fyerje, p.sh. dhe kthehet në një term malinj (disfemizëm). Kështuqë lind nevoja për ta zëvendësuar me një fjalë të re “politikisht korrekte” (eufemizëm), i cili përmes përdorimit të përditshëm kthehet në term neutral, në ortofemizëm, pra.

  1. Eufemizmat dhe aktet e ligjërimit

Në kapitullin e shumëcituar “Logjika dhe biseda”[19], Grice përdor fjalinë e mëposhtme:

  1. ai ishte paksa i intoksikuar (në lidhje me një burrë i cili ka thyer të gjitha mobiljet),

bashkë me ironinë, hiperbolen dhe metaforën si shembull për të treguar se si nuk respektohet Parimi i Parë e Cilësisë: “Mos thuaj diçka që beson se është e gabuar”. Shembulli në fjalë, sipas Grice, është rast ilustrues i meiosis, qëështë një hiperbolë negative, e cila në traditën e retorikës së lashtë quhej minutio. Fjalia 11,në kontekstin e dhënë, tregon se personi, të cilit i referohet, ishte paksa i pirë, kështu dukshëm në kontradiktë me kontekstin në të cilin është artikuluar. Folësi mund të kishte thënë:

  1. ai ishte tapë

Të dyja fjalitë janë dhunime të dukshme tëParimit të Cilësisë. Kështu pra, duke konsideruar se folësi i përmbahet Parimit të Bashkëpunimit, fjalitë mund të ri-interpretohen në kuptimin e tyre të kundërt si “personi në fjalë ishte xurxull dhe nuk dinte ç’bënte”. Fjalitë11 dhe 12 janë shembuj pohimesh indirekte dhe mund të zbulohen vetëm nëpërmjet një interpretimi racional.

Ku dallojnë nga njëra tjetra meiosis dhe eufemizmi? Mendoj se të dyja ndahen nga një fill shumë i hollë. Të dyja janë strategji që përdoren për të shmangur përshkrimin adekuat të fakteve, por, ndërsa tek meiosis kjo ndodh haptazi dhe me vetëdijen e fortë se e pavërteta e pjesshme do perceptohet nga dëgjuesi, tek eufemizmi kjo ndodh fshehurazi dhe me shpresën se pjesa e papërshtatshme do kalojë pa u vënë rè. Meiosis është formë e aktit ligjërimor indirekt, gjë që s’mund të thuhet për eufemizmin. Eufemizmi nuk operon në nivel ilokucionar por perlokucionar: nuk mund të thuhet me anë të kësaj, unë eufemizoj se… ashtu siç nuk mund të thuhet me anë të kësaj, unë po gënjej se….Në praktikat e përditshme linguistike artikulimet eufemistike nuk kërkojnë ri-interpretim të pohimeve të tyre. Nëse ato do të kërkonin interpretim, do konsideroheshin si akte të ligjërmimit indirekt dhe, si të tilla, do ta humbnin karakterin e tyre perlokutiv dhe do ishin kundërproduktive. Por duke qenë se eufemizmat përdoren pikërisht për të shmangur këto ri-interpretime, ato mund të merren edhe si forma të dobëta gënjeshtre, pra si pohime direkte, të cilat janë pjsërisht të pavërteta.

Përjashtim nga ky rregull bëjnë disa eufemizma abstragues që nuk e prekin Parimin eCilësisë, por atë të Sasisë (“bëje kontributin tënd bisedimor aq informativ sa e kërkojnë qëllimet e shkëmbimit”!) dhe të Sjelljes (“shmange paqartësinë e të shprehurit”!). një shprehje e tillë si ajo e ministrit Saimir Tahiri:

  1. do ndërhyjmë në Lazarat

mund të konsiderohet si eufemizëm, sepse ministri i brendshëm përdor hiperonimin “ndërhyrje” në vend të hiponimit “aksion policor”, i cili do kishte qenë më i përshtatshëm për të përshkruar atë që ndodhi realisht në Lazarat në verën e vitit 2014. Duke përdorur një hiperonim, thënia e Tahirit është më pak informative se duhej të ishte dhe, në këtë mënyrë, shkel Parimin e Sasisë. Kur mediat flasin për “ngacmim seksual” ndërkohë që realiteti flet për një tentativë për përdhunim, kemi të bëjmë sërish me cënim tëParimit të Sasisë. Mund të thuhet se të jesh i paqartë, mund të konsiderohet edhe si thyerje e Parimit të Sjelljes. E njëjta gjë mund të aplikohet edhe për shembujt e mësipërm eufemistikë nga 1 tek 9.

