• Komunikatë për shtyp mbi takimin e Ministrave Europianë të ngarkuar për Arsimin e Lartë
  • Pragë, më 19 maj 2001

Përshtati: Valbona Nathanaili 

Dy vjet mbas nënshkrimit të Deklaratës së Bolonjës dhe tre vjet mbas Deklaratës së Sorbonës, Ministrat Europianë të ngarkuar për Arsimin e Lartë, përfaqësues të 32 nënshkruesve, takohen në Pragë, me synim rishikimin e progresit të arritur dhe vendosjen e direktivave dhe prioriteteve për vitet në vijim të procesit. Ministrat riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj objektivit të themelimit të një Hapësire Europiane të Arsimit të Lartë deri më 2010. Zgjedhja e  Pragës për të mbajtur takimin është symbol i vullnetit për të përfshirë të gjithë Europën në procesin e zmadhimit të Bashkimit Euopian.

  • Ministrat mirëpritën dhe shqyrtuan raportin “Në mbështetje të Procesit të Bolonjës” dhe arritën në konkluzionin se synimet e vendosura në Deklaratën e Bolonjës janë pranuar dhe përdorur gjerësisht si bazë për zhvillimin e arsimit të lartë nga shumica e vendeve nënshkruese, universitetet dhe institucione të tjera të arsimit të lartë. Ministrat riafirmojnë se përpjekjet për të promovuar lëvizshmërinë duhet të vazhdojnë për të mundësuar studentët, mësuesit, kërkuesit dhe stafin administrativ të pëfitojnë nga pasuria e Hapësirës së Arsimit të Lartë, nga vlerat demokratike, diversiteti i kulturave dhe gjuhëve, diversiteti i vetë sistemeve të arsimit të lartë.
  • Ministrat i kushtuan vëmendje Konventës të Institucioneve të Arsimit të Lartë Europian mbajtur në Salamanca, më 29-30 Mars dhe rekomandimeve të Konventës së Studentëve Europianë, mbajtur në Göteborg, më 24-25 Mars, dhe vlerësuan përfshirjen aktive të Shoqatës së Universiteteve Europiane (EUA) dhe Unionit Kombëtar të Studentëve në Europë (ESIB) në procesin e Bolonjës. Akoma më shumë, Ministrat u kushtuan vëmendje e vlerësuan shumë iniciativa të tjera të ndërmarra me synim çuarjen e procesit përpara si dhe ndihmës konstruktive të Komisionit Europian.
  • Ministrat vërejnë se aktivitetet e rekomanduara në Deklaratë që lidhen me strukturën e shkallës së diplomimit, janë trajtuar intensivisht e gjerësisht në shumicën e vendeve. Ata vlerësojnë veçanërisht se si po ecën përpara puna me sigurimin e cilësisë. Ministrat njohin nevojën për të bashkëpunuar, me synim trajtimin e sfidave që kanë dalë si pasojë e arsimit transkombëtar. Ministrat njohin nevojën e shtrirjes së perspektivës të të mësuarit përgjatë gjithë jetës.

AKSIONE TË MËTEJSHME NË MBËSHTETJE TË GJASHTË OBJEKTIVAVE TË PROCESIT TË BOLONJËS

Sikurse përcaktohet në Deklaratën e Bolonjës, Ministrat deklarojnë se ndërtimi i Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë është kusht për rritjen e aftësisë konkurruese e tërheqëse të Institucioneve të arsimit të lartë në Europë. Ata përkrahin idenë se arsimi i lartë duhet të konsiderohet si një pronë publike dhe është e do të mbetet një përgjegjësi publike (rregullat etj) dhe se studentët janë anëtarë të komunitetit të arsimit të lartë. Nga kjo pikëpamje, Ministrat komentuan lidhur me vijueshmërinë e procesit sa më poshtë:

