Djali që mësoi të mos lëndojë miqtë
Përrallë e huaj. Përshtati dhe përpunoi Valbona Nathanaili
Na ishte kush na ishte! Na ishte një herë një djalë i vogël, por shumë kokëfortë. Sa herë nuk i plotësohej ndonjë dëshirë, zemërohej dhe i pëlqente të shkatërronte e thyente gjërat. Por jo vetëm kaq! Sherret e tij vazhdonin edhe në klasë. Shokët e shoqet nuk kishin dëshirë të shoqëroheshin me të, sepse i ofendonte me fjalë të rënda dhe i lëndonte me sjellje të pamatura.
I mërzitur me të birin, një ditë, i ati e mori për dore dhe e çoi tek gardhi i oborrit, prapa shtëpisë.
Bir, – i tha, – nga tani e në vazhdim, sa herë të zemërohesh e të inatosesh, do të ngulësh një gozhdë me çekiç në këtë gardh. Pas disa kohësh, do mund të shohësh edhe vetë sa herë je treguar i papërmbajtur. Në rregull?
Djali mendoi:
– Pse të kem frikë? Po e provoj!
Pas kësaj, sa herë kishte shpërthime inati ose përfshihej në zënka të ndryshme, shkonte prapa shtëpisë dhe ngulte një gozhdë në gardh.
Por një ditë, ndërsa vajti, si zakonisht, të ngulte gozhdën e radhës në gardh, nuk po lëvizte dot nga vendi. Dukej shumë i befasuar: nuk kishte mbetur as edhe një vend i lirë! Gardhi ishte mbushur me gozhdët që kishte ngulur ai vetë me çekiç.
U ndie me turp:
– Uha! Gjithë këto gozhdë! Sa shumë paskam ngulur! Dhe sa shumë qenkam zënë e inatosur!
Skenën e kishte parë edhe i ati! Pasi mendohet pak, i thotë të birit:
– E pe çfarë kishte ndodhur me gardhin? Mendon edhe ti, si mua, që duhet ta kontrollosh veten? Por le të bëjmë një marrëveshje të re: sa herë të përmbahesh e të jesh i qetë, mund të shkosh përsëri te gardhi, por këtë radhë për të shkulur një gozhdë nga ato që ke ngulur.
Djali mendoi:
– Nëse nuk përmbahem, më duhet të ngul një gozhdë me çekiç, por nëse gjithë ditën ruaj kontrollin dhe nuk përfshihem në sherre, mjafton të shkoj te gardhi dhe të shkul një gozhdë. Të dyja janë të vështira, por kjo e dyta është më pak.
Dhe kështu, për të shpëtuar nga ngulja e gozhdëve, djali vendosi të përmbahej.
Në fillim e kishte tmerrësisht të vështirë, por ditët kalonin dhe djali shkonte te gardhi vetëm në fund të ditës, për të shkulur një gozhdë.
Ditë pas dite, ndërsa sasia e gozhdëve në gardh zvogëlohej, djali mësoi të përmbahej dhe të mos humbiste kontrollin. Derisa një ditë vrapoi shumë i lumtur te i ati:
– Baba, hajde të shikosh gardhin! Nuk ka më asnjë gozhdë! Unë nuk inatosem më!
Të dy, at e bir, iu drejtuan gardhit dhe qëndruan përballë tij: djali me sytë që i shkëlqenin, ndërsa i ati i zhytur në mendime.
Pas pak, me një zë shumë domethënës, i ati i thotë:
– Dëgjo, bir! Shumë mirë! Paske arritur t’i shkulësh të gjitha gozhdët nga gardhi, por vrimat që u hapën ndërsa ato nguleshin, janë prapë aty ku kanë qenë dhe do të jenë po aty përgjithmonë. Sa herë humbasim kontrollin me të dashurit tanë, inati që shfaqim hap një vrimë në zemrat e tyre. Kur e heqim gozhdën, që do të thotë se ne shfajësohemi duke kërkuar falje, vërtet bëjmë gjënë e duhur, por plaga që kemi shkaktuar, njësoj si te gardhi, nuk do të zhduket kurrë!
Morali? Plagët e zemërimit vështirë të shërohen!