Nga Valbona Nathanaili

  • Simpoziumi “Quo Vadis Humanitas”, mbajtur dt. 5 shkurt 2021, bashkëpunim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Fondacionit “Henrietta Leavitt”

Leksioni publik i Dublinit “Çfarë është jeta?” i vitit 1943, u botua, për herë të parë, në formën e një broshure të vogël, më vitin 1944. Libri shumë shpejt u bë i njohur në të gjithë botën dhe frymëzoi një gjeneratë të tërë fizikanësh, kimistësh dhe matematikanësh ta zhvendosnin objektivin e studimeve drejt biologjisë.

Vetë pyetja “Çfarë është jeta?” është shumë e vjetër. Deri në kohën e Shrodingerit, feja dhe filozofia janë, përgjithësisht, dy kampet kryesore në kërkim të përgjigjes. Mund të bëhet një përjashtim, sikundër është rasti i Darwinit, dhe është një pikënisje e mirë për kohën. Por kur e njëjta pyetje u artikulua nga Shrodingeri, papritmas u bë e re dhe e rëndësishme. Sepse pyetja u shtrua për zgjidhje, për herë të parë, nga një fizikan dhe shkencëtar me reputacion ndërkombëtar. Shrodinger vlerësohet si një nga baballarët e mekanikës kuantike, është fitues i Çmimit Nobel në fizikë dhe, për më tepër, një intelektual me reputacion ndërkombëtar dhe karizmatik.

Në optikën e Shrodingerit, biologjia, që deri në atë kohë konsiderohej një shkencë e dorës së dytë, duhet ta studiojë lëndën e gjallë me ndihmën e po atyre ligjeve të fizikës që njohim dhe përdorim edhe për lëndën jo të gjallë: në fund të fundit, të dyja përbëhen nga po ato molekula, atome e elektrone. Një ide e thjeshtë për një çështje të madhe dhe më të rëndësishmen e biologjisë. Nga një fizikan!

Në pak më shumë se 100 faqe libër, që përbëjnë edhe pjesën e parë të librit, nga perspektiva e fizikës, i ofron biologjisë, me sinqeritet, me këmbëngulje, pa spekulluar me njohuri apo me dogma, çfarë dimë, për t’i dhënë përgjigje asaj që nuk dimë. Për të lexuar librin, mund të rendisësh shumë arsye, por unë jam kufizuar si më poshtë:

  • të sistemon, në mënyrë shumë të thjeshtë, njohuritë për trashëgiminë dhe mutacionet;
  • tregon rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për organizmat e gjalla metabolizmi, duke trajtuar me shumë elegancë disa koncepte, që shpesh në dëshirën për t’i përdorur edhe në jetën e përditshme, interpretohen gabim, si entropia dhe gjendja e ekuilibrit;
  • nxjerr në qarkullim, edhe një herë teorinë e evolucionit të Darwinit, duke ruajtur emërtimin dhe korrigjuar thelbin – dhe këtu ke rastin të konstatosh naivitetin e një teorie, me të cilën janë ushqyer breza të tërë, përfshirë sistemin shkollor në Shqipëri deri në fund, ndoshta, të viteve 2000. Në këtë rast, Schrödinger heq një paralele ndërmjet Teorisë së fizikës dhe Teorisë së Darwinit. Fizikës “iu desh” kuanti, për të shpjeguar shumë fenomene që kishin mbetur në udhëkryq, objekt debati e diskutimesh; Teorisë së Darwinit për evolucionin, i duhej një shpjegim i ri për mënyrën se si bëhet selektimi. Për Schrödinger, evolucioni është i rëndësishëm për ne, si qenie të gjalla, por evolucioni ndodh vetëm nëpërmjet mutacioneve. Çdo lloj mutacioni përfaqëson një kërcim kuantik të molekulës përkatëse, rastësisht ose në mënyrë të detyruar.
  • Ke mundësinë, faqe pas faqeje, të njihesh me një nga përshkrimet më të mira që i është bërë jetës ndonjëherë nga pikëpamja e shkencave të sakta, përmbledhur në një fjali, që duket sikur është shkruar edhe për 78 vjet më vonë, nga sot: jeta është informacion dhe gjenet janë mbartëset e këtij informacion!

