ZGJEDHJA Të përqafosh të pamundurën

EDITH EVA EGER dhe Esmé Schwall Weigand

Shqip: Dr. Valbona Nathanaili

Botues Pema. Prishtinë: 2023

KREU 17 (shkëputur një pjesë nga libri)

Atëherë Hitleri ka fituar

Nuk është ajri i ftohtë që fryn nga ventilatori i zyrës që më fut dridhmat. Shumë shpejt mbush pesëdhjetë e tre vjeç. I kam dhënë lamtumirën mamasë jetime dhe të re që ia ka mbathur nga  Europa e shkatërruar nga lufta. Dhe sigurisht nuk jam as edhe emigrantja që i fshihet së shkuarës. Jam Dr. Edith Eva Eger! E mbijetuar! Kam punuar shumë për t’u shëruar. Dhe përdor gjithë sa kam mësuar nga përvojat e mia traumatike të së shkuarës për të ndihmuar edhe të tjerët të shërohen. Më ftojnë shpesh organizata ushtarake dhe mjekësore, si edhe shoqata që ofrojnë shërbime sociale, për të trajtuar pacientë që vuajnë nga çrregullime post-traumatike. Kam bërë një rrugëtim të gjatë nga koha që përgatitesha për t’u arratisur në Amerikë. Por nuk jam kthyer më në Gjermani!

 

Atë mbrëmje, për të larguar vëmendjen nga shqetësimi se si do ia dilte Xhesoni në përballjen me bashkëshorten, si dhe për t’u lehtësuar – sikur edhe pak – nga pesha për vlerën e vendimit, i telefonoj Marianës në San Diego dhe e pyes se çfarë mendon se duhet të bëj në lidhje me Berchtesgaden. Vajza ime tashmë është edhe mama, edhe psikologe. Shpesh konsultohemi me njëra-tjetrën për pacientët që na duken si më të vështirë. Dhe njësoj si për Xhesonin, në momentet kur më drejtoi pushkën, të gjata sa një jetë, edhe në rastin tim, vendimi që do të marr sot do të luajë një rol të rëndësishëm tek fëmijët – të tipit që do të ndikojë llojin e plagës me të cilën do u duhet të bashkëjetojnë, pasi të kem ikur nga kjo botë: plagë të shëruar apo të hapur!

“Nuk e di, ma!” – më thotë Mariana. “Dëshira ime është të të them të shkosh! Arrite të mbijetosh. Ke arsye të kthehesh dhe të tregosh historinë tëndë. Një triumf jo i vogël. Por… të kujtohet ajo familja daneze, miq me familjen që më mbante kur ndiqja studimet në kolegj? Edhe ata u kthyen në Aushvitz, në mendimin se më në fund mund të kishin pak paqe me veten. Por shërbeu vetëm si katalizator për përkeqësimin e traumës. Rezultoi të ishte një përvojë shumë stresuese. Të dy pësuan sulm në zemër kur u kthyen në shtëpi. Vdiqën, ma!”

Berchtesgaden nuk është Aushvitz-i, i kujtoj sime bije. Jam më e kujdesshme me gjeografinë e të kaluarës së Hitlerit, se sa me timen. Megjithatë, edhe rutina ime e përditshme në El Paso mund të bëhet shtysë për lindjen e kujtimeve të së shkuarës. Dëgjoj sirenat e makinave dhe i gjithë trupi më bëhet akull; shoh gardhin me tela të kryqëzuar në krah të një kantieri ndërtimi dhe nuk jam më në të tashmen – përpara syve kam vetëm trupa të varur që tunden. Mpihem e gjitha nga frika! Luftoj për të marrë frymë! Dhe nëse ngjarje nga jeta e zakonshme mund të shndërrohen në lindjen e një reaksioni zinxhir kujtimesh që ka fund vetëm tmerrin e rikthimit të traumës, përfytyro çfarë mund të më ndodhë kur të jem e rrethuar nga njerëz që flasin vetëm gjermanisht, në dilemën nëse po eci në radhët e njerëzve që dikur kanë qenë “Të rinjtë e Hitelerit”, apo kur të gjendem pikërisht në dhomën ku një herë e një kohë ka jetuar vetë ai dhe këshilltarët e tij?

“Nëse mendon se mund të përfitosh nga udhëtimi atje, atëherë shko! Ke përkrahjen time!” – përgjigjet Mariana. “Por këtë mund ta vendosësh vetëm ti! Dhe nuk ke nevojë t’i provosh askujt asgjë. Nuk e ke detyrë të shkosh!”

Kur dëgjoj argumentet e vajzës, çlirohem menjëherë. “Faleminderit, Marchuka!” – i them. Jam e sigurt! Jam e lumtur! E kam bërë punën time. Tashmë jam rritur. Mund të kthej kokën në anën tjetër dhe të them se e kam mbyllur atë kapitull, se jam shumë e nderuar nga ftesa, por është shumë e dhimbshme për ta pranuar. Dave do të më kuptonte.

Por kur i them Bélas se kam vendosur ta kthej mbrapsht ftesën, më kap nga shpatullat. “Nëse nuk kthehesh në Gjermani” – më thotë – “atëherë Hitleri e ka fituar luftën”!

