Duke paraprirë takimin e Berlinit: Roli i Universiteteve
Prezantimi nga Eric Froment, President, EUA
Përshtati: Valbona Nathanaili
Deklarata e Graz-it është një dokument kryesor politik i EUA, dalë nga Konventa e 2të e Institucioneve të Arsimit të Lartë, organizuar nga tre universitete në Graz, më 28-30 maj 2003, miratuar formalisht nga Këshilli i EUA në takimin e datës 4 korrik, mbajtur në Leuven; transmetuar në takimin e Ministrave Europianë të Arsimit të Lartë në Berlin, më 18-19 shtator 2003, qëllimi i të cilit është të bien dakord mbi përparësitë për fazën tjetër të Procesit të Bolonjës. Kjo është pozita formale e universiteteve të Europës. Ajo u paraqit si e tillë para Ministrave në Berlin dhe do të përfshihet në procedurat e Konferencës. Në këtë mënyrë, Deklarata kërkon të sigurojë një vizion afatgjatë për universitetet dhe të shprehë prioritetet tona për fazën tjetër të Procesit të Bolonjës. Hartuar mbi rezultatet e raportit lidhur me Tendencat 2003, ajo thekson se sfida kryesore është transformimi i ndryshimeve legjislative të shumëllojta që janë ndërmarrë në vende të ndryshme të Europës në këta vitet e fundit, në realitete kuptimplotë me synime akademike e institucionale. Ajo shkon përtej Linjës së Bolonjës për Veprim specifik, duke tentuar drejt një roli më të gjerë të Universiteteve Europiane, në kontekst global, si e shohin ata vetë veten e tyre dhe cilat janë vlerat kryesore që mbartin. Ajo vë në dukje se si e shohin universitetet Europiane rolin e tyre në të ardhmen, identifikon prioritetet për veprim dhe përcakton se çfarë presim nga qeveritë dhe çfarë nevojitet të bëjnë universitetet, për t’u siguruar se do të vazhdojnë të jenë të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë Europiane, nëpërmjet:
- Mbajtjes së përgjegjësisë publike të universiteteve
- Konsolidimit të kërkimit shkencor, si pjesë integrale e arsimit të lartë
- Përmirësimit të cilësisë akademike, nëpërmjet ndërtimit të institucioneve të fuqishëm
- Përkrahjes së zhvillimit të një kornize politike në Europë, me synim sigurimin e cilësisë dhe, sigurisht,
- Duke i dhënë një shtysë të mëtejshme Procesit të Blonjës
Deklarata e Graz-it, në të njëjtën kohë, siguron themelet për përgatitjen e Planit të ardhshëm për Veprim të EUA për periudhën 2004-2005. Unë kam dëshirë të shfrytëzoj rastin e të falënderoj Reporteren e Përgjithshme të Konferencës së Graz-ës, profesor Christina Ullenius, rektore e Universitetit Karlstad dhe kryetare e Shoqatës së Arsimit të Lartë të Suedisë, për kontributin e madh të saj në suksesin e Konferencës dhe në përgatitjen e Deklaratës së Graz-it.
PARAPRIRË NGA BERLINI: ROLI I UNIVERSITETEVE
DERI MË 2010 DHE MË TUTJE
- Universitetet janë qendra e zhvillimit të shoqërisë Europiane. Ato krijojnë, ruajnë e transmetojnë njohuri jetike për mirëqenie shoqërore e ekonomike, në shkallë vendi, rajoni e akoma më gjerë, globalisht. Ato kultivojnë vlerat dhe kulturat Europiane.
- Universitetet avokatojnë Europën e njohurive, bazuar në një kapacitet të fuqishëm kërkimor shkencor dhe një arsim me bazë shkencora, në mënyrë individuale e në partneritet, në të gjithë kontinentin. Diversiteti kulturor e linguistik rrisin mësimdhënien e kërkimin shkencor.
- Zhvillimi i universiteteve Europiane bazohet në një varg vlerash thelbësore: barazi e mundësi; kërkim shkencor dhe bursa në të gjitha disiplinat si pjesë integrale e arsimit të lartë; cilësi e lartë akademike; diversitet kulturor e linguistik.
- Studentët janë partnerët kryesorë në komunitetin akademik. Reforma e Bolonjës do të mund: të lehtësojë paraqitjen e mënyrave fleksibël e individuale të të mësuarit për të gjithë studentët; përmirësojë mundësitë për punësim të të gjithë të diplomuarve dhe t’i bëjë institucionet tona tërheqëse për studentët e Europës apo edhe për ata që u përkasin kontinenteve të tjera.
