Emili Kuçi është nxënëse në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara”, Berat
Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Si e vlerësoni dhe gjykoni rolin e shkencëtarëve në përballjen dhe zgjidhjen e situatës Covid-19?
Emili Kuçi: Covid-19 hyri në jetët tona në mënyrë të papritur. Të gjithë vendet i kapi të papërgatitur. Por përgjigja e shkencës ishte e menjëhershme: filloi të modelonte një kopje, në mënyrë që të mund të krijonte edhe vaksinën, duke e vlerësuar këtë fundit si mjetin më efikas në luftën kundër tij.
U desh shumë punë dhe shumë eksperimente për të arritur në gjetjen e vaksinës anti Covid-19. Duhen falënderuar dhe mbështetur për punën e palodhshme të gjithë ata që kontribuuan në gjetjen e vaksinës.
Pra, mendoj që shkenca ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në këtë periudhë pandemie dhe vlerësimi duhet të jetë maksimal.
Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Shkolla po zhvillohet në situatën e pandemisë COVID-19, sipas protokolleve të vendosur nga Ministria e Arsimit. Ndërsa vitin e mëparshëm shkollor e mbyllët duke zhvilluar mësim on-line. Çfarë dëshironi të ndani me lexuesin për këto dy periudha.
Emili Kuçi: Vitin e mëparshëm shkollor e mbyllëm duke e zhvilluar mësimin on-line. Kjo për ne, si nxënës, ishte diçka e re dhe na u desh pak kohë të mësoheshim me këtë ndryshim në jetën tonë shkollore. Mësimi on-line ka anët e tij pozitive, por personalisht nuk jam “fanse” e kësaj mënyre mësimdhënie. Përkushtimi i mësuesve, edhe pse i plotë, nuk mjafton, sepse shpjegimi nuk është i njëjtë me atë që marrim kur jemi fizikisht në shkollë.
Edhe pse periudhë pandemie, na jepnin detyra pa fund. Gjatë gjithë kohës ishim të ulur, me laps e letër në dorë, ose përpara ekranit të kompjuterit, ose atij të televizorit. Besoj se shumë nga ne, gjëja e parë që kanë bërë sapo kanë dalë nga karantina ka qenë një vizitë te doktori i syve.
Sa i takon marrëdhënieve me shokët dhe shoqet e mia mund të them që gjatë kohës së pandemisë kemi pasur vetëm një komunikim virtual dhe asgjë më tepër. Mungesa e diskutimit “face to face” na detyroi të mbyllemi edhe më shumë në vetvete dhe të jemi edhe më pak social.
Tani, që masat janë më pak të shtrënguara, shkojmë në shkollë dhe duket se gjërat po shkojnë drejt normalizimit. Kemi rivendosur kontakte me shokët dhe shoqet, shpjegimi bëhet i plotë dhe marrim pjesë në aktivitete të ndryshme jashtëshkollore. Kjo rutinë na bën të jemi më pak të stresuar, sikundër na ndihmon ta zhvillojmë jetën në mënyrën tonë, si na pëlqen – dhe, çfarë ka më shumë rëndësi, të paktën pa kufizimet që të jep një situatë e mbingarkuar.
Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Cili është libri jashtëshkollor që po lexoni – nuk është e thënë të jetë libër artistik!
Emili Kuçi: “I huaji”, të Albert Kamy, botuar nga Vëllezërit Tafa. Më poshtë kam shkëputur një paragraf që më pëlqen veçanërisht shumë.
- Gjatë tërë kohës, mendoja edhe për dy gjëra të tjera: për agimin dhe përçapjen time për falje. Megjithatë, përpiqesha të mblidhja veten dhe të mos mendoja më për to. Shtrihesha, vështroja qiellin, mundohesha të përqendrohesha I gjithi tek ai. Kur bëhej I gjelbër. Ishte mbrëmje. Bëja edhe një përpjekje tjetër për të kthyer rrjedhën mendimeve të mia. Dëgjoja zemrën, nuk e përfytyroja dot se ajo zhurmë që më shoqëronte prej aq kohësh mund të rreshte një ditë.