Nuk janë fjalët që dua të dëgjoj! Më duket sikur dikush më ka goditur fort me grusht pas shpine. Por më duhet ta pohoj, se ka të drejtë, sikur edhe vetëm për një gjë: është më e lehtë të bësh dikë ose diçka përgjegjës për dhimbjen, se sa të marrësh përgjegjësinë për t’i dhënë fund viktimizimit. Ma kishte mësuar martesa jonë! Mësim i mësuar sa herë zemërimi ose dëshpërimi ndaj Bélas më bënte të mos arrija të përqëndrohesha në punë dhe në arritje, sa herë fajësimi i tij për palumturinë time ishte më i lehtë se sa marrja e përgjegjësive për veten.

Shumë nga ne e duan një diktator – sigurisht një të mirë – thjesht për t’i hedhur fajin dhe për të thënë: “Ti më detyrove ta bëj! Nuk është faji im!” Por nuk mund ta kalojmë jetën nën çadrën e një tjetri dhe më pas të qahemi që u lagëm. Një përkufizim i mirë i të qenit viktimë është kur e mbani fokusin jashtë vetes, kur kërkoni të gjeni dikë për ta bërë fajtor për rrethanat e pranishme, ose për të përcaktuar synimet, fatin apo vlerën tuaj.

Kjo është arsyeja pse Béla më tha, se nëse nuk shkoj në Berchtesgaden, atëherë Hitleri ka fituar. Me këtë donte të më thoshte se jam ulur krah për krah me të kaluarën. Për sa kohë që i vendos Hitlerin e Mengelin në anën tjetër, ose krijoj një hendek ndërmjet meje dhe humbjes sime, atëherë në një mënyrë a një tjetër po justifikohem, po përpiqem të kem gjithnjë një justifikim. Kjo është arsyeja pse jam në ankth. Kjo është arsyeja pse jam e trishtuar. Kjo është arsyeja pse nuk marr riskun e të shkuarit në Gjermani. Kjo nuk do të thotë se është keq të ndihem në ankth, e trishtuar dhe e frikësuar. Se nuk ka traumë të vërtetë në vetë thelbin e jetës sime. Dhe nuk do të thotë se as Hitleri e as Mengeli apo çdo autor tjetër i një dhune apo mizorie nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për dëmin që kanë shkaktuar. Por nëse zgjedh pozicionin krah për krah, bëj përgjegjëse të kaluarën për çfarë zgjedh të bëj tani.

Kohë më parë, gishti i Mengelit përcaktoi drejtimin e jetës sime. I njëjti gisht i të njëjtit person zgjodhi që mamaja ime të vdiste dhe Magda të jetonte. Në çdo radhë që qëndronim, zgjedhja ishte ndërmjet jetës dhe vdekjes, por kurrë nuk ma dhanë mua si mundësi. Por edhe në këto raste, dhe më pas edhe në qeli apo edhe në ferr, kisha mundësinë të zgjidhja se si të përgjigjesha, si të veproja dhe si të flisja, çfarë të ruaja në mendje. Mund të zgjidhja të ecja drejt gardhit me tela të elektrifikuar dhe të refuzoja të çohesha nga krevati ose të luftoja dhe jetoja, të mendoja për zërin e Erikut dhe strudelin e mrekullueshëm që gatuante mamaja, të mendoja për Magdan pranë meje, të pranoja gjithë sa ia vlente për të jetuar, edhe me çmimin e tmerrit dhe të humbjes. Kanë kaluar tridhjetë e pesë vjet nga dita e largimit tim nga ferri. Por kam sulme paniku në çdo kohë të ditës apo të natës, në gjendje të më gjejnë me lehtësinë më të madhe kudo që të jem, si në dhomën time të gjumit, po aq edhe në bunkerin e vjetër të Hitlerit, sepse paniku im nuk është rrjedhojë e shkëndijave që vijnë thjesht nga jashtë. Paniku im është përmbledhje e kujtimeve dhe frikërave që jetojnë brenda meje. Nëse e mbaj veten në ekzil në lidhje me një pjesë të veçantë të globit, mund të them se dua të mbaj vetëm atë pjesë timen që është e frikësuar. Ose ndoshta ka diçka që mund të mësoj duke qenë më afër me atë pjesë!

Dhe çfarë do të ndodhë me trashëgiminë time? Vetëm pak orë më parë, Xhesoni u përball me një pikë kthese në jetën e tij – momentin kur mbante një armë në dorë, por vendosi të mos e tërhiqte këmbëzën, sepse mori në konsideratë se çfarë trashëgime do u lente fëmijëve. Në rrjedhojë, nuk e zgjodhi dhunën. Çfarë trashëgimie duhet t’u lej unë fëmijëve? Çfarë do t’i lej botës kur të kem ikur? Kam zgjedhur tashmë të heq dorë nga sekretet, mohimi dhe turpi. Por a kam mundur të bëj vërtet paqe me të kaluarën? Ka më shumë për të zgjidhur, që të mos e pëjetësojë dhimbjen?

Mendoj për mamanë e mamasë, që ka vdekur papritur në krevat, në gjumë. Për mamanë, që brenga e traumës së fëmijërisë së humbur e kishte shenjuar me uri dhe frikë që në moshë të njomë, që e kaloi fëmijërinë me një ndjenjë të paqartë humbje. Çfarë do u kaloj fëmijëve, përveç se lëkurën e saj të butë, sytë e errtë dhe flokët e trashë, përveç dhimbjes, zisë dhe zemërimin e humbje së saj në një moshë aq të re? Dhe çfarë do të ndodhë nëse vendos të kthehem në vendin e traumës sime për të ndaluar ciklin, për të krijuar një loj të ndryshëm trashëgimie?

Pranoj ftesën për në Berchtesgaden.