Duke përmbledhur mund tëthemi se eufemizmat pozitivë përbëjnë shkelje tëParimit të Cilësisë, kurse eufemizmat sintaksorë dhe abstragues shkelin Parimiet e Sasisë dhe të Sjelljes.

  1. Eufemizmi dhe raporti i tij me të vërtetën

Në një kuptim radikal, asnjë fjali apo pohim nuk mund të jetë e vërtetë ose e gabuar. Duke qenë se nuk mund të pasqyrojë një realitet plotësisht, por thjesht një seksion të caktuar të tij, çdo pohim kufizohet përmes zgjedhjes së fjalëve, vetëm në ato aspekte që folësi/shkruesi i konsideron të rëndësishme. Kjo gjë na lejon të themi se çdo pohim nuk merr në konsideratë pjesë të qenësishme të realitetit të cilit ai i referohet. Në këtë kuptim të gjitha fjalitë mund të merren si të gënjeshtra të pjesshme, megjithëse mund të merren edhe si pjesërisht të vërteta. Le ta sqarojmë këtë me shembujt e mëposhtëm:

  1. Duke qenë se babai i Loretës, një punëtor papërvojë, u pushua nga puna pa njoftim paraprak prej shefit, të premten në orën 12.00, familjes Bushati i duhet të jetojnë tani e tutje me 50 mijë lekë në muaj asistencë.
  2. Duke qenë se babai i Loretës u pushua nga puna pa njoftim paraprak prej shefit të premten familjes Bushati i duhet të jetojë tani e tutje me asistencë të ulët.
  3. Duke qenë se babai i Loretës u pushua, familjes Bushati i duhet të jetojë me të ardhura të pakta.
  4. Duke qenë se babai i Loretës humbi punën, familja Bushati do jetë e varfër.
  5. Duke qenë se babain e Loretës e kapi reforma, familja Bushati do jetë e dizavantazhuar ekonomikisht.

Fjalitë14 – 18 mund të jenë të gjitha të vërteta (ose të rreme), por ato dallojnë njëra nga tjetra për shkak të detajimit të informacioneve që përmbajnë. Fjalitë nga 14 deri tek 17, megjithë reduktimin e informacionit, mbeten fjali deskriptive, kurse fjalia 18 mund të konsiderohet eufemistike për shkak të shprehjeve që përmban: “e kapi reforma dhe ekonomisht e dizavantazhuar, të cilat e paraqesin në një dritë neutrale një situatë aspak të këndshme siç është të qenit i papunë. “E kapi reforma” në vend të “u pushua” e zhvendos fokusin e vëmendjes nga vendimi autoritarist i shefit tek një forcë madhore dhe me konotacion pozitiv siç është reforma dhe e paraqet humbjen e vendit të punës si një pasojë të domosdoshme që sjell me vete nevoja për ristrukturim e reformim të institucionit. Duke e larguar përgjegjësinë nga shefi. Po ashtu edhe “ekonomikisht e dizavantazhuar” e zëvendëson mizerjen sociale që sjell me vete varfëria me një indikator krejtësisht të vagullt e abstrakt të varfërisë siç janë “dizavantazhet”. Duke e shmangur vëmendjen nga vendimi autoritarist tek domosdoshmëria administrative institucionale dhe nga mizerja tek dizavantazhet fjalia 18 nuk e përshkruan situatën në formë të drejtpërdrejtë, por imponon një lexim dashamirës dhe pozitiv. Për shkak të elementeve subjektive dhe devijuese, një fjali si 18 nuk mund të jetë e vërtetë, megjithëse nuk mund të konsiderohen kurrsesi krejtësisht të rreme.

