Drama shqipe e arkivit – Komedia

Në kuadër të MetroFest 3 / 2019

Për të tretin vit radhazi, Teatri i Metropolit organizon MetroFest, një festival me drama të vjetra në gjuhën shqipe, shkruar në shqip ose përkthime, që i përkasin periudhës së fillimviteve 1940. Synimi është më shumë se sa vetëm argëtimi i publikut me repertorin e pasur. Synimi ynë është formimi i një mendimi estetik e qytetar, mbushur me nota empatie, po aq edhe me ato të një krenarie kombëtare.

Për vitin 2019 është menduar që pjesë e repertorit të jenë edhe autorë bashkëkohorë, duke bërë pjesë të analizës edhe vepra të ditëve tona, ndërsa fokusi është “Komedia”.

Specialistët e Sektorit të Edukimit pranë Teatrit të Metropolit, Klea Konomi, Elona Hyseni dhe Klesta Shero, nën drejtimin e përgjegjëses së sektorit, Sonila Kapidani, e kanë ndërtuar punën për përzgjedhjen e dramave në tri faza.

Në fazën e parë, grupi i punës ka hulumtuar në arkivat e Bibliotekës Kombëtare veprat me të cilat do të dëshironin të prezantoheshin. Për këtë, gjatë periudhës janar – mars, fillimisht u krijua një listë me veprat e mundshme. Lista paraqitet si më poshtë, sipas rendit alfabetik:

  1. (1995) “Një histori fisnikësh”;
  2. “Karagjozi egërsinë-zbutës” (1932). Komedi me tre akte. Përkthim i lirë nga Skënder Guri;
  3. “Nita”. Dramë me katër ndodhina;
  4. At Shtjefën Gjeçovi (1902-1904) “Shqyptari ngadhnjyes”. Dramë;
  5. Dhimitër Anagnosti “Nata e trokitjeve në xham”. Dramë;
  6. Dhori Koti (1922) “Luloja”. Komedi xbavore në dy akte (Përkthim i shqipëruar);
  7. Dionis Bubani “Poliagjenti 013”. Komedi me tre akte;
  8. Erenler Ajdinlli “Krisma”. Komedi në 5 akte;
  9. Hivzi Sulejmani “Miu në xhep”. Lojë satirike në tri akte;
  10. Jeronim De Rada (1891)‘Sofonizba”;
  11. Josip Rela (1932) “Sot tetë ditë”. Komedi në dy akte;
  12. Jusuf Buxhovi (1984) “Pranverë e zhveshur”;
  13. Kolë Jakova ‘Toka jonë”. Dramë në 4 akte;
  14. Lisandri Kola “E vërteta e Marias”. Dramë me një akt;
  15. Muharrem QENA “Bashkëshortët”. Dramë me tre akte;
  16. Murteza Peza “Parajsi i humbun”. Dramë në dy akte;
  17. O.V.Gorguzi (1925) “Llazua dha Llazovica”. Komedi në dy akte;
  18. P.K. (1921) “Kolltuku”. Komedi një piesësh;
  19. Sabri Hamiti “Futa”. Dramë në 5 Akte;
  20. Tahir Jaha “Eja, Eja”. Komedi në 3 akte;
  21. Xhemal Broja (1958) “Majlinda”. Dramë me tri akte;
  22. Ylljet Aliçka “Letra”. Komedi me një akt.

Pas identifikimit të listës së mësipërme, secili nga anëtarët e grupit lexoi me kujdes veprën. Në muajin prill, që shënon edhe fillimin e fazës së dytë të këtij projekti të rëndësishëm, fokus ishte përsëri leximi i veprave, ose më mirë rileximi dhe analiza në grup e tyre.

Faza e tretë kishte synim gjetjen e korrelacionit ndërmjet veprave në dispozicion dhe synimeve të MetroFest 3 / 2019. Në përfundim, pjesë e MetroFest 2019 janë këto vepra – së bashku me regjisorët që do të merren me vënien në skenë të tyre:

  1. Me regji nga Sonila Kapidani: P.K. (1921) “Kolltuku”. Komedi një piesësh. Shtypshkronja Vlorë. Autori identifikohet vetëm me inicialet. Personazhet janë 4: 3 M; 1 F, shtuar edhe 2 episodikë. Vendi i veprimit: një kasolle buzë detit në një ishull. Dialekti: nëndialekti i Vlorës së vitit 1920.

