NGA CHRIS ANDERSON

Rreth dy vjet më parë, së bashku me drejtorin e përmbajtjes të TED, Kelly Stoetzel, ndërmorëm një udhëtim në kërkim të folësve të talentuar. Në Nairobi, Kenya, takuam Richard Turere, një djalë Maasai, 12 vjeç, i cili kishte bërë një shpikje interesante. Familja e tij rriste bagëti. Një nga sfidat e saj ishte mbrojtja e gjedhëve nga sulmet e luanëve. Richard kishte vënë re se, dritat e ndezura, statike, nuk i pengonin luanët, ndërsa nëse ecje me një pishtar në dorë të ndezur dhe, gjatë gjithë kohës, e lëkundje, funksiononte. Luanët kishin frikë nga drita që ishte në lëvizje. Richard kishte mësuar diçka nga elektronika, duke rrëmuar në pjesët e një radio të vjetër dhuruar nga prindërit. Shumë shpejt i vajti në mendje të ndërtonte një sistem dritash, të cilat fikeshin e ndizeshin në intervale të caktuar kohorë, duke krijuar, në këtë mënyrë, perceptimin e dritave në lëvizje. I gjithë mekanizmi ishte ndërtuar me mbeturinat e gardhit që rrethonte kopshtin, një bateri makinash, panel diellor dhe kutia e indikatorit të një motoçiklete. Richard instaloi dritat dhe – fap – sulmet e luanëve ndaluan. Lajmi për shpikjen e tij shumë shpejt mori dhenë. Edhe fshatrat e tjerë ndërtuan të njëjtin mekanizëm, ose “Sistemi mbrojtës i dritave nga luani të Richard”, sikundër kishte filluar të njihej. Kështu, falë shpikjes së tij, jo vetëm që bagëtitë ishin të sigurta, por edhe luanët nuk vriteshin më. Të gjithë ishin të kënaqur, përfshirë edhe aktivistët e mjedisit.

Sigurisht që ishte një arritje që të mahniste, por në vështrim të parë, Richard nuk të mbushte mendjen për të qenë folës TED. Ai qëndronte i kërrusur, diku në cep të dhomës, pafundësisht i turpshëm. Anglishtja e tij ishte gjysma-gjysma, ndërsa përpiqej të na shpjegonte, saktësisht, shpikjen e tij. Vështirë se kishte njeri që mund ta përfytyronte mbi skenë, në Kaliforni, përpara 14 000 njerëzve, ulur pranë Sergey Brin dhe Bill Gates.

Por historia e Richard ishte aq e veçantë dhe, aq bindëse, sa i morëm parasysh të gjitha dhe vazhduam: Richard, jeni i ftuar në TED për të mbajtur një fjalim. Në muajt që pasuan, punuam shumë me të për të formatuar historinë – të gjenim nga do ja nisnim, si dhe gjithë narrativen e tregimit të saj. Falë kësaj shpikeje, Richard fitoi një bursë studimi në një nga shkollat më të mira të Kenias, shkolla, në fakt, ku u praktikua disa herë, në prani të gjithë nxënësve të saj, përpara se të mbante fjalimin e tij në TED. Praktika e të ushtruarit të folurit përpara një audience e ndihmoi të forconte vetëbesimin deri në atë masë, ku personaliteti i shfaqej në gjithë shkëlqimin e tij.

Për herë të parë fluturoi me avion dhe zbriti në Long Beach, Kaliforni. Ndërsa i drejtohej sallës ku mbahej konferenca TED, mund të mendoni se ishte nervoz, – po. Por në vend që ta pengonte, përkundrazi, ky emocion e përfshiu edhe më shumë, fjalimi i tij u bë edhe më tërheqës.

Ndërsa Richard fliste, njerëzit thithnin çdo fjalë që artikulonte. Çdo buzëqeshje e tij, çlironte sallën. Fjalimi ishte një sukses. Sapo mbaroi, vetëm duartrokitje. Dhe përgëzime.
Përralla e Richard na inkurajon se secili nga ne mund të mbajë një fjalim të mirë. Synimi nuk është të jeni Winston Churchill, ose Nelson Mandela. Synimi është të jeni ju.

Nëse jeni shkencëtar, synoni të jeni shkencëtar, mos provoni të bëheni aktivist. Nëse jeni artist, synoni të jeni artist, mos provoni të bëheni akademik. Nëse jeni një njeri i zakonshëm, mos provoni të hiqeni si një intelektual i madh. Jini vetja juaj. Për të ngritur një turmë në këmbë, nuk ka nevojë të mbani një ligjëratë të stuhishme.

Shpesh mjafton edhe një bisedë e zakonshme. Edhe ajo funksionon më së miri. Në fakt, për shumë nga audiencat kjo është më e mira. Nëse dini si të flisni me një grup shokësh gjatë një darke miqësore, atëherë dini mjaftueshëm rreth së folurës në publik.

Nga ana tjetër, teknologjia ofron mundësi të reja. Jetojmë në kohën kur, për të ushtruar ndikim shumë të madh, nuk është e nevojshme të flisni përpara mijëra njerëzve. Mjafton një video-kamera, në një dhomë të vogël. Interneti bën pjesën tjetër të punës.
Për disa, teoria e prezantimit nuk është një opsion më shumë, por aftësi kryesore për shekullin XXI. Është mënyra më e fuqishme për të ndarë me të tjerët se kush jeni dhe çfarë ju intereson. Nëse mësoni ta bëni, vetëbesimi juaj do të rritet edhe më shumë dhe do të habiteni për ndikimin pozitiv që mund të ketë në rritjen e suksesit, pavarësisht se si e përkufizoni.

Nëse zgjidhni të jeni ju, pra autentik, jam i sigurt se do jeni i aftë të zgjoni nga gjumi këtë art të vjetër që fle brenda jush. Duhet vetëm të shtypni butonin “kurajë” për ta provuar.

Foto në artikull: Creditet, Afrikalive.tv

(Lion lights are flashing lights set up around a perimeter facing outwards; which are used to scare away lions).