
Filozofia ka saktësuar disa degë të njohura, megjithëse ato nuk janë aq qartësisht të ndara nga njëra-tjetra sikurse mund të duken, gjë që është e argumentueshme, pasi nuk mund të kuptohet realisht çdo pjesë e filozofisë pa pasur idenë e së tërës. Kjo në të vërtetë është edhe dobësia kryesore e filozofisë anglofone, por jo sepse kjo filozofi është shumë e stërholluar ose analitike, por sepse është shumë e specializuar. Kur dikush arrin ta quajë veten filozof, ndërsa zbavitet me çfarëdo vështrimi në estetikë, në filozofinë politike, në moral ose religjion, kjo do të thotë se diçka nuk shkon me konceptin e tij për lëndën. Është e domosdoshme të ndahet filozofia e pastër nga filozofia e zbatuar. Së pari, filozofia i krijon vetë pyetjet dhe përgjigjet. Së dyti, ajo arrin të eksplorojë themelet e disiplinave, çështjet e të cilave ajo nuk mund t’i kontrollojë.
(a) Filozofia e pastër. Në përgjithësi janë njohur katër degë:
- (i) Logjika: studimi i arsyetimit. Cilat forma të argumentit janë të vlefshme dhe pse? Çfarë pason mbas fjalës çfarë dhe çfarë pason pas fjalëve, kuptimi ‘ndiqet nga’? Çfarë janë ‘ligjet e mendimit’, apo nuk ka të tilla? Cili është dallimi mes të vërtetës së domosdoshme dhe të vërtetës kontingjente [1](jo e domosdoshme, aksidentale)? Dhe kështu me radhë.
- (ii) Epistemologjia: teoria e njohjes. Çfarë mundem unë të di dhe si? A e siguron perceptimi njohjen? Çfarë garancie kam unë në gjykimet që bazohen në kujtesë? A është njohja e të kaluarës ligji universal për të ardhmen? A mundet njohja ta tejkalojë përvojën? Dhe kështu me radhë.
- (iii) Metafizika: teoria e qenies. (E quajtur e tillë sipas një libri të Aristotelit, i cili vjen pas Fizikës (meta ta phusika – përtej fizikës, dhe në këtë mënyrë i dha dhe emrin këtij koncepti.) Çfarë ekziston? Çfarë është ekzistenca? A ekziston Zoti? Cilët janë elementët bazë të botës? A ekzistojnë pronat, si dhe individët që i posedojnë ato? Dhe kështu më radhë. Disa degë të metafizikës janë aq të rëndësishme, saqë trajtohen ndarazi. Më e dallueshmja ndër këto të fundit është filozofia e mendjes.
- (iv) Etika dhe estetika: teoria e vlerave. A ka vërtet ndonjë dallim midis këtyre gjërave, veprimeve, afeksioneve, atyre të cilat janë të mira dhe atyre që janë të këqija ose të liga? A mundemi ne ta justifikojmë besimin se duhet të bënim këtë gjë në vend që të bënim atë gjë? Çfarë është virtyti dhe përse na duhet ta kultivojmë atë? Çfarë është e bukura dhe pse duhet ta ndjekim atë? Dhe kështu me radhë.
(b) Filozofia e zbatuar. Ka aq shumë degëzime të kësaj dege sa ka dhe raste të marrëzisë njerëzore. Të një rëndësie të veçantë janë degëzimet e mëposhtme:
- (i) Filozofia e religjionit. Kjo degë disa herë ka dashur të përfshijë teologjinë, kështu që kjo duhet të jetë më e kujdesshme kur thotë se subjekti i saj është posibiliteti i teologjisë.
- (ii) Filozofia e shkencës: një degë e epistemologjisë (e përqendruar te vlefshmëria e metodës shkencore), së bashku me një degë të metafizikës (e përqendruar te ekzistenca e entiteteve të postuluara nga shkenca, si për shembull kuant dhe kuark, të cilat janë metafizikisht shumë problematike).
