Nga Edgar Morine
Demokracitë e shekullit XXI do të përballen gjithnjë e më shumë me një problem gjigandesk, të lindur nga zhvillimi i një makine të madhe, ku lidhen ngushtë shkenca, teknika, dhe burokracia. Kjo makinë e madhe nuk prodhon vetëm dije dhe ndriçim mendjesh, ajo prodhon edhe injorancë dhe verbim. Zhvillimet disiplinore të shkencave nuk sollën vetëm avantazhet e ndarjes së punës; sollën edhe problemet e mbispecializimit, të izolimit dhe copëzimit të dijes. Kjo e fundit u bë gjithnjë e më shumë ezoterike, (e mundshme vetëm për specialistët) dhe anonime (e përqendruar nëpër banka të dhënash dhe e përdorur nga instanca anonime, ku i pari është shteti). Po ashtu, dija teknike u rezervohet ekspertëve, kompetenca e të cilëve, në një fushë të mbyllur, shoqërohet me mungesë të kompetencës, nëse kjo fushë ndikohet nga jashtë ose ndryshohet nga një ngjarje e re. Në kushte të tilla, qytetari humbet të drejtën për dije. Ai ka të drejtën të përftojë një dije të specializuar duke kryer studime ad hoc , por nuk ka mundësinë e një këndvështrimi të përgjithshëm dhe të saktë. Për shembull, qytetari nuk ka asnjë mundësi të kontrollojë ose të japë mendim për armën bërthamore. Përdorimi i saj vendoset vetëm nga kryetari i shtetit, pa u konsultuar me asnjë instancë të rregullt demokratike. Sa më shumë politika bëhet teknike, aq më shumë regres pëson kompetenca demokratike.
Problemi nuk ngrihet vetëm për luftën ose krizën. Por edhe në jetën e përditshme: zhvillimi i teknoburokracisë ka vendosur mbretërimin e ekspertëve në të gjitha fushat, që deri atëherë, vareshin nga diskutimet dhe vendimet politike.
Më në thellësi, po rritet hendeku midis një teknoshkence ezoterike, shumë të specializuar dhe qytetarëve, po rëndohet dualiteti ndërmjet njohësve – njohja e të cilëve është e copëzuar, e paaftë të kontekstualizojë dhe globalizojë – dhe injorantëve, domethënë bashkësisë së qytetarëve. Në këtë mënyrë, krijohet një frakturë e re sociale ndërmjet “klasës së re” dhe qytetarëve. I njëjti proces po ndodh, edhe në aksesin ndaj teknologjive të reja të komunikimit, ndërmjet vendeve të pasura dhe të varfra.
Qytetarët i kanë larguar nga fushat politike, të cilat janë zaptuar gjithnjë e më shumë nga “ekspertët” dhe dominimi i “klasës së re” po pengon demokratizimin e dijeve.
Në këto kushte, thjeshtimi i politikes tek teknikja dhe ekonomikja, thjeshtimi i ekonomikes te rritja, humbja e pikave orientuese dhe e horizonteve, e gjithë kjo shkakton dobësimin e civizmit, arratisjen dhe mbylljen në jetën private, ndryshimin e vendeve ndërmjet apatisë dhe revoltave të dhunshme. Pra, edhe pse vazhdojnë institucionet demokratike, jeta demokratike po venitet.
Në këto kushte, para shoqërive të ashtuquajtura demokratike, shtrohet nevoja për të rigjeneruar demokracinë, ndërsa në një pjesë të madhe të botës shtrohet problemi i vendosjes së demokracisë dhe planeti na kërkon të gjejmë një mundësi të re demokratike planetare.
Rigjenerimi demokratik kërkon rigjenerimin e civizmit, rigjenerimi i civizmit kërkon rigjenerimin e solidaritetit dhe të përgjegjësisë, pra zhvillimin e antropo-etikës[1].
- [1] Pyetja që shtrohet është nëse shkolla mund të shndërrohet praktikisht dhe konkretisht në një laborator të jetës demokratike. Sigurisht, do të bëhej fjalë për një demokraci të kufizuar në kuptimin ku pabarazia në parim, ndërmjet atyre që dinë dhe atyre që mësojnë, nuk mund të fashitet. Gjithsesi ( e kërkon autonomia e arritur nga grup-mosha adoleshente) autoriteti nuk mund të jetë i pakushtëzuar dhe mund të vendosen rregulla për të vënë në pikëpyetje vendime të gjykuara si arbitrare. Por, sidomos, klasa duhet të jetë vendi ku mësohet debati i argumentuar, rregullat e nevojshme për diskutimin, ndërgjegjësimi për domosdoshmëritë dhe procedurat e të kuptuarit të mendimit të tjetrit, dëgjimit dhe respektit të zërave që janë devijues dhe atyre në minorancë. Kështu, të nxënit për të kuptuar duhet të luajë një rol qendror në të mësuarin demokratik
- Shkëputur nga libri “Shtatë dijet e nevojshme për edukimin e së ardhmes”
- Përktheu nga frëngjishtja Blerta Hyska