  • Interpretojnë: Bledar Naska, Griseld Kapllanaj, Ismail Shino, Mirela Naska
  • Datat kur mund ta ndiqni: 3, 4, 5, 6 tetor 2019
  • Fabula: Një ish-drejtor teatri, dy aktorë të dashuruar dhe një sufler përfundojnë në një ishull të pabanuar në mes të detit pasi u përmbytet anija. Kjo botë e re kërkon një sistem të ri shtetëror. Monarki apo Republikë? Kush do t’i fitojë zgjedhjet? Kush do ta fitojë “kolltukun”?
  1. Me regji nga Rexhina Mollaymeri: “Karagjozi egërsinë-zbutës” (1932). Komedi me tre akte, përkthim i lirë nga Skënder Guri. Personazhet 6 M: Karagjozi; Meni (i biri); Taipi (shok i tij); Miti (një djalë i pashëm); Zani (xhaxhai i tij); Tinger Beu. Dialekti: Gegënisht.
  • Interpretojnë: Aleksandër Kondi, Amarildo Bala, Engjëll Hoxha, Griseld Kapllanaj, Hygerta Bushpeni, Juxhin Plovishti, Noel Kokomani, Urim Aliaj.
  • Datat kur mund ta ndiqni: 17, 18, 19, 20 tetor 2019
  • Fabula: Tinger Beu feston ditëlindjen e vajzës dhe vendos të sjellë në fshat kafshë ekzotike nga xhunglat e largëta. Beu ngarkon karagjozin e fshatit që t’ja zbutë kafshët nëpër kafazë përpara se të habisë dynjanë me shfaqjen e tyre. Por karagjozi dembel dhe qejfli i ther kafshet për t’i ngrënë. Çfarë do të bëjë ai kur të vijë Beu për të parë kafshët?
  1. Me regji nga Elona Hyseni: Josip Rela (12.10.1932) “Sot tetë ditë”. Komedi në dy akte, shkruar në serbokroatisht. Personazhet 8: 4 M; 4 F. Skenografia: Dhoma e ndenjes në shtëpinë e Dobriqit; Dhoma e ndenjes në shtëpinë e Gërkiqit. Dialekti: Gegënisht. Përkthimi nga Ramiz Kelmendi.
  • Interpretojnë: Alba Shtembari, Erin Kujofsa, Ermir Hoxhaj, Ermir Jonka, Iris Karaxha, Klea Konomi, Paola Xhafa, Xhino Musollari
  • Datat kur mund ta ndiqni: 10, 11, 12, 13 Tetor 2019
  • Fabula: Një djalë dhe një vajzë të dashuruar janë në mes të një dileme. A duhet të fitojë dashuria e tyre për njëri-tjetrin, apo mblesëria e përcaktuar nga familjet e tyre? Po sikur dashuria dhe mblesëria ta kishin syrin në të njëjtin vend? Një komedi keqkuptimesh e sqarimesh.
  1. Me regji nga Aldi Hysotoçi: Hivzi Sulejmani “Miu në xhep”. Lojë satirike në tri akte
    Vehtjet 4: 2M; 2 F: “Skerco” – nëpunës në moshë mesatare; e shoqja – grua e re me temperament të gjallë; nënpunësja – vajzë e bukur; peronazhet e tjerë janë episodikë dhe të modifikueshëm dhe mund t’i realizojë një aktor: Pipi/djali; Portieri; Qytetar; Pensioneri; Minatori; Studenti; Katundari; Gjuha: Gegënisht. Vendi i veprimit: Zyra e “Skercos” dhe dhoma e ndenjes në shtëpinë e tij.
  • Interpretojnë: Arjon Osmani, Dritan Boriçi, Enisa Hysa, Eriona Kakeli, Gëzim Rudi, Pamela Rexhepi, Theodhora Dhimo
  • Datat kur mund ta ndiqni: 24, 25, 26, 27 tetor 2019
  • Fabula: Skerco është një nëpunës shtetëror, me aspirata për t’u bërë ministër. Në fund të fundit, pse të mos bëhet? Edhe gruaja e tij është dakort që ai e meriton. Ditët e Skercos janë të ngarkuara me hallet e këtij populli që nuk kënaqet kurrë dhe s’ta di as për faleminderit. Ndërkohë që ëndrrat për përfitime të reja vazhdojnë, portieri i sjell Skercos vendim nga lart. A do të ngrihet Skerco në përgjegjësi, apo do të rrëzohet fare?
  1. Me regji nga Kastriot Ramollari: Koncert Recital Poetik “Poezia e Lasgush Poradecit: Ndrit vash’ e kulluar, në flakë e pushtuar”.
  • Interpreton: Ligoraq Riza / Muzikantë: Margret Radovani, Ejona Nako / Koreografia: Mario Bali / Valltarë: Mario Bali, Luisa Dinellari.
  • Datat kur mund ta ndiqni: 9, 16 tetor 2019
  • Fabula: Një mbrëmje poetike kushtuar poezisë së Lasgush Poradecit, nën interpretimin e aktorit Ligoraq Riza, shoqëruar me muzikë dhe balet, frymëzuar nga vepra e autorit.
  1. Me regji nga Terry Paternoster “BESA”
  • Interpreton: Ermir Jonka
  • Datat kur mund ta ndiqni: 22, 23 tetor 2019
  • Fabula: Nën interpretimin e Ermir Jonkës, vjen një monodramë origjinale që dëshmon mbi eksperiencat dhe vështirësitë e një djali të ri emigrant që lundron drejt Italisë.

Ju mirëpresim në Teatrin e Metropolit!