Në artikullin e tij “Politika dhe gjuha angleze”, George Oruell shkruan:

Në epokën tonë, ligjërimi dhe shkrimi politik konsistojnë kryesisht në mbrojtjen e së pambrojtshmes. Gjëra të tilla si vazhdimi i sundimit anglez në Indi, spastrimet dhe internimet politike në Rusi, lëshimi i bombave atomike në Japoni edhe mund të mbrohen, por ama vetëm përmes argumentesh tejet brutale për t’u gëlltitur nga njerëzit dhe që nuk përputhen kurresesi me qëllimet e shpallura të partive politike. Kështuqë detyrimisht gjuha politike duhet të përdorë masivisht eufemizma dhe shprehje të vagullta e pyetje retorike. Fshatra të tërë bombardohen nga ajri, kasollet hidhen në erë nga plumbat shpërthyes, dhe e gjitha kjo quhet proces paqeje. Miliona fshatarëve u grabiten fermat dhe detyrohen të marrin rrugët vetëm me një trastë në shpine, dhe kjo quhet transferim i popullsisë ose ndreqje kufinjsh. Njerëzit burgosen për vite të tëra pa gjyq, qëllohen nga pas në zverk ose çohen të vdesin nga skorbuti nëpër kampet e Arktikut, dhe kjo quhet eliminim i elementeve të dyshimtë. Një frazeologji e tillë nevojitet kur dikush dëshiron të emërtojë gjëra pa dashur të krijojë imazhe mendore rreth tyre. Imagjinoni për një çast një profesor të gjuhës angleze, i cili përpiqet të mbrojë totalitarizmin rus. Ai nuk mund të shprehet drejtpërdrejt duke thënë: “jam i bindur se mund t’i heqësh qafe kundërshtarët politikë, nëse kjo sjell rezultate të mira”. Me shumë gjasë ai do ta formulojë kështu idenë e tij: “duke e pranuar që regjimi sovjetik shfaq disa tipare, të cilat humanitaristët priren t’i kundërshtojnë, mendoj se duhet të biem dakord për faktin se një farë kufizimi i të drejtës për opozitë politike është njëproces shoqërues i pashmangshëm i periudhave tranzitore dhe se masat e rrepta ndaj popullit rus janë justifikuar gjerësisht përballë arritjeve konkrete.” Ky stil i fryrë përbën në vetvete njëlloj eufemizmi. Një masë e madhe fjalësh me rrënjë latine bie si dëborë e bardhë butësisht mbi faktet duke i mbuluar të gjitha detajet. Armiku më i madh i gjuhës së qartëështë pasinqeriteti. Kur ka një hendek midis qëllimeve reale dhe atyre të deklaruara, personi i drejtohet instinktivisht fjalëve të gjata dhe idiomave të stërpërdorura, si të ishte një sepje prej së cilës kullon bojë curril. (Oruell 1967: 153-4)

Për Oruellin, siç e tregon edhe konceptimi i tij cinik i “Newspeak”, eufemizmi është një formë e pasinqeritetit dhe, si i tillë, fsheh mendimet e personit që i përdor. Si manifestim i gjuhës së paqartë, eufemizmi është i papranueshëm, së paku në fushën e politikës dhe të komunikimit mediatik. Nëse eufemizmat janë të pasinqertë ato duhen konsideruar si gënjeshtra.

Duke qenë se tipari përkufizues i eufemizmit është fshehja e të paktës një pjese të informacionit relevant, shprehjet eufemistike nuk mund të konsiderohen asnjëherë plotësisht të vërteta, në kuptimin e ngushtë të fjalës. E megjithatë, ato nuk mund të konsiderohen as si gënjeshtra të qëllimta, sepse pjesë e informacionit të përcjellë prej tyre mund të jetë korrekte. Ato janë si koka mitologjike e Janusit, një kryqëzim midis të vërtetës dhe gënjeshtrës. Kjo është arsyeja pse Leinfellner i përkufizon shprehjet eufemistike si “gënjeshtra të pjesshme”. Fjalitë e mëposhtme eufemistike

  1. Në komunën Ana e Malit, ku ndodhet edhe fshati Obot i izoluar prej një muaji, raportohet se ka prezencë uji në afro 250 shtëpi.
  2. Ndeshja nuk përfundoi siç pritej. Ky rezultat të çon në një situatë të re tashmë.
  3. Për çdo rast çështja e investimeve në fushën e energjitikës lë vend të hapur për diskutime

mund të jenë të vërteta, por (si shkelje tëParimit të parë të Sasisë) ato nuk japin informacionin e plotë që kërkohet apo pasqyrimin real të situatës pak a shumë si më poshtë:

  • 1’. Gjendja në komunën Ana e Malit është kritike, pasi afro 250 shtëpi janë përmbytur dhe nuk kanë komunikim me zonat përreth…
  • 2’. Skuadra jonë e humbi ndeshjen dhe ky rezultat na çon në kategorinë e dytë.
  • 3’. E vërteta është se investimet në fushën e energjitikës kanë qenë të pakta.

