Ose përkthyesi si kuazi-autor i veprës së përkthyer

Dr. Valbona Nathanaili

Dr. Valbona Nathanaili

Abstrakt: Ky artikull synon të marrë në analizë dukurinë e mosreferimit të përkthyesit/përkthyesve të mëparshëm, nga përkthyesi i “ri” i së njëjtës vepër, në botimet në gjuhën shqipe. Shembujt e sjellë referojnë përvoja të huaja dhe shqiptare. Një kontribut i dytë është synimi për të nxitur krijimin e normave të reja, që bien në domenin e etikës dhe kulturës të botimit, që e çojnë përkthyesin në një gjendje të re, atë të kuazi-autorit për veprën e përkthyer. Për këtë, ndër të tjera, propozohet që emri i përkthyesit të bëhet pjesë e kopertinës (një përvojë që zbatohet në shumë vende të tjera dhe herë pas here edhe në vendin tonë), të nxitet të shkruajë një parathënie, pjesë e së cilës të jetë edhe strategjia e ndjekur në përkthim, si dhe të referohen përkthyesit e mëparshëm në gjuhën shqipe të së njëjtës vepër të përkthyer, aty ku ekzistojnë.

Fjalë çelës: arketip, përkthim, përkthyes, kuazi-autor, botime shqip.

1. Konsiderata të përgjithshme

Një nga teoricienët më të mirë të teorisë së përkthimit është André Lefevere (1945-1996). Lefevere i klasifikon përkthyesit në konservatorë dhe shpirtërorë. Përkthyesi konservator punon në nivelin e fjalës dhe të fjalisë, ndërsa përkthyesi “shpirtëror” punon në nivelin e kulturës si e tërë dhe e vendos tekstin në funksion të kësaj kulture.[1] Me këtë klasifikim të përkthyesve, si edhe të strategjisë që përdoret për të përkthyer, është e thjeshtë të kuptojmë edhe klasifikimin që i njëjti autor u bën teksteve të përkthyer: të ngjeshur dhe të zgjeruar. Për Lefevere përbën shqetësim dilema që kanë përkthyesit në zgjedhjen e strategjisë së përkthimit, të cilëve u duhet, në njërën anë, të përballojnë trysninë e studiuesve skrupulozë të gjuhës për një përkthim sa më besnik, që do të thotë konservator, ndërkohë që duhet të kënaqin edhe ambicien e tyre për të sjellë librin e përkthyer në një variant sa më të kënaqshëm për lexuesin e veprës në gjuhën “e re”. Lefevere citon A. S. Way, që përdor termat traduttore dhe tradittore. Traduttore është përkthyesi konservator, ndërsa tradittore është përkthyesi shpirtëror:

Traduttore, që me vullnet të plotë nuk dëshiron të jetë traditore, mund të mos heqë pjesë nga teksti ose të ndryshojë, dhe të themi që po përkthen me sa është e mundur, në mënyrë të atillë që studiuesi (i pakorruptueshëm) ka kënaqësinë skrupuloze e të mos gjeturit të asnjë fjale që i është bërë bisht, ndërsa lexuesi që nuk di greqisht mund të kalojë, pa më të voglin dyshim, nga një pjesë në një tjetër aspak tërheqëse – ndërkohë që edhe përpjekjet më të mëdha nuk e bëjnë autorin që ka përkthyer të vlefshëm për t’u lexuar (me zë të lartë) as edhe në një shkollë vajzash. (Ibid, f. 34)

Dallimin ndërmjet përkthyesit konservator dhe shpirtëror, ose traduttores dhe tradittores, përkthyesi shqiptar Prof. Edmond Tupja e shpreh në mënyrë elegante, duke përdorur termat përkthyes dhe përthyes.

Por pavarësisht strategjisë së zgjedhur të përkthimit, për Lefevere përkthimi është rishkrimi i veprës në gjuhën e përkthyer, ndërsa vetë përkthyesi, bashkautori në gjuhën e re, atë të përkthyer.

Në synimin për të rivlerësuar rolin e përkthyesit, një nga nismat më të fundit vjen nga Britania. Juria e “Man Booker Prize” ka vendosur që çmimi për autorin më të mirë të huaj të botuar në anglisht, të ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet autorit dhe përkthyesit.