Pyetja e Shrodingerit “Çfarë është jeta”, jeta e gjallë, në formën që e njohim ne në Tokë, në termat e karakteristikave që e dallojnë nga jeta jo e gjallë, nga perspektiva e shkencave të sakta, ka përgjigje. “Çfarë është jeta” mund të përkufizohet me ndihmën e dy veçorive: jeta e gjallë ka aftësinë për të transmetuar informacionin e çiftëzuar, nga një brez në tjetrin; jeta e gjallë ka aftësinë të zhvillojë procese që e ndihmojnë të rritet dhe të zhvillohet në një formë të caktuar, e shtrirë në kohë dhe hapësirë, e ndarë nga mjedisi që e rrethon. Këtu shkëmbimi i energjisë me mjedisin që e rrethon dhe metabolizmi kanë rol vendimtar.

Pyetja e Shrodingerit “Çfarë është jeta”, jeta e gjallë, në formën që e njohim ne në Tokë, në termat e origjinës, ose ndryshe: si lindi jeta në Tokë, si u shfaqën në Tokë, organizma jo vetëm kaq kompleksë, por edhe kaq të shumëllojshëm, 78 vjet më pas vazhdon të jetë pa përgjigje. Nga perspektiva e shkencave të sakta akoma nuk jemi në gjendje të shpjegojmë se si ka lindur jeta, këtu apo edhe në ndonjë planet tjetër. Pyetja vazhdon të jetë e hapur dhe e re.

Libri klasifikohet te klasikët

Në libër shtrohen probleme shumë të rëndësishme me thjeshtësi të mahnitshme! Për më tepër, libri është shkruar në një gjuhë shumë të qartë, artistikisht është shumë i arrirë, dhe mbushur me metafora dhe shembuj interesantë. Një himn për shkencën!

Dy revolucionet shkencore të Shrodingerit  

Sipas një klasifikimi sa i takon mendimit e qasjes së re që udhëheqin shkencën, që ndryshojnë tërësisht paradigmën e saj, shkenca ndahet në shkencë revolucionare dhe shkencë normale. Për ta pasur të thjeshtë, po hap parantezën që revolucioni është një term që është huazuar nga shkencat sociale, ndërsa për normalitetin, konceptet vlejnë nga të dyja krahët, edhe nga shkencat e sakta, edhe nga ato sociale.

Në çdo fushë të dijes, shkenca normale zhvillohet në përputhje me një bashkësi rregullash, konceptesh dhe procedurash, që ndryshe i quajmë paradigmë, pranuar nga të gjithë shkencëtarët që punojnë për të. Shkenca normale është e ngjashme me zgjidhjen e një pazëlli: interesante, për të thënë edhe e bukur, ndërkohë që zgjidhjet përftohen me ndihmën e rregullave që kurrë nuk ndryshohen. Në shkencën normale, zhvillimi sigurohet nëpërmjet akumulimit: dijeve të vjetra u shtohen të reja. Aktivitetet që përbëjnë shkencën normale, janë normale: e vërteta bëhet edhe më e vërtetë, bëhen korrigjime të gabimeve të vjetra dhe herë pas here ndodhin edhe zbulime.

Asnjë shkencëtar tjetër nuk ka qenë në gjendje, si Shrodinger, të frymëzojë dhe udhëheqë dy revolucione shkencore në shkencë.

I pari është në fushën e fizikës!

Në kohën e Shrodingerit, vihen në pikëpyetje vetë themelet e shkencës së fizikës. Shumë dukuri të reja, të sapozbuluara, nuk gjenin shpjegim. Në përpjekje për zgjidhje, duhej një fizikë e re: për të përmendur, kam veçuar vetëm dy, Shrodinger formulon ekuacionin valor, Hajzenbergu parimin e papërcaktueshmërisë. Teoria e re është e papranueshme nga të gjithë dhe e papritur. Nuk konkurron me të vjetrën se kush është më e mirë! Është luftë për jetë a vdekje: ose njëra, ose tjetra! Në rastin e Shrodingerit, paradoksi është që jo vetëm nuk u pranua nga pjesa më e madhe e komunitetit të shkencëtarëve, por edhe vetë ai pati mëdyshje: macja e famshme ia di për faleminderit ekzistencën e saj, pikërisht këtyre hezitimeve.

Fazat e tjera të shkencës revolucionare janë po njësoj, vazhdojnë të ngjajnë me atë të një revolucioni shoqëror: në radhët e shkencëtarëve lindin tensione, të cilat rriten gjithnjë e më shumë, deri sa vimë në lindjen e revolucionit shkencor. Lindja e tij shënohet nga nevoja për ndryshimin e paradigmës. Paradigma e re krijon kushtet për zhvillimin e shkencës së re normale.

