Nga Dr. Valbona Nathanaili

(Fjala e mbajtur, me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë “Kosova 20 vjet liri dhe përpjekje”, organizuar nga Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Kosovës, datë 10.06.2019, Prishtinë)

Të nderuar Profesorë, pedagogë, studentë dhe të ftuar

Të nderuar kolegë të panelit

Është nder dhe privilegj për mua pjesëmarrja në këtë konferencë jubilare, organizuar nga Universiteti i Prishtinës, një universitet me histori e traditë, me vizion e perspektiva, një universitet, që personalisht kam kohë që e marr si pikë referimi, kur kërkoj standarde. Ndërsa zgjedhja e temës mund të them se fillimisht më emocionoi. Kanë kaluar njëzet vjet nga ngjarjet që tronditën Ballkanin – besoj që janë edhe të fundit të këtij lloji – dhe papritmas kupton se e tashmja është bërë e djeshme. Në këtë realitet të çmuar kemi shtetin e Kosovës!

Zgjedhja e temës së konferencës është një arsye të mirë për të vënë në lëvizje të gjitha potencialet që kemi, për t’u ulur dhe bërë bilance. Për të kujtuar. Për të reflektuar. Faleminderit për këto mundësi!

Të dashur pjesëmarrës

Këta 20 vjet shtet më vete të Kosovës, padyshim kanë qenë të vështirë, me shumë probleme të njohura dhe akoma më shumë edhe të panjohura. Diku është dashur të fillohet nga e para, diku të vazhdohet thjesht aty ku ishim, një vendim që, për fat të keq, gjithnjë merret nga politika. Fati i mirë është që Kosova ka studiues, profesorë dhe pedagogë me vlera të veçanta. Sa më e informuar të jetë politika nga dija dhe kërkimi shkencor, sa më shumë strategjitë e zhvillimit të projektohen dhe të analizohen në mjedise shkencore, aq më e mirë është vendimmarrja politike. Në rastin e arsimit, kërkesa e mësipërme shndërrohet në domosdoshmëri për dy arsye të thjeshta thekson Crouch (2007:203): 1. nuk ua lemë në dorë prindërve, sepse nuk e realizojnë dot, dhe 2. sepse shkolla është vendi ku e ka origjinën ashensori social, që ne duam të ngjitet vetëm lart.

Rrjedhimisht, pyetjet që duhet të shtrojmë janë: Çfarë është më mirë për mjedisin tonë social? Çfarë është më mirë për gjendjen ekonomike të pjesës më të madhe të shoqërisë? A është në gjendje sistemi ynë shkollor të sigurojë barazi për të gjitha shtresat sociale?

Normalisht, çdo reformë duhet të fillojë pati t’u ketë dhënë përgjigje pyetjeve të mësipërme.

Në Shqipëri, në këta 30 vjet pas-diktaturë, askush nuk është shqetësuar për çështjet e mësipërme. Përkundrazi! Qasja ka qenë “Hajde ta provojmë!” dhe nëse nuk ka funksionuar, “hajde ta ndryshojmë dhe të provojmë diçka tjetër përsëri!” Kështu u veprua me licencimin, me kritere minimale, të lloj-lloj universitetesh private – një pjesë e mirë e të cilëve vërtet sot janë mbyllur, por vazhdojnë të prodhojnë dëm – me autonominë jo autonome të universiteteve, me mënyrat e pranimit dhe regjistrimit në universitete, me fondet për kërkimin shkencor, me futjen e pagesës në institucionet e arsimit të lartë publik ose rritjen e saj në ato aktuale, me justifikimin se për shkak të masivizimit, shteti nuk është në gjendje të përballojë shpenzimet e shumta, për më tepër që një pjesë e mirë e këtyre shpenzimeve merren nga arsimi parauniversitar, me përshtatjen e kurrikulës me kërkesat e tregut etj.  Lista me reforma të këtij lloji është më shumë se duhet e gjatë dhe bëhet e pafundme po të analizojmë edhe arsimin parauniversitar! Ndryshe nga sa veprohet normalisht: mëso nga të tjerët dhe vendos çfarë duhet të bësh në realitetin tënd. Ndërkohë, asnjë studim shkencor për të vlerësuar cilësinë e këtyre reformave – mundësisht në mënyrë krahasuese me vite më parë dhe me rajonin. Asnjë filozofi për arsimin! Të vetmet reagime që kemi pasur kanë qenë ato në përgjigje të një trysnie shumë të fortë nga media dhe së fundmi edhe nga publiku – kujtoni protestat e dhjetorit të këtij viti të studentëve në Shqipëri.

