Çmimi Nobel (2018) në ekonomi “Për identifikimin e problemeve shqetësuese të shoqërisë, në zgjidhjen e të cilave tregu i lirë ka dështuar”
Përgatiti: Valbona Nathanaili
Çmimi Nobel në Ekonomi për vitin 2018 u jepet William D. Nordhaus nga Universiteti i Yale dhe Paul M. Romer nga Universiteti i New York-ut.
- Sipas Quartz, Nordhaus dhe Romer shpjegojnë aftësinë tonë të mrekullueshme për të krijuar dhe, në të njëjtën kohë, edhe për të shkatërruar rritjen.
- Sipas Bloomberg, William D. Nordhaus nga Universiteti i Yale dhe Paul M. Romer nga Universiteti i New York-ut, fitojnë Çmimin Nobel për vitin 2018 në ekonomi, për shndërrimin në temë diskutimi në shkencën e ekonomisë të dy çështjeve që kanë qenë objekt shqetësimi për një kohë të gjatë, ndryshimet klimaterike dhe inovacioni në fushën e teknologjisë.
- Ndërsa Akamedia Mbretërore Suedeze, ndër të tjera, shprehet: Dy amerikanët kanë krijuar metoda që adresojnë çështje nga më të rëndësishmet dhe njëherazi kërkojnë zgjidhje të ngutshme për kohën tonë: si të krijojmë një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të pandërprerë në terma afat-gjatë.
Sipas The New Yorker Nga John Cassidy, 9 tetor 2018
Në vështrim të parë, hulumtimet e dy studiuesve që fituan Çmimin “Nobel” këtë vit në Ekonomi kanë pak argumente të përbashkëta. Bill Nordhaus-it, profesor për një kohë të gjatë në Universitetin Yale, iu akordua çmimi për krijimin e një modeli matematikor, në gjendje të parashikojë lidhjen ndërmjet ndryshimeve klimaterike dhe zhvillimit të ekonomisë. Thënë ndryshe, ndikimin e këtyre ndryshimeve në ekonomi. Studimi është botuar në fillimvitet nëntëdhjetë. Nga koha që Nordhaus zhvilloi modelin e tij, një numër gjithnjë në rritje aktorësh të interesuar në këtë degë të shkencës e kanë bërë pjesë të punës së tyre, nga të cilët mund të veçojmë, për shembull, Panelin Ndërqeveritar të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimaterike, i cili sapo ka publikuar një raport paralajmërues me pasoja të tmerrshme për botën nëse trendet aktuale të ndryshimeve të klimës do të lejohen të vazhdojnë sipas të njëjtëve koeficientë.
Paul Romer, ish-pedagog në Universitetin e Stanford-it dhe tashmë në Universitetin e New York-ut, është specialist në studimin e forcave që udhëheqin rritjen ekonomike në terma afatgjatë. Studimi që i dha çmimin, publikuar në vitet 1986 dhe 1990, thekson rëndësinë e dijeve dhe të brezit të dijes.
Në dijeninë time, Nordhaus dhe Romer nuk kanë bashkëpunuar kurrë me njëri-tjetrin dhe asnjëri prej tyre nuk është pjesë e ndonjë shkolle të veçantë, përtej përkatësisë në kategorinë e gjerë të ekonomistëve neoklasikë, që i kushtojnë vëmendje të veçantë zbatimit të matematikës në interpretimin e dukurive të kësaj shkence.
Nordhaus e Romer, njësoj si shumë ekonomistë të tetë universiteteve private që ndodhen në veriperëndim të ShBA (“Ivi League”) mbështesin, në përgjithësi, kapitalizmin e tregut të lirë. Në fakt, të dy kanë shkruar se si proceset e vazhdueshme të risive konkurruese, thelbësore për kapitalizmin modern, janë të afta të gjenerojnë përfitime të jashtëzakonshme materiale, një pjesë e të cilave nuk ka qenë e mundur të përfshihen plotësisht në statistika, si për shembull në prodhimin e brendshëm bruto.
