• Sabiana Seferi ka fituar të drejtën për të ndjekur studimet në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, në degën “Mjekësi e Përgjithshme”; ish-nxënëse në gjimnazin “Ismail Qemali”, Tiranë.
  • Intervista është për rubrikën “Novela të qytetit të Tiranës”

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Si e vlerësoni dhe gjykoni rolin e shkencëtarëve në përballjen dhe zgjidhjen e situatës Covid-19?

Sabiana Seferi: Covid-19, sëmundja që shkaktohet nga virusi Sars Cov-2, i shfaqi rastet e para në vitin 2019 dhe duket se do vazhdojë të jetë e pranishme në mesin tonë për një kohë të gjatë. E vetmja mënyrë për ta luftuar është nëpërmjet një vaksine. Në të kaluarën, shkencëtarëve iu duheshin mesatarisht 10 vjet për ta shpikur dhe prodhuar vaksinën përkatëse të një sëmundje infektive. Por besoj se kohët kanë ndryshuar! Nuk mund t’i falim këtij virusi, që sa vjen e bëhet më vdekjeprurës, jetët e milionave njerëzve në të katër anët e botës.

Shkencëtarët, edhe pse në një garë të jashtëzakonshme në gjetjen e vaksinës, nuk premtojnë vaksinë deri në mars të vitit 2021. Sigurisht, edhe kjo një datë shumë optimiste. Por duhet theksuar se grupet kërkimore të shkencëtarëve më të mirë të botës, mjekë dhe virologë, pjesë e institucioneve të ndryshme, si për shembull pjesë e “Gates Foundation”, janë duke punuar për gjetjen e vaksinës. Nga ana tjetër, një vaksinë, që të përdoret për një numër të madh njerëzish, ose ndryshe që të marrë aprovimin nga autoritetet shëndetësore të një vendi apo edhe të të gjithë  botës, duhet të kalojë tre faza shumë të gjata testuese, përpara se të realizojë “imunizimin e tufës”. Deri më tani ka shumë vaksina kandidate, disa prej të cilave janë në testin e fazës së parë, dhe të tjera, si për shembull ajo e Oksfordit, që po kalojnë në fazën e dytë të testimit. Sipas njoftimeve për shtyp, është me vlerë të theksojmë që njohuritë për krijimin e vaksinës për virusin Sars, e vitit 2003, vlejnë edhe për Covid 19, si pjesë e familjes së koronaviruseve.

Padyshim që shkencëtarët ishin krejtësisht të çorientuar në javët dhe muajt e parë të shpërthimit të sëmundjes. Virusi ishte i panjohur! Hera e parë që përballeshin me një të tillë. Nuk ka kaluar as edhe një vit, dhe njohuritë në lidhje me këtë sëmundje e virus që ka shkaktuar këtë pandemi, janë shtuar jashtëzakonisht shumë.

E vlerësoj shumë punën e shkencëtarëve. Njohuritë për llojin e virusit, shpërndarjen, ndërtimin, simptomat, parandalimin apo kufizimin e tij, mënyra e trajtimit të rasteve pozitive, testimi, gjithçka i atribuohet atyre që punojnë pareshtur për të zbuluar sa më shumë për këtë kërcënim që i bëhet gjithë civilizimit njerëzor.

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Shkolla po zhvillohet në situatën e pandemisë COVID-19, sipas protokolleve të vendosur nga Ministria e Arsimit. Ndërsa vitin e mëparshëm shkollor e mbyllët duke zhvilluar mësim on-line. Çfarë dëshironi të ndani me lexuesin për këto dy periudha.

Sabiana Seferi: Viti akademik që mbylla, si maturante, në qershor të vitit 2020, ishte padyshim viti më i vështirë shkollor që kam kaluar. Nga shtatori dhe deri në nëntor, na shoqëruan tërmetet e tmerrshme, kur jo më të pakta ishin dëmet me pasoja psikologjike, shoqëruar me frikë dhe ankth. Pothuaj të gjithë, pa bërë dallim, nxënës, mësues e prindër, patëm problemet tona. Më pas filloi karantina e kaluam në izolim të plotë për shkak të pandemisë nga Covid-19.

Kalimi në mësim on-line ishte si të ecnim në zone të minuar, ku nuk kishim shkelur më parë. Si përvojë e parë, besoj se ishte e vështirë për të gjitha palët e përfshira. Në fillim të gjithë e kishim të paqartë se si do të procedonim. Ishim të hutuar! Më pas, me kalimin e ditëve, edhe mësimi on-line filloi të shndërrohej në rutinë. Filluam të mësoheshim me mënyrën që kishte zgjedhur çdo mësuese për ta zhvilluar mësimin në distancë.

