Durimi është çelësi i suksesit

Nga Suela Hoxhaj

Master Shkencor në Fizikë / Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të vajzave dhe gravë në shkencë (2020)

Jam lindur dhe rritur në Patos, një qytezë e vogël naftëmbajtëse në juglindje të vendit, në një familje të thjeshtë, por me shumë norma dhe parime.

Babai ka punuar gjithnjë në naftë, por në sektorin elektrik të mirëmbajtjes, ndërsa nëna ka qenë shtëpiake dhe merrej kryesisht me kujdesin tonë – ushqimin, edukimin, shkollimin. Të dy ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka për ne, të mos na mungonte asgjë, që përkthehej në punë dhe punë pa orar e pa lodhje. Isha fëmija i parë në familje dhe meraku i babait ishte ‘të bëhesha dikush’, ndërsa imi, si ta kënaqja dhe ta bëja krenar. Shkolla për mua ka qenë vetëm studim. Ndërsa familja mbështetje dhe motiv për të qartësuar objektivat.

Në vitin 2007 mbaroj shkollën e mesme. Në aplikim, programi i parë i zgjedhur për studime të larta ishte Fizika! Fizikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universitetin e Tiranës.

Por për herë të parë ndjeva që dikush mund të dyshonte në aftësitë e mia. Nëse fizika ka qenë dikur shumë e kërkuar për industrinë e naftës, kohët kishin ndryshuar. Babai e dinte këtë. U lëkund. Por më besoi kur i thashë: “Do ia dal! Do të të bëj krenar” .

Fillova studimet me synime të qarta. Ndiqja me kujdes çdo orë leksioni dhe çdo orë seminari; dëgjoja me vëmendje profesorët; studioja çdo ditë nga 3-4 orë. Dritat e dhomës sime të konviktit qëndronin ndezur deri natën vonë.

Nuk vonoi edhe ballafaqimi. Ditën që kishim provimin e parë (salla 401, godina B), hyj në fakultet dhe shtangem. Oborri dhe korridori i katit të parë ishin mbushur plot me studentë. Sa shumë paskemi qenë dhe nuk e dija. Ku kishin qenë më parë?!

Instinktivisht pata më shumë siguri në vetvete. U qetësova disi! “Ti do ja dalësh, sepse ke punuar” – më shkonte vazhdimisht nëpër mend.

Provimi i parë u shoqërua me shumë të tjerë. Fillova t’i besoj vetes dhe punës që kisha bërë. Në sezonin e parë u klasifikova si studentja më e mirë në fizikë. Fakulteti më akordoi një bursë të plotë për rezultatet e larta.

Bachelor-in në Fizikë e kam përfunduar me mesataren 9, ndërsa në ceremoninë e diplomimit jam  “Studentja më e mirë e degës Fizikë për të tre vitet e studimit”.

Gjatë periudhës 2010-2012 vazhdova Masterin e Shkencave po në Fizikë, por tashmë më e njohur me rregullat, me profesorët dhe aspiratat për punësim. Sigurisht, ndihesha shumë mirë kur dëgjoja profesorët e mi, se me këto rezultate do të më punësonin në fakultet. Mendova se punësimi do ishte diçka e thjeshtë dhe me meritë. Besoja se do të ndodhte… por jo.

Mora diplomën dhe u gjenda përballë derës së fakultetit, por jo nga brenda. Dyer që më përplaseshin në fytyrë, pedagogë që më kthyen shpinën. A thua se gjithçka u fshi nga kujtesa?

Pas tre muaj kërkimesh, përsëri asgjë. U ktheva në vendlindje. Vetëbesimi zero!

Prindërit edhe më të shqetësuar se unë, ndonëse nuk e shprehnin. Më jepnin kurajë, më thonin se do ta merrja atë që më takonte. Fillova të isha me këmbë në tokë dhe realiste. Në këtë vend nuk funksionon meritokracia.

Më duhej një zgjidhje! Nëse dija zgjidhjen e shumë problemave fizike, pse të mos gjeja dhe zgjidhjen ose çelësin e një pune. Puna e parë u ula të përpiloja CV-në time, të gjeja të gjitha diplomat dhe rezultatet me të cilat krenohesha.