Revolucioni i dytë shkencor që udhëhoqi Shrodinger është në fushën e biologjisë. Libri i Shrodingerit shënoi fillimin e një revolucioni biomolekular, sepse jo vetëm ndikoi disa nga fizikanët më të famshëm të kohës të merren seriozisht me biologjinë, por inkurajoi biologët të përdorin termat e matematikës dhe modelet e fizikës në studimet e tyre. Pjesa tjetër pastaj është histori. Përfshirë kontributin tejet të vyer dhe që shpesh harron të përmendet, se që nga koha e Shrodingerit, biologjia duket se ka ecur shumë më tepër se fizika. Shrodingeri i dha impulsin që i mungonte për të ecur përpara.

Erwin Shrodinger si intelektual

Erwin Shrodinger ka jetuar në kohën e artë të fizikës dhe është bashkëkohës me disa nga shkencëtarët më të shquar të të gjitha kohërave, veçuar këtu Ajnshtajnin, Hajzenbergun, Maks Plank dhe Pol Dirak. Më 4 korrik 1929, në moshën 42 vjeçare, pranohet si anëtar i Akademisë së Shkencave të Prusisë, me aprovimin unanim të të dyja dhomave: edhe të shkencave të sakta, edhe të shkencave sociale. Maks Plank, në fjalimin përshëndetës për këtë rast, e përshkruan në këtë mënyrë: një nga intelektualët më me kontribute, “që dallohet për pavarësinë e ideve dhe shumëllojshmërinë e interesave”, interesa që shtriheshin jo vetëm në degë të ndryshme të fizikës, por edhe në filozofi dhe poezi.

Si intelektual, do e veçoja për ngritjen e zërit kundër Hitlerit, – nuk pajtohej me dhunën, anti-intelektualizmin dhe anti-semitizmin e tyre.

Në vitin 1933 gjendej në Berlin, ishte bërë qytetar gjerman dhe mbante postin e drejtorit të fizikës teorike, një post që më parë e kishte mbajtur Max Plank. Duhet theksuar se në atë kohë, Berlini njihej si kryeqyteti i shkencës: çdo javë zhilloheshin aktivitete, ku merrte pjesë me kënaqësi. Por me ardhjen e nazistëve në pushtet, në moshën 46 vjeçare, zgjedh të ikë! Sigurisht, që për shkak të famës dhe të profesionit dhe, patjetër, duke mos qenë hebre, mund të ishte i qetë. Por arsyeve të mësipërme, mund t’u shtoj edhe një fakt tjetër që e referojnë shumë biografë të tij: një çift hebrenjsh, kolegë të tij në institut, i pohojnë se e vetmja zgjidhje që kanë me ardhjen e Hitlerit në fuqi, është të vrasin veten. Ky është ekzili i parë i Shrodingerit për shkak të nazistëve, që e detyron të zhvendoset sa në Zvicër, Angli, Amerikë dhe Austri.

Në këtë kohë, vetëm emrat e dy shkencëtarëve heqin nazistët nga regjistrat e anëtarësisë së Akademisë: Erwin Schrödinger dhe Albert Ajnshtajn.

Në autobiografinë që gjendet në libër dhe që përbën edhe pjesën e tretë, viti 1933 shënon fillimin e periudhës së katërt e jetës së tij, të cilën e emërton “Vitet e mia të vona të endjes”! Nga kjo periudhë kam shkëputur dy vite: vitin 1933, vit që merr Çmimin Nobel në Fizik, së bashku me Paul Dirack dhe vitin 1938. Në vitin 1938 kemi të njëjtën histori me nazistët: në këtë vit gjendej në Austri, por jo në Vienë, ku ishte lindur dhe rritur, por në Graz, në Universitetin e Grazit. Me aneksimin e Austrisë nga Gjermania – përsëri gjendet përpara zgjedhjes së vështirë. I ndërgjegjshëm që nazistët do t’i minonin punën – ishin shumë të kujdesshëm për të mos harruar asnjë që i kundërshtonte – vendos të ikë! Përfundon në Dublin, Irlandë. Sigurisht që Dublini ishte modest krahasuar me qytetet e tjera ku kishte jetuar e punuar, por rezultoi shumë mikpritës: qëndroi pothuaj deri në fund të jetës. Duhet theksuar se në dallim nga shumë shkencëtarë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shrodinger mban një qëndrim neutral, ndoshta edhe sepse vetë Irlanda ishte neutrale.

Historia e botimit

Leksionin publik, Erwin Shrodinger e mbyll me një fjali të tillë:

  • ne funksionojmë në bazë të ligjeve të natyrës dhe e gjithë jeta jonë varet, nga ana tjetër, nga fibra kromozomike, që ngjason me një kristal aperiodik. Dikush mund të thotë, që nuk është gjë tjetër, vetëm se një nga hallkat e këtij mekanizmi organik, por është një nga kryeveprat më të arrira të mekanikës kuantike, me ndihmën e Zotit!

