Nga Ben Blushi

Ritmet e shtimit ose të pakësimit të popullsisë së botës dëshmojnë për humorin e popullsisë. Jo gjithnjë rënia e numrit të popullsisë lidhet me varfërinë. Ndoshta, më shumë lidhet me lumturinë! Dhe kur flas për lumturi e kam fjalën për humorin e popujve, pra për optimizimin me të cilin ata e shohin të ardhmen. Sot, europianët, janë kryesisht pesimistë, pavarësisht se konsiderohen të pasur. Në të kundërt, indianët janë optimistë, pavarësisht se perceptohen si popull shumë i varfër. Prandaj evropianët shtohen më pak dhe indianet shumë më shumë. Kështu, nuk është e thënë se, duke jetuar më mirë, lind më shumë fëmijë. Populli mund të jetë i pasur dhe njëkohësisht i palumtur gjë që ndikon direkt në shtimin e popullsisë. Dhe shtimi i popullsisë ka shumë arsye shoqërore, por ka edhe arsye politike. Nga të parat burojnë të dytat dhe anasjelltas. Sepse mënyra se si qeverisen popujt ndikon në humorin e tyre, e ul ose e shton entuziazmin për jetën.

Shqipëria e pesë shekujve të fundit është një shembull. Evropa ka patur miliona viktima nga luftërat, pushtimet dhe epidemitë por, megjithatë, Shqipëria ka mbetur më e vogël se të gjitha vendet që kanë luftuar, janë vrarë dhe janë infektuar gjatë Mesjetës. Sepse Shqipëria është qeverisur më keq. Shumë më keq se gjithë të tjerët. Aty ku është më ftohtë, në Britani, në Skandinavi dhe Gjermani popullsia është shtuar më shumë. Në Shqipëri është më ngrohtë e, megjithatë, popullsia është shtuar më pak. Që do të thotë se regjimet, më shumë se klima, ndikojnë te begatia dhe, për pasojë, te lindjet dhe shtimi i popullsisë.

Por shkaqet politike që ndikojnë në cilësinë e jetës së popujve, në lumturinë dhe pasurimin e tyre, janë shpesh të paparashikueshme. Megjithëse ndryshimet që po ndodhin sot në rendin ndërkombëtar të japin mundësi të parashikosh disa gjëra të thjeshta, si për shembull se kapitalizmi do të vazhdojë të përsoset, se Evropa do vazhdojë të zgjerohet, se Shtetet e Bashkuara do vazhdojnë të dominojnë politikën botërore, se Kina do kthehet në fuqinë më të madhe ekonomike që ka njohur njerëzimi, se nuk do ketë më pushtime dhe epidemi në Evropë, se sidoqë që të vijnë punët Shqipëria nuk do ndahet më kurrë nga Evropa, parashikime që gjithsesi, besoj se fare lehtë mund t’i bëjë edhe një fëmijë, në fund të fundit nuk japin asnjë garanci se do vazhdojë të jetë kështu dhe vetëm kështu. Nëse mund të parashikosh hartën politike të kontinentit ku jetojmë dhe, për rrjedhojë, edhe stabilitetin ekonomik, nuk mund të parashikohen luhatjet dhe cilësia e këtij sistemi. Kapitalizmi, thotë dikush është në fundin e vet, duke përgatitur diçka tjetër. Pra nëse e dimë se fëmijët tanë do trashëgojnë pronat tona nuk kemi asnjë garanci se këto prona do kenë të njëjtën vlerë edhe pas pesëdhjetë vjetësh, ose ndoshta pas njëqind vjetësh. Shtëpija e stërgjyshit tim në një fshat të vogël dhe pothuajse të zbrazur të Korçës sot nuk ka vlerën që ka patur përpara njëqind vjetësh dhe, pa dyshim, që nuk ka as çerekun e vlerës që kishte përpara pesëdhjetë vjetësh. Kjo është çështja. Cilësia e këtij rendi nuk na jep asnjë siguri për më shumë cilesi jete.

Arsyet njerëzore që çojnë në ndryshime të paplanifikuara politike dhe që, për rrjedhojë, lenë gjurmët e historisë në fatin e popujve janë të pafundme dhe, shpesh edhe banale. Kush mund të më bindë se fati Evropës nuk do ishte ndryshe sikur Hitleri të mos ishte në krye të një partie naziste gjermane? Kush mund të pohojë me siguri se fati i Turqisë nuk do ishte tjetër nëse Ataturku nuk do ishte përcaktur për një shtet laik të cilin sot pjesët më fanatike të shoqërisë turke po e kthejnë pas. Po sikur këtë projekt ta kishin zbatuar 50 vjet më parë sikundër edhe kanë tentuar, a do ishte i njëllojtë fati i Greqisë, i Qipros ose i Lindjes së Mesme? Ndoshta jo! Cilët grupe dhe cilat familje do ta kishin realizuar pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912 sikur Ismail Qemali të mos vendoste të largohej nga Turqia, pasi e rrahën në parlamentin turk duke e akuzuar për korrupsion? A do kishte ardhur Ismail Qemali në Shqipëri nëse nuk do ta kishin fyer dhe dhunuar? A do kishte marrë Shqipëria një rrugë tjetër nëse në vend të princ Vidit do ishte caktuar një monark tjetër evropian, me karakter më të fortë dhe më të vendosur, të themi një francez, një anglez, ose një italian? A do ishte rikthyer Ahmet Zogu në pushtet nëse nuk do ishin vrarë në prill 1924 dy shtetas amerikanë në Mamurras, në rrethana ende të panjohura, që shërbyen si shkak për Revolucionin e Qershorit të Fan Nolit? Kush mund të thotë se çdo të ndodhte me Shqipërinë, sikur mbreti Zog të mos kishte vendosur të arratisej në prill 1939? A do kishte marrë Shqipëria rrugën që mori drejt komunizmit? Unë them jo! Por kjo ka ndodhur. Zogu u arratis dhe Shqipërinë e dominuan forcat prokomuniste, edhe si reagim ndaj një regjimi që kishte nisur të kalbej dhe të bëhej i papranueshëm sikundër ishte rasti i qeverive të Zogut në fund.

