• Senada Likollari është nxënëse në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara”, Berat

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Si e vlerësoni dhe gjykoni rolin e shkencëtarëve në përballjen dhe zgjidhjen e situatës Covid-19?

Senada Likollari: Pandemia Covid-19, për shkak të përmasave dhe jetëve të njerëzve që vuri në rrezik dhe mori, i ka vënë shkencëtarët përpara një përgjegjësie shumë të madhe. Përpos kësaj, mendoj që u duhet të përballen edhe me një presion të vazhdueshëm sa i takon zhvillimeve dhe studimit të virusit. Bashkë me mjekët, shkencëtarët janë në vijën e parë të studimit të këtij virusi që mbart ende shumë pikëpyetje. Kërkimet, hulumtimet dhe puna e vazhdueshme, përpjekjet e pareshtura dhe bashkërendimi ndërmjet grupeve të ndryshme, kanë bërë që në një kohë shumë të shkurtër të kemi një përshkrim konkret të këtij virusi – mos të harrojmë që ky armik i padukshëm u shfaq papritur.

Bpo ashtu, ne jemi në gjendje të përshkruajmë se si përhapet virusi, ndërtimin e gjenezën e tij. Pra, kemi një tablo të përgjithshme që ndihmon parandalimin dhe frenon përhapjen për një kohë të shkurtër. Pa punën e shkencëtarëve, pa paralajmërimet e tyre për rrezikshmërinë, rrugët e përhapjes, pasojat në shëndet apo edhe ndikimin negativ, nuk do të ishim në gjendje të kuptonim rëndësinë e zbatimit të masave protokollare të mbrojtjes së shëndetit. Puna e pakushtëzuar e shkencëtarëve për të nxjerrë sa më shpejt vaksinën është me të vërtetë për t’u vlerësuar.

Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Shkolla po zhvillohet në situatën e pandemisë COVID-19, sipas protokolleve të vendosur nga Ministria e Arsimit. Ndërsa vitin e mëparshëm shkollor e mbyllët duke zhvilluar mësim on-line. Çfarë dëshironi të ndani me lexuesin për këto dy periudha.

Senada Likollari: Vitin e kaluar u përballëm me skenarin e mësimit on-line, si i vetmi skenar dhe e vetmja zgjidhje e mundshme në atë situatë. Mendoj se mësimi on-line ka produktivitetin e vet dhe anët pozitive, por vendi ynë nuk ishte mësuar me këtë metodë mësimore që erdhi vrullshëm, prandaj u hasen edhe probleme e vështirësi. Nëse kjo metodë do të ishte zhvilluar gradualisht, atëherë do të kishim një produktivitet më të lartë dhe do të evitonim problemet e përshtatjes.

Gjithsesi, edhe pse në kushtet e pandemisë, edhe pse në rrethana të vështira, kur na u desh të “bashkëjetonim”, jo rrallë, edhe me shqetësimin, stresin e frikën, shpreh një vlerësim të lartë për mësuesit tanë, që u munduan dhe investuan, sakrifikuan dhe u përkushtuan për edukimin tonë. Ja dolën ata dhe ia dolëm edhe ne, falë vullnetit dhe angazhimit të të dy palëve. Horizontet tona të dijes mendoj që nuk u kufizuan, përkundrazi, u zgjeruan edhe më shumë.

Sa i takon ndërveprimit me bashkëmoshatarët përgjatë periudhës së karantinimit, përveçse nuk mund të kishim kontakt fizik, pjesa tjetër e shoqërizimit vazhdoi normalisht, falë rrjeteve sociale. Sigurisht që rrjetet sociale nuk mund ta zëvendësojnë realitetin, por edhe në ato kushte ne arritëm ta mbajmë gjallë komunikimin. Tani jemi kthyer fizikisht në institucionet arsimore. Orët mësimore janë të reduktuara dhe mësimi zhvillohet me turne. Problem kryesor këtë periudhë kemi mbajtjen e maskës gjatë gjithë kohës së mësimit, që na vështirëson jo vetëm frymëmarrjen, por edhe komunikimin. Gjithsesi, kthimi në shkollë është, për ne, veprimi dhe vendimi më i mirë. Vërtet që është vështirësia e orarit të reduktuar – ndonëse mësuesit bëjnë maksimumin që të na japin më të mirën – por mësimi fizikisht, në shkollë, është ai që na duhet sipas mendimit tim.

Fondacioni “Henrietta Leavitt”:  Cili është libri jashtëshkollor që po lexoni – nuk është e thënë të jetë libër artistik!

Senada Likollari: “Themelet e psikanalizës”, të Çarls Brener, përkthyer nga anglishtja dhe krahasuar me origjinalin nga Miltiadh Veveçka, doktor i shkencave mjekësore, po nga Berati, botim i vitit 2009.