Edukimi nëpërmjet natyrës Nga Jean-Jacques Rousseau
Përshtati në shqip, Valbona Nathanaili[1]
Emili, ose mbi edukatën / Libri i parë
Gjithçka që është vepër e krijuesit është e mirë; gjithçka që bie në duart e njeriut prishet. Njeriu detyron një tokë të ushqejë bimën e një toke tjetër, një pemë të ushqejë frutat e një peme tjetër. Njeriu përzien e ngatërron klimat, elementet e stinët; gjymton qenin, kalin e skllevërit që ka në zotërim. Përçudnon gjithçka! Dhe pëlqen deformimin dhe mostrat. Përmbys e shpërfytyron çdo gjë. Asgjë nuk i pëlqen ashtu si e ka bërë natyra, as edhe veten e tij, njeriun. Sipas tij, njeriu duhet të stërvitet njësoj si stërvitim një kalë dhe duhet të kënaqet të qëndrojë pas gardhit, njësoj si një pemë në kopshtin e tij.
Sipas njeriut, nëse nuk veprojmë në këtë mënyrë, punët do të shkojnë edhe më keq. Sepse specia njeri nuk e pranon se po merr një edukatë gjysmake. Në këtë gjendje ku kanë arritur punët, një njeri i braktisur në fatin e tij në mesin e njerëzve të tjerë, që nga çasti i lindjes, do të ishte më i përçudnuari. Paragjykimet, autoriteti, domosdoshmëria, shembulli dhe të gjitha institucionet shoqërore në të cilat gjendemi të zhytur, do të ishin në gjendje t’i merrnin frymën gjithçkaje që i ka dhënë natyra dhe asgjë nuk do të ishte në vendin e saj. Në këtë rast, natyra mund të përfaqësohet me një shkurre të vogël, mbirë rastësisht në një rrugë ku kalojnë kalimtarë, që i rrezikojnë lulëzimin duke e shtypur nga të gjitha anët dhe përkulur në çdo drejtim të mundshëm.
Ty po të drejtohem, o nënë e dashur parashikuese, e zonja ta mbash larg rrugës bimën e porsalindur dhe ta mbrosh nga opinionet e njerëzve! Kultivoje e vadite bimën e re përpara se të vyshket. Një ditë, frytet e saj do të jenë kënaqësia e krenaria jote. Rrethoje sa më shpejt shpirtin e fëmijës me gardh sigurimi. Ndoshta dikush tjetër mund të caktojë rrezen e rrethit të këtij gardhi, por je ti vetë ajo që duhet ta ndërtosh.
Bimët rriten me anë të kujdesit; njerëzit me anë të edukatës. Në se njeriu do të lindte i madh dhe i fuqishëm, shtatin dhe fuqinë do t’i kishte të padobishme deri sa të mësonte si t’i përdorte. Për më tepër, do të shndërroheshin kundra tij, sepse do i mbante të tjerët larg, duke menduar se nuk i nevojitet ndihmë.[2] Kështu, i lënë fillikat në fatin e tij, do të vdiste duke dëshiruar, përpara se të kuptonte se për çfarë kishte nevojë. Dhe fëmijëria konsiderohet si një stad për t’u mëshiruar! Nuk kuptohet se raca njerëzore do të ishte në rrezik të zhdukej, nëse njeriu nuk do ta fillonte jetën si fëmijë.
Lindim të dobët – kemi nevojë për fuqi. Lindim të papërgatitur – kemi nevojë për ndihmë. Lindim të paditur – kemi nevojë për gjykim. Gjithçka që na mungon kur lindim dhe për të cilën kemi nevojë e marrim nëpërmjet edukimit.
Edukimi mund të realizohet nëpërmjet natyrës, njeriut dhe sendet. Zhvillimi i brendshëm i organeve dhe i proceseve të ndryshme është edukimi që na jep natyra. Mënyra që na mësojmë si ta vëmë në përdorim këtë zhvillim është edukimi që na jep njeriu. Dhe ajo çfarë fitojmë nga përvoja, lidhur me objektet që na rrethojnë e ndikimin që kanë në jetën tonë, është edukimi nga sendet.
Në këtë mënyrë, secili prej nesh edukohet nga tre mjeshtër. Në rastin kur mësimet e këtyre mjeshtërve janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, atëherë mund të themi se nxënësi po rritet keq dhe kurrë nuk do të jetë në paqe me vetveten. Vetëm ai nxënës, kur të gjitha mësimet që merr theksojnë të njëjtat pika dhe synojnë të njëjtat qëllime, do të jetë në gjendje të arrijë objektivat e tij e jetojë në harmoni. Vetëm për këtë rast mund të themi se është rritur mirë.
Akoma, nga këta tre mjeshtër të ndryshëm që marrin pjesë në edukimin tonë, ne nuk kemi asnjë ndikim në mjeshtrin – natyrë; kemi, deri në një farë mase, kontroll mbi edukatën që marrim nga objektet; ndërkohë që jemi vërtet mjeshtër në edukatën që marrim nga njeriu. Por edhe në këtë të fundit, ne jemi mjeshtër vetëm në mënyrë hipotetike. Sepse kush është ai, që mund të shpresojë se do jetë në gjendje t’i dirigjojë tërësisht, të gjitha fjalimet dhe veprimet, që rrethojnë një fëmijë?
Në rrjedhojë, sa kohë që edukata është art, është e pamundur t’ia dalim me sukses, sepse në lidhjen e këtyre tre elementëve të nevojshëm dhe garant të këtij suksesi, asnjë nuk mund të thotë se ka kontrollin. Gjithë sa mund të arrijmë nëpërmjet kujdesit është t’i afrohemi, pak a shumë, synimit, por që ta realizosh tërësisht atë duhet edhe pak fat.