Afrohemi në kohë! Që komunizmi do trimfonte në Shqipëri, ishte e lehtë të parashikohej në vitin 1943, ose edhe më 1944. Po kush mund të vinte dorën në zjarr se komunizmi shqiptar do ishte po aq gjakatar dhe i pashpirt, nëse Enver Hoxha nuk do ishte kthyer nga Franca për ndonjë rastësi banale, të themi se kishte rënë në dashuri dhe dëshironte të martohej? Ose, për të ardhur edhe më afër: nëse qendra e rebelimit popullor të vitit 1997 nuk do ishte Vlora, por le të themi Durrësi, Elbasani ose Shkodra, a do ishin ngjarjet e atij viti aq të ashpra dhe të përgjakshme sa janë në të vërtetë? Unë them përsëri jo! Në Shkodër nuk kishte arsye të ndodhte ajo që ndodhi në Vlorë, të paktën jo në të njëjtën masë dhe mllef, edhe për shkak se ngjarjet e vitit 1997 kishin si nënshtresë historike ngutin e jugut për të zbutur regjimin i veriut, siç edhe perceptohej rëndom në atë kohë. Për këtë arsye pra nuk do ndodhnin kurrë në Shkodër ato që ndodhën në Vlorë, por edhe nëse do të ndodhnin, nuk do kishte aq të vrarë, aq shumë gjak dhe aq shumë plagë të pambyllura. Historia, pra, ka arsyet e veta që vijnë nga e shkuara për të zgjidhur të ardhmen. Përjashto kapriçot e saj që kryesisht lidhen me emrat dhe frustrimet e njerëzve, që i japin asaj drejtime të ndryshme dhe të paparashikueshme.

Ja pra që megjithëse kemi arsye të besojmë se koha, përvoja dhe, sidomos, forcimi i institucioneve në botë nuk do çojë në ndryshime të mëdha në shekullin e ardhshëm, sërish nuk e kemi dot këtë garanci. Siç nuk e kishin evropianët e njëqind viteve më parë. Kur lexon entuziazmin që përjetonin evropianët e viteve 1914 para fillimit të një lufte, habitesh. Evropa ishte një vend plot energji, industrializmi sapo kishte nisur të punësonte të varfërit, artet dhe letërsia humaniste sapo kishin shpëtuar nga errësira e Mesjetës, ndërsa teknologjia kishte filluar t’i jepte shpresë njeriut duke e ngritur në ajër dhe duke e transportuar në distanca të pakapërcyeshme më parë. Qytetet e Evropës shkëlqenin dhe harmonia mes racave, mes besimeve dhe popujve nuk kërcënohej, në dukje, nga asgjë. Askush nuk kishte arsye për luftë. E, megjithatë, luftë pati. Për tridhjetë vjet! Evropa përjetoi përplasjet më mizore që bota ndoshta ka parë në kohët moderne. Mbi tridhjetë milionë evropianë vdiqën ose u masakruan dhe komunizmi e ndau Evropën në dysh, pasojë dhe fryt direkt i luftës.

Kush mund ta parashikonte? Askush! Megjithëse unë nuk besoj se jemi afër një të panjohure edhe më të madhe se evropianët në vitin 1914, sërish nuk kam siguri. E ardhmja është diçka që nuk ka egzistuar. Edhe kur përsëritet, prapë nuk ka egzistuar. Nëse Evropa ka fituar ndonjë aftësi gjatë njëqind viteve të fundit, ajo është aftësia për t’i shtyrë luftërat jashtë territorit të saj. Shpresoj. Dhe nëse Shqipëria ka ndonjë garanci se nuk ka gjasa të përfshihet në katastrofa të mëdha, kjo është vetëm gjeografia e saj. Shqipëria është në mes të Evropës. Dhe, si për çdo vend evropian, edhe për Shqipërinë është deri diku e mundshme të parashikosh të ardhmen. Duke lexuar të shkuarën. Dhe të tashmen. OKB që është përpjekur, thotë që Shqipëria do të jetë më e vogël. Pyetja është prapë: Pse?