- Shkëputur nga libri “Çfarë është jeta”
- Botues: Fondacioni “Henrietta Leavitt”, Tiranë: qershor, 2020 (së shpejti)
- Shqip: Valbona Nathanaili
Tregimi kronologjik i jetës është gjëja më e mërzitshme që mund të bëj një person! Edhe nëse po kujtoni ngjarje që kanë lidhje me jetën tuaj apo atë të një personi tjetër, rrallë mund të përçoni më shumë se përvojë apo vëzhgime të rastit, aq më shumë të jenë me vlerë për atë që i dëgjon – edhe nëse rendi historik i ngjarjeve, mund të jetë i rëndësishëm për ju në atë kohë. Kjo është arsyeja, përse tani po përpiqem të bëj një përmbledhje të shkurtër të periudhave kryesore të jetës sime: të kem mundësi t’u referohem më pas, pa nevojën për të qenë i detyruar t’i referohem rendit kronologjik.
Periudha e parë përfshin vitet 1887-1920
Kjo periudhë përfundon me martesën me Annemarie dhe largimin nga Gjermania. Mund ta quaj si “Periudha e parë vjeneze”!
Periudha e dytë përfshin vitet 1920-1927
Këtë periudhë mund ta quaj si “Vitet e mia të para të endjes”: fillimisht shpërngulja në Jena, më pas Stuttgart, Breslau dhe përfundimisht në Zurich (më 1921). Kjo periudhë përfundon me ftesën për të qenë pasardhës i Max Planck, në Berlin. Më 1925 kisha zbuluar valët mekanike, në Arosa. Artikulli për këtë temë u botua më 1926. Në rrjedhojë, dhashë leksione në një tur dymujor në Amerikën e Veriut, që ‘ndalimi i madh’ i alkoolit e kishte tharë të gjithin me sukses!
Periudha e tretë përfshin vitet 1927-1933
Mund ta quaj periudha e “Mësimdhënies dhe nxënies” dhe ka qenë e bukur. Përfundon me ardhjen në pushtet të Hitlerit, dhe të ashtuquajturën Machtergreifung, më 1933. Në atë vit, ndërkohë që përfundoja semestrin e verës, isha shumë i zënë me dërgimin e plaçkave në Zvicër. Në fund të korrikut lashë Berlinin dhe u nisa për pushime në Tirolin e Jugut. Tiroli i Jugut ishte bërë italian, në bazë të Marrëveshjes së St. Germain, që do të thotë se për ne që mbanim një pasaportë gjermane, ishte e mundur të shkonim, ndërsa për austriakët jo. Pasardhësi i madh i Princi Bismarck ia kishte dalë të vendoste bllokadë për Austrinë, që ndryshe njihej si Tausendmarksperre (për shembull, bashkëshortja ime, nuk mundi të vizitonte të ëmën, me rastin e shtatëdhjetë vjetorit të datëlindjes. Ekselenca e Tij nuk i dha leje!). Nuk u ktheva në Berlin pas pushimeve. Drejtuesve të universitetit u dërgova dorëheqjen, e cila mbeti pa përgjigje për një kohë të gjatë. Në fakt, e kanë mohuar marrjen e saj dhe, kur mësuan që më ishte dhënë Çmimi “Nobel” në fizikë, refuzuan kategorikisht ta pranonin.
Periudha e katërt përfshin vitet 1933-1939
Mund ta quaj “Vitet e mia të vona të endjes”: në fillimet e verës të vitit 1933, F. A. Lindemann (më vonë edhe Lord Cherwell) më ofroi ‘jetesën’ në Oxford. Kjo ndodhi që në herën e parë që Lindemann vizitoi Berlinin, kur në bisedë e sipër i përmenda pakënaqësinë që kisha për situatën ku ndodhej vendi. E mbajti fjalën. U tregua shumë besnik. Bashkë me bashkëshorten morëm rrugët në një BMW të vogël, blerë për këtë rast. Lamë Malcesine dhe itinerari pak a shumë ishte ky: Bergamo, Lecco, St Gotthard, Zurich dhe më pas Paris, derisa mbërritëm në Bruksel, ka mbahej Kongresi “Solvay”. Pastaj ishte radha e Oxford-it. Por nuk udhëtuam së bashku. Lindemann kishte ndërmarrë gjithë hapat e duhur për të më bërë anëtar të Magdalen College, ndonëse pjesën më të madhe të pagës e merrja nga ICI.