Edhe Umberto Eco është shumë mirënjohës për punën e përkthyesit të tij (Bill Weaver është përkthyesi i veprës nga italishtja në anglisht), kur shprehet për The Telegraph:

The Name of the Rose” nga Bill Weaver është më i mirë se sa “Il nome della rosa” nga Umberto Eco.

Sa i takon botimeve shkencore, ku ekziston mendimi i përgjithshëm që shkalla e “konservatorizmit” të përkthyesit duhet të jetë sa më e lartë, në të gjitha stilet kryesore të referimit të një vepre të përkthyer, kërkohet që krahas emrit të autorit të referohet edhe emri i përkthyesit. Për shembull, stili Çikago, mund të ilustrohet në këtë mënyrë:

  1. Në rastin e bibliografisë:
  • Lahiri, Jhumpa. In Other Words. Translated by Ann Goldstein. New York: Alfred A. Knopf, 2016.[2]
  • Sharma, Ruchir. Ngritja dhe rënia e kombeve. Përkthyer nga Valbona Nathanaili. Prishtinë: Pema, 2017.

2. Në rastin e shënimeve, që zakonisht vendosen në fund të librit:

  • Jhumpa Lahiri, In Other Words, trans. Ann Goldstein (New York: Alfred A. Knopf, 2016), 146.
  • Ruchir Sharma. Ngritja dhe rënia e kombeve. Përkth. nga Valbona Nathanaili (Prishtinë: Pema, 2017), 146.

Në botimet shqip, pas viteve 1990, roli i përkthyesit ka prirjen të minimalizohet. Në kontratat që Shtëpitë Botuese lidhin me përkthyesin, përveç detajeve teknike që kanë lidhje me mënyrën e pagesës, detyrimit të përkthyesit për ta mbajtur veprën e fshehtë dhe të drejtës së botuesit për t’u identifikuar si “pronar i përkthimit”, mungojnë elementet që promovojnë përkthyesin si bashkautor të veprës.[3] Duket se me dorëzimin e veprës lidhjet e mëtejshme ndërmjet krijuesit dhe produktit reduktohen në zero.

Akoma, përsëri për botimet shqip, ekziston dukuria e mosreferimit të përkthyesit të parë, nga përkthyesit e mëvonshëm. Pra është krijuar modeli, arketipi, mostra, por është lënë mënjanë. Këtë fat e kanë kryesisht ata përkthyes, që kanë përkthyer vepra që nuk janë të mbrojtura nga e drejta e autorit. Dukuria është më e mprehtë në rastet kur veprat nuk paraqesin vëllim të madh pune.

2. Referimi dhe mosreferimi i emrit të përkthyesit të parë

RastiJusuf Vrioni  

Ambasador Jusuf Vrioni, përkthyes

Më vitin 1963 Jusuf Vrioni fillon punë si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese 8 Nëntori”, Tiranë. Sapo ka lënë pas shpine 15 vjet burg dhe internime. Fillon të përkthejë, për herë të parë, I. Kadarenë, nga shqipja në frëngjisht. Vepra e zgjedhur është “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Romani botohet në frëngjisht me titull “General de l’armée morte”. Fillimisht në Shqipëri më vitin 1968 nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” dhe, më vitin 1970, në Francë, por në të dyja botimet frëngjisht mungon emri i përkthyesit. Si ish i dënuar për agjitacion dhe propagandë, emri i tij nuk është i denjë për t’u identifikuar. Por vepra ka sukses!