Në rrjedhojë, përbën pak paradoks, që ajo çfarë bashkon Nordhaus dhe Romer janë pikërisht studimet në lidhje me dështimin e herëpashershëm të tregjeve për të punuar në atë mënyrë sikundër reklamohen. Ndërsa puna e secilit fokusohet në zona krejtësisht të veçanta, të dy shqyrtojnë problemin e “eksternaliteteve” të tregut, ose të “vërshimeve” përtej asaj që duhet të përmbajë shtrati i tij, por që përbëjnë një faktor të rëndësishëm justifikues për sasinë e taksës së energjisë që duhet të paguajmë, për hartimin e skemave të qasjes me bazë tregun për kontrollin e ndotjes, për paratë që duhet të financojnë kërkimin shkencor, apo për lloje të ndryshme të ndërhyrjes së qeverisë.
Në letrën shoqëruese, Komiteti i Çmimit Nobel shkruan:
- Të dy, si Romer, edhe Nordhaus theksojnë, se në ekonominë e tregut, një makinë shumë e fuqishme si zhvillimi njerëzor është vërtet imperfekt, ndërkohë që kontributet e autorëve ofrojnë gjykime të thella se si politikat qeverisëse munden, potencialisht, të rrisin mirëqenien tonë në terma afatgjatë.
Termi “imperfekt” është disi konfuz: çështjet për të cilat diskutohen janë tejet të rëndësishme. Në një treg idealisht konkurrues, çmimet mbulojnë kostot e prodhimit të të mirave materiale, fitimet merren direkt nga konsumatori, ndërkohë që ky mekanizëm balancues u siguron tregjeve të shpërndajnë burimet dhe të mirat me më shumë eficiencë se sa ajo që mund të diktojë qeveria ose metoda të tjera që mund të zgjidhen në zëvendësim të saj. Por tregu i karburanteve (Nordhaus) dhe të mirat që mishërojnë progresin në dijen njerëzore (Romer) nuk funksionojnë në këtë mënyrë.
Kur paguajmë tre dollarë për një galon gaz, çmimi mbulon kostot e kompanisë së karburantit që janë shpenzuar për nxjerrjen nga nëntoka, përpunimin dhe transportimin deri në pikën e shitjes së karburanteve, sikundër po aq edhe kënaqësinë e të çuarit të fëmijëve me makinë në shkollë. Por çmimi nuk merr në konsideratë kostot që brezat e ardhshëm duhet të paguajnë nga akumulimi i dyoksidit të karbonit që çlirohet në atmosferë dhe, në rrjedhojë, edhe rritjen e temperaturave, përmbytjet, shkatërrimin e koraleve etj. Kjo kosto ekstra është eksternalitet negativ. Një mënyrë e zgjidhjes së këtij problemi është vendosja e kufizimeve të rrepta në djegien e karburanteve, si për shembull të gazit dhe qymyrit. Një alternativë tjetër është të imponojmë një taksë karboni – që mund ta masim – e cila në rrjedhojë mund të ndikojë në reduktimin e përdorimit të tyre. Por sa e madhe duhet të jetë kjo taksë?
Nordhaus është i pari që ka zhvilluar modelet që mund të përdoren në përgjigje të kësaj pyetjeje. Të njohura si modele të vlerësimit të integruar (I.A.M.s), ato mishërojnë lidhjet që ekzistojnë nga çlirimi i karbonit deri në ndryshimet në atmosferë, nga ndryshimet në atmosferë në ndryshimet në temperaturën globale dhe nga ndryshimet në temperaturë deri në efektet e dëmshme në ekonominë globale. Në fillimvitet nëntëdhjetë, duke përdorur versionin e parë të modelit të tij, Nordhaus llogariti se taksa e karbonit që duhet vendosur për të marrë në konsideratë efektet e mësipërme duhet të jetë, fillimisht, gjashtë dollarë/ton karboni të çliruar. Por në punimet e këtyre kohëve të fundit, që marrin në konsideratë rritjen e shpejtë të ekonomisë botërore përgjatë çerek shekullit që lamë pas, si dhe rritjen e sasisë së çliruar të karbonit që kanë shoqëruar këto zhvillime, vlerëson se kjo taksë duhet të rritet në afro tridhjetë dollarë/ton karboni të çliruar.