U mundova të merrja letra rekomandim nga profesorët e mi, por edhe pse e vështirë, arrita të merrja tre të tilla. Dosja ime u shpërnda në çdo fakultet dhe universitet të Shqipërisë. Asnjë përgjigje pozitive! Nuk u dorëzova!

Aplikova në shkolla të ndryshme private në qytetin e Fierit, por kërkonin eksperiencë në arsim. Dhe unë nuk e kisha! Rastësisht, e vetmja shkollë private në Patos, kërkonte mësues fizike. E shfrytëzova si mundësi. Puna në arsim, me gjimnazist, m’u duk e vështirë. Dija fizikë, por jo pedagogji. Por përsëri punë dhe punë. Paga ishte përtej minimales: më pak se 20 000 lekë / muaj. Puna në Patos zgjati afërsisht 1 vit akademik (14 nëntor 2012-qershor 2013).

Në qershor 2013 dorëzova sërish dosjen, por këtë radhë zgjodha shkollat private të qytetit të Fierit.  Nuk vonoi shumë dhe erdhën ofertat e para. Zgjodha të bashkëpunoj me “Numanin”, një nga shkollat më të mëdha private të Fierit.

Një falënderim shumë të veçantë për znj. Suzana Numani (Rama), që besoi te rezultatet dhe aftësitë e mia. Por nuk mbarojnë këtu. Javën e parë të tetorit 2013, më telefonojnë nga Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’, Durrës. Ishte Prof. Alma Golgota, e cila më njoftoi se isha përzgjedhur si lektore Fizike (part-time) për dy degë në departamentin e Shkencave Inxhinierike, të cilin ajo e drejtonte. Jam thellësisht mirënjohëse, që profesoreshë Alma vlerësoi meritën dhe më zgjodhi mua. Nuk kishte ndjenjë më të bukur. Fillova të besoja përsëri se puna shpërblehet, herët a vonë. Dhe përsëri mbështetje: znj. Suzana Numani (Rama) gjeti mundësinë që unë të mos hiqja dorë nga ëndrrat: një ditë në javë nuk kisha asnjë angazhim në shkollë, me synimin për të qenë në dispozicion të mësimdhënies në universitet, një bashkëpunim që vazhdon deri më sot.

Por kaq nuk mjaftonte! Dëshiroja të bëhesha pedagoge në ndonjë fakultet të Universitetit të Tiranës ose Universitetit Politeknik të Tiranës. Çdo vit kam aplikuar… çdo vit kam menduar se do fitoja, edhe kur i njihja mirë aplikuesit, por jo… nuk ndodhi. Egoja dhe ambicia nuk më lanë në baltë, pasi ndërkohë që aplikoja, vendosa të hapja një qendër shkencore për kurse.

Kjo u bë realitet në vitin 2017, pesë vjet pas përfundimit të fakultetit dhe pune intensive me nxënës dhe studentë. Vendosa ta hapja pa asnjë bashkëpunëtor. Kërkova për një ambient të përshtatshëm, ku i vetmi kushte ishte të gjendej në një zonë ku të kishte shkolla. SiriuS ishte dhe është e vetmja qendër shkencore për nxënës dhe studentë. Shumë shpejt në SiriuS u regjistruan fëmijë nga të gjitha grupmoshat. SiriuS funksionon pas orës 14.00, që do të thotë se nuk kam hequr dorë nga punët e mëparshme. Një ditë pune për mua fillon në ora 8.00 të mëngjesit dhe përfundon në ora 18.00 pasdite. Afrova pranë SiriuS mësuesit që mësimdhënien e konsiderojnë mision. Pranë qendrës, risi filloj të bëhej mësimi on-line, me nxënës dhe studentë jashtë qytetit të Fierit. Aplikimi i kësaj metode mundësoj të mësuarit nga shtëpia. Sot SiriuS njihet gjerësisht për kurse shkencore on-line, individual ose në grupe. Dëshira për të shpërndarë dije, i kapërceu kufijtë e reales.

Durimi është çelësi i suksesit!