Shtëpia Botuese “8 Nëntori” vendos të botojë një vepër të dytë të Ismail Kadaresë. Dhe përkthyesi është përsëri Jusuf Vrioni. Vepra e Kadaresë botohet në frëngjisht më vitin 1978, përsëri në Francë. Por këtë radhë është edhe emri i përkthyesit, Jusuf Vrioni. Përshtypja e përgjithshme është që veprat e Kadaresë janë po aq të mira edhe në frëngjisht, falë përkthimit të Vrionit. Përkthimet në anglisht të shumë prej veprave të Kadaresë janë bërë nga përkthyesi David Bellos, mbi bazën e frëngjishtes së Vrionit. Në të gjitha rastet, përkthyesi referon Jusuf Vrionin. Më poshtë janë sjellë dy tituj, Piramida dhe Kështjella:

  • Botimi shqip: 1992 Piramida.  Ismail Kadare. Tiranë: Çabej MÇM, 139 f. (ribotuar: Onufri, 2010, 183 f.)
  • Botimi frëngjisht: 1994 La Pyramide (Le Livre de Poche). Paris: Fayard, 158 f.
  • Botimi anglisht: 1996 Pyramid. Ismail Kadare Përktheu në anglisht: David Bellos (transl. from the French of J. Vrionit). New York: Arcade, 161 f.

***

  • Botimi shqip: 1970 Kështjella.  Ismail Kadare. Tiranë: Naim Frashëri, 237 f.
  • Botimi frëngjisht: 1972 Les tambours de la pluie. Ismail Kadare. Paris: Hachette, 342 f.
  • Botimi anglisht: 2008 The siege. Ismail Kadare. Përktheu në anglisht: David Bellos (This translation made from the French translation by Jusuf Vrioni of the Albanian original). New York: Canongate, f. 328.

Rasti  Charles Kenneth Scott Moncrieff

[Foto: https://www.nationalgalleries.org/search/sitter/charles-kenneth-scott-moncrieff]

Charles Kenneth Scott Moncrieff (1889-1930)

Botimi i parë, në anglisht, i veprës së Marcel Proust (1871-1922) “À la recherche du temps perdu” u bë nga Dover Thrift Editions, më vitin 1922, dhe doli në qarkullim, njëkohësisht, edhe në ShBA dhe Angli. Përkthyes ishte Charles Kenneth Scott Moncrieff, bashkëkohës i Marcel Proust-it. Për botimin anglisht, Moncrieff zgjodhi si titull “Remembrance of Things Past (Kujtim i gjërave të së shkuarës), sipas titullit të një prej sonetave të Shekspirit. Në fakt, vetë Proust-i ishte kundër këtij ndryshimi, pasi nuk ishin të pranishme fjalët “kohë” dhe “kërkim” që janë në titullin frëngjisht.

Historia interesante që shoqëron përkthimin anglisht nga Moncrieff gjendet në parathënien e botimit të vitit 2006, të Wordsworth Editions, shkruar nga Ingrid Wassennar f. 16-7.

  • Përkthimi është gjithmonë një art i trazuar dhe të përkthesh Proust-in është si të ecësh në një fushë të minuar.

Shkrimi i veprës kërkoi një kohë jashtëzakonisht të gjatë, – afro 14 vjet, – dhe përsëri nuk mbaroi. Tjetër: gjatësia e fjalive. Së treti, shkalla e lartë e kulturës së referuar. E katërta, fakti që novela nuk u përfundua kurrë. Të gjitha këto shpjegojnë përse Charles Kenneth Scott Moncrieff (1889-1930) nuk ishte thjesht përkthyesi i parë i Proustit në anglisht, por mbeti i tillë deri më vitet ’980. Akoma, Moncrieff pati disa përparësi sa i takon të tjerëve, ndoshta sepse jetoi dhe punoi në kohën që Prousti shkruante veprën e tij: Swann’s Way (vëllimi i parë) është publikuar rreth vitit 1922. Moncrieff ishte i magjepsur mbas vizionit, stilit dhe përfshirjes që kishte vepra; e njëjta punë, e njëjta përpjekje për të formatuar anglishten me frëngjishten e Proustit, për të dhënë edhe për lexuesin anglishtfolës të njëjtën elegancë e përdorim individual të gjuhës, ndonëse është ‘akuzuar’ vazhdimisht se është “tepër korrekt”.