Në këtë rast, të gjitha fjalitë (1 – 3) i plotësojnë kushtet për t’u cilësuar si pohime të vërteta, por mbeten të mangëta kur krahasohen me fjalitë (1’ – 3’), për të cilat mund të themi se janë “më të vërteta” se (1 – 3), sepse përshkruajnë fakte relevante dhe japin informacion të plotë, që folësi e njeh dhe dëgjuesi e pret.

E njëjta logjikë mund të aplikohet edhe për fjalitë që përmbajnë eufemizma leksikalë:

  1. Momenti historik që po kalojmë na vë para sfidash të mëdha

Kjo shprehje mund të jetë e vërtetë, por vetëm në nivel abstrakt. Duke folur për “moment historik” dhe për “sfida”, folësi e mban dëgjuesin në errësirë në lidhje me momentin dhe sfidën duke mos i dhënë asnjë referencë se për cilin moment historik bëhet fjalë konkretisht dhe cilat janë këto sfida. Në këtë rast mund të themi se fjalia është epistemologjikisht e vërtetë, por pragmatikisht e rreme.

Shprehjet eufemistike, qofshin ato sintaksore apo leksikore, në pjesën më të madhe të tyre janë semantikisht të paplota më lidhje me realitetin që përfaqësojnë. Në këtë formë të përgjithshme, kjo mund të aplikohet për të gjitha fjalitë, pasi, siç e pamë më lart, plotësia radikale nuk mund të arrihet asnjëherë. Prandaj mund të shtojmë një kriter tjetër: shprehjet eufemistike janë të paplota sa i takon pritshmërieve. Kjo do të thotë që, në dallim prej pohimeve shkencore, e vërteta apo falsiteti i një shprehjeje eufemistike, mund të gjykohet vetëm nga këndvështrimi i dijes konsensuale sa i takon edhe plotësisë së informacionit relevant. Pra, eufemizmi mund të jetë i vërtetë (apo i rremë) vetëm në sfondin e disa normave të pritshmërisë.

Sidoqoftë duhet bërë dallim midis së vërtetës apo gënjeshtrës që lidhen me eufemizmat abstragues dhe pozitivë. Të parat janë po aq të vërteta sa edhe ekuivalentet e tyre joeufemistike, por thjesht më pak konkrete apo informative në lidhje me vërtetësinë e pretenduar. Kurse të dytat, eufemizmat pozitivë pra, janë gjithmonë pjesërisht të rreme, sepse u shtojnë një tipar pozitiv pohimeve me përmbajtje negative (të zymtë, të mjerueshme, të trishtueshme etj.)

Si pohime pjesërisht të vërteta a pjesërisht të rreme apo të vagullta dhe mashtruese, eufemizat nuk duhen parë vetëm nga këndvështrimi epistemologjik, por duhen analizuar edhe nga një pozicion moral, i cili, sigurisht, nuk është asnjëherë i lirë nga implikimet ideologjike. Kjo është arsyeja pse ato janë vazhdimisht objekt i debateve publike dhe zgjidhen si shembuj për fjalën më të keqe të vitit. P.sh. gjatë viteve ’90 fjala më e keqe e vitit në Europë (1992) konsiderohej fjala “spastrim etnik”. Kjo përzgjedhje u bë mbi argumentin moral ngaqë metafora “spastrim” duhej konsideruar si imorale, sepse i krahason qeniet humane me rroba të papastra që duhen larë duke fshehur kësisoj referentin kryesor të shprehjes: eleminimin masiv të njerëve për arësye raciste.