  • Adaptimi i një sistemi diplomash lehtësisht të krahasueshme e të lexueshme: Ministrat inkurajojnë fuqimisht universitetet dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë të përfitojnë tërësisht nga legjislacioni kombëtar ekzistues dhe hallkat e tjera Europiane me synim lehtësimin e njohjes akademike e profesonale të njësive të kurseve, diplomave dhe certifikatave e çmimeve të tjera, duke u dhënë në këtë mënyrë mundësi qytetarëve të përdorin me efektivitet kualifikimet, kompetencat dhe aftësitë në të gjithë Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë. Ministrat u bëjnë thirrje organizatave dhe rrjeteve të tilla si NARIC dhe ENIC, të nxisin në nivel institucional, kombëtar e Europian, në mënyrë të thjeshtë, efiçente dhe të drejtë njohjen, duke reflektuar në të njëjtën kohë diversitetin që qëndron në themel të këtyre kualifikimeve.
  • Adaptimi i një sistemi bazuar thellësisht në dy cikle kryesore: Ministrat vënë re me kënaqësi se objektivi i strukturës së diplomimit bazuar në dy cikle kryesore, që e artikulojnë arsimin e lartë në studime para dhe pas diplomimit, janë trajtuar e diskutuar. Në disa vende një strukturë e tillë tashmë është adaptuar, ndërkohë që në disa të tjera, është marrë në konsideratë e po diskutohet me interes të madh. Është e rëndësishme të vemë në dukje se në shumë vende, diplomat bachelor dhe master ose të tjera të krahasuara me diplomat e këtyre dy cikleve, mund të përftohen si nëpërmjet universiteteve, ashtu edhe nga institucione të tjera të arsimit të lartë. Programet, me anën e të cilave mund të përftohet një diplomë, mundet dhe vërtet kanë, orientime të ndryshme dhe profile që variojnë dukshëm, me synim përshtatjen me nevojat e një tregu të ndryshëm individual, akademik e pune, sikurse është konkluduar në seminarin mbajtur në Helsinki mbi shkallët e nivelit bachelor (shkurt, 2010).
  • Krijimi i një sistemi kreditesh: Ministrat theksuan së për të patur një fleksibilitet më të madh në proceset e mësimit dhe kualifikimit, nevojitet adaptimi i disa gurëve themeltarë të përbashkët kualifikimi, të mbështetur nga një sistem krediti si për shembull ECTS ose një që është i përshtatshëm me ECTS, nëpërmjet të cilit të mund të sigurohen si funksionet e transferimit, ashtu edhe të akumulimit. Së bashku me një sistem të dyanshëm njohës të cilësisë, marrëveshje të tilla do të lehtësojnë aksesin e studentëve në tregun Europian të punës dhe rrisin përputhshmërinë, tërheqjen dhe konkurrencën në arsimin e lartë Europian. Përdorimi i përgjithshëm i një sistemi të tillë kreditesh dhe suplementeve të diplomës do të inkurajojnë progresin në këtë drejtim.
  • Promovimi i lëvizshmërisë: Ministrat riafirmuan edhe një herë se objektivi i përmirësimit të lëvizshmërisë të studentëve, mësuesve dhe stafit administrativ sikurse shprehet në Deklaratën e Bolonjës, vazhdon të ketë një rëndësi jashtëzakonisht të madhe. Për këtë arsye, ata konfirmuan angazhimin e tyre për të ndjekur heqjen e të gjitha pengesave për lëvizjen e lirë të studentëve, mësuesve, kërkuesve shkencorë dhe stafit administrativ dhe theksuan dimensionin social të lëvizjes. Ata vunë në dukje mundësitë për lëvizje të ofruara nga programe të ndryshme të Komunitetit Europian dhe progresin e arritur në këtë fushë, si për shembull në nisjen e programit Plani i Veprimit për Lëvizje, miratuar nga Këshilli i Europës në Nice, 2000. Në promovimin e bashkëpunimit Europian për sigurimin e cilësisë, Ministrat njohën rolin jetik që luajnë sistemet e sigurimit të cilësisë në sigurimin e standardeve të larta të cilësisë dhe në lehtësimin e krahasueshmërisë të kualifikimeve në të gjithë Europën. Ata gjithashtu inkurajuan një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet rrjeteve të njohjes dhe sigurimit të cilësisë. Ata theksuan nevojën e një bashkëpunimi të ngushtë Europian dhe të një besimi të dyanshëm si dhe pranimin e sistemeve kombëtare të sigurimit të cilësisë. Më tej, ata inkurajuan universitetet dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë të shpërndajnë shembujt e praktikave më të mira dhe të hartojnë skenarë për pranim të ndërsjelltë të mekanizmave të vlerësimit dhe akreditimit/certifikimit. Ministrat u bënë thirrje universiteteve dhe institucioneve të tjera të arsimit të lartë, agjencive kombëtare dhe Rrjetit Europian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), në bashkëpunim me organet përkatëse të vendeve që nuk janë anëtare të ENQA, për të bashkëpunuar në krijimin e një kornize të përbashkët referimi dhe për të shpërndarë praktikën më të mirë.
  • Promovimi i dimensioneve Europiane në arsimin e lartë: Me synim fuqizimin e mëtejshëm të dimensionve të rëndësishme Europiane të arsimit të lartë dhe mundësisë për punësim për të diplomuarit, Ministrat i bëjnë thirrje sektorit të arsimit të lartë, të rrisë zhvillimin e moduleve, kurseve dhe kurrikulave në të gjitha nivelet me orientim apo organizim përmbajtjeje “Europiane”. Një kërkesë e tillë shtrohet veçanërisht për kurrikulën e moduleve, kurseve dhe shkallëve të studimit të ofruara në partneritet me institucione nga vende të ndryshme, të cilat përfundojnë në njohjen e shkallës së studimit të përftuar nga të dyja palët.