- Universitetet Europiane janë aktive në shkallë globale, duke kontribuar me ide të reja dhe zhvillim ekonomik të qëndueshëm. Konkurrenca dhe ekselenca duhet të balancohen me kohezion social dhe akses. Reformat e Bolonjës do të mund të jenë të suksesshme vetëm nëse universitetet do të dinë të trajtojnë sfidat globale të konkurrencës dhe rëndësinë e asimilimit të shoqërive më të fuqishme qytetare nëpër të gjithë Europën.
- Universitetet duhet të vazhdojnë të ruajnë nivelet më të larta të cilësisë, qeverisjes dhe udhëheqjes.
UNIVERSITETET SI NJË PËRGJEGJËSI PUBLIKE
- Qeveritë, universitetet dhe studentët e tyre duhet të angazhohen në një vizion afatgjatë të Europës së njohurive. Universitetet duhet të inkurajohen të zhvillohen në forma të ndryshme dhe të gjenerojnë fonde nga një varietet burimesh. Sidoqoftë, arsimi i lartë është, e para dhe mbi të gjitha, një përgjegjësi publike. Për këtë arsye, me synim ruajtjen e vlerave thelbësore akademike e qytetare, duhet të nxisim një përsosmëri të përgjithshme dhe të aftësojmë universitetet të luajnë rolin e tyre si partnerë kryesorë në ecjen përpara në rrugën e zhvillimit shoqëror, ekonomik e kulturor.
- Qeveritë duhet, ndërkohë, të fuqizojnë institucionet dhe autonominë e tyre duke ju siguruar mjedise të qëndrueshëm ligjorë dhe financime. Universitetet pranojnë llogaridhënien dhe marrin përgjegjësinë e zbatimit të reformës në bashkëpunim të ngushtë me studentët e palët e interesuara, angazhohen në përmirësimin e cilësisë institucionale dhe kapacitetin e manaxhimit strategjik.
- Lidhja integrale ndërmjet arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor është në qendër të arsimit të lartë Europian dhe një veçori dalluese e universiteteve Europiane. Qeveritë duhet të ndërgjegjësohen lidhur me këtë ndërveprimi dhe të nxisin një lidhje më të ngushtë ndërmjet Arsimit të Lartë Europian dhe Kërkimit Shkencor, si një mjet në shërbim të fuqizimit të kapacitetit të kërkimit shkencor Europian, pëmirësimit të cilësisë dhe tërheqjes ndaj arsimit të lartë Europian. Për këtë arsye, duhet të njihet plotësisht niveli doktoraturë si cikli i “tretë” në Procesin e Bolonjës. Universitetet Europiane duhet të ngulmojnë që mësimdhënia dhe të mësuarit në universitet të udhëhiqen nga kërkimi shkencor. Studentët e të gjitha shkallëve të studimit duhet të punojnë në mjedise kërkimorë dhe në trainime me orientim me bazë shkencore, me synim pëmbushjen e nevojave të Europës për një shoqëri dijesh.
- Diversiteti i universiteteve në të gjithë Europën siguron një potencial të madh për një bashkëpunim të frutshëm bazuar në interesa, misione dhe forca të ndryshme. Është e rëndësishme vlerësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit Europian dhe rritja e lëvizshmërisë në nivel doktorature e postdoktorature, si për shembull nëpërmjet nxitjes së programeve të përbashkët të doktoraturës, si një mjet i mëtejshëm për lidhjen e hapësirës së Arsimit të Lartë Europian me atë të Kërkimit Shkencor.
PËRMIRËSIMI I CILËSISË AKADEMIKE
NËPËMJET NDËRTIMIT TË INSTITUCIONEVE TË FUQISHËM
- Zbatimi i suksesshëm i reformave kërkon lidership, cilësi dhe manaxhim strategjik brenda çdo instituconi. Qeveritë duhet të krijojnë kushtet për t’u mundësuar universiteteve të marrin vendime afatgjata lidhur me organizimin dhe administrimin e tyre të brendshëm, si për shembull si duhet të jetë struktura dhe balanca e brendshme ndërmjet nivelit institucional, fakulteteve dhe manaxhimit të stafit. Qeveritë dhe universitetet duhet të hyjnë në kontrata të negociueshme për një zgjatje të mjaftueshme, me synim lejimin dhe mbështetjen e risisë.
- Universitetet nga ana e tyre, duhet të përkrahin lidershipin e të krijojnë një strukturë të atillë qeverisjeje, që do të mund të lejojë institucionin si një i tërë, të sigurojë një cilësi të brendshme rigoroze, të japë llogari e të jetë transparent. Studentët duhet të luajnë rolin e tyre, duke marrë pjesë e punuar në komitete të rëndësishëm. Grupet e jashtëm të interesit duhet të jenë pjesë e qeverisjes ose bordeve të këshillimit.