Ftesa e parë për Kosovën në fushën e arsimit është thithni mendimin shkencor, angazhoni njerëzit më të zotë që keni, merrni specialistë nga jashtë, për të hartuar politikat në arsim. Politikat në arsim nuk duhet të jenë politike.

Duke ju kthyer përsëri rastit të Shqipërisë, në turravrapin entuziast të rrëzimit të sistemit, pas viteve 1990, e vetmja përgjigje që kemi marrë për nevojën për ndryshim është “Komercializimi”, ndërsa për vetë dijen, komodifikimi. Një fenomen në fakt jo vetëm shqiptar, por mbarë botëror. Në rrjedhojë, kritika nuk është pse komercializim, por pse vetëm komercializim! Nëse gjithë bota e ka shqetësim komercializimin e sektorit publik në përgjithësi dhe të arsimit në veçanti, pse kjo heshtje këtu te ne?

Komercializimi i sektorit publik e ka burimin në tezat neoliberale të tregut të lirë, teza të cilat u shfaqën në veprat e disa ekonomistëve të pas Luftës së Dytë Botërore, si Friedrich Hayek dhe Milton Friedman. Sipas Mirowski (2011: 29-30), tezat kryesore neoliberale mund të përmblidhen në dhjetë, por për synimin tonë po listoj vetëm disa prej tyre, të pa-grupuara: Tregu është mekanizmi ynë i koordinimit; pse na duhet shteti; shteti nuk ka nevojë të dijë dhe për rrjedhojë nuk ka nevojë as të mbikëqyr; tregu i tejkalon gjithnjë aftësinë e shtetit për të përpunuar informacionin; konkurrenca ka gjithnjë përparësi; shteti duhet të deqeveriset, nëpërmjet privatizimit të arsimit, shëndetit dhe shkencës dhe, në porcione të vogla, edhe të ushtrisë; nuk ekziston një gjë e tillë si “E mira publike”, por vetëm një varg problemesh që menaxhohen nga struktura të ndryshme qeveritare; liri do të thotë liri ekonomike në hapësirën e tregut.

Brian (2013), kur merr në analizë komercializimin e Zelandës së Re, përdor këtë përkufizim: “Komercializimi është zbatimi i parimeve të biznesit (ose të tregut) në sektorin publik (ose në një pjesë të këtij sektori)”. I njëjti autor, për të ilustruar me shembull praktikën e delegimit të një shërbimi publik privatit, sjell atë të kompanive që merren me mbledhjen e plehrave. Analiza është e saktë, ndërsa vetë arsyeja që përdore tregu është sa pragmatike, aq edhe naive: firma që e merr shërbimin kërkon ta kryejë punën sa më mirë, sepse do që t’i rinovohet kontrata, përndryshe këtë shërbim e merr një kompani tjetër private. Sipas tij, qasja “nëse nuk është e thyer, nuk ka nevojë të ngjitet” është zëvendësuar me qasjen “nëse nuk është komercializuar, do të thyhet”. Fuller (2019, shqip, në proces, si pjesë e botimit “Komercializimi i arsimit. Antologji. Përpiluar nga V. Nathanaili) ka një përkufizim pak më të ndryshëm: Komercializimi është shndërrimi i jetës sociale në subjekt të mekanizmit të çmimit, një karakteristikë e lindur në rrjedhojë të prirjes sonë natyrore për të shkëmbyer, pasojat e së cilës, në terma afatgjatë, kanë qenë ndarja e punës dhe krijimi i shoqërive kaq komplekse.