MË TEJ, MINISTRAT THEKSUAN ÇËSHTJET E MËPOSHTME:

  • Të mësuarit përgjatë gjithë jetës: Të mësuarit përgjatë gjithë jetës është një element i rëndësishëm në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë. Në Europën e së ardhmes, ndërtuar mbi bazën e njohurive të bazuara në shoqëri e ekonomi, strategjitë e të mësuarit përgjatë gjithë jetës janë të nevojshme për të përballur sfidat e konkurrencës, përdorimin e teknologjive të reja dhe përmirësimin e kohezionit social, për të patur mundësi të barabarta dhe rritur cilësinë e jetës.
  • Institucionet e Arsimit të Lartë dhe studentët: Ministrat theksuan se është e nevojshme dhe e mirëpritur përfshirja e universiteteve, institucioneve të tjera të arsimit të lartë dhe studentëve si partnerë kompetentë, aktivë dhe konstruktivë në ngritjen dhe modelimin e Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë. Institucionet kanë demonstruar rëndësinë që ka bashkangjitja e tyre në krijimin e një Zone të Arsimit të Lartë të pranueshme dhe efiçente, akoma e shumëllojshme dhe në proces miratimi e adaptimi. Ministrat tërhoqën vëmendjen gjithashtu, se cilësia qëndron në themel të kushteve për besim, domethënie, lëvizshmëri, pajtueshmëri dhe bashkangjitje në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë. Ministrat shprehën vlerësimin e tyre përkundrejt zhvillimit të programeve të studimit me elementë të theksuar të një cilësie të lartë akademike që ndihmojnë në punësime afatgjatë dhe bënë thirrje për vazhdimin e rolit aktiv të institucioneve të arsimit të lartë. Ministrat pohuan se studentët duhet të marrin pjesë dhe të influencojnë në organizimin dhe përmbajtjen e arsimit ofruar nga universitetet dhe institucione të tjera të arsimit të lartë. Ministrat riafirmuan nevojën, shtruar nga studentët, për të patur në vëmendje dimensionin social të procesit të Bolonjës.
  • Nxisim tërheqjen ndaj Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë: Ministrat pranuan rëndësinë e nxitjes së tërheqjes ndaj Hapësirës së Arsimit të Lartë për studentët nga Europa dhe vendet e tjera të botës. Duhet të rriten interesimi dhe mundësia për krahasim e shkallëve të diplomimit në arsimin e lartë Europian, nëpërmjet hartimit të një kornize të përbashkët kualifikimesh, sigurimit të një cilësie koherente, mekanizmave të akreditim/certifikimit dhe përpjekjeve për më shumë informim. Ministrat theksuan në mënyrë të veçantë se, cilësia e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor është dhe duhet të jetë një faktor vendimtar në tërheqjen dhe konkurrencën ndërkombëtare ndaj dhe me Europën. Ministrat ranë dakord se i duhet kushtuar një vëmendje më  madhe përfitimit nga një Hapësirë Europiane e Arsimit të Lartë, e përbërë nga institucione e programe me profile të ndryshme. Ata bënë thirrje për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve Europiane të interesuara në përfshirje të mundshme e perspektiva në arsim përtej kufijve kombëtarë.

