Nga Dr. Merita Xhixha
11 shkurti është ‘Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë’. Kjo ditë u shpall nga Kombet e Bashkuara dhe është mbështetur nga UNESCO për të kujtuar, se pjesëmarrja e grave në shkencë duhet të forcohet dhe inkurajohet dhe duhet të garantohen mundësi të barabarta në karrierën shkencore. Këto aktivitete organizohen në të gjithë botën. ‘Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë’ ka synim të frymëzojë, motivojë dhe nxisë vajzat e reja për të studiuar e kontribuar në shkencat e natyrës si: matematika, fizika, kimia, biologjia dhe informatika, ku numri i grave dhe vajzave është më i ulët, si dhe në teknologjinë e informacionit, inxhinierisë dhe mjedisit.
Aktualisht, më pak se 30% e studiuesve në të gjithë botën janë gra. Sipas të dhënave të UNESCO-s (2014-2016), vetëm rreth 30% e të gjitha studenteve femra zgjedhin fushat që lidhen me STEM në arsimin e lartë. Në nivel global, regjistrimi i studentëve femra është veçanërisht i ulët në TIK (3%), shkencë natyrore, matematikë dhe statistikë (5%) dhe në inxhinieri, prodhim dhe ndërtim (8%) dhe në vendin tonë numri i grave dhe vajzave në këto fusha është shumë i vogël. Prandaj, nevojitet që me anë të këtyre aktiviteteve të nxisim, motivojmë dhe përkrahim ato, në mënyrë që numri i vajzave në këto fusha të vijë dhe të rritet. Në vendin tonë duhet të krijohen politika, fondacione ku roli i grave dhe vajzave të jetë një rol kyç si në postet drejtuese dhe ato administrative.
Barazia gjinore ka qenë gjithmonë një çështje thelbësore për Kombet e Bashkuara. Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave do të japë një kontribut thelbësor jo vetëm në zhvillimin ekonomik të botës, por edhe për të përparuar gjithashtu në të gjitha qëllimet dhe synimet e Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Në vendin tonë duhet të krijohen konventa të veçanta për statusin e grave, qasjen dhe pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në arsim, trajnim dhe shkencë dhe teknologji, si dhe për promovimin e punësimit të plotë në fusha të ndryshme të STEM në arsimin e lartë.
Më 20 Dhjetor 2013, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Asambleja e Përgjithshme miratoi një rezolutë për shkencën, teknologjinë dhe inovacionin për zhvillimin, në të cilën njohu që qasja e plotë dhe e barabartë dhe pjesëmarrja në shkencë, teknologji dhe inovacion për gratë dhe vajzat e të gjitha moshave është e domosdoshme për arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave.
Për të pasur pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë në shkencë për gratë dhe vajzat, si dhe për të arritur më tej barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën A/RES/70/212, duke shpallur 11 shkurtin si ‘Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë’.
Situata në Shqipëri
Në vendin tonë, dhe në veçanti në Universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës, janë krijuar programeve universitare mësimore-shkencore të një niveli të përparuar e bashkëkohor teorik, metodik e praktik, të cilat synojnë të përgatisin profesionalisht specialistë të lartë, në fusha si teknologjia e informacionit, edukimi, biznesi, studimet profesionale dy vjeçare që përmbushin nevojat e individëve dhe të punëdhënësve, duke i përgatitur të diplomuarit për karriera të shumëllojshme në tregun konkurrues të punës në përputhje me kërkesat dhe nevojat e shoqërisë në ndryshim dhe zhvillim.
Nëpërmjet zhvillimit të vazhdueshëm të programeve universitare UAMD synon:
- të përgatisë specialistë të profileve të caktuara për fushat që mbulon ose për fusha të reja që dalin, për t’iu përgjigjur nevojave kombëtare e rajonale;
- të kryejë studime shkencore për të zhvilluar më tej dijen në profilet shkencore;
- të ofrojë kualifikim të vazhdueshëm e bashkëkohor për personelin akademik në fushat që mbulon.
Studimet universitare zhvillohen në përputhje me rregullat dhe parimet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë. Diplomat ofrohen në dy gjuhë (shqip dhe anglisht) dhe vlerësimi shprehet sipas Sistemit Evropian të Transferimit të Krediteve (ECTS) dhe Sistemit Amerikan të Krediteve, për të krijuar lehtësi lexueshmërie, transferimi dhe vazhdimi të studimeve universitare në universitetet e tjera brenda dhe jashtë vendit.
Në Universitetin ‘Aleksandër Moisiu’, në Durrës, vihet re një rritje e rolit të grave dhe vajzave si në postet drejtuese dhe ato akademike. Nga gjashtë Fakultete në Universitetin ‘Aleksandër Moisiu’, katër drejtohen nga gra. Rektorja e universitetit është përsëri grua. Në Universitetin ‘Aleksandër Moisiu’, gratë dhe vajzat luajnë një rol të veçantë, si në zhvillimin akademik, ashtu dhe atë administrativ.