  1. Konkluzione

Eufemizmat janë shprehje që përdoren për të fshehur shoqërizime të pakëndshme. Duhet bërë dallim midis nënfunksioneve “maskuese” dhe “fshehëse” të tyre. Të parat përdoren në zonën e tabuve sociale e fetare dhe kanë bazë morale, kurse të dytat duhen konsideruar si mënyrë e mashtrimit të qëllimshëm në diskursin publik. Eufemizmat manifestohen në forma të ndryshme: si sintaksore dhe leksikore. Format leksikore janë ose abstraguese ose pozitive. Përmes konvencionalizimit, përdorimi i të dyjave mund të çojë në ndryshime semantike, të cilat mund të sjellin nevojën për eufemizma të rinj. Një proces i tillë mund të shkaktojë një zinxhir historik eufemizmash, të cilat, Stiven Pinker, i quan “euphemism treadmill”. Megjithëse eufemizmat janë shkelje tëParimeve të Cilësisë nga njëra anë dhe të Sasisë dhe Sjelljes, nga ana tjetër, ato nuk mund të konsiderohen si akte indirekte të ligjërimit, sepse qëllimi i tyre është të bllokojnë dhe jo të evokojnë reagime interpretuese tek dëgjuesit. Në dallim me aktet indirekte të ligjërimit, të gjitha eufemizmat mund të konsiderohen si gënjeshtra të pjesshme, sepse nuk përputhen me standardet e qartësisë së pritshme. Sidomos eufemizmat pozitivë janë më të rrezikshme sepse u japin tipare pozitive akteve dhe ngjarjeve negative.

Në diskursin publik, sidomos në politikë, eufemizmat janë një mënyrë strategjike e persuazionit dhe, në të njëjtën kohë një mur mbrojtës psikologjik me të cilin rrethohet një rrëfimtar lajmesh të këqija. Ekziston vazhdimisht rreziku që eufemizmat të bëhen tinëzisht pengesë e të menduarit. Nëse fjalët apo shprehjet eufemistike zënë vend me sukses në përdorimin e përditshëm të gjuhës, duke konkurruar me shenjat ekzistuese linguistike, nëse zbukurimet leksikore bëhen me sukses pjesë e leksikut si emërtime të zakonshme, aq sa në raste ekstreme njerëzit e infektuar fillojnë të flasin për dizavantazhe ekonomike, favore seksuale, prezencë uji etj, etj., atëherë eufemizmi ia ka dalë ta mbështjellë perceptimin tonë më një vello të mjegullt duke e bërë të vështirë, edhe për shpikësit e këtyre eufemizmave, t’i dallojnë objektet e referuara nën një dritë më pak pozitive. Prandaj, eufemizmat nuk duhen kuptuar thjesht si instrumente gjuhësore për “mashtrimin e qëllimshëm”[20], por gjithashtu edhe si elemente “të vetmashtrimit të paqëllimshëm”[21].