Një punim pozitiv i “vërshimeve” të tregjeve, në kahun e kundërt të atij të mësipërm, ka lidhje me gjenerimin e të ardhurave që nuk integrohen tërësisht në transaksionet që kryhen në tregje. Mbjellja e pemëve është një shembull i mirë: përpos faktit që na sigurojnë dru dhe fruta, pemët kanë aftësinë të thithin dyoksidin e karbonit nga atmosfera dhe të çlirojnë oksigjen. Një shembull më pak i dukshëm dhe te i cili fokusohet Romer, është krijimi i dijeve teknike, të cilat më pas mishërohen në komoditete të reja.
Për ilustrim, le të marrim historinë zhvillimit të transistorëve. Ato u zbuluan falë punës kërkimore shkencore që zhvillohej në laboratorët Bell në fundvitet 1940, ndërkohë që kompanitë filluan prodhimin e tyre për përdorim tregtar në vitin 1951. Klientët që blenë produkte që kishin në përbërje edhe këta transistorë të hershëm, si për shembull kufje e radio, mund të supozojmë se morën mbrapsht vlerën e parave që paguan. Por ky ishte vetëm fillimi: sapo u zbulua kjo dije themelore, që tregonte parimet se si mund të krijohen transitorët, biznese të tjera kërkuan mundësitë për ta vënë në përdorim, duke prodhuar transistorë jo vetë më të mirë, por edhe të llojeve të ndryshëm, një proces që Romer e krahason me krijimin e recetave të reja: “Deri më sot, firmat private kanë zhvilluar receta shumta të përmirësuara, që e kanë ulur koston e prodhimit të një transistori me një milion herë”, – shkruan në një ese botuar në vitin 1993. “Por pjesa më e madhe e përfitimeve nga ky zbulim nuk janë korrur nga firmat që i zbuluan, por nga përdoruesit e transistorëve. Vetëm pak vite më parë paguaja mijëra dollarë për miliona transistorë që ndihmonin në shtimin e kujtesës së kompjuterit, ndërkohë që sot paguaj më pak se një qind, ndonëse nuk kam bërë asgjë për ta merituar një gjë të tillë, ose nuk kam ndihmuar fare në lulëzimin e këtij fryti”.
Romer identifikon krijimin e dijes teknike që “vërshon” në krijimin e produkteve të reja, si faktor për mbështetjen e dijes ekonomike. Në një artikull të vitit 1993 paraqet modelin e tij matematik të një ekonomie që në mënyrë eksplicite përfshin sektorin e dijes. Akoma, Romer argumenton se një ekonomi ideale e tregut të lirë, lënë në funksionin e saj, tenton të prodhojë pak dije të reja. Në një mjedis tërësisht konkurrues, kompanitë shqetësohen që kompanitë e tjera do të kopjojnë e përvetësojnë shumë shpejt çdo risi që ato do të paraqesin, kështu janë shumë dorështrënguara në kostot e investimeve për kërkim e zhvillim.
Për të zgjidhur një problem të tillë, Romer propozon se është e nevojshme të paraqesim politika që nxitin mbështetjen financiare për kërkim e zhvillim shkencor, dhënien e bursave për studiuesit e shkencës dhe hartimin më së miri të përmbajtjes së patentave që u mundësojnë kompanive që ofrojnë risi të marrin, në këmbim, para për shpikjet e tyre. Akoma, shton Romer, kemi shumë punë për të bërë për hartimin e këtyre politikave, duke përfunduar: “Vendi që do të marrë në dorë udhëheqjen e botës në shekullin e njëzet e një, do të jetë ai që do të zbatojë risinë që mbështet prodhimin e ideve të rëndësishme, që mund të bëhen të tregtueshme në sektorin privat”.
