Nëse duam të krahasohemi me Gjermaninë

Sipas OECD, në Gjermani, të ardhurat nga paga, për një të punësuar që ka pagë minimale, në një vit, llogaritur mbi bazën e çmimeve aktuale, për vitin 2017, kanë qenë 17,976 euro. Paga minimale në Gjermani përbën afro 43 % të pagës mesatare me kohë të plotë në këtë vend. Sistemi i taksave favorizon familjet me fëmijë, që do të thotë se paguajnë më pak taksa se beqarët dhe familjet me të ardhura të ulëta. Pothuaj në të gjitha vendet e OECD, këta vitet e fundit, është ulur pakënaqësia ndaj sistemit të taksave.

Taksa mesatare mbi të ardhurat që përftohen nga puna, në Gjermani ndryshon në varësi të statusit të individit: familjet me një prind dhe dy fëmijë, paguajnë 18.2% taksa; familjet me dy fëmijë, ku punon vetëm një prind, paguajnë 21.75%  të të ardhurave nga paga si taksa; familjet me dy fëmijë, ku punojnë të dy prindërit, paguajnë 31.6% të të ardhurave nga paga si taksa. Një pjesë e këtyre taksave shkon për kontribute sociale, që do të thotë se pjesërisht kontribuon edhe punëdhënësi.

Në vitin 2012, cilësia në mjedisin e punës, në Gjermani, ka këtë hartë:

  1. Faktorë me risk për shëndetin fizik. Vlera e faktorëve që mund të rrezikojnë shëndetin e punonjësit në vendin e punës, ku përfshihen: ekspozimi ndaj temperaturave ekstreme e lëndëve kimike, zhurmat e larta etj., sikundër edhe mundësia e një aksidenti në vendin e punës apo vlerësimi personal i vendit të punës si “e rrezikshme” nga përshtypjet e vetë punonjësit, është 0 (zero).
  2. Kërkesa fizike. Vlera e faktorëve që kërkojnë përfshirjen në punë të rënda fizike, ku përfshihen: qëndrimi në këmbë dhe ecja për intervale të gjata kohe, ngritja dhe transportimi i peshave të rënda etj., është 0 (zero).
  3. Intensiteti në punë. Vlera e faktorëve që kërkojnë përfshirjen në punë për orë të gjata, përpjekje të shumta, afate tejet të shkurtër etj., është 0 (zero).
  4. Kërcënimi dhe diskriminimi në vendin e punës. Vlera e faktorëve, që kuptojnë të qenit subjekt i sjelljeve të qëllimshme të këqija nga kolegët ose eprorët, që e bëjnë individin të ndihet i frikësuar dhe jo i qetë; diskriminimi lidhet me situatën kur individi ndihet që është trajtuar në mënyrë më pak të favorshme se individët e tjerë, për shkak të racës, gjinisë, fesë, paaftësisë ose kombësisë, është zero.
  5. Stresi dhe emocionet negative në punë. Vlera e faktorëve, që kuptojnë të pasurit emocione të fuqishme në punë, të tipit frustrim, zemërim, keqardhje dhe dëshpërim; stresi në punë rritet kur individi përballet me kërkesa dhe trysni që nuk përkojnë me dijet, aftësitë e shkathtësitë që janë për atë vend pune, është 0 (zero).
  6. Pasiguria subjektive në punë. Vlera e faktorëve, që kuptojnë të pasurit frikë për humbjen e vendit të punës brenda një kohe të caktuar, përgjithësisht në gjashtë ose dymbëdhjetë muajt në vijim, është 0 (zero).
  7. Balanca jetë-punë. Vlera e balancës, ndërmjet aktiviteteve në punë të individit të punësuar dhe jetës së tij private, ku përfshihen, mudnësia për të marrë leje-lindje, raport kur fëmijët janë sëmurë, leje që kanë lidhje me përmbushjen e përgjegjësive familjare etj., është 0 (zero).
  8. Agjendë josociale në punë. Vlera e faktorëve, që kërkojnë përfshirjen në orë jo-standarde të orarit të punës, si për shembull në mbrëmje, natën, të shtunave e të dielave, është 0 (zero).
  9. Kënaqësia në punë. Vlera e faktorëve që i korrespondojnë mënyrës si ndihesh, si person, në punë, ku përfshihen, si ndjenjat personale (lumturia), ashtu edhe aspekti konjitiv (paga, orët dhe përmbajtja e punës), është 1 (një) (vlerat: zero i pakënaqur, 1 shumë i kënaqur).