DUKE PËRPARUAR PROCESIN E BOLONJËS
- Procesi i Bolonjës duhet të shmangë super rrregullat e në vend të tyre të hartojë pika referimi, një shkallë të përbashkët studimi dhe përshkrimet e kurseve.
- Duke zbatuar një sistem tre shkallësh (shkalla doktoraturë është e treta) kërkohen ndryshime të mëtejshme. Universitetet duhet të shohin me prioritet veprime të tilla si:
- Konsolidimin e ECTS-së, si një mjet për ristrukturimin dhe zhvillimin e kurrikulës me synim krijimin e një mënyre fleksibël të mësuari dhe me qendër studentin, duke përfshië edhe të mësuain përgjatë gjithë jetës.
- Diskutimin dhe zhvillimin e përcaktimeve të përbashkëta të kornizave të kualifikimit dhe produkteve të mësimit në nivel Europian, ndërkohë që ruajnë përfitimet që sjell diversiteti dhe autonomia institucionale në lidhje me kurrikulën.
- Përfshirjen e akademikëve, studentëve, organizatave profesonale dhe të punësuarve në riprojektimin e kurrikulës, me synim dhënien e një kuptimi krejtësisht të drejtë, sa u takon, shkallëve bachelor dhe master.
- Vazhdimësi në përcaktimin dhe promovimin e aftësive për punësim në një kuptim të gjerë në programin mësimor dhe sigurimin që programet e ciklit të parë ofrojnë opsionin e hyrjes në tregun e punës
- Prezantimin e Suplementit të Diplomës sa më gjerësisht dhe në gjuhët më kryesore, si një mjet që nxjerr në pah aftësinë për punësim, duke e bërë të njohur tek punëdhënës e organizata profesionale të ndryshme.
LËVIZSHMËRIA DHE DIMENSIONI SOCIAL
- Lëvizshmëria e studentit, në vetvete, promovon cilësinë akademike. Ajo i jep mundësi diversitetit të kthehet në një pasuri, duke nxjerrë në pah cilësinë e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor nëpërmjet krahasimit dhe dallimit të përqasjeve të ndryshme mbi mësimin; rrit aftësinë për punësim të individualëve. Lëvizshmëria e stafit ka përfitime të ngjashme.
- Nëse EHEA do të bëhet realitet, qeveritë duhet të: marrin në shqyrtim pengesat që ka lëvizshmëria, të amendojnë legjislacionin në mbështetje të studentëve, si për shembull të studiojnë mënyrat për t’u dhënë studentëve grante dhe hua, të përmirësojnë rregullat për kujdesin shëndetësor, shërbimet sociale dhe lejet e punës.
- Së bashku, qeveritë dhe institucionet, duhet të nxisin lëvizshmërinë nëpëmjet përmirësimit të mbështetjes që u jepet studentëve (duke përfshirë përkrahje shoqërore, banim dhe mundësi për gjetjen e një pune me kohë të pjesshme), këshillim akademik e profesional, mësimin e një gjuhe dhe njohjen e kualifikimeve. Institucionet duhet të sigurojnë se po përdorin të gjitha mjetet në ndihmë të promovimit të lëvizshmërisë, në veçanti ECTS dhe Suplementin e Diplomës. Është e nevojshme të rrisim mundësitë edhe për lëvizshmëri afatshkurtra, lëvizshmëri për kohë të pjesshme, për studentë në distancë e ata të diplomuar.
- Duhet të përmirësohet trajektorja e karrierës për kërkuesit e rinj shkencorë dhe pedagogët, duke përfshirë masa të tilla si inkurajimi i doktorantëve të rinj për të vazhduar punën apo të kthehen në Europë. Masa të veçanta i duhen kushtuar perspektivës gjinore, për karrierë të dyanshme brenda familjes. Duhen hequr kufizimet në transferimin e të drejtave të pensioneve përmes pensioneve të lëvizshëm dhe formave të tjera të përkrahjes shoqërore.
- Në një Europë konkurruese, është thelbësore rritja e pjesëmarrjes së gruas në mësimdhënie dhe kërkim shkencor. Barazia gjinore promovon cilësi akademike dhe universitetet duhet të marrin pjesë në promovimin e saj nëpërmjet politikave të tyre lidhur me manaxhimin e burimeve njerëzore.
- Raporti Tendenca 2003 demonstron se informacioni bazë, në veçanti ai që lidhet me çështje të lëvizshmërisë, është i papërshtatshëm. Qeveritë kombëtare duhet të kooperojnë me synim përmirësimin e të dhënave statistikore e atyre që lidhen me punën me Komisionin Europian, për të riparë mekanizmat ekzistues të monitorimit. Duhet të ketë më shumë kërkime lidhur me çështjet e zhvillimit të EHEA.