Bibliografi

  • Allan, Keith, Kate Burridge: Forbidden Words. Taboo and Censoring of Language. Cambridge-New York-Melbourne-Madrid-Cape Town-Singapore- São Paolo: Cambridge University Press 2006.
  • Ayto, John: Over 3000 Ways to Avoid Being Rude or Giving Offense. London: Bloomsbury 1994.
  • Dieckmann, Walther: Information oder Űberredung. Zum Wortgebrauch der politischen Werbung in Deutschland seit der Franzoesischen Revolution. Marburg: Elwert 1964.
  • Dubois, Jacques, Francis Adeline, Jean- Marie Klinkenberg, Philippe  Minguet, Francois Pire, hadelin Trinon: Allgemeine Rhetorik, përkthyer dhe botuar nga Armin Schütz. München: W. Fink, 1974.
  • Fill, Alwin Frank: Linguistische Promenade. Eine vergnügliche Wanderung durch die Sprachwissenschaft von Platon zu Chomsky. Bot. 2. Wien: Lit Verlag 2012.
  • Fritz, Gerd: Einführung in die semantische Semantik. Tuebingen: Niemeyer, 2005.
  • Gipper, Helmut: Gibt es ein sprachliches Relativitaetsprinzip? Untersuchungen zur Sapir-Whorf Hypothese. Frankfurt/Main: S. Fischer 1972.
  • Grice, H. Paul: Logic and Conversation, in: Cole, Peter, Jerry, L. Morgan (eds.): Speech Acts. (Syntax and Semantics, Vol. 3). New York-San Francisko-London 1975.
  • Heringer, Hans Jürgen: “Ich gebe Ihnen mein Ehrenwort”. Politik-Sprache-Moral. München: Beck, 1990.
  • Leinfellner, Elisabeth: Der Euphemismus in der politischen Sprache. Berlin: Duncker&Humblot, 1971.
  • Luchtenberg, Sigrid: Euphemismen im heutigen Deutsch. Mit einem Beitrag zu Duetsch als Fremdsprache. Frankfurt/Main: Lang 1985.
  • Orwell, George: Nineteen-eighty-four. A Novel.  Harmondsworth, Middlesex: Penguin Books 1973.
  • Paul, Hermann: Prinzipien der Sprachgeschichte. Tübingen: Niemeyer: 1975. Botimi i 9-të.
  • Pinker, Stiven: “The Game of the Name”. In: New York Times, April 3, 1994. (http://pinker.wjh.harvard.edu/articles/media/1994_04_03_newyorktimes.pdf).
  • [1]Cit. Fritz, Gerd: Einführung in die semantische Semantik. Tuebingen: Niemeyer, 2005. Fq. 25.
  • [2]Po aty, fq 25.
  • [3]Po aty, fq 26.
  • [4]Cit. Leinfellner, Elisabeth: Der Euphemismus in der politischen Sprache. Berlin: Duncker&Humblot, 1971. Fq 35.
  • [5]Po aty, fq 40.
  • [6]Po aty, fq 41.
  • [7]Dubois, Jacques, Francis Adeline, Jean- Marie Klinkenberg, Philippe  Minguet, Francois Pire, hadelin Trinon: Allgemeine Rhetorik, përkthyer dhe botuar nga Armin Schütz. München: W. Fink, 1974. Fq. 13.
  • [8]Allan, Keith, Kate Burridge: Forbidden Words. Taboo and Censoring of Language. Cambridge-New York-Melbourne-Madrid-Cape Town-Singapore- São Paolo: Cambridge University Press 2006. Fq. 31-40
  • [9]Luchtenberg, Sigrid: Euphemismen im heutigen Deutsch. Mit einem Beitrag zu Duetsch als Fremdsprache. Frankfurt/Main: Lang 1985. Fq. 24
  • [10]Cit. Fill, Alwin Frank: Linguistische Promenade. Eine vergnügliche Wanderung durch die Sprachwissenschaft von Platon zu Chomsky. Bot. 2. Wien: Lit Verlag 2012. Fq. 72.
  • [11]Po aty, fq. 73.
  • [12] Cit. në: Gipper, Helmut: Gibt es ein sprachliches Relativitaetsprinzip? Untersuchungen zur Sapir-Whorf Hypothese. Frankfurt/Main: S. Fischer 1972. Fq 35.
  • [13]Ayto, John: Over 3000 Ways to Avoid Being Rude or Giving Offense. London: Bloomsbury 1994. Fq 2.
  • [14]Orwell, George: Nineteen-eighty-four. A Novel.  Harmondsworth, Middlesex: Penguin Books 1973, fq. 171
  • [15]Allan, Keith, Kate Burridge: Forbidden Words. Taboo and Censoring of Language. Cambridge-New York-Melbourne-Madrid-Cape Town-Singapore- São Paolo: Cambridge University Press 2006. Fq. 49-53
  • [16]Paul, Hermann: Prinzipien der Sprachgeschichte. Tübingen: Niemeyer: 1975. Botimi i 9-të. Fq. 15.
  • [17]Cit. Leinfellner, Elisabeth: Der Euphemismus in der politischen Sprache. Berlin: Duncker&Humblot, 1971. Fq 130
  • [18]Pinker, Stiven: “The Game of the Name”. In: New York Times, April 3, 1994. (http://pinker.wjh.harvard.edu/articles/media/1994_04_03_newyorktimes.pdf).
  • [19]Grice, H. Paul: Logic and Conversation, in: Cole, Peter, Jerry, L. Morgan (eds.): Speech Acts. (Syntax and Semantics, Vol. 3). New York-San Francisko-London 1975, fq 41 – 58.
  • [20]Heringer, Hans Jürgen: “Ich gebe Ihnen mein Ehrenwort”. Politik-Sprache-Moral. München: Beck, 1990, fq. 56.
  • [21]Dieckmann, Walther: Information oder Űberredung. Zum Wortgebrauch der politischen Werbung in Deutschland seit der Franzoesischen Revolution. Marburg: Elwert 1964, fq 108.