Nga Tahsin Jonusi
Burimi: Shkëputur nga libri “Pasqyrat e Afërditës” të studiuesit Dionis Qirzidhi / Botuar fillimisht në gazetën “Arbëria”, të vitit 1937
Vërejtje: Në zbardhjen e materialit, janë bërë përpjekjet maksimale për të ruajtur drejtshkrimin e kohës. Është parë me vend të bëhen ndryshime të vogla të parëndësishme, për të lehtësuar leximin. Burimi i referuar është një udhërrëfyes i mirë për të konsultuar origjinalin.
Në fletoren “Drita”, më datë 12 dhjetor 1936, në faqen e tretë, Baba Ali Tomorri, tue ba nji kritikë librit “Historia e Tomorit” me autor Perikli Ikonomi, banë fjalë për Dodonën, se ajo nuk asht gërmadha e gjetun në Kastricën e Janinës dhe se duhet kërkue vetëm në Malin e Tomorit.
Mendimi i Baba Aliut nuk asht i drejtë, sepse Tomori në kohën e vjetër quhesh Tomarus, dhe për këtë shkak besojshin disa, sikurse beson dhe Baba Aliu e të tjerë, se Dodona duhet të jetë pranë këtij, porse me kët emën quhesh dhe nji mal tjetër i cili gjindet në Camëri. Në rrazën e tij u zbulua Dodona, në gjymsën e dytë të shekullit XX, pozicioni i së cilës ka pasë qenë për nji kohë të gjatë nji pikë e errët për vëzhguesit.
Leake[1] e identifikon qytetin e Dodonës me gërmadhat e Kastricës së Janinës dhe asht i mendjes se Orakulli qëndronte mbi shkambin, plateau-ja e të cilit përmban kështjellën e qytetit të naltpërmendun.
Mendimet e Pouquevill-it, i cili barazon Gardhiqin me Dodonën me të drejtë nuk e pranon Leake, porse edhe theza e këtij të fundit nuk asht me vend, pse Dodona nuk mund të identifikohet as me Kastricën, as me Gardhiqin, dhe shumë ma pak duhet të kërkohet në Malin e Tomorit.
Gërmadhat e Dodonës gjinden 4 orë larg, në Jugperëndim të Janinës, në rrazë të Malit Olycka, (Olycka = Tomarus i të vjetërvet), afër vendit të quejtun Dramisus ose Drameschus.
Këtu e kërkoi inglesi Lincoln Dodonën, më 1832, dhe këtu filloi gërmimet Konstatin Karapanos (Dodone et ses ruines, Paris, 1878), mundimet e të cilit nuk shkuen kot, pasi ky zbuloi qytetin Dodona dhe nxuerrë në dritë tempullin e Zeus-it.
Lugina në të cilën gjindet Dramisus, ka nji gjatësi prej 12 km dhe nji gjanësi prej 300 – 1800 m.
Ktu dëshmojnë Autopët (vetpasit) lisat e shumtë dhe të trashë, gjithashtu burimet e shumtë të ujit, për të cilat flasin historianët e vjetër.
Gërmadhat e qytetit të Dodonës qëndrojnë mbi kodrën Kosmirësem – këto quheshin, me gojën e popullit përpara gërmimevet, Paleokastri i Dramis-it. Karapanos zbuloi këtu Theatrin Temeno-s[2] e Zeus-it e të Dionës[3] dhe disa ndërtesa të tjera. Mbrenda Temeno-s u gjetë shtëpia e shenjtë, e cila vonë asht ndërrue në nji kishë kristiane. Në këtë ndërtesë gjeti Karapanos statujë të Zeus-it prej tunxhi dhe pllaka të vogla prej plumbi dhe tunxhi, të cilat përmbajnë dëshirat e atyne qi pyetshin Orakullin dhe përgjigjet e priftënvet.
Me përfundimet, pra qi kanë dhanë këto gërmime, çashtja e Dodonës asht zgjidhun nji herë e përgjithmonë dhe asht nji gja fare e kotë me e kërkue Dodonën në nji vend tjetër.
Por se asht e drejtë pika e dytë qi bie Baba Ali Tomori në kritikën e tij, në të cilën ai banë fjalë për disa vende mbrenda e përqark Tomorit, tue u-bazue në shkrimet e Titus Livius.
Në luftën e dytë ndërmjet Romës e Maqedhonisë, në vjetin 200 para Krishtit, zbret Konsulli Publuis Sulpicius Galba në Pojan, dhe zë vend ndërmjet këti qyteti dhe lumit Seman. Prej këndej dërgon nji pjesë t’ushtrisë, nën urdhënin e Legatit Lucius Apustius, për në viset e Tomorit, ku gjendeshin qytetet dhe kështjellat: Cordio, Antipatreia, Corrhagun, Gerunnium dhe Orgessus, të cilat ishin pushtue prej Filipit V të Maqedhonis më 217 para Krishtit. Të gjitha këto vende u rrënuen krejt, mbasi nuk pranuen t’i dorëzohen Legatit Luci-us Apustius.
Ndër këto asht barazue Antipatreia me Beratin, pse përshkrimet e Livius i përshtaten shumë këti qyteti.
Codroi, Carrhagusm Gerunnium, Orgessus janë shënue në kartën Gjeographike prej H. Kiepert[4] në Veri, Jugë dhe Perëndim të Tomorit, por lokalizimi i këtyre vendeve asht shumë i vështirë, pse lajmet qi na jep Livius [5] janë të shkurtëna dhe të sipërfaqëshme e kështu qi vetëm prej këtij burimi nuk përfitohet gja drejtë për së drejti. Këtu mund të na ndihmojnë ma shumë gërmimet arkeologjike, pse vetëm këto mund të nxjerrin në dritë landën, qi ma shumë se 2000 vjet qëndron tëposh tokës dhe me anën e së cilës mund të caktojmë se asht p.sh. Gradishta e Peshatnit, Codrio dhe Orgessus ose Corrhagusm qyteza e katundit Tomor apo jo.
Për qytezën dhe kalan e Gradishtës banë fjalë Eqrem bej Vlora në librin e tij[6] dhe Camillo Praschniker[7], tue u-bazue në këtë, vizitoi në kohën e luftës së madhe të dy vendet e naltpërmenduna, por për fat të keq – prej kohës së pakët – vëzhgimi i tij i bamun shumë shpejt nuk dha përfundimet e nevojshme.
- [1] Travels of Northern Greece.
- [2] Nji pjesë toke, e veçueme, mrenda së cilës qëndron tempulli i nji Perëndije, distrikti i tempullit.
- [3] Grueja e Zeus-it.
- [4] Formae orbis antiqui XVI
- [5] XXXI, 27
- [6] Aus Berat und von Tomorrm fq. 156 dhe 99.
- [7] Mosakia und Malakastra archadogische Untersuchengen in Mittelalbanien shtyllë 219-220.