Ndryshimet në përkufizime, çojnë edhe në ndryshime në qëndrime. Për Brian (Idem), komercializimi i sektorit publik bëhet mbi bazën e justifikimit që shteti nuk është në gjendje t’i bëjë punët aq mirë sa biznesi, thënë ndryshe sa privati. Ndryshe: “biznesi është zgjidhja më e mirë, sa herë një shërbim publik që ofrohet nga shteti nuk funksionon”. Ndërsa Fuller bën ftesë për ndërgjegjësim, për një proces që lind në kushtet e një sistemi të cilit nuk i shpëtojmë dot dhe shton edhe një term të ri, komodifikimin e dijes, pra shndërrimin e dijes nga dije-substancë, në dije-funksion.

Pajtohem plotësisht me Fuller – nuk shpëtojmë dot nga kapitalizmi, sikundër edhe “u gëzohemi” përparësive praktike e ekonomike që jep komodifimi i dijes, pra shndërrimi i dijes nga objekt në subjekt të shkëmbimit – por na duhet të vendosim për shkallën e komercializimit dhe të komodifikimit.

Trysnia është e fortë. Rezistenca është e shtetit, me arsyen që ka një kontratë sociale me qytetarët e saj. Fuller thekson se kjo kontratë sociale me shtetin është shumë abstrakte, shumë teorike. Ndryshe shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Citohet në teori, por zbatohet në praktikë ndryshe nga një vend në tjetrin. Çështje zgjedhjeje! Fakt është që gjithë bota po i sheh me lentet e interesave të publikut të gjitha tezat e mësipërme, në rrjedhojë të një vargu skandalesh dhe dështimesh që kanë përfshirë shumë vepra që i janë ofruar privatit sipas filozofisë së mësipërme.

Në fushën e arsimit, diskutimi është: A është komercializimi i edukimit zgjidhja e duhur dhe e vetme që na siguron dije më cilësore dhe prodhon specialistë më të përgatitur?

Në Shqipëri, komercializimi është përdorur si mbështetje për teorinë e mësipërme neoliberale  dhe jo si instrument për të ecur përpara. Gjykimi ynë për dështimin e reformave të bëra në sistemin tonë arsimor në këta vite bëhet më i thjeshtë sepse janë të shumta problematikat me të cilat ndeshemi, të kryera në emër të komercializimit. Dështimi në arsim nuk është dështimi i një shërbimi publik për të cilin ka nevojë shoqëria, por dështimi i politikave dhe i njerëzve që i hartojnë dhe drejtojnë ato. Shteti ka humbur garën me veten për të punuar për pjesën më të madhe të popullsisë.

Si në rastin e Shqipërisë, ashtu edhe të Kosovës, pjesa më e madhe e popullsisë ka të ardhura të pamjaftueshme ekonomike. Parimet e tregut nuk duhet të aplikohen në arsim me të njëjtën “ashpërsi”, ndërkohë që shumë koncepte që rrjedhin nga aplikimi i tregut në arsim, si konkurrenca, performanca e mirë dhe e keqe, dija si funksion etj. dëmtojnë thelbin e vetë arsimit: të sigurojë barazi për të gjitha shtresat sociale. Arsimi publik në Shqipëri ka bërë hapa prapa në cilësi. Mos bëni të njëjtin gabim!

Në këtë kuadër, ftesa tjetër është më pak komercializim dhe më shumë angazhim nga ana e  shtetit për arsimin, më shumë arsim të mirë dhe cilësor. U kthehem përsëri universiteteve si vatrat e mendimit shkencor dhe të përparuar, korrekt dhe të paanshëm. Tregojini politikës çfarë është më mirë për pjesën më të madhe të popullsisë.

Dhe edhe nëse është e thyer, nuk do të thotë se ka nevojë për komercializim!