Kur, më 1936, më ofruan njëkohësisht edhe katedrën e fizikës në universitetin e Edinburgh-ut, edhe në Universitetin e Grazit, zgjodha këtë të dytin. Budallallëku më i madh! Por njësoj si zgjedhja që ishte e pashembullt, po ashtu ishte edhe rezultati, përveç se rezultati kishte edhe pjesën e fatit brenda. Sigurisht që puna ime, në Graz, më 1938, pak a shumë minohej nga nazistët. Në atë kohë pranova një ofertë nga Dublini, ku de Valera kishte hedhur hapat e para për formimin e Institutit për Studime të Përparuara. Them fat, sepse besnikëria ndaj universitetit nuk do ia kishte lejuar kurrë E.T. Whittaker të Edinburgh-ut, ish-profesori i de Valera-s, të ma sugjeronte të njëjtin post, nëse do të kisha pranuar Edinburgh-un më 1936. Kjo ishte situata! Në vendin tim, në Edinburgh, emëruan Max Born. Dublini doli të ishte njëqind herë më i mirë. Jo vetëm që puna në Edinburgh do të kishte qenë një peshë e madhe, por gjatë gjithë luftës do të shihesha, në Britaninë e Madhe, edhe si aleati i armikut.
“Arratisja” e dytë na largoi nga Grazi. Itinerari këtë rradhë përfshinte: Romë, Gjenevë, Zurich dhe, në fund, Oxford, ku miku ynë i dashur, Whiteheads, na mirëpriti për dy muaj. Këtë radhë e lamë pas BMW-në tonë të vogël e të mirë, jo vetëm sepse ishte shumë e ngadaltë, por edhe për shkak të faktit që nuk kisha më patentë për drejtim makine. Instituti i Dublinit nuk ishte ende “gati”, kështu që bashkë me bashkëshorten, Hildën dhe Ruthin, në dhjetor të vitit 1938 shkuam në Belgjikë. Fillimisht dhashë disa leksione (në gjermanisht) në Universitetin e Ghent-it, në cilësinë e profesorit të ftuar, për llogari të Fondacionit “Franqui-Seminar”. Më pas kaluam katër muaj në Lapanne, buzë detit. Kohë e mrekullueshme – me përjashtim të kandilave të detit. Dhe e vetmja herë që kam mundur të shoh një det fosforeshent. Më shtator 1939, muajin e parë të Luftës së Dytë Botërore, u nisëm për Dublin, nëpërmjet Anglisë. Me pasaportat gjermane, ishim akoma armiqtë e huaj për britanikët, por duket se falë letrave të referencës së Valera-s, na dhanë lejen për të kaluar tranzit. Ndoshta edhe Lindemann kishte tërhqur ca fije për këtë rast, pavarësisht takimit të pakëndshëm që kishim pasur një vit më parë. Përpos të gjithave, ishte një burrë shumë i këndshëm dhe jam i bindur që si këshilltar për fizikën i mikut të tij Winston provoi të ishte shumë i çmuar në mbrojtjen e Britanisë gjatë luftës.
Periudha e pestë përfshin vitet 1939-1956
Mund ta quaj “Ekzili i gjatë”, por pa ngjyrimin e hidhur që ka fjala e parë në togfjalësh, sepse ka qenë një kohë e mrekullueshme. Sa mirë që na u dha rasti ta njihnim nga afër këtë ishull të mrekullueshëm dhe të vetmuar. Në cilin vend të botës do të kishim jetuar, me nazistët në luftë, kaq të qetë dhe të pashqetësuar nga problemet, që gjithsesi na bënte shpesh edhe me turp. Por nuk mund ta imagjinoj se mund të shpenzoja shtatëmbëdhjetë vjet në Graz “mbi sipërfaqen e ujit”, me apo pa nazistët, me apo pa luftën. Ndonjeherë arrinim të thonim, me njëri-tjetrin “Wir danken’s unserem Fuhrer” (ia kemi borxh Fyhrerit tonë këtë!)
Periudha e gjashtë përfshin vitet 1956-?
