Fjala mbajtur në Kolegjin Universitar “Logos”, në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës kundër gruas”

Datë 25 nëntor 2021

Kolegji Universitar “Logos”, në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave” organizon këtë takim ndërgjegjësues, me pjesëmarrjen e pedagogëve, studiuesve dhe studentëve të Kolegjit Universitar “Logos”, si dhe aktivisteve në çështjen e dhunës kundër grave, të ftuar të kontribuojnë me përvojën, studimet e fjalën e tyre për një nga problematikat që po shqetëson shoqërinë shqiptare. Të pranishëm janë zëvendës Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nina Guga, si dhe z. Albert Dervishaj, Nëndrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. I falenderoj për praninë dhe solidaritetin e angazhimin për një çështje kaq delikate.

Një aktivitet i tillë është shumë i rëndësishëm për ne. Për herë të parë një universitet shqiptar merr nismën për ta analizuar këtë shqetësim, në të gjithë kompleksitetin e tij, në disa dimensione, nga pikëpamja ligjore dhe e shkollimit, nga pikëpamja psikologjike dhe e shëndetit mendor, teorikisht dhe me shembuj – të dhimbshëm e shpesh tragjikë – nga jeta jonë e përditshme. Sepse kemi nevojë të integrojmë e bashkërendojmë sa më mirë të gjithë institucionet e mekanizmat që kemi në dispozicion!

Duke qenë se gjithë jetën jam marrë me shkollën dhe mjetet e instrumentet e edukimit, theksoj rolin e jashtëzakonshëm që ka shkolla në përgjithësi dhe mësuesit në veçanti në fitimin e kësaj beteje, në krijimin e një kulture të re, të një ndërgjegjeje qytetare që e dënon dhunën ndaj gruas, jo vetëm teorikisht, por edhe në praktikë. Si institucion universitar, dhe akoma më shumë si qytetarë dhe si komunitet, duhet të përfshihemi të gjithë në eliminimin e dhunës kundër grave dhe vajzave.

Shpresojmë që ky takim t’u vlejë veçanërisht studentëve e studenteve tona, të kuptojnë se kanë një rrjet të fuqishëm ku mund të mbështeten dhe të denoncojnë çdo rast dhune të kësaj natyre. Kemi shumë mangësi sa i takon denoncimit, për shkak të frikës apo edhe mentalitetetit mbytës. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka ngritja e zërit!

Është shumë e rëndësishme që kemi sot, të pranishme, znj. Ina Kasimati, mësuese dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, që do të ndajë me ne rrugëtimin e saj personal; znj. Diana Çuli, shkrimtare dhe aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut, si dhe Prof. Dr. Erlehta Maton.

***

25 nëntori është caktuar si “Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave” në vitin 1999, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në kujtim të vrasjes brutale të tre motrave Mirabal, simbol i luftës së grave për liri, të cilat kundërshtuan regjimin e Rafael Leónidas Trujillo (1930-1961), diktatorit të Republikës Domenikane për mbi 30 vjet. Më 25 nëntor 1960, teksa po shkonin për të vizituar burrat e tyre në burg, tre gratë u ndaluan në rrugë nga ushtarët, të cilët i çuan në një vend të fshehur, i rrahën me shkopinj dhe i përdhunuan, dhe më pas i mbytën dhe i hodhën në greminë me makinën e tyre, në synimin për të simuluar një aksident. Ngjyra zyrtare ndërkombëtare e “Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave” është portokallia. Kjo është arsyeja pse në disa vende dita quhet Dita e Portokallisë.

Ngjyra e kuqe është një tjetër simbol i ditës dhe i fushatës ndërkombëtare kundër dhunës gjinore, bazuar në një instalacion këpucësh të kuqe të vitit 2009 të artistes meksikane Elina Chauvet, e cila ideoi dramën e femicidit me titull “Zapatos Rojos. Termi femicid ka filluar të përdoret për të identifikuar rastet e vrasjes së një gruaje nga një individ mashkull për arsye bazuara në gjini. Ndryshe mund të përkufizohet si “çdo formë dhune, ushtruar sistematikisht mbi gratë, me qëllim përjetësimin e nënshtrimit gjinor dhe asgjësimit të identitetit nëpërmjet nënshtrimit fizik ose psikologjik të gruas, që shkon deri në skllavëri ose vdekje”.

Sivjet, “Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave” është shndërruar në emergjencë edhe për shkak të situatës pandemike. Mbyllja në shtëpi, për shumë gra është përkthyer në rritje të dhunës, nga e cila ka qenë e pamundur të shpëtojnë pikërisht për shkak të rregullave të vendosura.