NË VAZHDIM

Ministrat u angazhuan të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre në bazë të objektivave të përcaktuara në Deklaratën e Bolonjës, duke u mbështetur mbi ngjashmëritë dhe përfitimet nga ndryshimet midis kulturave, gjuhëve dhe sistemeve kombëtare dhe, mbi të gjitha, duke marrë në konsideratë mundësitë e bashkëpunimit ndërqeveritar, dialogut të vazhdueshëm me universitetet Europiane, institucionet e tjera të arsimit të lartë, organizatat studentore dhe programet e Komunitetit. Ministrat mirëseardhën anëtarët e rinj që i bashkohen procesit të Bolonjës mbas aplikimit të Ministrave, përfaqësues të vendeve për të cilat janë hapur programet Socrates dhe Leonardo da Vinci ose Tempus-Cards të Komunitetit Europian. Ata pranuan aplikimet e paraqitura nga Kroacia, Qipro dhe Turqia. Ministrat vendosën që mbledhja në vazhdim të zhvillohet në Berlin, në gjysmën e dytë të 2003, për të riparë progresin dhe vendosur direktiva dhe objektiva për fazën tjetër të procesit drejt Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë. Ata konfirmuan nevojën për një strukturë që do të ndjekë punën, e përbërë nga një grup që do të ndjekë punën në vazhdim dhe një grup përgatitor. Grupi që do të ndjekë punën në vazhdim duhet të përbëhet nga përfaqësues të gjithë nënshkruesve, pjesëmarrësve të rinj dhe Komsionit Europian; duhet të kryesohet nga Presidenca e Bashkimit Europian që është në ngarkim në periudhën në fjalë. Grupi përgatitor duhet të përbëhet nga përfaqësues të vendeve që organizojnë takimin e mëparshëm ministeral dhe takimin tjetër të radhës, dy shtete anëtare të Bashkimit Europian dhe dy shtete jo-anëtare të Bashkimit Europian; katër përfaqësuesit e fundit zgjidhen nga grupi që ndjek punën në vazhdim. Presidenca e Bashkimit Europian në kohën që funksion grupi i dhënë dhe Komisioni Europian janë edhe ato pjesë e grupit përgatitor. Grupi përgatitor duhet të kryesohet nga vendi që mirëpret takimin tjetër të radhës ministeral.

Shoqata Europiane e Universitetit, Shoqata Europiane e Institucioneve të Arsimit të Lartë (EURASHE[1]), Bashkimet Kombëtare të Studentëve në Europë dhe Këshilli i Europës, duhet të konsultohen me grupet që ndjekin punën në vazhdim.

Me synim çuarjen e procesit para, Ministrat inkurajuan grupet që ndjekin punën të organizojnë seminare me synim eksplorimin e hapësirave të mëposhtme: bashkëpunim lidhur me akreditimin dhe sigurimin e cilësisë, njohjen e çështjeve dhe përdorimin e krediteve në procesin e Bolonjës, zhvillimin e shkallëve të përbashkëta të studimit, dimensionin social me vëmendje të veçantë në pengesat që has lëvizshmëria, të mësuarit përgjatë gjithë jetës dhe përfshirja e studentit.