Me këtë titull dhe me të njëjtin përkthim, novela njohu botime dhe ribotime të shumta deri më vitin 1981. Në botimin anglisht të vitit 1981, për herë të parë mbas 59 vjetësh, emrit të Moncrieff si përkthyes i shtohet edhe Terenc Kilmartin. Arsyeja: botimi frëngjisht i vitit 1954 nga Pléiade kishte ndryshime të shumta. Shtëpia botuese franceze kishte skanuar çdo shënim, dorëshkrim a shenjë që gjendej në kopjen origjinale dhe të gjitha ishin pasqyruar në botimin e ri. Kilmartin, përkthyesi “i ri” i veprës, përpos pasqyrimit të ndryshimeve në tekstin e Pléiade, ndryshoi edhe titullin: “Në kërkim të kohës së humbur”. Tashmë, në kopertinë janë dy përkthyes, përkthyesi i parë i veprës, si dhe përkthyesi i dytë: Charles Kenneth Scott Moncrieff & Terenc Kilmartin.

Një rishikim tjetër i tekstit në gjuhën origjinale, në vitet 1987-1989, nga i njëjti botues, Plejad, çoi në nevojën për rishikimin e përkthimit të Moncrieff & Kilmartin. Shtëpia botuese zgjedh përkthyesin D. J. Enright. Tashmë janë tre përkthyes: Charles Kenneth Scott Moncrieff & Terenc Kilmartin & D. J. Enright.

Në fakt anglishtja ka ndryshuar më shumë se frëngjishtja: gjuha frënge është mbrojtur fuqishëm nga ndryshimet, ndërkohë që anglishtja i është nënshtruar përzierjes me neologjisma të ndryshëm. Por me gjithë ndryshimet e herë-pas-hershme që ka pësuar anglishtja, ose që në përkthimin anglisht mund të gjesh “shtesa” që nuk gjenden në origjinal, deri në ditët e sotme, të gjithë i referohen përkthimit të Moncrieff.

Mbas vitit 1987, duke qenë se vepra binte në “hapësirë publike”, të gjitha shtëpitë botuese që morën iniciativën për të botuar veprën, krahas përkthyesve ose redaktorëve të tyre, ruajtën ose citojnë gjithmonë përkthimin e Moncrieff. “Random House” i referohet përkthimit në këtë formë: Përkthyer nga Moncrieff & Kilmartin. Rishikuar nga D. J. Enright. Për më tepër, edhe të gjitha botimet rreth veprës së Proust, u referohen përkthimit të Moncrieff. Botimi i Cambridge “The Cambridge Introduction to Marcel Proust”, autor Adam Watt, Cambridge University Press, 2011, f. ix, shkruan: “Të gjitha citimet u referohen botimit të Vintage Classics në gjashtë volume përkthyer nga C. K. Scott Moncrieff (me përjashtim të “Time Regained”, përkthyer nga Andreas Mayor dhe Terence Kilmartin), rishikuar nga Terence Kilmartin dhe D.J. Enright (Vintage, 2000-2)”. Edhe Penguin Books që më 2003 porositi një përkthim të ri dhe mori nga një përkthyes të ndryshëm për secilin prej shtatë volumeve, përsëri ireferon Moncrieff.

Rasti Petro Zheji” (foto, poshtë) dhe përkthimi i Henrik Ibsen

Petro Zheji

Me një parantezë të shkurtër, Henrik Ibsen (1828-1906) ka vdekur më 23 maj 1906 dhe vepra e tij është në “hapësirën publike” pothuaj në të gjithë botën, pasi kanë kaluar më shumë se 100 vjet nga viti që autori ka ndërruar jetë. Në vendin tonë ka hyrë në hapësirën publike në dhjetor të vitit 1976 (ose janar 1977).

Deri në vitet 2000, të gjitha përkthimet dhe ripërkthimet e dramës së njohur mbajnë firmën e përkthyesit Gjergj Zheji. Botimi i parë i takon vitit 1965. Drama e Ibsen doli në shqip me titullin “Shtëpia e kukullës” (së bashku me “Rosa e egër”), nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Në botimin e dytë të vitit 1976, afro dhjetë vjet më vonë, me të njëjtën dhe të vetmen shtëpi botuese që operonte në atë kohë, Gjergj Zheji duhet t’i jetë rikthyer edhe një herë punës me veprën, sepse ka ndërruar titullin. Në këtë botim të ri, vepra vjen nën titullin “Shtëpi kukulle” (në botim gjendet përsëri edhe drama tjetër “Rosa e egër”, por titulli i saj është i njëjtë). Ekziston edhe një botim i tretë po nga i njëjti përkthyes, i vitit 2006, por nga Shtëpia Botuese “Argeta-LMG”. Titulli është ai i botimit të dytë: “Shtëpi kukulle”.