Mund ta quaj “Periudha e vonë vjeneze”! Si në vitin e largët 1946, në Austri më ofrojnë përsëri një katedër. Kur i tregova de Valeras për këtë ftesë, me këshilloi me urgjencë të mos e pranoja, duke e vënë gishtin në situatën e paqëndruar politike në Europën Qendrore. Kishte pothuaj të drejtë për situatën. Por nëse ishte shumë miqësor dhe i gatshëm në lidhje me mua për shumë gjëra, nuk tregoi asnjë lloj shqetësimi për të ardhmen e bashkëshortes sime, që gjithsesi duhej të kishte një lloj sigurie, nëse mua më ndodhte diçka. Gjithë sa mund të thoshte ishte, se në një situatë të tillë, nuk kishte siguri as edhe për bashkëshorten e tij. Përgjigja ime për Vjenën ishte se do të kthehesha, por dëshiroja të prisja edhe pak, sapo gjërat të vinin në normalitet, duke shtuar se për shkak të nazistëve, isha detyruar ta ndërprisja punën në atë vend dy herë dhe ta filloja nga e para në një vend tjetër. Një herë e tretë duhej të ishte e fundit, me sigurinë si element përmbajtje.
Kur kthej kokën pas, kuptoj se kam pasur të drejtë. Austria e varfër dhe e përdhunuar, ishte një vend i trishtuar për të jetuar në atë kohë. Peticioni im ndaj autoriteteve austriake për të drejtën e një pensioni për bashkëshorten time, si një lloj shpërblimi lufte vajti dëm, pavarësisht faktit se dukeshin dashamirës në nxjerrjen e amendamenteve. Varfëria ishte e madhe (dhe përsëri vazhdon të jetë edhe këto ditë, më vitin 1960) dhe bënin përjashtime vetëm për persona ta caktuar, duke ua mohuar këtë të drejtë pothuaj gjithë të tjerëve. Në këtë mënyrë, kalova edhe dhjetë vjet të tjera në Dublin, vlera e të cilëve ishte njësoj e çmuar. Shkruajta disa libra të vegjël (botuar nga Cambridge University Press) dhe vazhdova studimet në teorinë e përgjithshme ‘asimetrike’ të gravitetit, por që kjo e fundit duket të jetë një zhgënjim. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, iu nënshtrova dy operacioneve të suksesshme, më 1948 dhe 1949, nga z. Werner, për heqjen e kataraktit nga të dy sytë. Kur erdhi koha, Austria më riktheu me shumë bujari në pozicionin e mëparshëm. Po ashtu, më dhanë një post të ri edhe në Universitetin e Vjenës (ekstra status), ndonëse për moshën time mund të kaloja jo më shumë se dy vjet e gjysmë në zyrë. Të gjitha këto, falë mikut tim Hans Thirring, si dhe Ministrit të Arsimit, Dr. Drimmel. Në të njëjtën kohë, kolegu im, Robracher, ia doli të aprovonte me sukses ligjin e ri për statusin e “Profesor Emeritus” duke mbështetur kauzën time, me këtë rast.
Kjo është koha kur përmbledhjes sime kronologjike i vjen fundi. Shpresoj që ato pak ide dhe detaje që kam paraqitur të mos kenë qenë shumë të mërzitshme. Më duhet t’i përmbahem tundimit për të dhënë një pikturë të përgjithshme të jetës. Më duket se nuk jam i mirë në tregimin e historive! Përpos të tjerave, kam lënë jashtë këtij mozaiku një pjesë shumë të rëndësishme, që është ajo e marrëdhënieve me gratë! Para së gjithash, pa dyshim që do t’u jepte krahë thashethemeve, së dyti vështirë se mund të jetë sa duhet interesante për të tjerët dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, nuk besoj se ka njeri që është apo mund të jetë mjaftueshëm i vërtetë në lidhje me këtë çështje.
Kjo përmbledhje është shkruar në muajt e parë të këtij viti. Tani më jep kënaqësi, kur e kaloj herë pas here nëpër duar. Por kam vendosur të mos vazhdoj – nuk ka më kuptim!
Politikat për komente të Fondacionit “Henrietta Leavitt”
- Komentet nuk shfaqen menjëherë, sepse kalojnë në sitën e moderimit, për aprovim ose jo, të Fondacionit “Henrietta Leavitt”. Komentet që nuk kanë lidhje me argumentin e temën, po ashtu edhe ato që përmbajnë mesazhe jodashamirëse, reklama, apo sulme personale nuk aprovohen.
- Ju lutem kini në vëmendje këto politika përpara se të lini komentin tuaj!