• Elisa Xhakaj ka fituar të drejtën për të ndjekur studimet në Turqi, në qytetin e Konjës, në degën “Biologji e Përgjithshme”; ish-nxënëse në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, Shkodër.

 

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Si e vlerësoni dhe gjykoni rolin e shkencëtarëve në përballjen dhe zgjidhjen e situatës Covid-19?

Elisa Xhakaj: Kjo situatë pandemie është një nga më të vështirat që po kalon bota moderne dhe që na ka hapur probleme jo vetëm me mbarëvajtjen e mësimit, por pothuaj në të gjitha fushat e jetës. Më shumë se 35 milionë të infektuar në të gjithë botën dhe vdekje të shumta. Duket se shkencëtarët e kanë të vështirë të gjejnë një zgjidhje sa më efektive, ndonëse vlerësoj shumë përpjekjet e tyre në gjetjen e saj, veçanërisht në gjetjen e vaksinës kundër Covid-19. Gjithsesi, duke qenë se do të vazhdoj për biologji, mund të them se duhet të kuptojmë që ky virus shfaqet në mënyra të ndryshme në organizma të ndryshëm. Identifikimi bëhet edhe më i vështirë sepse fare lehtë mund të dyshohet për një ftohje gripale, apo edhe të ngatërrohet me ndonjë infeksion tjetër, pasoja e të cilit mund të jetë po ajo – rritja e temperaturës. Për këtë arsye, në komunikimin me publikun shkencëtarët duhet të jenë ata që të thonë fjalën kryesore për mënyrat e parandalimit dhe, edhe frenimit, të kësaj pandemie, sepse jo të gjithë janë të ndërgjegjshëm për pasojat. Shkencëtarët janë të besueshëm, flasin me fakte, ndonëse shpesh harrojmë t’i përgëzojmë dhe respektojmë që janë çdo ditë në frontin e parë të luftës. Mendoj që gjithnjë e më shumë janë më afër zbulimit të vaksinës.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Shkolla po zhvillohet në situatën e pandemisë COVID-19, sipas protokolleve të vendosur nga Ministria e Arsimit. Ndërsa vitin e mëparshëm shkollor e mbyllët duke zhvilluar mësim on-line. Çfarë dëshironi të ndani me lexuesin për këto dy periudha.

Elisa Xhakaj: Viti i mëparshëm shkollor ishte viti më i vështirë sidomos për ne, ish-maturantët. Mësimi on-line është një metodë deri në një farë pike efikase, por asnjëherë nuk mund të barazohet me metodën e mësimit në mjediset shkollore. Mësimi on-line është shumë i vështirë për t’u ndjekur. Arsyeja është e thjeshtë: qëndrimi për orë të tëra përpara ekranit të një kompjuteri, si dhe komunikimi i vazhdueshëm me telefon, krijojnë lodhje të stërmadhe. Këtyre u shtohen edhe problemet që mund të ketë interneti, si dhe shumë e shumë probleme të tjera. Ndërmjet  atyre që e lëvdojnë dhe atyre që e kritikojnë, zgjedh të rreshtohem në grupin e dytë. Mësimi on-line është i lodhshëm dhe me pak rendiment, veçanërisht për moshën tonë. Më pëlqen shpjegimi që dëgjoj në klasë, me mësuesen përballë. Mendoj që është shumë e thjeshtë ta kuptosh mësimin. Personalisht vlerësoj shumë gjuhën jo virtuale të komunikimit, ndryshe komunikimin ballë për ballë. Studiuesit thonë që në këtë lloj shpjegimi mund të arrish të përthithësh deri në 80 % të asaj që transmetohet.

Ndërsa izolimi është çështje tjetër. Duhet të jesh gjatë gjithë kohës në shtëpi. E njëjta rutinë, të njëjtat gjëra çdo ditë! Sidomos gjatë gjithë kohës me familjarët, në shtëpi, mbyllur, ka fare lehtë mund të krijohen edhe ato bezdisjet e vogla. Njeriu ka nevojë për ndryshim apo të bëj diçka ndryshe gjatë ditës. Gjëja më e veçantë, që mund të ketë pasur ky izolim përveç problemeve të pafunda që ka sjellë, është që të gjithë kanë kaluar më shumë kohë me familjen, shumë më shumë që mund të kalojnë gjatë një fundjave apo gjatë pushimeve të ndryshme.

Problemi i izolimit solli edhe ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve, si sportet apo kurset e ndryshme shkollore, që shumë ish-maturantëve ua vështirësoi jetën, dhe një nga ata jam edhe unë.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Cili është libri jashtëshkollor që po lexoni – nuk është e thënë që të jetë libër artistik!

Elisa Xhakaj: Aktualisht kam fituar të drejtën e studimit në Turqi, në qytetin e Konjës, për degën “Biologji e përgjithshme”. Këtë vit jam duke ndjekur shkollën e gjuhës, ndërsa vitin tjetër do të filloj realisht rrugëtimin tim në këtë degë. Sigurisht që jam më pak e ngarkuar me shkollën dhe kam më shumë kohë për libra, por gjithnjë planifikoj kohë për të lexuar diçka. Më duket sikur çlodhem, sikur gjej veten. Këtë radhë kam në dorë “Rrëfimet, jeta si kirurg i trurit”, të autorit Henry Marsh, një nga librat më të shitur sipas “New York Times”. Nuk e di nëse do të isha në gjendje të veçoja ndonjë pjesë a faqe në këtë libër, sepse për mua është i gjithi i veçantë, çdo rresht e paragraf i tij. Autori kërkon të tregojë – dhe e bën shumë mirë  – se sa e vështirë është të shpëtosh apo të ndihmosh njerëzit. Dhe të njëjtat gjërat mund të thuhen edhe për situatën ku gjendemi.

Suksese Elisa!