Duke kërkuar në libraritë e Tiranës për botime të tjera, gjeta edhe një botim tjetër, të së njëjtës vepër nga Shtëpia Botuese “Kuçuku”, viti 2013. Përkthyesi, Artan Duka, kishte zgjedhur titullin “Një shtëpi kukulle”.

Nëse e krahasojmë këtë shembull me shembullin e përkthimit të veprës së Proustit në anglisht, asnjëri nga krijuesit tanë nuk ka pasur fatin të bashkëpunojë me autorin dhe kjo, ndoshta, mund të jetë arsyeja se pse, që në titull, të dy përkthyesit kanë pasur variacione të dukshme. Jo pa qëllim zgjodha këtë vepër, pasi jo vetëm i njëjti përkthyes e ka ndryshuar konceptimin e titullit, por edhe një i dytë ka zgjedhur një variant të ri, pra tre përkthime të ndryshme për një titull: “Shtëpia e kukullës”, Zheji 1965, “Shtëpi kukulle”, Zheji 1976, “Shtëpi kukulle”, Zheji 2006 dhe “Një shtëpi kukulle”, Duka 2013. Zheji e ka rilexuar veprën pas dhjetë vjetësh dhe ka konkluduar me një titull të ri. Shtëpia Botuese që ka botuar përkthimin e së njëjtës vepër nga një përkthyes i ri, z. Duka, nuk e referon përkthimin e Zhejit. Përkthyesi i mëvonshëm, afro 48 vjet pas botimit të parë të përkthimit të parë të së njëjtës vepër ka zgjedhur një titull të ri: kohë të ndryshme japin perceptime të ndryshme – kështu ndodh me leximin e çdo vepre. Por është e arsyeshme që kur kemi sisteme të mëparshme, t’u referohemi, thjesht sepse është më e thjeshtë të ndërtosh koordinatat e, bashkë me to, edhe të gjithë lëvizjen përpara.

Rasti i Zemrës së Edmondo De Amicis

Zemra e Edmondo De Amicis është përkthyer nga tetë përkthyes të ndryshëm, në një interval kohor prej 93 vitesh. Janë tetë përkthyes, nga të cilët një është në Kosovë. Përkthyesin e Kosovës e kam referuar veçan, për shkak të situatës që ka qenë përpara viteve 1990 dhe për këtë arsye nuk është bërë pjesë e analizës. Për Zemrën e Edmondo De Amicis, në Shqipëri, afërsisht çdo trembëdhjetë vjet kemi një përkthyes të ri. Por po ta ndajmë me periudha, situata paraqitet shumë më ndryshe. Përgjatë periudhës 1923-1999, ose për 74 vjet janë vetëm dy përkthyes të ndryshëm, ndërsa gjatë periudhës 1997-2016, ose për 19 vjet, kemi pesë përkthyes të ndryshëm.