- Programet dhe shkallët e përbashkëta të studimit janë një mjet i shkëlqyer për fuqizimin e bashkëpunimit Europian. Qeveritë duhet të heqin pengesat ligjore në dhënien dhe njohjen e shkallëve të përbashkëta të studimit si dhe të marrin në konsideratë kërkesat financiare për një bashkëpunim të tillë.
- Institucionet duhet të identifikojnë nevojën për, e më pas të zhvillojnë, programe të përbashkëta, duke promovuar shkëmbimin e praktikave më të mira të projekteve pilot të ndryshëm dhe duke siguruar një cilësi të lartë nëpërmjet inkurajimit të përcaktimit të rezultateve të të mësuarit, kompetencave dhe përdorimit të gjerë të krediteve ECTS.
SIGURIMI CILËSISË: NJË KORNIZË POLITIKE PËR EUROPËN
- Sigurimi i cilësisë është një çështje madhore në procesin e Bolonjës dhe rëndësia e një elementi të tillë po rritet nga dita në ditë. EUA propozon një politikë koherente QA për Europën, bazuar në besimin që: autonomia institucionale krijon dhe kërkon përgjegjësi; universitetet janë përgjegjës për zhvillimin e kulturave të brendshme cilësore dhe se progresi në nivel Europian, ku gjenden të përfshirë të gjithë aktorët kryesorë, është një hap tjetër i rëndësishëm.
- Një kulturë e brendshme cilësore dhe procedura efektive ushqejnë arritje vibrante intelektuale dhe arsimore. Të njëjtit qëllim i shërbejnë edhe një lidership, manaxhim dhe qeverisje efektive. Me kontributin aktiv të studentëve, universitetet mund të monitorojnë dhe vlerësojnë të gjithë aktivitetin e tyre, duke përfshirë programet e studimit dhe shërbimin e departamenteve. Procedurat për sigurimin e cilësisë së jashtme, përmes auditimit institucional, duhet të fokusohen në kontrollin e faktit se sa efektiv është bërë monitorimi i brendshëm.
- Synimi i dimensionit Europian në sigurimin e cilësisë është promovimi i një besimi të ndërsjellë dhe përmirësimi i transparencës, ndërkohë që respektohen diversiteti në kontekst kombëtar dhe në Hapësirat e veçanta.
- Procedurat QA për Europën duhet të: promovojnë cilësi akademike dhe organizacionale, respektojnë autonominë institucionale, zhvillojnë kulturë të brendshme cilësore, të jenë me kosto efektive, përfshijnë vlerësimin e agjencive QA, minimizojnë burokracinë dhe koston si dhe të shmangin rregullat e tepërta.
- Më tej, EUA propozon që grupet e interesit, dhe në veçanti universitetet, duhet të bashkëpunojnë për të ngritur përkohësisht “Komitetin e Arsimit të Lartë të Cilësisë për Europën”. Një komitet i tillë duhet të jetë i pavarur, të respektojë përgjegjësinë e institucioneve për cilësi dhe të demonstrojë aftësi për t’ju përgjigjur shqetësimeve të publikut; duhet të gjejë vend një forum për diskutimin dhe, përmes emërimit të një bordi të vogël, të monitorojë zbatimin e kodit të propozuar mbi parimet, për të zhvilluar një dimension të vërtetë Europian në sigurimin e cilësisë.
- Procesi i Bolonjës fillimisht u drejtua politikisht. Por, aktualisht, po fiton terren për shkak të pjesëmarrjes aktive dhe vullnetare të të gjithë partnerëve të interesuar: institucione të arsimit të lartë, qeveri, studentë dhe grupe të tjera interesi. Më poshtë, reformat nuk janë të mjaftueshme për të arritur objektivat ambicioze të vendosur për 2010. Sfida kryesore tani është të sigurohemi se reformat janë shndërruar në funksione kryesore institucionale dhe trupëzuar me proceset e zhvillimit, për t’i bërë ato të vetë-qëndrueshme. Universitetet duhet të kenë kohë për të transformuar ndryshimet legjislative në synime të kuptimta akademike dhe realitete institucionale.
- Qeveritë dhe grupet e tjera të interesit është e nevojshme të pranojnë shtrirjen e risisë institucionale, kontributin vendimtar që universitetet po bëjnë e duhet të bëjnë në Hapësirën Europiane të Kërkimit Shkencor dhe, në terma afatgjatë, zhvillimin e shoqërisë Europiane të dijes, sikurse është përshkruar në Deklaratën e Lisbonës të Bashkimit Europian. Duke vepruar bashkarisht, arsimi i lartë Europian – i cili prek aktualisht jetët e më shumë se gjysmës së popullsisë së Europës, mund të përmirësojë të gjithë kontinentin.
Leuven, 4 korrik 2003