• Regi Ajdini është maturant në gjimnazin “Qemal Stafa”, Tiranë.
  • Intervista është për rubrikën “Novela të qytetit të Tiranës”

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Si e vlerësoni dhe gjykoni rolin e shkencëtarëve në përballjen dhe zgjidhjen e situatës Covid-19?

Regi Ajdini: Puna e tyre e palodhshme dhe e pashtershme është arsyeja pse ne jemi kaq afër një vaksine sot. Sigurisht, që Covid-19 na ka vendosur në një situatë të tillë, të cilën bota kishte rreth 100 vite që nuk e kishte parë, por reagimi dhe kundërpërgjigja e të gjithë shkencëtarëve është impresionuese. Në kohë të tilla njihet vlera e vërtet e këtyre njerëzve, që i janë përkushtuar gjatë gjithë jetës së tyre shkencës dhe laboratorit.

Nga ana tjetër, në media dhe internet po shohim lindjen e teorive të shumta konspirative, që në mendimin tim janë ide pa bazë logjike dhe arsyeje. Në ditë të tilla na duhet të mbështetemi edhe më shumë mbi shtyllat e shkencës, në vend që të gënjehemi nga shpifjet. Shpresojmë shumë që bota ta zbulojë sa më shpejt vaksinën dhe të dalim nga kjo gjendje.

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Shkolla po zhvillohet në situatën e pandemisë COVID-19, sipas protokolleve të vendosur nga Ministria e Arsimit. Ndërsa vitin e mëparshëm shkollor e mbyllët duke zhvilluar mësim on-line. Çfarë dëshironi të ndani me lexuesin për këto dy periudha.

Regi Ajdini: Sigurisht që kalimi nga mësimi në shkollë, në mësimin on-line në mënyrë aq të rrufeshme ishte një transformim jo i lehtë, jo vetëm për ne nxënësit, por edhe për stafin mësimor. Por mund të them që arritëm të përshtateshim në mënyrë të shpejtë, gjë që personalisht më surprizoi. Marrja e informacionit në mënyrë të njëjtë, si në klasë, nuk ishte e lehtë, jo vetëm për shkak të mënyrës së të nxënit, por edhe për shkak të gjendjes sonë mendore. Të gjithë ishim në një shok psikologjik, ishim përballë disa pikëpyetjeve të cilave nuk ia gjenim dot përgjigjen, si për shembull: Për sa kohë do zgjasë kjo gjendje? A duhet të mbrohemi nga Covid-19 apo është thjesht një grip normal ?

Gjithashtu, ka pasur edhe një neglizhencë të konsiderueshme nga nxënësit, për shkak të mënyrës së zhvillimit të mësimit, sikundër edhe falë politikave lehtësuese në vlerësimin e nxënësve që vendosi të ndiqte Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Një nga të mirat që kjo situatë solli ishte afrimi me familjarët dhe të dashurit tanë, dhe jo vetëm. Ne arritëm të kalonim kohë cilësore me prindërit, motrat, vëllezërit. Filluam të flisnim dhe të ndanim shqetësimet me shokët dhe shoqet tona.

Ndërkohë sot jemi duke zhvilluar mësimin në shkollë sipas rregullave të vendosura. Për mendimin tim, shkolla është mjedisi më i sigurt në të cilin ne, si të rinj, mund të ndodhemi në një periudhe të tillë. Eshtë tejmase impresionuese se si nxënësit dhe stafi mësimor, pa përjashtim, po respektojnë rregullat higjeno – sanitare. Përveç orëve të shkurtuara, mësimi po zhvillohet shumë normalisht, siç do zhvillohej në kushte normale. Në qoftë se gjendja vazhdon e virusit përkeqësohet, shkolla duhet të jetë një nga institucionet e fundit që duhet mbyllur. Për mua, personalisht, ky është viti më i rëndësishëm si maturant, sepse do më duhet të vendos se cilës degë do t’i përkushtoj jetën time. Do të ishte një gjë tmerrësisht e vështirë për secilin prej nesh në qoftë se mësimi do të kryhej on-line.

Novelat e qytetit të VeriutFondacioni “Henrietta Leavitt”: Cili është libri jashtëshkollor që po lexoni – nuk është e thënë të jetë libër artistik!

Regi Ajdini: Libri jashtëshkollor që po lexoj për momentin është “Novelat e qytetit të veriut” nga Migjeni. Në mendimin tim, Migjeni është shkrimtari më i madh që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Ju kam bashkangjitur edhe një foto të kopertinës, si dhe të një tregimi që mua më pëlqen shumë, shkëputur nga e njëjta përmbledhje “Vetvrasja e trumcakut” – më poshtë paragrafi përmbyllës.

Trumcaku i ngulun mbi një qime të derrit. Me krahët dhe puplat e tij lonte era dhe e sjellte rreth qimes, si sillet dhe gjeli metalik në majë t’oxhaqeve tona. Atbotë frynte very.

Ç’ka janë këto kapërcime logjike! Ka me bërtitë ndokush.

Po, lexues i dashtun e jo i cekët. Po! A pak po kemi kapërcime logjike, morale dhe dogmatike në botën tone reale? Pse po zemrohe dhe po don me më gjykue për disa kapërcime logjike askuj damsjellje?

Suksese, Regi!