Atëherë, cili është qëllimi i edukimit? Është krejtësisht i njëjtë me atë të natyrës. Kjo sapo u provua. Sa kohë që lidhja e të tre elementëve edukues është e nevojshme për të pasur një edukim perfekt, dy elementet mbi të cilët kemi kontroll – në atë masë që e zotërojmë – duhet të tentojnë drejt atij mbi të cilit nuk kemi asnjë kontroll, pra edukimit nga natyra. E vetmja gjë që mund të na vërë në pozita dyshuese është se fjala natyrë ka një kuptim shumë të gjerë. Mendoj se ka ardhur koha të bëjmë një përpjekje për të dhënë një përkufizim të saj.
Thonë se natyra është vetëm shprehi. Çfarë do të thotë kjo? A ka shprehi, të cilat ndonëse të mësuara me forcë, do e mbysnin tërësisht natyrën? Le të marrim një shembull. Bima ka prirjen të rritet sipas vertikales me tokën, sa kohë nuk e detyrojmë të ndryshojë drejtim. Nëse e detyrojmë të ndryshojë drejtim dhe, më pas, e lëmë të lirë, bima e ruan atë drejtim që i dhamë në kohën kur ushtronim forcë. Por kjo nuk ka ndryshuar mësimin origjinal që ka marrë në çastin kur ka lindur – nëse bima do të vazhdojë të rritet, rritja e re do të ketë përsëri prirjen të marrë drejtimin vertikal. Rasti vlen edhe për natyrën njerëzore. Për sa kohë një njeri detyrohet që qëndrojë në të njëjtat kushte, ai do të vazhdojë të ruajë ato prirje, që janë rrjedhojë e shprehive, ndonëse shumë më pak natyrore, por sapo situata ndryshon, shprehia vdes dhe natyra rikthehet. Edukata është, sigurisht, vetëm shprehi. Por a nuk ka njerëz të cilët e harrojnë dhe e humbasin edukatën që kanë marrë? Ndërsa të tjerë që nuk? Ku e ka burimin kjo diferencë? Nëse emri natyrë kufizohet vetëm në shprehi që janë në pajtim me natyrën, mund t’ia kursejmë vetes këtë ndërlikim.
Që në çastin që lindim, ne jemi në gjendje të përdorim shqisat tona. Nga ana tjetër, gjatë gjithë kohës së rritjes ndikohemi, në mënyra të ndryshme, nga objektet që na rrethojnë. Thënë këto, sapo bëhemi të ndërgjegjshëm për ndjesitë e përftuara, jemi të gatshëm të kërkojmë mbajtjen ose shmangien e objekteve që na rrethojnë, në përshtatje me atë se çfarë kanë prodhuar te ne. Këtë ndarje, fillimisht e bëjmë bazuar në kënaqësinë ose pakënaqësinë që na kanë shkaktuar; më pas, në përputhje me harmoninë ose mungesën e saj që kemi nga prania e këtyre objekteve; dhe, së fundmi, në varësi të gjykimit që formojmë në lidhje me to, bazuar në arsyetim, sa i takon idesë së lumturisë ose të perfeksionit. Këto prirje fillojnë e zgjerohen e forcohen edhe më shumë, sa më shumë aftësohemi në përdorimin e shqisave që kemi dhe sa më shumë zgjerojmë rrethin e njohurive, por të detyruara nga shprehitë, si dhe nga opinionet tona, ato përthyhen, disa më pak dhe, disa të tjera, edhe më shumë. Por përpara se të ndodhin këto përthyerje, ato janë gjithçka që secili nga ne duhet të kuptojë me natyrë.
Pra, çdo gjë duhet të rrotullohet rreth këtyre prirjeve origjinale. Dhe mund të realizohet, nëse të tre edukatat do të ishin thjesht të ndryshme nga njëra-tjetra. Por çfarë mund të bëjmë kur janë në kundërshtim me njëra-tjetrën? Kur, në vend që të rrisim një njeri për vetveten, kërkojmë ta rrisim për të tjerët? Atëherë harmonia është e pamundur. Të detyruar të luftojmë me natyrën, ose me institucionet sociale, na duhet të zgjedhim ndërmjet edukimit të një burri dhe atij të një qytetari, ndërkohë që nuk mund të edukojmë, në të njëjtën kohë, edhe një burrë, edhe një qytetar.[3]
Çdo shoqëri e veçantë, e mbyllur dhe e bashkuar, është larg shoqërive gjithëpërfshirëse. Çdo patriot është i ashpër ndaj të huajve. Ata janë thjesht burra. Janë asgjë në sytë e tij.
[1] Shënim: Në përshtatjen në shqip janë krahasuar varianti anglisht, “Philisophy of education“, përpiluar nga Randall Curren dhe ai shqip, botim i vitit 1966, nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, Drejtoria e Studimeve dhe Botimeve Shkollore.
[2] Referenca origjinale, sipas variantit në anglisht: Duke qenë, së jashtmi, i ngjashëm me të tjerët, por i privuar nga aftësia për të folur, a për të shprehur idetë që e gjejnë rrugën nëpërmjet saj, nuk do të ishte në gjendje t’i bënte të kuptonin nevojën që kishte për ndihmën e tyre. Për më tepër, asgjë në figurën e tij nuk do e manifestonte këtë nevojë.
[3] Shënim: Varianti shqip, cituar më lart, nuk është i njëjtë me atë anglisht.