Kam fatin që kam qenë nxënëse në gjimnazin “Ismail Qemali”, një nga gjimnazet më të mira të Tiranës. Duhet të veçoj përkushtimin dhe zellin e mësuesve për përgatitjen tonë, sidomos për ne që ishim maturantë dhe do na duhej të përballeshim me provimet e “Maturës Shtetërore”.

Ka qenë e vështirë të mësonim me Zoom, Skype, Whatsapp, Google classroom apo me gjithfarë platformash të tjera që u përdorën në atë kohë. Ditët e para, personalisht, e kisha të vështirë të zgjohesha herët për mësim, meqenëse nuk shkonim fizikisht në shkollë. Dhe si unë, pothuaj të gjithë shokët e shoqet e mi. Por më pas u mësuam dhe u bë rutinë.

Kam qenë anëtare e “Qeverisë së Shkollës” dhe kemi realizuar shumë punë dhe projekte on-line. Nëpërmjet video mesazheve dhe fotove që dërgonim kemi realizuar aktivitete të bukura, përfshirë edhe takime on-line, duke qëndruar aktivë, sikur të ishim në shkollë. E vërtetë që jemi lodhur, por në fund ia ka vlejtur. Ndoshta ngarkesa ka qenë e madhe, pikërisht sepse na mungonte përvoja në këtë drejtim.

Një ditë na duhej të dorëzonim, njëkohësisht, dy projekte: një në lëndën e fizikës dhe një tjetër në atë të kimisë. Përpos edhe disa detyra të tjera. Si grupe kishim punuar shumë, por unë kisha detyrën t’i bashkoja dhe të realizoja videot prezantuese. Atë natë nuk vura gjumë në sy, vetëm që të kapja afatin e orës 12 të ditës tjetër.

Në atë periudhë, për të mësuar, kam parë shumë video shpjeguese në anglisht, pothuaj për secilën nga temat e reja që merrnim, sikundër edhe për t’u përgatitur për “Maturën Shtetërore”. Kam punuar me shumë libra të viteve të kaluara, botime të ndryshme. Në periudhën mars-prill, kur çdo gjë ishte e pasigurt, pothuaj të gjithë ne nuk donim që të zhvilloheshin provimet. Tani që i kaluam me sukses, mendoj se ishte mirë që u futëm në provime, edhe pse mund të kemi fituar një palë syze nga qëndrimi me orë të tëra përpara ekranit të kompjuterit apo laptopit.

Mësimi on-line që zhvilluam gjatë kohës së karantinës ka pasur edhe anët e tij pozitive. Më duket sikur të gjithë u lidhëm më ngushtë me njëri-tjetrin, si fizikisht edhe virtualisht. Me miqtë komunikonim gjatë gjithë kohës, ndërsa me shokët e klasës ndanim edhe ndonjë shaka në lidhje me incidente apo histori që na ndodhnin gjatë mësimit on-line. Mësonim dhe përsërisnim së bashku. Me familjen ishim pranë gjithë kohës, në ndjekje të ‘numrit të të prekurve ditorë’. Shumica e nxënësve e kishin problem të shfaqnin fytyrën në kamera, edhe pse mësuesit kërkonin vazhdimisht përgjigje nga ne përmes mikrofonave e kamerave. E vetmja gjë që s’ndryshonte për mua nga mësimi në klasë ishin emocionet përpara një provimi. Kjo ka qenë, në vija të përgjithshme, përvoja ime me mësimin on-line, që uroj të zgjasë sa më pak e t’i kthehemi normalitetit.

Dua të ndaj me lexuesit edhe një lajm shumë të bukur për mua: në nëntor filloj studimet në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, dega Mjekësi e Pergjithshme. Uroj të jemi pjesë e një brezi doktorësh të aftë dhe të zotë!

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Cili është libri jashtëshkollor që po lexoni – nuk është e thënë të jetë libër artistik!

Sabiana Seferi: Libri jashtëshkollor që po lexoj për momentin dhe që për mua është një ndër librat më interesantë që më ka rënë në dorë, është “Përgjigje të shkurtra për pyetjet madhore”, të Stephan Hawking. Autori u përgjigjet, në një mënyrë a një tjetër, disa pyetjeve fondamentale, që ndoshta do të mbeten përjetësisht në fondin e përgjigjeve pa vërtetim. Gjithçka bazohet në njohuritë aktuale që kemi për fizikën, si dhe në faktin që shkenca ka limitet e saj. Në foton në vijim kam shkëputur një nga pjesët që preferoj më shumë nga ai libër.

Suksese, Sabiana!