***

 “Un, po t’isha djalë, do t’i tregojsha botës mashkullore se dora që përkund djepin asht ajo që e rrotullon boshtin e fatit të njerzis, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndrituna ase t’errta. Por mjerisht s’jam djalë dhe si femën nuk mundem me e nxjerrë zanin.” Ky paragraf është shkëputur nga romani “Sikur t’isha djalë”, i Haki Stërmillit, botuar për herë të parë më 1936 dhe është një nga veprat më të komentuara në letërsinë shqiptare. Sipas një synopsi të Dr. Ziaudin Kodra, botuar tek revista “Përpjekja Shqiptare” afro një vit më pas, “Dija, e pajisun me të gjitha vetiat e pastra të Femnës arbënore, ndryshon nga shoqet e saja vetëm pse dëshiron t’i thyej prangat në të cilat qëndron lidhur seksi femnuer shqiptar. Asht liberale. Kërkon lirin. E për të ngritë ketë flamur dëshiron “t’ishte djalë”.

Afro 85 vjet më pas, vepra ka humbur pjesën më të madhe të kontekstit social kur është shkruar. Mirëqenia është rritur me vlera galopante, shumë zakone të kohës janë bërë pjesë e historisë së të shkuarës, ndërsa referenca “Sikur të isha djalë” ka marrë një nuancë krejt tjetër. Liria dhe të drejtat njerëzore janë bërë pjesë e retorikës sonë të përditshme. Teorikisht! Praktikisht, liria individuale, konkretisht liria e gruas, është e kufizuar, ndërsa të drejtat njerëzore nuk respektohen! Dhuna ndaj saj është shembulli më i dhimbshëm dhe i papranueshëm i këtij kufizimi dhe shkelje të drejtash. Sepse eliminimi i dhunës ndaj gruas nuk është shndërruar ende në një angazhim të përgjithshëm tonin. Nëse pranojmë që zgjerimi i lirisë është synimi dhe instrumenti kryesor për zhvillim, shkolla, shkollimi dhe arsimi janë fillesa të rëndësishme, ndërsa dhuna ndaj gruas duhet të trajtohet jo vetëm si shkelje e të drejtave njerëzore, por edhe si mungesë e një lloj lirie – lirisë së gruas për të qenë në gjendje t’i shpëtojë kësaj dhune – apo edhe kufizim i lirisë së saj individuale. Ndërkohë që e para e ka burimin tek cenimi i ligjit, dy të tjerat e kanë burimin në pabarazinë që ekziston në shoqëri ndërmjet burrave dhe grave. Por pavarësisht termit që kërkojmë të gjejmë apo ta emërtojmë, për një gjë jemi të sigurt: sa kohë të kemi dhunë, jeta e grave cilësisht është më e keqe – dhe shpesh herë edhe mbyllet para kohe.

Sa e njohim dhunën kundër grave?

“Gratë, ato të padukshmet”, mund të ishte fare mirë një emërtim tjetër i ditës ndërkombëtare të eliminimit të dhunës ndaj grave. Në poezinë “Miti” të Miriel Rikisejr, poete dhe aktiviste amerikane për drejtësinë sociale dhe barazinë, përshkruhet një dialog ndërmjet sfinksit dhe Edipit, në mbyllje të të cilit, Edipi thotë: “Kur themi burrat, përfshihen edhe gratë. E dinë të gjithë!” Ndërsa sfinksi i përgjigjet: “Kështu mendon ti!”

Dhe kështu jo vetëm është menduar, por kështu edhe është shkruar historia jonë, historia e evolucionit të njerëzimit, e evolucionit kulturor dhe biologjik, një histori ku ka vetëm një personazh, burri: burri që del për gjah, burri që siguron jetesën, burri që mbron familjen, burri që sundon. Gjithçka sipas këtij këndvështrimi, shpesh pa asnjë lloj paramendimi, në mënyrë të pandërgjegjshme, si mënyrë të menduari, të kuptuari, të jetuari. Edhe studimet antropologjike mbizotërohen nga i njëjti këndvështrim maskilist.

Shqipëria është pjesë e kësaj kulture, theksuar edhe më shumë për shkak të gjendjes ekonomike dhe situatës që ka kaluar vendi, shoqëruar me një ndjenjë të thellë mosbesimi ndaj institucioneve përgjegjëse dhe mentaliteti që dënon më shumë viktimën dhe jo dhunuesin. Për fat të keq, shohim vetëm majën e ajsbergut!