  1. 1923 (1932) Zemra Autor Edmondo De Amicis. Karl Gurakuqi (përkth. nga ital.) Botuar Tiranë: Ministria e Arsimit, 1923. Të dhëna fizike III + 254 f.; 19 cm. Shënime: Shtypshkronja “Mbrothësia” e Kristo Luarasit; ka parathënie nga Terenc Toçi, f. I-III. Botimi i dytë, 1932. Tiranë: Shtypshkronja “Nikaj”. Të dhëna fizike IV + 315 f. ; 20 cm. Shënime: ka parathënie nga Mati Logoreci f. I-IV.
  2. 1957 Zemra Autor Edmondo De Amicis. Halit Selfo (përkth.) Tiranë: Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, 1957. Të dhëna fizike 252 f.; me ilustrime.
  3. 1997 Zemra Autor Edmondo De Amicis. Vali Xhixha (përkth.) Botuar Tiranë: Mësonjëtorja e parë, 1997. Të dhëna fizike 266 f.; 20 cm.
  4. 2004 Zemër Autor Edmondo De Amicis. Agim Doksani (përkth.) Xhevahir Lleshi (red.) Tiranë: Uegen, 2004. Të dhëna fizike 243 f.; me ilustrime; 20 cm.
  5. 2005 Zemra Autor Edmondo De Amicis. Klara Kodra (përkth.) Flora Koka (red.) Tiranë: Extra, 2005. Të dhëna fizike 306 f.; 21cm.
  6. 2011 Zemra: ditari i një nxënësi italian Autor Edmondo De Amicis. Jonis Buzi (përkth. nga angl.) Fatos Hoxha (red.) Tiranë: Alba Prim, 2011. Të dhëna fizike 299 f.; 20 cm.
  7. 2016 Zemër Autor Edmondo De Amicis. Rigel Rizaj (përkth. nga origj.) Dorina Basha (red.) Tiranë & Tetovë & Prishtinë: Albas, 2016. Të dhëna fizike 304 f.; 20 cm.

Në Kosovë

1961 (1973)     Zemra Autor Edmondo De Amicis. Anton Çetta (përkth. prej. italisht.) Prishtinë: Rilindja, 1961. Të dhëna fizike 255 f.; me ilustrime; 20 cm. Botim i dytë: 1973. Prishtinë: Rilindja, 279 f.

Rasti i Të mjerëve të Viktor Hygo

Ky roman njeh vetëm dy përkthime në gjuhën shqipe: përpara vitit 1944 nga Kristo A. Dako dhe pas vitit 1944, ku në të gjitha botimet dhe ribotimet është vetëm emri i përkthyesit Misto Treska. Vepra ka në total, me afërsi, 1700 faqe të shtypura në format B5 në variantin e Treskës, ndërsa Dako jo vetëm nuk duhet ta ketë mbaruar përkthimin, por edhe ka punuar me ndonjë variant të shkurtuar, të paktën nga të dhënat që disponon Biblioteka Kombëtare – kontrolloni, ju lutem, numrin e faqeve.

  • 1935    Të mjerët: roman historik Autor Victor Hugo. Kristo A. Dako (përkth.) Tiranë: Kristo Luarasi, 1935. Të dhëna fizike V. 1, 109 f.: me il.
  • 1938    Të mjerët Autor Victor Hugo. Kristo A. Dako (përkth.) Tiranë: Kristo Luarasi, 1938. Të dhëna fizike V. 1, Pj. 2, 184 f.: me il.
  • 1982    Të mjerët Autor Victor Hugo. Misto Treska (përkth.) Dorina Paço (red.) Tiranë: Naim Frashëri, 1982. Të dhëna fizike V. 3, 640 f.
  • 1983    Të mjerët Autor Victor Hugo. Misto Treska (përkth.) Dorina Paço (red.) Tiranë: Naim Frashëri, 1983. Të dhëna fizike V. 1, 579 f.
  • 1983    Të mjerët Autor Victor Hugo. Misto Treska (përkth.) Dorina Paço (red.) Tiranë: Naim Frashëri, 1983. Të dhëna fizike V. 2, 684 f.
  • 2012    Të mjerët Autor Victor Hugo. Misto Treska (përkth. nga origj.) Kujtim Gjonaj (red.) Tiranë: Bota Shqiptare, 2012. Të dhëna fizike V. 1, 526 f.; 20 cm.
  • 2012    Të mjerët Autor Victor Hugo. Misto Treska (përkth. nga origj.) Kujtim Gjonaj (red.) Tiranë: Bota Shqiptare, 2012. Të dhëna fizike V. 2., 605 f. ; 20 cm.
  • 2012    Të mjerët Autor Victor Hugo. Misto Treska (përkth. nga origj.) Kujtim Gjonaj (red.) Tiranë: Bota Shqiptare, 2012. Të dhëna fizike V. 3, 572 f. ; 21 cm.