- (iii) Filozofia e gjuhës – që ka të bëjë me të kuptuarit logjik të një fjale ose fraze gjuhësore, dhe me komunikimin. Kjo degë gjithnjë e më shumë e rëndësishme e lëndës, tani kërcënon që të përfshijë brenda vetes të gjithë kujtesën filozofike, qëkurse shumë pyetje filozofike mund të riformulohen si pyetje rreth të kuptuarit logjik të një fjale ose fraze gjuhësore.[2]
- (iv) Filozofia politike. Është dega më e vjetër e filozofisë së zbatuar dhe tema e parë e kryeveprës të padiskutueshme të filozofisë perëndimore, Republika e Platonit[3].
- (v) Etika e zbatuar. Një degë në rritje e lëndës, që po përfshin aplikimin e argumenteve filozofike, për të specifikuar problemet morale, si për shembull, sjelljet seksuale, etikën e biznesit, abortin dhe eutanazinë.
Si kusht për të studiuar shumicën e këtyre çështjeve, është normale të studiohet historia e filozofisë. Historia filozofike ngre një pyetje interesante: Çfarë eshtë nënkuptuar nga historia e filozofisë dhe pse është e rëndësishme ajo? Nëse filozofia është me të vërtetë lënda ‘moderne’, sikurse e kam supozuar edhe unë, çfarë nevoje ka ajo për të pasur historinë e saj? Ashtu siç është zhvendosur në mënyrë progresive, historia e shkencës, nëpërmjet suksesit të vet, pse nuk është zhvendosur progresivisht edhe historia e filozofisë? Një fizikan mundet që me papërgjegjshmëri të injorojë gjithçka me përjashtim të cakut të fundit të fizikës dhe, megjithatë të jetë ekspert për këtë. Në të kundërt, dikush me njohuri të papërshtatshme për fizikën (për sistemin e fizikës, i cili tashmë është pranuar si i vërtetë), mundet megjithatë të jetë një historian kompetent i fizikës, i aftë për të eksploruar dhe përjashtuar supozimet dhe domethëniet shkencore të shumë hipotezave të rrëzuara. (Kjo është arsyeja pse shkenca dhe historia e shkencës janë disiplina akademike të ndara).
Një përgjigje është kjo: pyetjet filozofike janë përfundimtare dhe për këtë arsye, ato shtrihen në limitet e të kuptuarit njerëzor. Është e vështirë të dish nëse ne vërtet i kemi njohur ato. Prandaj, në mënyrë që t’i kuptojmë këto pyetje, duhet të studiojmë punimet e mendimtarëve te mëdhenj të cilët janë ndeshur me to, sepse intelekti i tyre superior, edhe kur është ngatërruar nga besimet e dala mode dhe nga konceptet e zhvlerësuara, na ka drejtuar me shumë vërtetësi kah zemrës së lëndës, me tepër nga sa do të arrinim të drejtoheshim nga vetë aftësitë tona. Një studim i tillë na prezanton me arritjet më të larta të mendimit njerëzor; ai na ndihmon të heqim paragjykimet dhe të shohim rrënjët e tyre.
- [1] Term që vjen nga latinishtja contingent-, contingens, folja contingere: të kesh kontakt me, ndodh, – e formuar nga com- + tangere, me prek — më e afërt me tangent.
1 : ngjan se ndodh, por jo me të vërtetë : e mundshme
2 : jo e domosdoshme logjikisht: empirike
3 a : që ndodh nga rasti ose nga një shkak i paparashikuar b : pasojë që vjen si rast i paparashikuar : e paparashikueshme c : ka qëllimin të përdoret në rrethanat që janë jo plotësisht të parashikueshme. - [2] Shumë filozofë, sidomos filozofë të shekullit të XX, janë prekur nga besimi se filozofia e gjuhës është baza themelore e të gjitha problemeve filozofike, sepse gjuha është ushtrimi dallues i mendjes, dhe mënyra e spikatur me të cilën ne i japim trajtë besimit metafizik. Rrafshi më i veçantë i kësaj filozofie, përmbledh në vetvete problemet e formës logjike dhe të bazës ndarëse midis sintaksës dhe semantikës.
- [3] Republika është nga veprat kryesore të Platonit në lidhje me shtetin. Te Republika e tij, Platoni jep konceptet për shtetin modern, karakterin e pushtetit, drejtimin e shtetit. Në këtë vepër zhvillohet veçanërisht krahasimi midis drejtësisë dhe rendit, e parë si ndarje e shpirtit në fillim dhe e shtetit më pas.