Sigurisht që në Irlandën e asaj kohe,veçanërisht në rrethet intelektuale, besimi ndaj Zotit ishte një çështje shumë tolerante dhe, ndoshta, pikërisht për shkak të kësaj tolerance u ra dakord që të botohej me një shtëpi botuese në Dublin, Irlandë.

  • Erwin Schrödinger ka thënë: Në Gjermani, nëse diçka ndalohet, nuk bëhet. Në Angli, nëse diçka ndalohet, bëhet. Në Austri dhe Irlandë, nëse diçka ndalohet, e bëni ose jo është në dëshirën tuaj!

Por ndërkohë që bëhej gati për shtyp, Shrodinger shton edhe një epilog, ku nënvizon përkrahjen e tij për një lloj të caktuar filozofie, ndërkohë që në parathënie falenderon edhe një murg për ndihmën që i dha, veçanërisht me anglishten. Kjo mërziti dhe u bë e pakapërcyeshme për redaktorin e librit. Libri mbeti në sirtar për afro një vit. Më pas ra në duart e Shtëpisë Botuese të Universitetit të Kembrixhit dhe pak nga pak mori trajtën që ka sot: me tri pjesë, “Çfarë është jeta”, “Mendja dhe materia”, si dhe “Autobiografia” që ka shkruar vetë autori afro një vit përpara se të vdiste. Në botimin shqip, kam shtuar një biografi të shkurtër të E. Schrödinger, duke u përpjekur të trajtoj ato pjesë të jetës së tij që mungojnë ose autori vetë i anashkalonnë autobiografi, për shembull marrëdhëniet me gratë. Martesa e tij ka qenë e hapur dhe i njihen disa fëmijë me gra të tjera. Kam shtuar edhe leksionin e mbajtur me rastin e marrjes së Çmimit Nobel, më 12 dhjetor 1933, me titull “Ideja themelore e mekanikës valore”.

Botimi shqip i librit ka një vlerë të shtuar: shoqërohet me një parathënie shumë të mirë të Prof. Steve Fuller dhe gjej rastin për ta falenderuar jo vetëm në planin personal, por në një plan shumë më të gjerë, nga një plan publik, për interesimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, për të sjellë edhe në shqip, kontributet e tij të vyera në fushën e filozofisë së shkencës! Faleminderit Prof. Fuller!

Dy apele

Apeli i parë

Që në lashtësi, ne, si qenie njerëzore, jemi përpjekur ta përshtasim mjedisin ku jetojmë për interesat tona, por vetëm së fundmi kemi mundur të fitojmë dije dhe pushtet të atillë, sa të modifikojmë strukturën themelore të jetës në Tokë, gjenin, një proces që duket se i ka fillesat jo më shumë se një dekadë më parë. Në fushën e shëndetësisë janë bërë hapa përpara dhe ka kohë që “redaktimi i gjeneve” është pjesë e protokolleve zyrtare, në disa vende, për shërimin apo parandalimin e disa sëmundjeve. Ndërsa më 14 dhjetor 2020, “Agjencia Amerikane për Ushqimet dhe Ilaçet” në SHBA miratoi, për herë të parë, “redaktimin” e një geni te një lloj derri shtëpiak, që përdoret për konsum ushqimor. Dua të theksoj, se kam zgjedhur të mos përdor fjalën “modifikim” që e përdora pak më parë dhe gjendet shpesh në literaturë, por fjalën “redaktim”, huazuar nga fusha e botimeve, si paralele për synimin, që duhet të jetë i përbashkët: korrigjimi i veprës së krijuesit! Sfidat janë të shumta dhe pyetjet që dalin edhe më shumë. Më të rëndësishmet: Çfarë do të kuptojmë me jetë në të ardhmen? A vlejnë përsëri të njëjtat karakteristika për jetën që gjejmë në librin e Shrodinger? Për shembull, nëse gjeni “redaktohet”, një nga karakteristikat e jetës, trashëgimia, cënohet në përkufizim! A do bëhet jeta jonë më e mirë? Vështirë të japësh një përgjigje të qartë dhe të sigurt. Por kjo mund të jetë temë bosht për një simpozium tjetër, aq shumë probleme etike dhe morale për diskutim hap! Gjithsesi, apeli është për nevojën, për t’u paraprirë këtyre zhvillimeve në shkencë, edhe në Shqipëri, me një legjislacion.

Apeli i dytë

Çdo person i shkolluar duhet të njohë shkencat e natyrës! Studimi i shkencave të natyrës duhet të futet në kurrikulën e shkencave sociale edhe në arsimin e lartë! Dhe anasjelltas!