Konkluzione

Në përkthimet shqip të sjella si shembuj, në të gjitha rastet nuk referohet përkthyesi i mëparshëm sa herë ka qenë i ndryshëm. Ka vepra që janë përkthyer disa herë, nga përkthyes dhe shtëpi të ndryshme botimi, por asnjëherë nuk referohet përkthyesi i mëparshëm. Me argumentin se përkthyesi është bashkautori i veprës në gjuhën e përkthyer, secili nga përkthyesit sjell përvojën dhe strategjinë e tij në përkthimin e ri që i bën të njëjtës vepër. Norma e shkruar, në trajtën e ligjit, nuk e ndalon përkthimin e ri në asnjë nga rastet. Normë e pashkruar, që duket se në rastin tonë mungon, është konsultimi me një përkthim të mëparshëm. Dhe referimi.

Propozime

  1. Ndryshe nga Lefevere që për përkthyesin përdor termin “bashkautor”, mendoj se mund të përdorim termin “kuazi-autor”. Fjala “bashkautor” do të thotë që autori dhe përkthyesi kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, por përgjithësisht nuk është e vërtetë. Ndërsa fjala kuazi, që do të thotë pothuaj (të ngjashëm në një farë mase, por ndryshojmë nga….) është huazuar nga fizika dhe përdoret për të referuar sasinë e energjisë që emetohet nga një thërrmijë e ngacmuar falë ndërveprimit me mjedisin përreth. Energjia e emetuar, pasi është shkëputur nga trupi që e ka lëshuar, vazhdon të përhapet në mjedis, por ndonëse është valë, ka karakteristikat e një thërrmije. Për këtë arsye quhet kuazi-thërmijë.

Në mënyrë të ngjashme, përkthyesi është ai që e merr veprën e autorit dhe e çon në një gjendje të re, nga një gjuhë në një tjetër, nga një kulturë në një tjetër, falë një sërë ndërveprimesh që karakterizojnë këtë ndryshim. Vepra e përkthyer është kuazi-vepër dhe vetë përkthyesi është kuazi-autor.

  1. E drejta për t’u cituar emrat e përkthyesve të mëparshëm, si kur është një, edhe kur janë më shumë. Për veprat që kërkojnë marrjen e të drejtës së autorit – dhe zakonisht është vetëm një shtëpi botuese që e ka këtë të drejtë – problemi është më i thjeshtë. Vështirësia qëndron në veprat që bien në hapësirën publike. Këtu kërkohet vullnet i mirë.
  2. E drejta për t’u paraqitur emri i përkthyesit në kopertinën e librit, me një madhësi fonti modeste e në një vend të përshtatshëm.
  3. E drejta e përkthyesit për të shkruar një parathënie ose pasthënie për botimin shqip. Parathënies së botimit në gjuhën origjinale – nëse ka – mund t’i shtohet edhe një parathënie e vetë përkthyesit, ku pjesë e saj të jetë strategjia e përkthimit, përshtatja që i ka bërë në gjuhën shqipe termave të ndryshëm – si një kontribut ndaj lexuesit shqiptar – zgjedhjen që ka bërë sa i takon gjuhës që ka përdorur (gjuhën zyrtare apo dialekt), pse është bërë kjo zgjedhje etj.

Bibliografi

  • Bączkowska, Anna (Ed.) (2015). Perspectives on Translation. Cambridge Scholars Publishing
  • Chicago Style. Gjetur: http://www.chicagomanualofstyle.org/tools_citationguide.html (dt. 19.3.2018).
  • Lefevere, Andre (1992).  Translation, Rewriting and the Manipulation of Literary Fame. Routledge.
  • Nathanaili, Valbona (2014). Paralele përthyerjesh. Milosao, Gazeta shqiptare, 9 shkurt 2014.
  1. [1] Lefevere A. (1992). Translation, Rewriting, and the Manipulation of Literary Fame. Routledge, f. 38.
  2. [2] Shënim: Shembujt e teksteve të autorit Jhumpa Lahiri, janë sipas http://www.chicagomanualofstyle.org/tools_citationguide.html (Gjetur dt. 19.3.2018)
  3. [3] Shënim, V. Nathanaili: Jam shumë mirënjohëse për Shtëpinë Botuese “Pema” me seli në Prishtinë, për bashkëpunimet e frytshme dhe shumë profesionale për botimin në shqip të disa veprave të huaja.