As Nordhaus dhe as Romer nuk është radikal. Në një debat me temë se deri ku duhet të shkojmë në trajtimin e ndryshimeve klimaterike, Nordhaus është kritikuar shpesh si inkrementalist. Në një artikull të kohëve të fundit, Nordhaus përdor modelin e tij për të llogaritur se strategjia “optimale” për ndryshimin e klimës duhet të përfshijë rritjen e temperaturës me afro 2.5 gradë Celsius deri më 2100, e cila përkthehet në vendosjen e një takse karboni prej afro tridhet dollarë/ton në ditët e sotme, tridhjetë e pesë dollarë/ton në vitin 2020 dhe një qind dollarë/ton në vitin 2050. Por për shumë ekspertë të ndryshimeve klimaterike, përfshirë edhe I.P.C.C., argumenti se rritja e temperaturës duhet lejuar me më shumë se dy gradë Celsius është shkatërrues për botën: pa dyshimin më të vogël, ekspertët mbrojnë tezën se taksa e karbonit duhet të jetë shumë më e madhe se ajo që rekomandon Nordhaus. Sipas tyre, kjo taksë duhet të jetë afro 200 dollarë/ton në vitin 2020, ndërsa më pas rritja duhet të jetë shumë më e madhe.
Romer, i cili së fundmi ka mbajtur postin e drejtorit ekonomik pranë Bankës Botërore për një mandat të caktuar, argumenton, se në jetën e përditshme, politikat duhet të jenë të tilla që të favorizojnë mekanizmat e tregut të luajnë rol udhëheqës në pjesën më të madhe të aktiviteteve. Akoma, ai është përkrahës i zjarrtë i urbanizimit në shkallë të gjerë, sepse në besimin e tij, ndërmjet të tjerave, urbanizimi ndihmon në lindjen dhe përhapjen e ideve, sa kohë që qytetet drejtohen ashtu si duhet. Romer është autor i këtij propozimi kontradiktor:
- Në vendet e varfra duhet të themelohen “qytetet me status”, të cilët duhet të administrohen nga përfaqësues të vendeve më të përparuara.
Nuk duhet të habitemi që një propozim i tillë i ka hapur rrugë akuzave se po provon të vendosë neo-kolonializmin.
Gjithsesi, në kontekstin e teorive ekonomike, argumenti kryesor është se të dy, si Nordhaus, ashtu edhe Romer, njohin prej një kohe të shumë të gjatë kufizimet e tregut të lirë, veçanërisht kur kemi të bëjmë me sfida që kërkojnë zgjidhje në terma kohorë afat-gjatë, si për shembull ndryshimet klimaterike, apo kur kërkojmë të nxisim inovacionin. Sot, për shumë njerëz jashtë ekonomisë, sa më sipër mund të duket si një konkluzion i dukshëm. Por nuk ishte i dukshëm për ekonomistët akademikë të viteve 1980, kur Nordhaus dhe Romer filluan të merren me çështje të tilla. Nëse i referohemi asaj periudhe, argumenton Joshua Gans, ekonomist në Shkollën Rotman të Menaxhimit pranë Universitetit të Torontos, ekonomistët shpesh ishin të vetmit që mbështesnin përshtatjen e politikave armiqësore për ndryshimet klimaterike apo nxitjen e risive. Pjesa më e madhe e tyre i frikësoheshin kostove që dukeshin tepër të larta, ndërsa të tjerë i kundërshtonin si jo produktive për politikat e industrisë.
Duke vazhduar me argumentet e Gans, Nordhaus dhe Romer kanë krijuar sfondin e duhur intelektual, që u mundëson edhe ekonomistëve më skeptikë të analizojnë këto dy çështje, në të cilat tregu ka dështuar në të kaluarën, duke përdorur mjete që tashmë ata i vlerësojnë si legjitime dhe, në rrjedhojë, të arrijnë në konkluzione që kërkojnë ndërmarrjen e veprimeve konkrete. Nordhaus dhe Romer nuk i kanë formuluar të gjithë argumentet politikë, ndoshta as edhe u janë afruar. Por për atë çfarë kanë bërë, në një mjedis tejet konservativ, e meritojnë Çmimin Nobel.
Sigurisht, çështja më e rëndësishme sot është nëse qeveritë do të kenë vullnetin të hartojnë politikat e nevojshme, veçanërisht ato që kanë lidhje me ndryshimet klimaterike. Por me një Shtëpi të Bardhë që mohon ndryshimet klimaterike dhe është miqësore ndaj konsumit të qymyrit dhe me një Kongres-Republikan ngecur në rrjetën e interesave të energjisë, duket pothuaj e pamendueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i përgjigjen kësaj sfide. Në rrjedhojë, në këtë fazë, ky problem shndërrohet më shumë në politik dhe më pak në ekonomik a shkencor.